• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR

January 26, 2018 by dgreca

NGA VISAR ZHITI/*

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR-Botohet me rastin e 27 Janarit, Ditës së KUJTESES/

Visar Zhiti                                                   

Çdo Solomoni, të persekutuar a mbret, ligjvënës a mjek, /

poet e mik, kujdo qoftë tjetër, edhe pa këtë emër,/

bashkëvuajtës dhe i përndjekur, edhe në harrime…/

1.

Kjo ditë e gjithë për të kujtuar… /

Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë, /

del përtej. Kanë mbetur nëpër ajër klithma pa gojë

dhe lotë pa sy, /

të përziera me shiun që nuk bie, por rri pezull/

si një ankth. Dhe dhëmbja e mëpastajme /

si lodrat e fëmijëve pa fëmijët, /

të shkelura, të thyera./

Urtësi pleqsh të flakura tej si borsalinat e tyre të çara/

dhe heshtje e zezë si një qen këmbëthyer,

gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra zogjsh e librash…

I vërvit era andej-këndej apo kujtesa e çoroditur.

Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,

si zemër e shtrembëruar, e kuqerremtë si gjak i tharë…

dhe një djalë me pranga,

fantazmë që e arrestojnë çdo ditë…

Ku po e çonin  jetën? Ku?

Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz! Ju – andej harrimit,

këtej harrimit – ju.

Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Dhe urdhërat

kanë mbetur nëpër natë, në natën që s’ka yje,

por tela me gjëmba.

Në natën e fundit, ku nuk zbardh më…

Brenda natës ka prapë natë,

minierat e zeza të ferrit…

2.

Nga lart na vijnë fatkeqësitë, por jo nga Qielli.

Nga Golgota e dënimit

ku ngjitemi vetë,

të shtyrë nga djalli që gjithmonë mbetet poshtë,

në terr

dhe i ushqen rrënjët e së keqes

me egoizmin helmues, me ambicjet vrastare,

që bëhen çmenduri kolektive. Doktrinë e krimit…

Po unë dua ditën time të harresës…

3.

Avitem për andej, kaloj në kohë i lemerisur,

ndal mes dënimit, shpirt dhe i largët,

plagë që vetëm dhëmb, dot nuk pëshpëris: të kishit

shkuar në vendin tim, dikur, nuk do ju përzinin,

do ju prisnin nëpër shtëpitë e varfëra, do ju mbronin,

edhe pse të pushtuar

nga vrasësit e përbashkët. Bukën

dhe frikën me ju do ta ndanin. Se ndodhi vërtet,

si nuk ndodhi?

Qëndresa dhe nderi si në librat tuaj të lashtë…

Dua dhe unë ditën time të harresës…

Se pastaj u vësulën mbi ne shumë më keq,

Na vranë tanët

dhe pastaj të vrarë na mbyllën burgjeve dhe punonim

në minierat e ferrit si skllevër…

Djalli po hakmerrej.

4.

Popull i zgjedhur, po Zoti na zgjedh dhe ne,

s’e dimë pse, për të vuajtuar,

se vuajtja na e bëka më të mënçur botën

e martirizimi të shenjtë. I duhen të ardhmes si drita…

Të ecësh pas një Krishti prej ere, me dishepujt

e shenjtët e përhapur gjithandej.

Në vend të breroreve të tyre përshfaqen

pllanga të dritave të projektorëve të luftës,

në burgje e në kufi,

mbi fytyrën e atij që do të zbraseshin plumbat

si breshër i mortjes.

I gjatë rreshti i të dënuarve, shumë i gjatë,

dhe rreshti i ushtarëve po ashtu, ende më i gjatë…

gjysma në të shkuarën

dhe gjysma në të ardhmen

dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar…

5.

Dua dhe unë ditën time të harresës,

Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve…

Çizme të mëdha diktature

kanë bllokuar horizontet, njëra si e hitlertë, e zezë

dhe tjetra si e stalintë, e kuqe…

Alarm! Po ecën historia, jo kundërhistoria si përbindësh!

Midis tyre këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë.

