• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE

May 4, 2017 by dgreca

Nga Prof. dr. Nusret Pllana/Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’-Prishtinë/1 Pllana LibriÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE E SHQIPTARËVE-(Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor)/

1 ok salleVepra e studiuesit të pasionuar, Prof.dr.Selman Sheme, Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, shqyrton, analizon, trajton dhe nxjerrë përfundime interesante për problemin e  Çamërisë nga lashtësia deri në ditët tona. Qasja e këtillë i ka dhënë dorë autorit, jo vetëm të shfrytëzojë një literaturë të gjerë nga Fjalorët enciklopedikë e deri te vepra monografike autorësh të ndryshëm, por edhe të mbaj qëndrim kritik në punë të shqyrtimit shkencor të Çamërisë, si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare.

Vepra studimore e Prof.dr.Selman Shemes, mjaft e vëllimshme, është shtrirë në dymbëdhjetë (XII) kapituj dhe përmbyllet me një përfundim prej 26 faqesh, në gjuhën angleze, mjaft dëshmues në aspektin e informacionit shkencor. Vepra ka 372 faqe brenda të cilave merr frymë jeta historike e një pjesë të madhe të popullit shqiptar, i cili duke u përballuar padrejtësive historike ka dëshmuar jo vetëm identitetin e tij kombëtar, por edhe lashtësinë e ekzistencës së tij. Duke u mbështetur  në  dëshmi arkeologjike, studiuesi zë fillin e të dhënave që nga parahistoria e deri te prania e dëshmive të  Kulturës së Komanit,  në trevën e Çamërisë, të cilat i ka sistemuar në kapitullin e parë.

Lashtësia historike e jetës së Çamërisë

Kur lexon veprën madhore të studiuesit Prof.dr.Selman Sheme, nuk mund të kapërcesh pa marrë me vete atë barrën e ankthit të njeriut me vetëdije kombëtare, se si është e mundur, të zhbëhet një krahinë e tërë, si është e mundur të zhvendosen një numër aq i madh i fshatarve me popullatë shqiptare, nëpër tronditjet historike të kohëve të ndryshme, në njërën anë, por edhe të marrësh me vete dhembjen e humbjeve njerëzore që shkakton kjo vetëdije për asimilimin e një pjese shumë gjallnore të popullit shqiptar, në anën tjetër. Vetëm lista e fshatrave që autori i ka sistemuar në kapitullin e dytë nuk të lë indiferent për humbjen e madhe që i ka shkaktuar historia popullit shqiptar nëpër tronditjet e shekujve, siç do të shprehej akademik Rexhep Qosja. Një humbje po kaq e madhe popullit tonë i është shkaktuar gjatë viteve 1877/1878, siç  na është e njohur të gjithëve,  edhe me gjenocidin serb mbi shqiptarët në Toplicën shqiptare dhe, zhbërjen e 714 fshatrave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, këtë krahinë shqiptare të cilën kurrë  askush nuk e zë në gojë, as pushtetarët e as opozita e Republikës së Kosovës.

Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, kapitullin e parë e ka mbështetur kryesisht në dëshmitë arkeologjike, jo vetëm për të risjellë në kujtesën tonë dhe të kohëve ekzistencën dhe praninë në këto hapësira të elementit iliro-arbëror, siç thotë ai, por edhe përkatësinë e identitetit të këtyre dëshmive.

Do të thotë, një kronologji e mirëfilltë e pranisë së elementit arbëror që nga lashtësia e këndej, por një prani që është zhbërë nga ideologji fashiste të pushtuesve grekë, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, ku prania çame vjen e zbehet deri në mosqenie.

Dilema e parë që ngacmon vetëdijën e lexuesit, në raste të këtilla, është ajo e pamundësisë për ta kuptuar përmasën e këtij gjenocidi dhe heshtjen e madhe të botës demokratike, sidomos kur është fjala për shqiptarët, apo për drejtësinë historike që u është mohuar shqiptarëve në vazhdimësi. Bëhet fjalë për 620 fshatra, pra 620 vendbanime, që nuk janë më pjesë e realitetit historik në jetën e shqiptarëve, por janë e do të jenë pjesë e dhembjes së përjetshme për humbjen e tyre, siç janë edhe pjesë e kujtimit të përjetshëm të brezave të tërë të shqiptarëve. Prania e këtyre vendbanimeve, nuk ishte në kohën e para Krishtit, pra para epokës së re, po ishin dëshmi të shekujve XIV-XV, siç i ka sistemuar të dhënat autori në Kapitullin e dytë.

Fakte që flasin për përkatësinë shqiptare të Çamërisë

Autori i veprës Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi i nderuar Prof.dr.Selman Sheme, ka qëmtuar me durim dhe me kujdes, thuajse shumicën e burimeve shkencore për të dëshmuar përkatësinë tjetër, të ndryshme nga ajo greke të popullatës çame, ose, siç thotë autori dhe studiues të tjerë të banorëve të Epirit.

Duke mbështetur  mendimet e albanologëve të shquar gjermanë, studiues, që i kanë bërë nder jo vetëm shkencës albanologjike, por dijes evropiane në përgjithësi, sidomos për shqiptarët dhe Shqipërinë, siç janë Johan Tunman, i cili që më 1774 ka konstatuar se maqedonët e lashtë, epirotët  dhe ilirët janë popuj të një trungu dhe flasin të njëjtën gjuhë.

Më tutje, këto dëshmi i çon më tej albanologu më i njohur gjerman, Johan Han, faktet e të cilit, studiuesi  Prof.dr.Selman Sheme, i konsideron të arriturën  më të bindshme shkencore, jo vetëm për lashtësinë, por edhe për origjinën e përkatësisë së popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.

Studiuesi i tretë gjerman, Jakob Fallmerayer, i cili që në vitin 1857 deri më 1861 tri herë e boton veprën e tij shumë të veçantë, e sidomos të rëndësishme për studimin e çështjes së pranisë së popullatës çame në ato vise, Elementi shqiptar në Greqi, i kanë dhënë dorë autorit që të trajtojë bindshëm problemin e madh historik të Çamërisë.  

Numri i autorëve të huaj dhe shqiptarë, arbëreshë dhe të tjerë që janë marrë me çështjen shqiptare, rrjedhimisht edhe me problemin çam, është i madh, që zë fill nga albanologët gjermanë të cilët i zumë në gojë e deri te Sami Frashëri ynë, që ishte edhe hartues i Programit të ideologjisë kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, janë dëshmi e mjaftueshme për të hetuar karakterin hulumtues të studiuesit Selman Sheme, si dhe të dhënat e shumta që ka sjellë në këtë vepër.

Këtu janë interesante të dhënat që ka marrë në shqyrtim nga folkloristi dhe entografi i njohur arbëresh, Antonio Bellushi, i cili studimin e tij për kulturën dhe venbanimet çame e ka botuar më 1994 në Kozencë të Italisë.

Autori i këtij studimi ka shkruar edhe vepra të tjera, që në taban kanë padrejtësitë historike që i janë bërë popullatës çame, siç është vepra e tij e botuar në Tiranë më 2005, Çamëria, vendi, popullsia dhe jeta ekonomike, (monografi), apo vepra tjetër, Hyrje në gjeografinë regjionale, botuar në Tiranë, më 2012, e kështu me radhë.

Struktura e veprës dhe ndërtimi i jetës çame

Studiuesi Prof.dr.Selman Sheme, siç është theksuar më sipër, veprën e tij e ka ndërtuar në 12 kapituj. Çështjet që janë trajtuar janë të shumta, për të mos thënë se kapin të gjithë përbërësit e ndërtimit të jetës së Çamërisë, që nga lashtësia deri në ditët tona. Duke ndërtuar strukturën e studimit të tij, autori ka pasur kujdes që të ndjek, siç thuhet, kronologjinë e rrjedhës historike të pranisë së Çamërisë në jetën shqiptare.

Mund të thuhet prandaj, në shtrirjen e saj, studimi i autorit Selman Sheme, ka përthekuar të gjitha periudhat kohore, duke e vënë theksin në përbërësit që janë dëshmi e mjaftueshme, historike, kronologjike, arkivore, shkrimore për praninë e Çamërisë në jetën historike të popullit shqiptar.

Kur thuhet në jetën historke, është marrë parasysh faktori  i tërësisë gjeografike, gjuha dhe doket, trashëgimia e tërë nëpër periudha të caktuara kohore, nëpër kapërcylle shekujsh, që janë të përbashkët me ato çame.

Në secilin prej kapitujve, autori ka shtruar, ka analizuar dhe e ka mbështetur me fakte të burimeve të shumta të informacionit shkencor, çështje të caktuara të jetës së Çamërisë, duke filluar nga lashtësia e deri në ditët tona, por ato duke i shqyrtuar edhe me kritere të mirëfillta shkencore, pa ato animet folklorizuese, që aq shpesh e dëmtojnë mendimin e mirfilltë shkencor, sidomos kur bëhet fjalë për padrejtësitë e mëdha historike që i janë bërë popullit shqiptar nëpër shekuj.

Në të vërtetë, shumë çështje që ka trajtuar autori i këtij studimi të mirëfilltë, Selman Sheme, nuk e durojnë as anën folklorizuese të çështjeve, por as indiferencën që mëtojnë një dorë historianësh, gjoja në emër të paanësisë dhe të modernitetit.

Përfundim

Në veprën e tij të vëllimshme Çamëria-vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor, studiuesi Prof.dr.Selman Sheme ka shqyrtuar bindshëm edhe një aspekt të jetës së çamëve, doemos si të të gjithë popujve të tjerë që kanë pasur fatin e tyre. Aspekti që ka shqyrtuar autori, është mundësia e integrimeve rajonale, e cila ka vënë para dilemës së madhe shtetet kombëtare, për mënyrën e ruajtjes së përkatësisë së tyre. Por, kjo mundësi, siç është dhënë në kapitullin e njëmbëdhjetë të këtij studimi, ruan edhe kujtimet për vendin e të parëve, për vendin ku kanë qenë autoktonë, andaj kërkesat e tyre, sot (për fat të mirë) të përfillshme ndërkombëtarisht, përkufizojnë edhe mundësinë e shtrimit për zgjidhje të problemit të Çamërisë, sidomos në planin e integrimeve globale.

Duke vërejur me kujdes burimet e shumta që i kanë hyrë në punë autorit, Prof.dr.Selman Sheme, lexuesi bindet edhe për një fakt tjetër të madh, që është e kundërta e asaj që quhet veprim politik të shteteve që historia u ka bërë padrejtësi të këtilla, duke u dhënë të tjerëve pjesë të gjeografisë kombëtare të një populli, vetëm për të krijuar qetësinë e lëkurës së tyre, për të cilën askush nuk e di saktë se sa do të duhej të ishte e tillë. Përmbysjen e kësaj mendësie, të Evropës së djeshme e ka dëshmuar edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përmbysi robërinë dhe kolonializimin e fundit në Evropë, edhe Lufta Çlirimtare në Kosovën Lindore, e cila i dëshmoi botës se ato pjesë të gjeografisë sonë kombëtare janë të pushtuara, edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në tokat shqiptare nën Maqedoninën e sotme, e cila dëshmoi praninën e shqiptarëve në ato hapësira  që nga lashtësia e këndej.

Si do të jetë e nesërmja e Çamërisë?

Sa kam kuptuar  unë, nuk është  shumë  qartë, siç nuk është qartësuar edhe në të gjitha ato studime, historike, gjuhësore, etnografike, folklorike, gjeografike, gjeopolitike e të tjera, të cilat i ka shfrytëzuar për burime në veprën e tij, edhe autori i këtij studimi që po e përurojmë sot, studiuesi i mirënjohur Prof.dr.Selman Sheme.

Por, derisa gjumi i rrit fëmijët, siç ka thënë Plaku i Urtë i Pavarësisë sonë, Ismail Qemali, gjumi për popujt është vdekjeprurës. Shqiptarët, nëse u besohet veprimeve historike, në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzet e një, më në fund e kanë mësuar këtë shkollë të madhe të historisë –  mosharresën e kujtesës historike!

Prishtinë, 3 maj, 2017

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ÇAMËRIA-PLAGA SHEKULLORE, e shqiptareve, Nusret pllana, selman Sheme

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT