• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THEMELOHET FONDI”JIM XHEMA’ NE NDER TE SENATORIT DOLE

October 15, 2020 by dgreca

THEMELOHET FONDI XHIM XHEMA PRANË UNIVERSITETIT KANSAS NË NDER TË ISH-SENATORIT ROBERT DOLE/

  Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpgNë një njoftim të përhapur të ënjtën nga (Kansas University Endowment”), për mediat amerikane dhe shqiptare, thuhet se biznesmeni dhe mbrojtsi i çeshtjeve kombëtare, Z. Jim (Xhim) Xhema me origjinë shqiptare nga Greenwich i shtetit Konetikët në Shtetet e Bashkuara i dhuroi $500,000 (gjysëm million) dollarë Institutit Dole pranë Universitetit të shtetit Kansas.  Në njoftim thuhet se ky gjest i Z. Xhema është një vlerësim i punës së Senatorit Robert Dole due jepet në shenjë falënderimi për diplomacinë dhe mbështetjen ndaj çeshtjes së Kosovës gjatë dekadave dhe për miqësinë e tij të gjatë me Senatorin republikan Bob Dole.

Një lidhje politike që bashkoi akktivistin shqiptaro-amerikanin Jim Xhema dhe Senatorin e shtetit Kansas, Z. Bob Dole është kthyer në një miqësi midis këtyre dy burrave që ka zgjatur për më shumë se 30 vjet, theksohet në njoftimin e shpërndar për median.   Kjo miqësi, e lindur nga një fëmijëri me shumë gjëra të përbashkëta dhe bazuar në respektin e ndërsjelltë midis këtyre dy burrave, frymëzoi dhënjen e kësaj dhurate prej 500,000 dollarësh Institutit Dole, pranë Universitetit Kansas, thuhet në njoftimin e Universitetit Kansas.  Njoftohet se dhënja e kësaj dhurate ishte planifikuar të jepej njëkohësisht me ceremoninë e zbulimit të statujës së Senatorit Dole në Prishtinë, gushtin që kaloi, në kryeqytetin e Kosovës, në kujtim dhe në nderim të 30-vjetorit të vizitës së parë të Senatorit Dole, me gjashtë kolegët e tij senatorë të njohur amerikanë,  në Prishtinë.

Ishte kjo vizita e parë e Senatorit Robert Dole në Kosovë, vizitë e cila konsiderohet edhe sot si pikëkëthesa për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova. Senatori Dole dhe kolegët e tij, dëshmuan para botës dhe komunitetit ndërkombëtar abuzimet serbe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, por edhe për qendresën e tyre të fortë përball këtyre abuzimeve.  Sipas shumë vërejtësve, me vizitën e senatorëve amerikanë në Kosovë në vitin 1990 filloi edhe “ndërkombtarizimi i çeshtjes së Kosovës”, për të cilën fliste aq shpesh ish-Presidenti historik i Kosovës, i  ndjeri Dr. Ibrahim Rugova,  njëkohësisht edhe mik i ngusht i Z. Xhema dhe i Senatorit Robert Dole, si dhe krye-protagonisti i miqësisë së përhershme midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve — në një kohë — kur pak kush dinte gjë për Kosovën dhe për shqiptarët.

Në njoftimin për themelimin e Fondit Xhema thuhet se Jim Xhema është takuar për herë të parë me Senatorin Dole në vitin 1987, kur Z. Dole ishte udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan.  Z. Dole ishte ndër liderët e parë politikë Amerikanë që solli vëmendjen ndaj gjëndjes në Kosovë dhe popullsinë e saj, kryesisht, etnike shqiptare si dhe përpjekjeve të saj për liri nga sundimi serb gjatë viteve 1980 dhe ’90 – kur qeveria serbe kishte vendosur ligjin e shtet-rrethimit dhe sundimin diktatorial mbi popullsinë shqiptare.

