Nga Arben Llalla/
Kryeministri Edi Rama paraqiti programin katër vjeçar për qeverinë e tij 2017-2021. Ajo që bie në sy është se “Rama 2” nuk ka asnjë projekt për shqiptarët jashtë Shqipërisë që jetojnë në trojet e tyre etnike, për Diasporën e vjetër dhe të re.“Rama 2” nuk ka asnjë plan për hapjen e konsullatës shqiptare në Manastir-Bitola të Maqedonisë, në qytetin e Kongresit të Alfabetit, ku ndodhen sot rreth 17 konsullata të huaja, por konsullatë të Republikës së Shqipërisë nuk ka dhe as që është në mendjen e qeverisë “Rama 2”.
Por, më tragjikja e qeverisë moniste “Rama 2” është se në agjendën e saj nuk ka në asnjë rresht për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, të pronave të shqiptarëve në Greqi.
Kjo tregon se i gjithë ai zë i Edi Ramës në qeverinë e kaluar pro çështjeve kombëtare është bërë nga presioni i ligjvënësve të PDIU-së, të cilët e mbështesnin Ramën, vetëm pasi ky garantonte se do mbështesë gjithnjë çështjet delikate kombëtare, në veçanti atë Çame.
Koha tregoi se Edi Rama sapo kalojë lumin e nëmi kalin. U shau kalin atyre që u turrën shtëpi në shtëpi për të mbledhur vota për Gramozin dhe Edin në Fier, Tiranë, Durrës, Vlorë. Tani u duhet të mbajnë gishtin në gojë, sepse Gramozi dhe Rama e kaluan lumin për katër vite dhe as telefonin nuk do jua çelin, madje ua kanë harruar emrin dhe fytyrën e jo më të vënë ujët në zjar për Çështjen Çame.