Tregim nga Aleko LIKAJ/
Nuk kishim folur kurrë edhe pse shiheshim disa herë në ditë, përballë pallatit tim te pijetorja në kryqëzim të rrugëve që lidhte qytetin tonë me tri qendra të tjera banimi. Nuk i dija as edhe emrin, por e kisha kuptuar se do të ishte një nga punëtorët e ndërmarrjes së përtejlumit, që rrëshqet si një gjarpër i lodhur poshtë lagjes periferfike. Vinte çdo pasdite e rrëkëllente ndonjë gotë me disa të njohur që shpesh e prisnin aty. Tani ishim përballë në një kabinë treni. Më gjeti aty. Kaloi në korridorin e ngushtë me një tufë lulesh në duar, të mbledhura me një celofan të errët, nga ato të pastave që përdoreshin zakonisht, sa herë porosisnim ëmbëlsira për në shtëpi. Ndërsa unë mendova se duhej të kishte zënë vend në ndonjë kabinë tjetër nga fundi i vagonit, ai u kthye befas e u shfaq para xhamit të derës me një buzëqeshje pafajësie.
Kërkoi vend dhe pastaj, sikur të ishim njohur e folur prej disa vitesh, më pyeti si në confidence
– Për ku kështu?
Pasagjeri tjetër që ishte me mua në atë kabinë, vinte nga stacione të tjerë. E gjeta aty, ndërsa një çift po linte kabinën në momentin që u shfaqa te dera. U rregullua përballë meje dhe buqetën me lule e vuri sipër varëses së portmontosë, aty ku zakonisht vendosim valixhet apo çantat që na shoqërojnë në udhëtime të tilla. Rregulloi kollaren dhe tërhoqi poshtë fundin e xhaketës përpara se të ulej. Ishte e para herë që e shihja me kostum. Zakonisht mbante një dok kombinati, gati të zbardhur dhe një xhakavento pak më të erët se ajo e pantallonave.
Pasagjeri tjetër përballë meje kishte hedhur sytë përtej xhamit të dritares, ku kishin filluar të lëviznin peizazhet e periferisë së qytetit tonë.
– Pa hë, ç’kemi? – pyeti dhe vendosi duart mbi gjunjë. – Do të shkosh dhe ti atje? Gjëmë. – Tundi kokën, por pa pikëllim. – Eshtë dita e tretë sot…
E pashë në fytyrë ku nuk lëvizte asnjë muskul. Pastaj u hodha një sy luleve që qendronin atje lart të mbledhura në një buqetë. Kuptova që ishte nisur për në kryeqytet, në ceremoninë që organizohej për funeralin e udhëheqësit. Nuk dija se si t’i thoja. Më kishte ftuar im kushëri, Skënderi, në Durrës. Priste fjalën e djalit në një ceremoni fejese. Mua më kishte të afërt, djalë xhaxhai. Merte për nuse një vajzë doktori. Ishte prerë dhjetë ditë më parë fjala dhe neve na duhej tani që shkëmbenim unazat e çiftit. Por kishte ndodhur kjo vdekje. Nuk mund që as edhe të shtyhej më ceremonia. Përveçse një lloj tersi që sillte kjo në jetën e çiftit të ri, do të na shkaktonte edhe ne të tjerëve plagë pastaj. Mirëpo Skënderi dhe krushku i tij doktor, i kishin rregulluar pipëzat për ta bërë e organizuar në heshtje të plotë, pa bujë e zhurmë.
Nuk mund që t’ia thoja gjithë këto këtij njeriu që më dukej se e njihja prej vitesh. I thashë se kisha në spital një të afërm, të sëmurë rëndë, që do të operohej atë ditë dhe se me qendrën e punës do të shkonim edhe ne ditën e nesërme për homazhe në kryeqytet tek udhëheqësi që ishte në arkivol. Natyrisht që nuk isha i sinqertë me të në këtë pohim të fundit.
Stacioni i parë pas qytetit tonë erdhi shpejt. Njeriu i kabinës zbriti. Poshtë në platformë pashë një grup njerëzish me kurora e buqeta me lule. Me siguri që shkonin në kryeqytet për t’i dhënë lamtumirën udhëheqësit. Duhej të ishin ndonjë kolektiv nga uzina e atij qyteti të vogël punëtorësh. Nuk doja të na vinin aty, sepse nuk kisha qejf që trishtimi i asaj dite të më prishte gëzimin që më priste në ceremoninë e nipçes, të cilin e doja shumë. Dhe ashtu ndodhi në fakt. Siç duket, mbetën dhe u sitemuan në vagonin ku hipën. Kishim mbetur vetëm tani me njeriun që nuk ia dija as edhe emrin.
Kur treni u vu në lëvizje, tjetri u ngrit dhe mbylli derën e kabinës, që kishte mbetur ende e hapur.
– U shëroftë një orë e më parë kushëriri yt, – më tha, – dhe operacioni i ectë mbarë.
Unë e pashë përsëri drejt e në fytyrë. Edhe këtë herë asnjë muskul nuk i lëvizi, madje as edhe qerpikët. Më vajti mendja për keq. Nuk e njihja jetën e tij, por ajo buqetë me lule të freskëta më jepte të kuptoja se “ishte ndonjë nga të thekurit e regjimit”, përderisa shkonte i vetëm që të bënte homazhe tek udhëheqësi i shtrirë në atë sallë, i vdekur. I thashë, “faleminderit” e në çast u bëra indiferent. Tjetri u rehatua dhe unë ndjeva aromën e një deodoranti që kishte hedhur. U mbështet përballë meje.
– Eshtë e vërtetë që ne nuk njihemi dhe nuk kemi folur asnjëherë me njëri-tjetrin, edhe pse kështu si fytyrë jemi parë shpesh. Jetojmë në një qytet dhe kjo është krejtësisht normale për dy njerëz kështu si ne. Miti më thonë dhe punoj në bonifikim si shofer në fund të qytetit. Përtej lumit. Shpesh vij te klubi, aty në kryqëzim, përballë teje. Me shokët e mi të lagjes së vllehëve e kaloj kohën. Pimë edhe ndonjë gotë. Dëfrehemi. Pothuajse moshatarë. Dikur jam rritur aty dhe kam lindur atje, po tani jetoj diku në qendër të qytetit te posta. Kam një pallat të thjeshtë. Po kështu e bëj edhe jetën. Dikur jetonte edhe mamaja ime me mua, por prej dy vjetësh ajo nuk është më. Pleqëri. .
Ktheva kokën dhe i buzëqesha si për të aprovuar gjithçka tregoi ai për veten. Bëra të përzemërtin në atë takim. Miti nxori një paketë cigare dhe ma zgjati me ndrojtje duke kontrolluar derën e kabinës se mos lëvizte kontrollorja, një grua e bëshme me flokë të gjata e të verdha si të Brixhitë Bardosë. I thashë se nuk e pija, por nuk më shqetësonte kjo gjë.
-Ne fare mirë mund të ulnim pak xhamin e dritares, në mynyrë që të dilte tymi jashtë, -i propozova unë. I pëlqeu kjo ide e u qesh në fytyrë si një fëmijË. Madje iu zhdukën edhe rrudhat mbi ballë e sytë e mëdhenj të zinj, m’u dukën sikur shkëlqyen fort.
– Nuk rri dot pa këtë. E vura kur isha ende shumë i ri. Ja, atje në Durrës, ku do të shkosh ti për atë hall që të ka zënë. Edhe unë e kisha një hall atëhere.
Psherëtiu dhe pastaj ndezi cigaren. U ngrit dhe hodhi fijen e shkrepëses nga pjesa e ulur e dritares, e cila nuk ishte më shumë se dy gishta. Zuri vend përsëri e u mbështet si në fillim.
– Eshtë një histori e trishtë që e ruaj prej tridhjetë vjetësh, ja këtu brenda këtij kraharori, – dhe goditi gjoksin me dy gishta sikur kërkonte të trokiste në atë derë të mbyllur prej aq vitesh.
Lëshoi një shtëllungë tymi mbi syprinën e xhamtë të dritares, duke e tretur vështrimin larg, ku humbiste një përrua kodrinor. Pastaj kur u shfaq një fushë me një shtëpi gjysmë e shkatëruar, kuptova se ndjeu një dhimbje. Mbase nuk ishte peizazhi në këtë mes, por diçka tjetër e brendshme. Kjo u duk më mirë kur afroi cigaren përsëri në buzë. E thithi thellë pa e patur mendjen aty. Diç mendonte a sillte në parafytyrimin e tij.
– Eshtë një shok i keq, – thashë unë për cigaren, si për t’u gjendur në bisedë.
Tjetri e lëshoi tymin përsëri. Këtë herë uli kokën poshtë. Më pa drejt e në sy. Kuptova që donte të më thoshte diçka, por ndërroi mendim në momentin e fundit. Rrotulloi cigaren midis tre gishtave të dorës së djathtë duke mos ia ndarë vështrimin për disa çaste. Ndihej trak e truku i rrotave metalike të trenit brenda kabinës. Zhurma metalike shoqërohej herë pas here edhe me një ciatje që vinte si një zë violine në një orkestër të çakorduar. Miti tundi kokën e mblodhi sërish buzët pa mundur të shprehte asgjë.
– Jeta është e çuditshme, por ka një moral, – tha ai e më pa drejt e në sy. – Eshtë i rëndësishëm që të respektohet…Eh!.. Të thashë për një histori që jeton brenda meje dhe që unë jetoj me të dhe për atë. Tek ajo fillon dhe mbaron për mua në dhimbje. Mbase ty nuk të intereson, se shpesh njerëzit janë indiferentë ndaj dramës së tjetrit. Ne vllehët kemi një shprehje për këtë kategori, duke justifikuar në një farë mënyre, kur themi se nuk më lënë këmborët e mia të dëgjoj këmborët e tjetrit.
Unë lëviza dhe shtriva këmbën e djathtë përpara, si për ta çlodhur, por vështrimin nuk e hoqa nga fytyra e tij. M’u duk se për të parën here ai njeri kërkonte të nxirrte nga brenda vetes së tij një të fshehtë që e kishte ruajtur kushedi prej sa kohësh, por që e kishte munduar, mbase deri në vuajtje. I kishte sjellë dhimbje.
– Ka qenë e re, fare e re, as pesëmbëdhjetë vjeçe, Aneta. Kishte një trup të hollë e një fytyrë krejt të paqme. Dy sy si deti blu, të thellë e të bukur. Ia pashë për të parën herë në farmacinë e babait të saj. Ishte ditë e tretë e çlirimit të qytetit. Kisha shkuar për nënën. Doja një qetësues për kollën e saj që ato ditë e mundonte dhe e sfilitte. Prej një jave kishte zënë edhe shtratin. Lajmi se i shoqi dhe babai im kishte rënë në betejë disa ditë më parë në një qytet të Myzeqesë, e kishte drobitur. E kishte vrarë psikologjikisht. Mua ende nuk ma kishin thënë. Aneta ndihmonte babain e saj, një mjek shëndetlig dhe me një trup që dukej si i mplakur, i kërrusur. Burrë i heshtur ishte dhe i sjellshëm. E dinin se kishte qenë për studime në Austri në rininë e tij. I tha së bijës që të më ndihmojë në hallin tim. I tregoi edhe raftin se ku mund që ta gjente ilaçin. Vajza e solli shpejt e unë i a dallova mirë fytyrën e bardhë ovale dhe ngjyrën e artë të flokëve të dredhura që i derdheshin pas supeve. M’u duk si një nimfë e sapodalë nga deti. Isha i përhumbur, sa as që e dëgjova këshillën e babait të saj se si do ta përdornim ilaçin që do të më shëronte nënën. Kështu më mbeti në mendje ajo ditë e parë. Isha gjashtëmbëdhjetëvjeçar. Një vit më i madh se Aneta. Adoleshent. Zëre se nuk fjeta atë natë. Nëna që nuk e dinte se si vuante kjo zemra ime, se si më përpëlitej në gjoks si një zogth që kërkon të niset në fluturim, i tha të nesërmen vëllait të saj, Vangjelit, që ishte në shtabin e qytetit të çliruar:
– Dhimitri u shqetësua shumë për mua, dhe nuk mbylli sy një natë të tërë. Po vuan. Ka të drejtë, se e kam të vetëm e dritë të syrit. Ai do të jetë trau i shtëpisë këtej e tutje.
Mua ma kishin fshehur vrasjen e babait, dhe ky lajm vërtetë më lëndoi e më rrëzoi psikologjikisht. Një humbje e pazëvendësueshme, që herë e mendoja dhe herë nuk do ta besoja që në momentin kur im atë doli malit për liri. Por ja që ndodhi. Por bashkë me dhimbjen e babait në një cep të zemrës sime, qëndronte edhe ajo, Aneta. Ku ta dija unë se edhe ajo atë mbrëmje kishte marrë lajmin për babain e saj, farmacistin e urtë që më priti e përcolli me aq fjalë të ëmbëla, sikur të më kishte birin e tij. E kishin thirrur në komandën e qarkut që në mëngjes. Dikush nga komshijtë kishte raportuar se dy javë më parë ishte ndodhur për vizitë një major gjerman i garnizonit të qytetit në shtëpinë e mjekut. Dhe këtë e kishin parë që ta përcillte deri te porta e oborrit. Kjo kishte mjaftuar. Nuk dihet pastaj se cili ishte shkaku i vërtetë për vdekjen e farmacistit në mbasditen e asaj dite aty në komandën e qytetit. Ai vuante në fakt nga një sëmundje e pashërueshme, që vetëm e shoqia e dinte, por edhe mund që t’u ketë mbetur në dorë atyre që hetonin.
Miti nxori një letër nga xhepi dhe e vendosi në syprinën e tavolinës së vogël të kabinës. Pastaj shtypi për ta shuar me dy gishta kokën e cigares që digjte ende e u drejtua nga unë për të kërkuar falje që e ndërpreu historinë e tij dhe u ngrit në këmbë. Shkoi te xhami i dritares që na sillte ajër të freskët nga jashtë, në atë ambient të ngarkuar duhani dhe më buzëqeshi me çiltërsi. Dhe zuri vend. Ktheu kokën nga korridori, e më tha:
– Së shpejti vjen edhe stacioni i radhës. Më duket se jemi mirë deri tani.
Unë e aprovova me kokë si për të treguar gjendjen time se ndjehesha shumë mirë. Pastaj ai pyeti befas
– Mos të mërzita më këtë histori?
– Përkundrazi. Qenka interesante. Po të dëgjoj me vëmendje. Vetëm jemi.
Miti lëvizi nga vendi, u mbështet qetësisht dhe buzëqeshi përsëri. Heshti një cast sikur të kujtonte se ku i kishte ndërprerë kujtimet e tha:
– Kur nuk kishte kaluar as edhe një muaj nga ajo ditë, Anetën e takova përsëri. Në të zeza ishte, por i shkonin. Ia tregonin trupin e kolmë dhe linjat e një vajze që po merrte tashmë përgjegjësitë për jetën e saj. Në varreza që të dy. Ishte e hijshme. Më salutoi me ndrojtje, sikur të ishim të njohur prej kohësh e pastaj mori rrugën për në qytet. Pak ditë më vonë e rigjeta në komandën e qarkut, një shtëpi e një ish të pasuri, që ishte shpronësuar nga të parët në qytetin tonë atëhere. Unë me nënën ishim te daja. Na kishin thirrur për të plotësuar dekumentat e babait. Ishte shpallur dëshmor i atdheut si i rënë në luftë. Kishte ardhur një i madh nga kryeqyteti së bashku me një ekip nga pas. Aneta me nënën e saj kërkonin ndihmë. Nuk kishin me se të jetonin. Pa asnjë të ardhur. Femra dhe pa asnjë mbrojtje në këtë botë. Ia tregova nënës sime dhe i thashë: “Shikoje atë vajzë, a të pëlqen? ” “Goxha qenka shejtanka. Ka një bukuri që vret. Do të kisha qejf që ta kisha nuse për ty, kur të rritesh edhe ca, por duket që është nga sëra e borgjezëve. Nuk ia njoh familjen”. Pastaj ato hynë në zyrë tek dajo Vangjeli, dhe një çast më pas i pashë që dolën të dëshpëruara. Pa asnjë shpresë. Dallova lot në sytë e nënës së saj. Më theri në zemër. Nuk doja që edhe ato të vuanin.
Nënat, si nënat, nuk priti dhe të nesërmen i tha vëllait, kur erdhi në mbrëmje tek ne, që t’i ndihmonte ato dy femra.
– Gjynah nga perëndia. Bëj diçka, Vangjel, nëse është në dorën tënde.
– Por, a e di, moj motër, se cilat janë ato që më rrinë sot si qyqe? Austriakja dhe e bija e farmacistit, mikut të gjermanëve, pushtuesit të huaj. Ne vrasim mendjen se si të ndihmojmë sot fakir-fukaranë, dhe jo të përkujdesemi për zengjinët. Pushteti është yni, dhe jo i atyre. Perëndoi dielli për ta. Ai do të ndriçojë pjesën tjetër që ka qenë në erësirë. Mua dhe ty, Kristavgji, dhe ata që kanë jetuar deri tani në mjerim.
Kuptova që daja ishe i vendosur në misionin e tij të ndihmave të popullatës. Por edhe nëna sikur të ma dinte plagën e zemrës nguli këmbë në të sajën. Pas dy orësh motër e vëlla sikur i zbutën gjakrat dhe u morën vesh jo vetëm për familjen e farmacistit të vdekur si njeri i armikut, por edhe për të tjerë nga kjo kategori:
– Mos bëj keq, Vangjel, t’u bëftë motra. Ndihmoji njerëzit, hallexhijtë, se stomaku nuk do t’ia dijë për politikë.
Daja na premtoi se austriaken do ta thërriste që të nesërmen. Nga dreka shkova edhe unë. I takova dhe u thashë që komanda e qarkut do t’i ndihmonte. Nëna e Anetës u mrekullua e më rroku në qafë sikur të isha fëmija e saj. “Nuk kemi asgjë me se të jetojmë”,- më tha. Idrizi, im shoq, nuk vuri asnjëherë para mënjanë. Ndihmonte që të gjithë. Edhe partizanët biri im aty furnizoheshin sa herë kishin nevojë. I mjekonim edhe në shtëpi, fshehurazi. Majori Shtalberger që na erdhi në shtëpi, në fakt ishte për këtë hetim, edhe pse unë e im shoq flisnim të njëjtën gjuhë me atë. Na paralajmëroi. Na kërcënoi. Kemi qenë mënjanë. Idrizi ishte veçse një patriot i madh i vendit të tij, por që tani është edhe vendi im. Sepse unë e lidha jetën me Shqipërinë e shqiptarët. Më solli dashuria që nga alpet e Austrisë”.
Pas kësaj, unë u njoha më shumë me të dyja, nënë e bijë. Takoheshim vazhdimisht. U bëra vërtetë djalë i shtëpisë së tyre. Përgjëroheshin për mua. Por jeta e tyre nuk do të ishte gjithmonë vaj, si femra ndienin vazhdimisht mungesa. Shumë herë flinin pa bukë. E kalonin ditën me një vakt ushqim. Elsa kishte studiuar në Austri për sizmografe dhe në atë kohë asqë bëhej fjalë për ndonjë institut shkencor në Shqipëri. Ishte herët për këtë gjë. Burri e mbante në shtëpi, por ajo nuk bënte jetë prej zonje. Nuk ishte e tillë. Vinte nga zona të vogla alpine, vajzë fshati. Me Idrizin ishte njohur kur ishin studentë në konvikte, atje në Salcsburgun e largët.
Treni frenoi menjëherë dhe vagoni ynë u duk se u tkurr nga forca shtytëse e vagonëve të tjerë që ishin afër lokomotivës. Na gjeti të papërgatitur. U gjenda në këmbë. Miti u bë nervoz dhe tha:
– Po këta a janë në vete? Udhëtojnë njerëz dhe jo kafshë. Hajde trenistë që kemi edhe ne. Por edhe fillestarë të ishin, në stacion bëhet gjithmonë kujdes.
Unë ula xhamin e dritares dhe zgjata kokën jashtë. Ndjeva freskun që më ra në fytyrë. Dallova që larg një grup njerëzish që hipën në tre vagonat përpara nesh. Disa prej tyre mbanin kurora me lule, por edhe buqeta. Pastaj sytë më vajtën te buqeta e njeriut që kisha në atë hapësirë të vogël treni, që udhëtonte me mua për të njëjtin qëllim, ashtu si ata. Ajo ishte vendosur përballë meje në vendin ku zakonisht ishte i planifikuar për valixhe të vogla e çanta dore të mëdha. U ngrit në këmbë edhe Miti. Shtyu derën e kabinës dhe zgjati kokën në korridorin e zbrazur:
– Ishalla nuk vijnë këtu. Vagoni ynë më duket se është me fat, – tha ai, ndërsa shtyu përsëri derën për ta mbyllur.
– Do të jenë sistemuar andej. Jemi të fundit dhe treni zakonisht qëndron përpara. Që të vijnë deri tek ne, u duhet të ecin ca. I bien shkurt. Hipin atje ku qëndron vagoni, – thashë si për të plotësuar dëshirën e tij. Por në fakt edhe mua po më pëlqente ai lloj intimiteti e vetmie nën shoqërinë e një historie që edhe Miti po e rrëfente me ndjenjë. Kishte qenë pjesë e jetës së tij.
Teni lëvizi përsëri dhe ne të dy zumë menjëherë vendet përballë njeri-tjetrit. Mes nesh u ndodh buqeta me lule që u rrokullis nga vendi ku qëndronte që në fillim. U përkulëm të dy dhe në çast ia lashë Mitit që ta merrte. Ai e solli para fytyrës së tij e i mori erë. Ishin disa karafila të parritur mirë, e disa lule të tjera me ngjyrë. Ndihej aromë. U kaloi dorën sipër me përkëdheli sikur të frymonin si të gjallët dhe pastaj e vendosi me kujdes në krahun e djathtë si një pjesë e vetes së tij. Mendova se një djali dëshmori si ai i kishte hije ai moment që t’i çonte udhëheqësit të vdekur lule, sepse kishte drejtuar luftën. E kishte fituar.
– Jemi vetëm, – i thashë sërish Mitit, si për të kujtuar që të vazhdonte të tregonte tregimin e lënë përgjysmë.
Ai bëri një gjest si për të më thënë, ah, vërtetë si harrova? Nxori përsëri nga paketa një cigare dhe në çast u pendua. E mbajti në dorë si për të më thënë se kësaj here nuk do ta ndizte më. U koll pak duke vënë grushtin përpara gojës e tha me një zë si fërshërimë:
– Kur vendosa që Anetën ta çoja në shtëpi, mësova se ajo ishte e sëmurë. Kishte filluar të villte gjak. Më ishte fshehur. Për dy vjet që ishim njohur nuk ma kishte thënë asnjëherë, ndonëse Maria më tha se ishte çështje e dy muajve të fundit shfaqja e saj në familjen e tyre. Por as edhe unë nuk e kisha kuptuar. Po më tretej e ligej çdo ditë para syve të mi. Mendova se e kishte nga dashuria për mua. Më donte, siç mund një i verbër të dojë dritën e munguar. Eh!… Pesë muaj më parë, nëna e saj, Elsa, më kishte propozuar që të përfundonim shpejt në martesë, sepse edhe Aneta nuk mund të jetonte dot pa mua. Nuk kishte as gjumë. Shpesh qëndronte vetëm në shtëpi, se nëna e saj kishte mundur të gjente një punë në spitalin e qytetit si pastruese. Natyrisht me ndihmën e dajo Vangjelit, që edhe këtë herë i kishte vënë zemrës një gur dhe kishte lëvizur nga parimet e tija. Atëhere e bisedova me nënën që Aneta të vinte e të jetonte me ne. E dija se ajo nuk ma prishte, por vëllai i saj nuk u përmbajt. Bubulliu. Thuaj se u çmend fare. Më tha se po shkelja mbi gjakun e tim eti, që kishte dhënë jetën për lirinë nga okupatori dhe që njerëzit të ishin të lirë, e të pashfrytëzuar nga ata që i kishin pirë gjakun, të pasurit, e borgjezët. Idrizin e konsideronte bashkëpunëtor të pushtuesit dhe nuk do ta lejonte kurrë që unë, djali i dëshmorit, të merrja për grua vajzën e tij. Ime ëmë në fillim nuk e kundërshtoi, se i dhimbsesha unë. E dinte që unë vuaja për Anetën, por edhe se Aneta nuk mund të jetonte dot pa mua. E donte edhe ajo më shumë se një nënë. Nuse i thërriste sa herë ajo vinte e kalonte ditën në shtëpinë tonë. Ia puthte duart e ballin dhe gëzohej si një fëmijë e parritur. “Ti ma bën të lumtur Dhimitrin tim, të vetmin thesar që kam në këtë botë”. Por edhe Aneta nënë i thoshte. “Vërtetë që ikja e babait më trishtoi, po fati deshi që unë sot kam dy nëna”,- thoshte ajo vajzë me flokë të arta. Dajo Vangjelit i thashë që unë e doja vërtetë Anetën dhe se ajo në fakt është tashmë pjesë e familjes sonë. Kaq u desh që ai të shpërthente përsëri. Nuk e di pse i ra në kokë e na tha. “E pamundur. Boll më. Dashkeni që ta bëni edhe pjesë të familjes, pasi më keqpërdorët duke i shpëtuar ato nga uria, tani do t’i ulni edhe në një tavolinë me mua. Këtë unë nuk mund ta duroj. Ti, nipçe, je ende i vogël dhe i ke akoma buzët me qumësht”…Unë ika dhe i lashë aty vëlla e motër. Dola dhe eca në natën gojëprerë, pa e ditur se ku. Ndjeva dhimbje në zemër. Sytë m’u mbushën me lot dhe qava si një fëmijë. Po kuptoja se po e humbja dashurinë time, Anetën, dhe këtë nuk mund ta shpëtonte as edhe nëna që më thoshte se isha thesari I saj i vetëm. Unë e dija që pas kësaj ajo do të dorëzohej. Nuk mund që t’ia prishte vëllait të saj, Vangjelit, që bënte edhe detyrën e babait tek unë, por edhe të mbrojtësit e njeriut që përkujdesj për jetën tonë. Jetonim prej disa kohësh në atë qytet, tek të afërmit e nënës. Pa atë në ato vite jo vetëm që nuk do t’ia dilnim dot, por do të vdisnim urie. Ishte vështirë për moshën time që ta mbaja shtëpinë me bukë. Në fakt unë tetëmbëdhjetëvjeçari, një muaj më parë kisha zënë punë si sekretar i drejtorit të grumbullimit të qarkut, duke u marrë gjithë ditën me shkresa, por pagesa ime ishte tepër simbolike. Haja atje dhe na jepnin ndonjë ushqim, sa për të mbajtur frymën gjallë në familje. Kjo ishte e gjitha në atë periudhë. Daja na jepte ca para nga rroga e tij, me të cilën mbante edhe familjen e vet, gruan, dhe një vajzë të vogël, Leftin.
Natën e kalova në buzë të detit. Aty përballë tij ku frynin errëra e dallgët kafshonin errësirën si bisha të uritura, që kërkonin pambarimisht gjak. Por unë nuk mund të tërheqesha, jo, kursesi. Nuk mund ta braktisja Anetën kështu. Ajo vajzë që më kishte trazuar gjithë ëndërrat e mia djaloshare, me një zemër më të madhe se deti që e kishim para shtëpisë, ishte bërë motivi i dashurisë, qëndresës në jetën time, i burrërisë, dhe i besës. Ky ishte vendimi që mora atë natë dhe nuk i lëviza.
Kishte kaluar kohë nga ajo mbrëmje. Në shtëpi nuk flisja më për Anetën. Motër e vëlla menduan se plaga kishte zënë kore dhe zemra ishte qetësuar tashmë, por nuk ishte aspak kështu. Pas pune shkoja vazhdimisht tek Aneta. Dilnim mbrëmjeve e shkonim deri në rrethinat e qytetit. Përqafoheshim e kalonim çaste ashtu nën pushtetin e dashurisë së zemrave tona dhe në darkë e ktheja në shtëpi. Ndiheshim të lumtur. Të thashë që vendosa ta çoj në shtëpi. Nëna ishte krejtësisht e pafuqishme që të më kundërshtonte, edhe pse nuk donte të prishej me vëllanë e vetëm, që i kishte mbetur në këtë botë. Për dajo Vangjelin mendova se një ditë ai do të dorëzohej. Dola në mbrëmje nga puna dhe shkova si zakonisht drejt e te shtëpia e Anetës. U thashë që të përgatiteshin se në fund të javës do ta merrja Anetën në shtëpinë time. Këtë herë si nuse. Por vajza e ëndërave të mia heshti. Uli kokën dhe e hodhi vështrimin tek e ëma, sikur kërkonte të merte mendimin e saj për vendimin e rëndësishëm, që do të jepej në këtë çast. Kuptova që u drodh dhe kraharori mezi i u mbush me frymë. Ngashëreu. “E ka nga emocioni, -mendova unë,- pasi është ky një moment tepër delikat në jetën e një vajze”. E ëma u duk se do të më thoshte diçka, por duket që ndryshoi mendim në momentin e fundit. Ktheva vështrimin nga Aneta dhe dallova që kishin lënë gjurmë në mollëzat e saj dy rrëkeza loti, të cilat shndrisnin nën një ndriçim jo të mirë që jepte një llambë që varej nga tavani i lartë i asaj dhome. Dukej se e kishte humbur shkëlqimin e saj pas ikjes së të zotit. Iu drodhën supet dhe Aneta shpërtheu në lot së bashku me një gulçimë që i doli nga brenda kraharorit. Lëshoi disa fjalë që mua m’u dukën si një mallkim për fatin e saj. Më së fundi mendova se këtu kishte diçka tepër serioze, që nuk kishte të bënte aspak me lumturinë e një vajze, të cilës i propozojnë të shkojë në martesë me njeriun që i kishte robëruar jo veçse zemrën.
“Dëgjo, bir, -më tha Elsa, -Anetën e kemi të sëmurë. Qysh prej dy muajsh dhe kjo është koha kur ne e kemi konstatuar këtë nga një mjek italian në Tiranë. Vajza po bashkëjeton me një sëmundje të vështirë, që ne nuk mund ta përballojmë dot as financiarisht, por as edhe psikologjikisht. Ajo rezervë ilaçi tepër e kushtuar që e kishte Idrizi në farmacinë e tij, ka shkuar për të kuruar njerëz të tjerë. Por edhe jashtë në spitale e klinika nuk është se e shërojnë dot, por e mbajnë në kontroll. Ishim sot te doktori dhe mësuam se sëmundja po ecën me hapa të shpejtë. Eshtë rënduar gjendja e Anetës, bir. U bënë analizat. Na rekomanduan një vend klimaterik. Eh!… Sa për lajmin e gëzueshëm që na solle, këtu do të jemi. Do të vij edhe ai moment që do t’ju shoh të dyve të lumtur, ty dhëndërr e Anetën nuse. Nuk ka gëzim më të madh për një prind sesa ky çast i magjishëm”.
Nuk e mendoja kurrë, asnjëherë, se dashuria ime e parë si një anije do të merrte kaq ujë dhe do të fundosej në detin e së keqes. Por, ja që edhe jeta nganjëherë është kaq e ashpër dhe e padrejtë. Është gri dhe jo bardhezi, siç e mendojmë ne. Nuk është çështje fati në këtë mes. Anetën e rrëzoi dhe ia dorëzoi sëmundjes mospranimi i dashurisë së saj në familjen time, partishëria e vëllait të nënës sime. Kështu e kam gjykuar dhe vazhdoj unë, edhe pas kaq vitesh. Qofsha edhe i gabuar.
Në koridor u ndien zëra njerëzish. Vinin nga vagoni para nesh. Miti e ndërpreu rrëfimin dhe shkoi përsëri drejt derës. E shtyu dhe qëndroi aty si një statujë, duke ndjekur me vëmendje lëvizjet e të posaardhurve. Unë dëgjova zërin e fatorinos:
– Shokë e shoqe të Kavajës lëvizni më poshtë. Ka akoma kabina të lira. Mos u grumbulloni këtu.
– Qenkeni shumë për në Tiranë sot, – i thashë.
Ai më pa drejt e në sy, po nuk foli. Tek Miti u afruan dy vajza të reja. Ky i pyeti:
– Vajza, të kujt ndërmarjeje jeni ju?
– Fabrika e qelqit, – tha një prej tyre, një vajzë brune dhe e hollë në shtat, duke iu përgjigjur njeriut që qëndronte te dera e kabinës dhe që nuk u kishte liruar rrugën e hyrjes.
– Auu! Qyqja, moj gocë. Po çfarë do të bëjmë ne këtu? – bëri sikur u tremb tjetra. Nuk e sheh që ka vetëm burra. Hajde, të ikim te shoqet tona te kabina tjetër.
U duk sikur e tërhoqi për krahu shoqen dhe në çast u zhduk nga ekrani i xhamtë i derës në korridor. Miti ndenji dhe një moment dhe, pasi u sigurua që nuk kishte më njeri të na vinte aty në kabinë, e mbylli derën. U kaloi dorën flokëve dhe shkoi në vendin e tij. Mori buqetën dhe bëri të njëjtin gjest, ashtu siç kish bërë një çast më parë. I vendosi ngadalë në të njëjtin vend dhe u kthye nga unë.
– Kjo historia juaj qenka shumë e veçantë, – i thashë. – Gjynah që nuk e ka dëgjuar ndonjë shkrimtar, mund që të dilte ndonjë roman i mirë që do të linte shijë te lexuesi.
Qeshi. Tundi kokën, këtë here pa gaz dhe filloi:
– Ditët që rrodhën më pas, nuk kishin ngjyrë, por as edhe diell midis nesh. E shihja dita-ditës që po më fikej e po tretej si një qiri përpara meje. Ku ishte ai kurm vajzëror i ikur? Qëndroja vazhdimisht në shtëpinë e saj dhe tek ime ëmë shkoja sa për të fjetur. As edhe gjumë nuk kisha. Zëre se isha në punë, zëre se nuk isha. Por atje nuk më thonin gjë. E mbyllnin një sy për djalin e dëshmorit… Një ditë zuri shtratin e nuk u ngrit dot më. Filloi të lëngojë. U bë rëndë. Po fundosej. Nuk deshte që ta puthja më. Kishte hall se do të më ngjiste turbekulozin. Erdhi edhe ime ëmë. I tha se do ta shihte nuse shumë shpejt në derën e shtëpisë sonë. E pashë që Aneta u lumturua. Sytë i morën një shkëlqim, sa që m’u duk se dhoma e gjithë llamburiti nga një dritë që erdhi përtej dy dritareve të mëdha. Nuk do ta harroj atë çast. Vuri buzën në gaz si për të na thënë se e besonte. Më erdhi mirë që nëna ime e bëri të lumtur Anetën, qoftë edhe për një moment.
Të nesërmen e ëma, Elsa, solli doktorin e spitalit. Ai e vizitoi dhe u largua i heshtur nga krevati i saj. Në korridor na tha se edhe pak orë i kishin mbetur. M’u mbushën sytë me lot dhe fjalët shteruan buzëve të mija që dridheshin. I thashë Elsës që edhe ajo vajtonte fatin e bijës së saj në një gjuhë që unë nuk e kuptoja, e bëjmë nuse. Ajo hapi sytë e më pa si e mpirë. “Do ta veshim, ja këtu në krevat”. Austriakja tundi kokën e bëri kryqin. Dola menjëherë jashtë dhe u nisa me nxitim për te shtëpia e dajo Vangjelit. E dija se nusja e tij ruante një fustan nusërie. I a thashë dhe e mora. Ndryshe nga i shoqi, ajo më mbështeste mua. Ka nevojë jetimi për atë gëzim. Kështu i thoshte. I erdhi keq për Anetën. Le t’i marrë me vete edhe në botën e përtejme. Të mbesë gjithmonë nuse. Pastaj renda për në shtëpi dhe mora rrobat që kisha përgatitur për dhëndërr. Vendosa një papion, se ashtu ishte moda atëhere dhe u ktheva me një frymë. Vetë e zhvesha dhe e vesha. E ëma nuk kishte zemër më në atë ikje të beftë të së bijës. Po Aneta po humbte dhe kishte një ndijim të paktë. E zbukuruam që të dy pastaj.
Kur kishim përfunduar gjithçka në atë ceremoni të thjeshtë midis jetës dhe vdekjes, i shtrirë pranë saj në të njejtin shtrat, iu betova se do t’i qendroj besnik deri në vdekjen time, sepse unë tashmë isha martuar dhe do të jetoja çdo çast me atë, duke i dhënë e marrë dashuri. Kështu më iku Aneta. U shua. Mua më la shumë dhimbje në këtë jetë. Eh!..
Një sirenë e stërgjatur lokomotive po na lajmëronte se po i afroheshim stacionit të Durrësit. Gjeta rastin që Miti heshti dhe i thashë i prekur:
– Qenka një histori e trishtë kjo juaja dhe më vjen vërtet keq që paske patur fatin të ndeshesh me një ngjarje kaq dramatike si kjo me Anetën. Të rroni dhe ta kujtoni gjithmonë atë vajzë.
Më falenderoi në heshtje. Ndjeva se nga kraharori i doli një gulç. U përmbajt. Pas pak u gjendëm në këmbë. U bëra gati që t’i zgjatja dorën dhe ti uroja “Rrugë të mbarë”, por ai më la të kuptoja se do të më shoqëronte derisa të zbrisja poshtë te dera e vagonit. Mbase i duhej të ndërronte vend tani pas ikjes sime, sepse pas gjithë atij rrëfimi nuk do t’i bënte mirë edhe vetmia. E kuptoja gjendjen e tij.
Po hynim në stacion dhe ai mori buqetën në duar me një përkujdesje që binte në sy. Dallohej që ishin ende të freskëta. Ia ndjeva aromën. Lëvizëm në korridor e u përballëm me dy kavajaset, që kishin qëndruar të vetmuara në këmbë aty në korridor. I përshëndetëm e qetësisht shkuam deri te dera. Ishte një qetësi vdekjeje dhe njerëzit brenda në kabina heshtnin në zi. Ndiem që treni ndaloi në platformën e stacionit të Durrësit. Një det njerëzish që prisnin të udhëtonin drejt Tiranës për homazhe tek udhëheqësi. Me siguri ndërmarje të planifikuara që kishin radhën për të lotuar. Disa syresh u sulën menjëherë në dyert e vagonave. U ktheva nga Miti dhe i thashë:
– E po, të uroj, rrugë të mbarë. Po nxitoj, se paska shumë njerëz që po presin poshtë, që kërkojnë të ngjiten këtu
Por ai më bëri përsëri shenjë se do të më ndiqte deri poshtë në platformë. Unë e falënderova dhe i thashë që nuk ishte nevoja. E konsiderova respekt të tepërt nga ana e tij për mua. Ngulmova përsëri, por ai zbriti përpara meje. U kujdes për buqetën që të mos ia prishte turma, e cila mezi priste atje poshtë. Mes trupave që nxitonin të ngjiteshin, u ula edhe unë në platformën e stacionit.
– Do ta kesh tepër të vështirë që të ngjitesh përsëri në vagon, – i fola ngadalë dhe në çast dyshova se ai nuk më kishte dëgjuar.
Miti rregulloi pardesynë dhe më tha qetësisht:
– Lëvizim? Deri jashtë stacionit jemi bashkë. Pastaj mua më duhet të nisem drejt e në varrezat e qytetit. Sot Aneta ka tridhjetetetëvjetorin e vdekjes. Vij këtu çdo vit për të respektuar në radhë të parë kujtimin e saj. Të thashë që i kam dhënë fjalën përpara se të nisej për udhë, tek vdektarët, besën për të bërë qendresën. Dhe këtë e kam përmbushur me dinjitet dhe ndershmëri, deri sa t’i shkoj aty pranë. Unë jetoj me këtë.
Heshta pa e ditur se ç’ti them asgjë. Isha befasuar me veten time. Lëvizëm mes njerëzve që ishin sulur në dyert e vagonave. Zor se ai tren i merrte që të gjithë. Dëgjoheshin komanda që jepnin druejtuesit. Kërkonin rregull. Pastaj nxitova hapat që të arrij Mitin.
Ishim pranë, unë, ai dhe në mes buqeta me lule të freskëta.
Pas nesh ishte turma.