Nje rast i mire per bashkatdhetarët për të kontaktuar me librin shqip- Botimpex në Panairin e Librit e të Shtypit të Gjenevës/
Nga data 26 prill deri më 1 maj 2017, zhvillohet Panairi Ndërkombëtar i Librit dhe i Shtypit të Gjenevës. Në këtë panair nga Shqipëria do të marrë pjesë me stendë, Botimpex, agjenci e eksport- importit të botimeve.
Botimpex do të paraqesë libra të gjinive të ndryshme, nga më të rinjtë e më të mirët nga Shqipëria, trevat e tjera shqiptare, arbëreshet e Italise dhe bota. Nga tërësia e librave që do të sjellë agjencia, një vend të veçantë do zënë librat e shkrimtarit tonë të shquar,Ismail Kadare. Por aty do të jenë dhe libra të shkrimtarëve dhe krijuesve të tjerë si të Dritero Agollit, Rexhep Qoses, Luan Ramës, Fatos Kongolit, Luan Starovës, Agron Alibalit, Ferit Lamaj, Stefan Capalikut, Blendi Fevziut etj . Në stendë do të ketë dhe krijime të autorëve shqiptarë dhe zviceranë që jetojnë e kryejnë veprimtari në Zvicër si Prof. Jean-Philippe Assal, Prof. Alain Golay, Alfred Papuçiu, Besa Myftiu, Ali Mehmeti, etj.
Agjencia fton bashkatdhetarët e saj dhe miqtë e tyre të huaj, ta vizitojnë stendën. Do gjeni libra për vete, për fëmijët dhe shokët tuaj. Në stendë do ketë romane, libra historikë, për arkeologjinë, fjalorë e metoda për mësimin e gjuhëve, libra në gjuhën frënge, libra me kujtime, libra njohës për Shqipërinë etj. Në stendë do gjeni një ambient të këndshëm shqiptar…Librat që do sjellim, jemi të sigurtë që do u pëlqejnë, të bindur se do u vinë per shtat shijeve tuaja…Për kujtesë në stendë do jenë librat “Mëngjeset në Kafe Rostand”, e Ismail Kadaresë, “Shqipëria në Konferencën e Paqes Paris 1946” e Kristo Frashërit, Studime të Francesko Altimarit, “Shqiptarët e Leon Gerome” e Luan Ramës, “Urgjenca gjuhësore” e Gjovalin Shkurtaj, “Per Kosovën e djeshme e të sotme” e Luan Omarit, “Shqipja qysh u është dukur? e Xhevat Lloshit, “Këngë e brithma nga qyteti i djegur” e Mitrush Kutelit, “Kohë dhe njerez” (me kujtime e shënime) e Burhan Kavajës , etj.
Botimpex do të paraqesë dhe librat e reja të botuara prej saj, si librin e Nadire Buzos, “Epoka Kadare” (studime) si dhe librat e parë të një cikli për fëmijë në gjuhën shqipe dhe frënge të Erida Begës etj.
Stenda e Botimpex do të jetë: në B 284
Jini te mirëpritur