Gjatë ceremonisë që u mbajt në Prishtinë gushtin që kaloi, për të nderuar Senatorin Dole, Z. Xhema tregoi se megjithse ata u rritën në dy botë të ndryshme, të dy u rritën në ferma bujqësore.  “Të dy e kuptuam se, në fëmini, ishim rritur në një mënyrë shumë të ngjashme me njëri tjetrin dhe se kemi shumë parime të njëjta,” është shprehur Z. Xhema, siç raporton gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria në Nju Jork.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Senatori Dole falënderoi Z. Xhim Xhema, mikun e tij prej një kohe të gjatë, për dhuratën dhe për vizionin e tij për paqe dhe liri.  “Xhim Xhema ka qenë miku im i ngushtë për shumë dekada.  Ai është një njeri i shquar dhe i veçantë”, tha Robert Dole, njëri prej politikanëve më të njohur të Amerikës të shekullit të kaluar dhe më vonë.  “Besnikëria dhe miqësia e Xhimi-t gjatë viteve, kanë qenë gjithmonë shumë domethënëse për mua, në nivelin personal, ndërsa dhurata e tij e fundit për Institutin Politik Dole, është një dëshmi e vërtetë e bujarisë së tij të pakufishme dhe e angazhimit të tij të vendosur për ta bërë këtë botë më të mirë për brezat e ardhëshëm”, është shprehur ish-Senatori Dole.

Fondi i Mundësisë Jim Xhema (“Jim Xhema Opportunity Fund”) do të sigurojë mbështetje për Institutin e Politikës Robert J. Dole për programet dhe ekspozitat publike të Universitetit Kansas.  Për të respektuar dëshirën e Z. Xhema, ky fond do të përdoret për të sponsorizuar programe dhe ekspozita me tema dhe subjekte mbi Shqipërinë, Kosovën, Shqiptaro-Amerikanët ose rajonin e Ballkanit, në Evropën Juglindore. Ky fond mund të sigurojë gjithashtu mbështetje për studiues që do të merren me kërkime shkencore në kuadër Koleksioneve të posaçme dhe Arkivit Robert dhe Elizabeth Dole, thuhet në njoftimin për media.

Ndërsa Z. Bill Lacy, Drejtori i Institutit Politik Dole pranë Universitetit Kansas, i shprehu mirënjohjen e tij të thellë Z. Xhim Xhema për dhuratën duke thenë se Instituti Dole do të përfitojë shumë nga kjo dhuratë bujare.  “Ne të Institutit Dole jemi vërtetë të nderuar dhe mirënjohës ndaj Z. Xhema për këtë dhuratë bujare”, tha Lacy.  “Kontributi i tij do të ndihmojë që të sigurojmë — që ne të vazhdojmë të nderojmë trashëgiminë e Senatorëve Bob dhe Elizabeth Dole dhe të hapim mundësi të reja për të zgjëruar programimin dhe kërkimet shkencore në fusha të reja dhe për audienca të reja”, përfundon njoftimi për themelimin e Fondit Xhim Xhema pranë Universitetit Kansas, në nder të ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara, Z. Robert Dole.

Vizita e Senatorit Robert Dole në Prishtinë në vitin 1990, ishte si të thuash katalizatori që vuri në lëvizje ndërkombtarizimin e “Çeshtjes së Kosovës”.  Ishte paralajmërimi i parë për Washingtonin zyrtar dhe botën se në Kosovë punët ishin shumë keq për shqiptarët, madje pat parashikuar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ.  

Pas “shtypjeve shokuese” që kishte parë në Kosovë ndaj shqiptarëve të asaj krahine nga ana e forcave policore serbe, ish-Senatori Dole ia nisi punës për të sensibilizuar Kongresin, por edhe popullin amerikan dhe botën për krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë kundër shqiptarëve autoktonë, nga forcat kriminale të Millosheviqit, duke e cilësuar atëherë situatën në Kosovë si të rrezikshme dhe të pa parashikueshme.  Kjo ishte, pikërisht, edhe periudha që njëherazi vuri në lëvizje edhe lobimin në Kongres dhe pranë qeverisë federale të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili megjithëse i vogël në numër, arrijti të siguronte një mbështetje të pa parë deri atëherë — në qarqet e politikës amerikane – në favor të të drejtave dhe kauzave të shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi dhe në rajonin e Ballkanit Perendimor, në përgjithësi.

Aftësia që e dalloi Z. Xhim Xhema dhe veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë ishte se ai dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për shqiptarët në Washington, nga të dy partitë politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë — dhe ndër politikanët më të dalluar due më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim.  Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çeshtja e Kosovës” dhe të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në përgjithësi, — gjatë një periudhe shumë kritike të historisë së shqiptarëve – interesat e tyre të ishin në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin XXI.  Njëri prej këtyre ishte edhe ish-Senatori Robert Dole, “Një mbështetës i pazevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, siç e ka cilësuar Senatorin Dole, ambasadori aktual amerikan në Prishtinë, Z. Filip Kosnett.  Ndërsa Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me  medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë përmirsimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”