Mos janë këpucët e vuajtjes, të durimit të padurueshëm,

të frikës së shndërruar në guxim paranojak? Ja,

dalin nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku

po shkoni, mijëra këpucë, se si jeni,

gojë ulërimash të vrara,

nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,

pirgje leckash të gjalla, por krimi

është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa e pakët

ndjenja e atyre që kryejnë krime, më e vogël

se guriçka brenda në njërën nga këpucët e vdekura.

Ja, ja, dhe këpucët e mia aty, as këpucë nuk ishin,

copa çizmesh të çara në minierat e ferrit…

Dhe unë, i zbathur, me këmbët e përgjakura,

me dobësitë sikur të ishte e Akilit,

me një shigjetë fatkeqësie të ngulur, që s’duket,

jo, jo, nuk dua të marr këpucë jetime të të tjerëve.

Dhe në m’u bindshin, teksa endem mes tyre

dhe kërkoj të miat. Por një amanet të fshehtë

mund ta marr,

i kujdoqoftë, është i njeriut, teksa i mbush me elegji

këpucët e nxira të netëve

dhe këpucët e zbardhura të ditëve…

7.

Ndërgjegjen e botës nuk e mbyt dot të gjithë

gazi i kobshëm i furrave të së keqes.

Ky hi i hidhur jete s’është nga zjarri prometean,

nuk bën genocid zjarri

dhe nuk marroset pas ndonjë doktrine.

Është i zjarrit tjetër të djallit

Që të fut të ftohtin e vdekjes. Kolla e krimit

u përhaq gjithandej, te rrugët e dyert,

kolliten shkallët, dritaret, shpresa, automatiku i zi,

deliret, pemët, librat, zhgënjimet, pendesa, stinët,

ëndrrat kolliten në ëndrra të sëmura…

Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,

si mund t’i lajë duart e mëkatit?

Dua dhe unë ditën time të harresës,

Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve,

edhe vrasëse,

që të pendohen…

M’u mor fryma, errësirë… Më sillni një rreze të thyer,

diçka që feks, një pikël drite sa loti.

Ç’janë këto vezullime? Mijëra unaza

të mijëra gishtrinjve të prerë,

në atë shiun e ngrirë që nuk bie…

Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë për kthimin

ku s’do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet,

çohen nga balta e asgjësë dhe kërkojnë mishin

që ua zhvatën,

duan pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të syve,

kohën e pajetuar. Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë.

Pa kujtesë bota bëhet vetëm një kafkë.

Pse heshtin fjalët, po kalben

bashkë me buzët e kohës,

puthja e mortjes mbulon brigjet

dhe mijëra e mijëra këpucë bosh mbushen me shi

dhe ecin mbrapsht, nga dita e sotme e kujtesëz

i aviten fillimit,

ditës së parë të krimit… këpucë Buhenvaldi,

Aushvici, Dahau… nga gulagët në laogai… në Spaç,

Burrel, Qafë Bari… në burgjet pa emër të botës.

Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë

njerëzimin,

se qoftë dhe vetëm një njeri,

ai është njerëzimi i gjithë.

8.

Skeletet me koska mermeri

ulërijnë për atë pjesë jete të pakryer

më fort se sirenat ngjethëse të atyre trenave të egër

që s’ndalnin asgjëkundi,

veçse në stacionin e fundit të fundit.

Autoburgje dhe kamionë internimesh…

Le të bien epidemitë përreth, masakrat, ka prapë stacione,

është ai i ndërgjegjes së popujve,

stacion tjetër i fantazmave…

Stacioni i tmerrshëm i kujtesës…

Ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i fundit

i mallkimeve.

Po i mëshirës, i faljes? Stacione gërmadhë, që…

Ju – andej harrimit,

këtej harrimit – ju. Në mes ndarja

si një e çarë fatale e tokës.

S’ka më rreshta, as rregull,

turma mëkatesh, histori e shqyer

nga bishat që s’kanë histori, veç atë të daljes

nga shpellat,

gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave të gjërave,

se ç’lëviz poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret masive,

dal dhe unë.

E si të mos jem hebre, kur kam holokaustin tim?

Dhe gjerman i dënuar jam, polak, rus hungarez,

rumun, edhe palestinez, etj, etj, afrikan, aziatik,

amerikan, kryeqi është njëlloj kudo,

jam shqiptar në Kosovë, dal nga gropa e përbashkët…

E ti je unë… Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,

vërtitem në vorbulla gjyqesh,

jo në atë të fundit,

kërkoj ashtu si pallton time të kalbur – kujtesë,

vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme?

Parandjenjat rendin me motorë të zinj rrugëve të natës.

Mbi një fron era shfleton fletët e një Kurani vëllazërie…

Pallton time e ka vrasësi im, është ftohtë

dhe atij i duhet fati im,

ky i më pastajmi, i pasluftës,

i rënies së perandorisë të së keqes.

Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur,

e ngrirë mes erërave

ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,

që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?

Të jetë art aluçinant? Pse ka më pas kësaj? Shpirti

gjithmonë është lakuriq në qiell.

Dhe një ditë kujtese për të gjithë…

9.

A mjafton një ditë për të kujtuar, i nxë dot të gjitha…?

Dua ditën time të harresës… Ja, vjen agu i ditës tjetër

me një diell kryecopëtuar. Nuk mjafton as kjo ditë,

aq më pak një jetë.

As harresa nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot

të tërën, nuk mjafton as vdekja.

T’i kujtojmë të vrarët tanë… Vrasja e tyre na kujton

që nuk i mbrojtëm dot, por të mos rivriten me harresë…

Të vrarët nuk kanë vdekjen e tyre,

prandaj ata nuk vdesin kurrë.

Kurse vrasësit, ah vrasësit, ata janë të pa edukuar,..

Po kjo është pak, pu-pu sa pak që mund të thuhet

e s’ka pike rëndësi për ta.

Të egër janë, të tmerrshëm, pa shpirt, asgjë s’kanë

që të mund t’u shkojë në Qiell.

Në baltën e ferrit do të mbeten duke e bërë baltën

edhe më të keqe…

Mëshirë dhe lutje. Edhe për armikun. Ta duam,

aq sa na do, më thua ti…

Me drejtësi në fillim edhe për ata.

Pastaj për vete të duam

më shumë, të mos jemi si ata, kemi lindur që të duam,

pa dashuri nuk ka jetë…

durim dhe paqe!

Edhe baltën ta shpëtojmë, ta bëjmë siç ka qenë,

baltë krijuese, të jetës, e artit të njeriut…

 

10.

Koha pa kohë, e gjithkohëshmja… ecën

me hapat e zbathura të një Krishti.

U riktheve, Bir? Po unë që përjetoj një lamtumirë

që s’mbaron,

që lëkundet si dorë e këputur,

ja, u zvogëlua prej largësisë,

u bë si ajo dorëza prej argjëndi,

që hebrenjtë e quajnë yad, që me gishtin e zgjatur

të saj lexojnë librat e shenjtë.

Prekini plagët e mia

dhe dora do ju shndërrohet në argjend…

Si penë që dua të shkruaj, u bë lamtumira,

si çelës i shtëpisë tënde qoftë ora e kthimit,

e ke varur në qafë si një fëmijë,

që mos të të humbë gjatë lojës, se e gjitha lojë qënkërka,

Biri im, në tokë dhe në Qiell.

Dot nuk e kujtoj të gjithën, vuaj,

dhe të harroj të gjithën nuk mundem dot, vuaj.

Kujtesë-harresë… harresë-kujtesë… janë ditët e mia,

Kujtoj nga ato që duhen harruar,

harroj nga ato që duhen kujtuar,

Ç’po shkrin kështu mbi Ungjillin tim, çasti?

Pika të nxehta kohe

pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza

me shkëndijëzën time mes qerpikëve të pambrojtur,

prandaj dhe mërgoi nëpër yjet e largët.

Qiriri im i fundit

 Romë, datë e harruar…

*Botohet me rastin e 27 Janarit, Ditës së KUJTESES/

Filed Under: Histori Tagged With: Botohet me rastin e 27 Janarit, Ditës së KUJTESES, E gjitha per te Kujtuar, KJO DITË, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT