Kosovë-Serbi, në Bruksel po zhvillohet raundi 28-të kryeministror, katër çështje në tryezë bisedimesh/
-Shtypi kosovar: Presion i madh ndaj palëve për marrëveshje-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Gusht 2015/ Në Bruksel, sot, kryeministrat e Kosovës e Serbisë po takohen në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiçit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiç, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral, si edhe në raundet e kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e qeverisë pas kthimit nga raundi i 27-të deklaronte se në dialogun me Serbinë në Bruksel “temat të cilat tani i kemi në rend të ditës nuk janë shumë të lehta, janë tema që kërkojnë vëmendje të veçantë, sepse janë zgjidhje specifike të cilat ne nuk i kemi pasur deri më tani në Kosovë”.
Ai bënte të ditur se, për Asociacionin e komunave janë përafruar qëndrimet, jo të Statutit, por vetëm të parimeve themelore, për kodin telefonik marrëveshja është e përfunduar praktikisht, ndërsa çështjet e marrëveshjes për energjinë dhe lidhur me urën mbi Ibër nuk janë përfunduar dhe kanë mbetur që të diskutohen në vijim.
Qëndrimi që ka prezantuar Kosova në raundin e 27-të kryeministror në Bruksel është që të bëhen përpjekje që këto katër marrëveshje të përfundohen dhe që si pako të realizohen, duke u nënshkruar secila veç e veç.
Ndërsa sot kryeministri Mustafa është shprehur se, “është në interes të Kosoves dhe qytetarëve të saj të perfundoj me sukses marrëveshjet në disa fusha me Serbinë, me ndërmjetesimin e BE-se dhe mbështetjen e SHBA-së”.
Ai bëri të ditur se, gjatë ditës së djeshme është biseduar në nivel teknik për energjinë, lirimin dhe lëvizjen mbi urën e Ibrit, që lidhë pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës dhe për parimet për themelimin e Asociacionit te Komunave me Shumicë Serbe.
“Gjate ditës së djeshme jemi takuar me ekipin tonë teknik dhe në biseda të ndara edhe me përfaqesues të BE-se dhe të SHBA-së. Vlerësoj se eshte arritur progres i caktuar, ndersa janë disa çeshtje të cilat do t’i trajtojmë sot në nivel të kryeministrave të dy vendeve. Marrëveshjet që mund të arrihen janë në interes të sovranitetit të vendit dhe të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, theksoi Mustafa.
Ai vijoi se, çeshtja e energjisë, e Asociacionit te komunave, kodit telefonik dhe levizjes në uren mbi Ibër, janë diskutuar gjatë, me vite të tëra.
“Ky fakt tregon se janë trajtuar në menyrë të hollësishme mundësitë si dhe korniza kushtetuese e ligjore dhe nuk është vepruar dhe nuk do te veprohet në arritjen me çdo kusht të asnjë marrëveshjeje. Ju siguroj se kemi analizuar dhe kemi konsultuar ekspertizën e brendshme dhe ndërkombetare për çdo temë dhe për çdo element të saj dhe se do të kërkojmë rrugëzgjidhje, e cila krijon prosperitet për vendin, fuqizim të rendit kushtetues dhe progres ekonomik”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.
Ketu, vijoi ai, nuk kemi ardhur të bëjmë fushatë, gjendemi këtu të zgjidhim problemet, të cila pesëmbdhjetë vite me radhë po e ngulfasin Kosovën dhe po na paralizojnë të merremi me çeshtjet tona jetike.
“Paralizimi i pavarësise dhe funksionalitetit të shetit të Kosovës iu konvenon vetëm atyre që akoma jetojnë me mendësinë e së kaluares, por besoj se ka ardhur koha të hiqet dorë nga kjo mendësi”, përmbylli deklaratën kryeministri kosovar Mustafa, sot, para takimit me kryeministrin serb Vuçiç.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
“Presion i madh ndaj palëve për marrëveshje”, është sot një nga kryetitujt e shtypit kosovar.
Delegacionet e kryesuara nga kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të martën në Bruksel pritet të arrijnë marrëveshje për krijimin e asaj që kosovarët e quajnë “Asociacion”, ndërsa serbët “Bashkësi” të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe për së paku disa nga tri temat e tjera për të cilat pritet të diskutohet, e që përfshijnë energjinë, telekomin dhe fatin e të ashtuquajturit “Parku i paqes”, që në fakt është një barrikadë në urën mbi lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës, shkruan shtypi
Mustafa dhe Vuçiçi, me delegacionet e tyre me një numër mjaft të madh zyrtarësh, do të nisin takimet që në orët e mëngjesit, por, të mësuar nga përvoja e mëhershme, burimet e BE-së nuk mund të parashikojnë se sa do të zgjasë takimi, shkruan sot Koha Ditore. Nga BE-ja këtë raund të nivelit të lartë përsëri do ta ndërmjetësojë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Pala serbe, më saktësisht kryeministri Vuçiç, ka insistuar të hënën se shkon në Bruksel “me qëllim që të arrijë marrëveshje”, por ka shtuar se nuk do të pranojë “asgjë që nuk është në interes të Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë dhe Metohi”.
Në BE pritjet më të mëdha janë që të arrihet marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë (në anglisht BE-ja përdor të dyja termet për të kënaqur të dyja palët) së komunave me shumicë serbe. Por palët edhe një ditë para këtij raundi të dialogut kanë mbajtur qëndrimet e kundërta rreth asaj se çfarë kompetencash do të ketë ky formacion.