Ndihma prej dekadash e Senatorit Bob Dole dhe e politikanëve të tjerë amerikanë, është vlerësuar dhe nuk besoj se do të harrohen kurrë nga Kosova dhe as nga Kombi shqiptar.  Dhurata bujare — e veprimtarit të njohur prej dekadash në komunitetin shqiptaro-amerikan, Z. Xhim Xhema — për Institutin Dole të Universitetit Kansas – është një vlerësim tjetër i lartë që do të përjetësojë kujtimin e punës së palodhëshme të këtij burri të madh amerikan në mbështetje të drejtave bazë të njeriut, lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi dhe pavarësisë së Kosovës dhe të lidhjeve të përhershme midis dy popujve tanë, në veçanti.

             Ish-Senatori Bob Dole me veprimtarin shqiptaro-amerikan të çeshtjes kombëtare, Z. Xhim Xhema
 

Ish senatori Dole (majtas) me prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën.

Ish senatori Dole (majtas) me Prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën.

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor 2003.

  Respekt për ish-Presidentin Ibrahim Rugova …

   Gjithmonë midis veprimtarëve shqiptaro-amerikanë

Dhjetor 2016 në pritjen vjetore me rastin e festave të fund vitit, organizuar nga Xhim Xhema, për miqtë shqiptarë dhe amerikanë, në një prej lokaleve të njohura të New Yorkut.

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, Fondi, Frank shkreli, Xhim Xhema

Bob Dole nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit

January 18, 2018 by dgreca

Bob Dole, nderohet si shembull i vlerave më të mira amerikane/

Zeri i Amerikes- Një prej drejtuesve më të njohur të Kongresit amerikan, ish Senatori Bob Dole, u nderua dje me Medaljen e Artë të Kongresit “për shërbimin ndaj vendit”, në një ceremoni ku republikanët dhe demokratët, i lanë mënjanë përplasjet e forta partiake, për të nderuar një prej ligjvenësve më të shquar, që për dekadat që shërbeu në Kongres u njoh si politikan që luftonte për arritjen e konsensusit. Ceremoninë e ndoqi kolegia Keida Kostreci.

President Donald Trump speaks during a Congressional Gold Medal ceremony honoring former Senator Bob Dole on Capitol Hill, Wednesday, Jan. 17, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)
President Donald Trump speaks during a Congressional Gold Medal ceremony honoring former Senator Bob Dole on Capitol Hill, Wednesday, Jan. 17, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Si rrallë ndonjëherë kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, republikanët dhe demokratët, ishin jo vetëm të pranishëm në një ceremoni, por të bashkuar në një zë për të nderuar një nga figurat më me peshë të politikës amerikane moderne. Ish-Senatori Bob Dole u nderua me Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni ku theksi u vu tek shërbimi, heroizimi dhe udhëheqja e ish-senatorit Bob Dole.

Presidenti Donald Trump e quajti ish-senatorin nga Kansasi, një amerikan të madh që erdhi nga një qytet i vogël dhe u bë ushtar, kongresmen dhe një udhëheqës i admiruar nga të gjithë.

“Kjo është trashëgimia që i lë vendit tonë madhështor dhe do të ekzistojë për një kohë të gjatë pasi të mos jemi më këtu. Je një mik, një patriot, një hero, një udhëheqës dhe sot nderohesh me Medaljen e Artë të Kongresit. Është një nder që jam këtu me ty Bob, faleminderit për shërbimin tënd.”

Zoti Dole ishte një përkrahës i hershëm i Presidentit Trump dhe i vetmi ish-kandidat presidencial republikan që e mbështeti atë.

Medalja iu dha ish-senatorit për shërbimin ndaj vendit si “ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti” dhe iu dorëzua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

“Bob Dole ka luftuar gjithmonë për ata që kanë luftuar për ne. Ai është mishërimi i njeriut të ndershëm. Është ky lloj heroi amerikan, mbrojtës vetëmohues, i palëkundur i atyre që nuk mbrojnë dot veten, që nuk marrin gjithmonë atë vlerësim që meritojnë”.

“Senator Dole, falë jush Amerika është shumë më mirë. Në emër të Kongresit dhe gjithë amerikanëve ju faleminderit dhe zoti ju bekoftë”, tha ai.

Vetë zoti Dole falenderoi të pranishmit dhe me humorin që e karakterizon dhe që u vu në pah nga të pranishmit, bëri shaka.

“Dua të falenderoj të gjithë folësit që thanë aq fjalë të mira. Ndoshta nuk janë të vërteta por ishin të mirë me mua”, tha ai.

I respektuar nga të dyja palët e politikës

Pat Roberts, senator republikan nga Kansasi, përmendi përçarjen në politikën amerikane dhe tha se disa mund të thonë që nuk ka asnjë temë për të cilën të biem të gjithë dakord. Mesa duket vlerësimi për zotit Dole, nuk ishte një prej tyre. Për të dhënë medaljen, duhet mbështetja e 2 të tretave të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 67 senatorëve.

“Në më pak se dy ditë, kisha siguruar votat e të 100 senatorëve. Nuk kisha nevojë të shkoja t’u kërkoja firmat, ata erdhën tek unë dhe më pyetën nëse mund të nënshkruaja. Duhet të jesh një person shumë i veçantë që ne të 100 të jemi kaq entuziastë dhe mirënjohës, që të bashkoheshim për këtë kauzë bipartizane për këtë vlerësim të veçantë”, tha ai.

Patrick Leahy, Senator demokrat nga Vermonti dhe mik i Senatorit Dole, vlerësoi aftësitë e tij, si udhëheqës bindës, i besueshëm dhe që gjithmonë e mbante fjalën.

“Ai u bë shembull i vendosjes së interesave të vendit, para atyre të partisë”, tha ai.

“Senatori Dole, ka thënë: ‘sfida jonë nuk është që të vëmë në diskutim idealet e Amerikës, ose t’i zëvendësojmë ato, por të arrijmë të jemi në lartësinë e tyre. Le t’i kushtojmë vëmendje këtyre fjalëve kuptimplota. Senatori Bob Dole, për një jetë të tërë që ju keni kaluar duke mbrojtur, çuar përpara dhe mishëruar idealet tona më të çmuara amerikane, ju falenderojmë”, tha kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti

Ish- Senatori Dole, është një legjendë e politikës dhe ndërgjegjes amerikane. Si ushtar në Luftën e Dytë Botërore, ai u plagos rëndë në Itali në vitin 1945 dhe asnjëherë nuk rifitoi komandën e dorës së djathtë.

Që atëherë, ai gjithmonë mbante një laps në atë dorë, në mënyrë që askush që e takonte të mos përpiqej t’ia shtrëngonte atë.

Ai filloi karrierën 35 vjeçare në politikë në moshën 27 vjeçare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, ku i bë kreu i republikanëve, një post që e mbajti për afro 11 vjet nga 1985 – 1996.

Ai ishte kandidat republikan për president në vitin 1996 por humbi garën para Bill Clintonit, i cili kandidonte për rizgjedhje, Pasi humbi, ai dha dorëheqjen nga Senati.

Hero për shqiptarët

Ish- Senatori Dole kujton se megjithëse humbi në fushatën presidenciale, ai kishte fituar votat e pothuajse gjithë shqiptarëve. Dhe për një arsye të fortë.

Zoti Dole është një hero për shqiptarët për rolin që luajti për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës.

Për këtë arsye, Xhim Xhema, një biznesmen dhe veprimtar i kahershëm shqiptaro-amerikan dhe mik i zotit Dole, që e ndihmoi edhe gjatë fushatës presidenciale, nuk mund ta mos ishte i pranishëm në ceremoni:

“Senatori Dole, nuk është vetëm një hero amerikan, por një hero i madh shqiptar, një shqiptar i madh. Ai na shpëtoi dy herë. Kur filloi lufta dhe Serbia na përzuri nga shtëpitë tona. Më pas ishte ishte personi kryesor që e bindi Senatin të mbështeste Bill Clintonin që të ndërhynte kundër ish-Jugsllavisë, atëherë Serbia.”

Por ai shton se angazhimi i tij ishte instrumental edhe më pas, duke thënë se ishte ai që e bindi ish-Presidentin Bush që të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

“Pra për herë të dytë ai na shpëtoi. Ai është heroi ynë dhe na shpëtoi dy herë nga pushtimi. Unë them se përveç Skënderbeut, Bob Dole është figura më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë dhe i kemi një borxh të madh”, thotë zoti Xhema.

Elmi Berisha, veprimtar shqiptaro-amerikan, që ka bashkëpunuar me zotin Dole, si ish-përfaqësues i posaçëm i ish-Presidentit Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara, tha se ceremonia është e rëndësishme sepse po dekorohet një hero amerikan por edhe sepse…

“Po dekorohet një hero amerikan tek shqiptarët, sepse senatori Dole është një nga njerëzit kryesorë, i cili ka ndihmuar në pavarësinë e Kosovës. Sikur të mos ishte senatori Dole, pavarësia e Kosovës do të ishte pak më ndryshe.”.

Arsyeja tjetër thotë ai, ishte miqësia e zotit Dole me ish-Presidentin Ibrahim Rugova.

“Burra si senatori Dole, personalitete si ai i senatorit Dole, vijnë rrallë dhe janë të pashlyeshëm në historinë e shqiptarëve, kryesisht në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me pavarësinë e Kosovës. Prandaj ne si shqiptaro-amerikanë, duhet të mos ndalemi asnjëherë por të punojmë me miqtë tanë amerikanë siç e kemi senatorin Dole dhe miq të tjerë që i kemi ende dhe miq të rinj që do të vijnë në Kongres dhe në Senat dhe ta ndërtojmë dhe të kultivojmë marrëdhëniet të cilat kanë qenë tradicionale që thoshte presidenti historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova që duhet të jemi dhe të mbetemi në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Amerika është jetike për shqiptarët. Shqiptarët i janë mirënjohës tërë jetën Amerikës”.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

Bashkëshorte dhe partnere

Në ceremoninë e djeshme, shumë nga folësit vlerësuan dhe bashkëshorten e zotit Dole, Elizabeth Dole, ish-senatore dhe ish-sekretare transporti. Dhe ishte pikërisht ajo që foli në emër të shokut dhe partnerit të jetës:

“Çfarë privilegji të flas në emër të njeriut që dua”, tha ajo para se të lexonte pjesën tjetër të fjalës së bashkëshortit të saj.

Dhe në emër të tij, ajo përfundoi.

“Po ndaj me ju një mësim që e kam nxjerrë gjatë 60 vjetëve. Udhëheqja fillon duke parë përtej momentit, tek e ardhmja.”

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, me Medaljen e Artë të Kongresit, nderohet

Presidenti Nishani nderon senatorin Bob Dole

May 28, 2017 by dgreca

Në Uashington, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani nderoi me dekoratën më të lartë të vendit ish-senatorin amerikan Bob Dole. Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, tha se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet e vitit 1996. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në ceremoni dhe përgatiti këtë kronikë.

1 Bob Dole Nishani

Ish-senatori Bob Dole është 94 vjeç dhe prej vitesh përdor karrocën e invalidit. Por ai ka një kujtesë të fortë, është i qartë në mendime dhe nuk ka hequr dorë nga shakatë.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, së bashku me ambasadoret e Shqipërisë dhe Kosovës në Uashington, si dhe një grup dashamirësish kanë ardhur për të nderuar senatorin me një ceremoni të veçantë.

Kur në sallë luhen himnet e dy vendeve, senatori ngrihet në këmbë në shenjë nderimi.

“Ju, senator Dole ishin ndër të parët që u përpoqët, me vendosmëri duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ju bëtë një lobim të fuqishëm në senatin amerikan për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj,” tha Presidenti i Shqipërisë.

Zoti Nishani tha se zotit Dole po i akordohej medalja më e lartë dhe më e shenjtë që jep Shqipëria – dekorata e Flamurit Kombëtar.

Senatori Dole pati momente përmallimi.

Në vitin 1996 ai fitoi emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president, por humbi ndaj Bill Clintonit. Ai e kujtoi kështu atë kohë:

“Në vitin 1996 unë garova për president dhe humba. Por fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori e vlerëson shumë ndihmën e madhe që i dhanë shqiptarët në fushatë, mes të cilëve ai veçoi shqiptaro-amerikanin Xhim Xhema.

“Xhim Xhema dhe të tjerë, mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori.

Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e vizitoi atë në vitin 1990 dhe ishte ndër të parët dhe ndër të paktët zëra që paralajmëruan se në Kosovë po afrohej lufta.

Në vitin 1998, Bob Dole e vizitoi përsëri Kosovën dhe paralajmëroi se tani masakra ishte e afërt. Senatori i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike. Ai sensibilizoi ligjvënësit e tjerë për të kërkuar që presidentit serb Sllobodan Millosheviç t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar, – shkruante senatori Dole në atë kohë. – Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëvedhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Bob Dole është vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore, nga e cila edhe sot ka plagët në trup.

Kjo është ndoshta arsyeja që jeta e tij ka qenë gjithmonë në krah të atyre të cilët vuajtën nga shtypja dhe kërkuan lirinë. Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk të harrojnë.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Bob Dole, nderon senatorin, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT