• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’asht poezia ?

September 21, 2020 by dgreca

Shkruan:Anton Çefa–

“Poezia asht ankthi i së pavetëdishmes instinktive për me dalë në pastërtin e mendimit, në shpirtin e kthielltë, . . . asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore, errësina qi bahet dritë.”- Arshi Pipa–

Për vetveten, poezia asht hapsina e shpirtit në hapsinën e fjalës.

Për poetin, poezia asht dhimbja e dritës, gufimi i gjakut, zjarmia e ndjenjës, guri i mendimit.

Për studiuesin, poezia asht nji truell në mes racionales e iracionales. reales e imagjinativës, në mes asaj që shprehet dhe asaj që nuk mund të shprehet.

Për njeriun, poezia asht vegimi i tejdukshëm i andrrës, iluzioni ku përsëdytën shpirti dhe bota, po edhe nji thelb ku plazmohen idealet në lëvozhgën e vetëdijes dhe të pavetëdijes sonë.

Për njerëzimin, poezia asht nji nga dimensionet ma humane të njerëzimit në përgjithësi, dhe të çdo populli veçmas.

Për popujt, poezia asht nji urnë gjenuine qi ruen si relikën ma të shtrejtë mbetjet e shejta të etënve.

Për ne shqiptarët, poezia asht klithma e fisit, britma e trojeve, etja e barit, zjermi i votrës, hini që mbetet mbas djegies së eshtnave  të të parëve.

për shokët e mi, brezin e poetëve jo – konformistë, qi u rritën  dhe u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht nji bisedë e gjatë me vetveten për ruejtjen e dinjitetit dhe njikohësisht shfrim ndaj diktaturës.

Bulon në shpirt

Bulon në shpirt poezia,

prekë të padukshmen

dhe i falë jetës nji kuptim që dhemb.

Nën shkelqimin e metaforës

si në nji fosil

rri i mshehun mesazhi i jetës. 

Alkimi e gurit

Te guri vizova fjalën 

Si bir shkambi që asht,

Mbështeta te ai të mirën, të vertetën, të bukuren.

Te guri i vuna sinoret fjalës e vetes,

Shpirtit e zemres,

Mendimit dhe ndjenjës.

Deh, mos ma lueni gurin e sinorit !

Dimension

Unë vuej për ty Atdhe

Unë vuej për   ty Atdhe:

-kur me gënjeshtra të shtrembnojnë fytyrën,

-kur shpifja përlyen nderin që ti e ruen me krenari,

-kur me shamje fyese të akuzojnë pa të drejtë,

-kur fymja “të përshëndetë” tash e parë,

-kur ne shqiptarët të braktisim,

Dhe, ma e keqja: të trathëtojmë.

Unë vuej për ty Atdhe.

Gjuha shqipe

Gjuhë shqipe,

Praninë tande e jetoj kudo,

Te nji nanë me foshnje në prehen,

Te fëmija i njomë në djep,

Te urtija e një plaku të moçëm,

Te fjala e lashtë e Kanunit,

Te vjetërsia e shkrimit të Buzukut,

Te jehona e zaneve të largëta

Te fjala melodioze e arbreshëve.

Kam mall gjithnji për fjalën tande

Për melodinë e bukur të tingujve,

Për jehonën e lashtë të kohëve.

Mendimet e tua i veshë kurdo

Me kumbimin e kumonëve të shpirtit.

Themelet i ke sa mbi shkambij,

Sa mbi fusha e ara,

Lumej e dete,

Themelet i ke kudo.

Në prak të dritares

Në prak të dritares

Çdo ditë ujis saksinë

Ku fluturimin ndalë

Shpendi i mallit.

N’sa flatrat e kujtesës

Në shteg të andrres sime

Më presin.

Rrajët e gjakut tonë

Ju nuk i shihni rrezet e diellit,

Rrajë të gjakut tonë.

Ju nuk e njihni miklimin e  dritës,

Rrajë të gjakut tonë.

Depërtuese deri në zanafillë,

Prej jush gjakohemi me stërgjyshat tonë.

Në thellësitë e hershme të gjaku tonë

Ne ushqehemi.

Në kerkim të fjalës së urtë

Me nji shkallë që m’çon jashtë kohe 

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë, 

U ngjall apo s’u ngjall

U apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E therë mendimin, atë ma të fismin

E therë mendimin e plagës që lëngon mu n’zemër 

Të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë, 

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

*

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se fruti i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej.

Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Që ra e bie nga pema si frut i kalbun.

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit të urtisë së malit?

*

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

 E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Toka ime e djegun,

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës. 

II

Si Sizifi, deri në zgrip të fjalës shkoj

Me torbën randue me ranën e mendimeve

Me torbën e randë sa guri i Sizifit

Që nji lugat i zi e trazon papra.

Deri në zgrip të fjalës shkoj e me Sizifin

Kaptoj errësinat e këtejme e të përtejme,

E prap më rrokulliset torba mu në maje 

Të kodrës së errtë të heshtjes.

Torba me litanitë e mëdha që jeh u bajnë

Kumonëve që bien perzishem. 

Ka vdekë filani e fisteku.

Thue se ata nuk qenë të vdekun

Mbi rrasë e nen rrasë, mbi gur e nen gur

Mbi dhe e nen dhe të kohës së pakohë.

A thue guri e humb peshën e fjala e urtë kuptimin,

A thue humbet fjala e urtë e farës

Që hodha dikur në zagna fletësh ?

Të gjithë e dinë se guri i randë peshon n’vend t’vet,

Por ne e morem peshë, e hodhem tutje tej

E rrokullisem rrëmoreve të mergimit,

rrëgallave, humnerave të udhëve të pafund.

Në zgrip të fjalës e të heshtjes bana udhë e udhë,

Në zgrip të udhës eca, mu në zgrip

Si ban nji fjalë e urtë, nji fjalë e thënë

Për zgripet e kohëve të pakohë,

Kohëve të stihisë që hangrën nandë djelm e nandë nuse

E që banë kërdinë e zezë, kërdinë e kuqe

E luftë e murtajë, e zjarr e rrenim,

Stihi e zezë që i hangri nanës nandë djemt

Në atë kohë të pakohë, mësyshje e mendimit të çmendur,

Në atë kohë të pakohë kur Kostantini harroi besë e fe

E nuk i hypi revan kalit të besës

E Duruntinës s’i binte ndër mend per vallet.

Në atë kohë fjalën nën gur e lashë,

E gur mbi gur, e gur nën gur

I vuna porta territ e zezonës,

Zezonës së zezë, zezonës së kuqe.

Po atë fjalë të bardhë në gropën e errtë

Ku e pata lanë dikur, e gjeta të urtën,

e gur nën gur e gur mbi gur

ku e pata lanë dikur, e gjeta, të urtën.

E vazhdimisht zbres e ngjitem, ngjitem e zbres

Në nji shkallë që m’çon jashtë kohe,

E shkoj deri te sofra e Zotave që Homeri shtroi n’Iliadë

E ata gërvallen në bankete

E qiell e dhe e shkundin me kangë e britma,

Gajasen së qeshuni e shajnë e grinden

E venën e çojnë me katrova dashtnije e urrejtje,

E nuk pyesin fare per kercnimet e Zeusit

Dhe fjalën e urtë nuk e thotë askush.

As Zeusi në qiell, as Posejdoni në det

E as Hadi, i plotfuqishmi i zi i territ

Fjalën e urtë që dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma fisnikun,

Mendimin e shtegut të lirë, që i prinë fjalës së urtë

Askush se thotë.

.

Dhe unë ngjitem e zbres, e zbres e ngjitem

Në shkallën që më çon jashtë kohe

E zbres e ngjitem, e ngjitem e zbres në kerkim të fjalës së urtë.

Ç’të shoh!Fjalën e urtë kryqzue me gozhda e gjak

Mbi kryq të kohës së pakohë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Ç’asht poezia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT