Copëza Kujtimesh…/
Nga Niko KIRKA*/
Ishte dita e tretë që më kishin arrestuar. Më kishin futur në një nga birucat që kishin ndërtuar në bodrumet e godinës që dikur kish qënë konsullata e Italisë në Korçë. Mendimi se ishin ndërtuar me qëllimin e mbrapshtë për të futur njerëz aty brenda të bënte të kuptoje sadizmin e tyre. Isha i ri, gati nëndëmbëdhjetë vjeçar, i fortë fizikisht, kështu që e përballoja atë gjëndje dhe nuk më ligështonte qëndrimi në atë kuvli në errësirë të plotë. Por më mundonte mendimi se sa e vështirë duhej të ishte për babanë, në moshë të thyer e në gjëndje jo të mirë shëndetësore, atje larg në birrucat e Tiranës. Gjithashtu më mundonte mendimi se si do ta përballonte nëna hatanë që i rra mbi kokë, burrin e djalin e vetëm në burg dhe dy vajza të mitura për të rritur dhe mbrojtur. Duke bluar këto mendime në kokë gati po përgjumesha, kur dëgjova të hapej dera e bodrumit dhe një ushtar erdhi e hapi derën e birrucës ku isha une e më tha të shkoja mbas tij. U ngjitëm lart dhe ai hapi derën e një dhome e më futi brenda. Drita e fortë më vrau sytë në çastin e parë. Ishte një dhome si zyrë me në krye një tavolinë ku ishin rreshtuar disa nga kaporionët e seksionit të divizionit të mbrojtjes që më vone u quajt sigurimi i shtetit. Ishin Naum Bezhani, Petro Pobicka që më vonë mori emrin Petro Dode, Vaskë Nasto, Peço Nedelli e Enriko Bimbli që kish arrestuar më parë babanë e pastaj mua. Më thanë të ulesha në një karrige përballë tyre dhe filluan të më përmendnim disa fraza nga ditari im që e kish marë Enriko Bimbli kur erdhi pas mesnate për të arrestuar babanë dhe hapi komodinën time pranë krevatit e mori fletoren e trashë të ditarit tim. Në ato fraza unë kisha shprehur kundërshtimin tim për politikën që po ndiqte e ashtuquajtura qeveri demokratike si qëndrimi për fatin e Kosovës, vëllazërimi me Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik e armiqësia ndaj perëndimit, shtetëzimet e konfiskimet në ekonomi, etj. Gjatë atyre pyetje-përgjigjeve, Petro Pobicka (më vonë kryetar i Kuvëndit Popullor me emrin Petro Dode) befas u ngrit, m’u afrua dhe më dha një goditje në fytyrë me shpinën e dorës. Ishte një goditje nga ato që quhen “me dorë të thatë” dhe unaza që kishte në gisht më cau sipër buzës në anën e majtë. Gjaku filloi të ridhte. Sa më dogji, sa më dhëmbi ajo dackë! Më vonë, gjatë burgimit më kanë rrahur sa janë lodhur, më kanë shëmbur në hu, por djegëjen e dhëmbjen e asaj dacke e ndjej edhe sot! Ishte hera e parë që më dhunonin personalitetin tim, ishte hera e parë që më nëpërkëmbnim dinjitetin tim. Babai më kish edukuar e brumosur që të isha njeri me sedër, që në çdo rrethanë të mbronja dinjitetin tim, që edhe në kushtet më të vështira të isha dinjitoz. Mendoj se i kam qëndruar besnik mësimeve dhe shëmbullit të tim eti.
***
Ishte vera e vitit 1947. Një pjesë të të burgosurve i kishin çuar për të punuar në kampin e Maliqit. Kishte filluar kalvari i të ashtuquajturve kampe të punës. Me punën raskapitëse e cfilitëse që i detyronin të bënin duke i trajtuar më keq se kafshët, me aq pak ushqim sa ndjeheshin gjithmonë të urritur, në të vërtetë ishin kampe shfarrosëse. Dhe ironia ishte se ata cilësoheshin më pak të rrezikshëm, se sa ne që na mbanin brenda murreve të burgut. Ishim rreth treqind vetë. Një ditë na lajmëruan të dilnim në pajtoz. Kështu quhej ajo hapësirë e vogël në mes të atij burgu të ndërtuar në kohën e Turqisë. Na urdhëruan të qëndronim përqark asaj hapësire dhe pas pak erdhën e qëndruan aty në mes prokurori ushtarak kapiten Aranit Çela i shoqëruar nga Bektash Pronjari, i cili po zëvendësonte Tasi Markon që kish vajtur drejtor i kampit në Maliq. Bektashi një individ verdhacuk, i dobët, i pashëndetshëm se ishte tuberkuloz, ishte i njohur për sadizmin e tij. Ndërsa Aranit Çela dukej mëndjemadh, fodull, ironik. Filloi të pyeste ata që i kapte syri si quheshin dhe tallej me ta. Pas tri katër rastesh të tilla, më kërkoi me emër. Si duket një përplasje mendimesh që kisha pasur para dy tri muajsh me Frederik Nosin, anëtar i gjykatës së lartë urshtarake, i kishte vajtur në vesh. Filloi të më ngacmonte, të më përqeshte e të tallej me mua.”Fol çfarë të duash, se nuk do të marr asnjë masë” më tha. E vështronja në fytyrë krejt i qetë, pa thënë asgjë. Por kur filloi të përgojonte shtresën e nacionalizmit, prindërit tanë, nuk durova më. Isha nëndëmbëdhjetë vjeçar! Ja përplasa në fytyrë gjithë bëmat e tyre, si tradhëtine ndaj Kosovës, vëllavrasjen, lidhjen me sllavët, shkëputjen nga Perëndimi, etj. Vazhdoi të tallej duke më thënë:”Ju s’na bëtë dot gjë kur kishit armët në dorë e jo tani që u kemi mbyllur në kafaz!” Pa hezituar aspak iu përgjigja:”Kini të drejtë, zoti prokuror. Ky është gabimi që bënë prindërit tanë. Por mbani mënd një gjë: ne armët përsëri do t’i marrim e këmbë të gjallë s’kemi për të lënë nga juve!!” U nxeh, u tërbua nga inati, u shkumbëzua, m’u afrua me duart shtrirë përpara sikur do të më mbyste, por e mbajti vehten dhe më tha:”Këtë rradhë s’po të bëj gjë. Por një fjalë të dëgjoj më vonë, do të të varr këtu në mes të burgut!” Iku duke turfulluar dhe si duket dha urdhërat. Na futën nëpër kaushët. Shumë të burgosur erdhën më përqafuan, ndërsa më të vjetërit vinin më përkëdhelnin flokët që më dukej edhe si një farë bekimi që më bënin. Por të gjithë ishim shumë të shqetësuar, se ishim të sigurtë që dënimi nuk do të vononte.
Pamë që drejtor Bektashi me dy roje hyri brenda e vajtën nga ana ku ishin nevojtoret e burgut si dhe dy ndarje të vogla që shërbenin si vende ku laheshin të burgosurit, por më shumë si birruca. Në njërën prej tyre kishin futur trimat nacionalistë të burgut të Vlorës, prof. Bego Gjonzenelin që më vonë e pushkatuan dhe të rinjtë Klito Lamaj, Burim Kokoshi e Fadil Xhindi, të cilët i kishin sjellë nga kampi i Maliqit. Aty, në birrucat e burgut të Korçës, u njoha me ta dhe meqënëse na lidhte ideali i përbashkët, filloi një miqësi që vazhdoi gadi gjysmë shekulli deri sa vdekja e parakohëshme e Klitos e Burimit më ndau prej tyre. E kuptova që birruca tjetër do të ishte për mua. Erdhën më muar e më futën aty. Më vonë suall Peti Zisin e Trajan Xhekën, me të cilët isha dënuar sëbashku. Vumë re që vrima nga kalonte uji kur laheshe, ishte mbyllur me copa thasësh. Një roje rrinte tek dera, kurse një tjetër solli dy të burgosur që njiheshin si spiunë të komandës, të cilët sillnin teneqe me ujë dhe i derdhnin aty brenda. Kur niveli i ujit arrijti deri aty sa për pak mund të derdhej nga dera, ata u larguan duke mbyllur derën. Kurse ne, me nallëne siç ishim, kishim nxjerrë çorapet e kishim përveshur pantallonat, sepse uji na arrijti deri në pulpë. Kështu filloi ajo torturë që vazhdoi pothuaj 40 orë. Lodhjen e qëndrimit më këmbë po e përballonim disi duke u mbështetur pas murit. Kurse nga qëndrimi në këmbë dhe zhytur në ujë, këmbët filluan të na enjteshin. Ndonëse ishim në korrik, gjatë natës filluam të dridheshim nga të ftohtët. Por ajo që po na mundonte më shumë ishte pamundësia për të fjetur. Kështu mezi kaloi ajo natë. Në mëngjez ishim të raskapitur nga pagjumësia. Kur na lanë të vinim në nevojtore, sikur të na lejonin, do të shtriheshim e të flinim aty! Dhe mendoni se si mund të ishin nevojtoret e burgut me mbi shtatëqind të burgosur! Dita kaloi si kaloi. Por nata do të ishte e padurueshme. Qëndruam e qëndruam ndoshta deri nga mezi i natës, por më tutje nuk mund të vazhdohej. Atëherë e vendosëm: do të hiqnim shtupat që mbyllnim vrimën, uji do të ikte dhe ne mund të shtriheshim e të merrnim një sy gjumë mbi çimenton e dyshemesë të qullur. Një të vendosur e një të bërë. Mbasi e morëm ca vehten, vendosëm të lajmëronim rojen dhe të thoshim se duke lëvizur nëpër birrucë, pa dashur, kemi bërë të lëvizë shtupa nga vrima. E dinim që do të hakmerreshin duke na shembur në hu, por do të duronim. Erdhën e pasi panë gjendjen, të parin muar Petin. Mbas atij Trajanin. Mbeta vetëm e po mendonja ç’më priste, por duhej ta përballoja. Isha më i riu i të treve, njëzet vjeç. Mendova se si po e përballonte babaj në atë moshë të kaluar e po qëndronte. Si do që të ndodhte, unë do të qëndronja!
Ardhën më muar e më futën në zyrën lart. Ishin katër policë dhe një tetar, një tip i zeshkët, me mustaqe, që njihej për vrazhdësinë e tij. Më ulën në një karrige përballë tyre. Pantallonat i kisha të përveshura mbi gju dhe në dritë pashë që këmbët ishin të skuqura e mjaft të enjtura. Ngrita vështrimin e i pashë të pestë. Ishin të rinj, si unë. Por në sytë e tyre kishte shumë ligësi, shumë egërsi. O Zot, sa shumë urrejtje kishtë në ata sy! Në fytyra u dukej kënaqësia që ndjenin se do të më rrihnin. Atëherë e vendosa: sa do të më rrahin, unë do të qëndroj e do t’u tregoj se jam më lart se ata, se unë kam një ideal që buron e synon nga dashuria dhe jo urrejtja. Pyetjeve të tyre se kush e hapi vrimën, unë përgjigjesha se u hap vetë. Ata këmbëngulnin se Peti e pranoi që e hapi vetë, unë vazndonja që e kini detyruar ta pranojë, se u hap vetë. Unë nuk e dinja se Trajani që tradhëtoi e u bë spiun, në ballafaqim me Petin, ia ngarkoi atij hapjen e vrimës. Të nxehur nga qëndrimi im, nxorrën një kamxhik të gjatë, nga ata që quhen me dell demi, të mbështjellë me lëkurë të zezë dhe filloi njëri të më qëllojë. Unë shtërngova dhëmbët duke futur gjuhën midis, shtërngova muskujt e…prita.Goditjet binin breshëri mbi mua e mbas të parit, vazhduan edhe tre të tjerët deri sa u lodhën. Zioshi po më shihte ngultas, m’u afrua e me zë të çjerrë më tha:”Mor qen, po je njeri apo çelik! Si nuk bëre një herë oh!” Rrëmbeu kamxhikun e filloi të më qëllojë. Por ai ishte i zanatit. Ai nuk më qëllonte në trup, por mbi këmbët lakuriq e të enjtura. E kur kamxhiku binte për herë të dytë mbi të njëjtin vend, kur ngrihej kish të ngjitur edhe një copë lëkurë! Dhimbja ishtë therrëse, djegëse sikur të vinin hekur të skuqur! U detyrova të nxirrja duart për mbi plagë. Edhe ai u lodh, u shtri në karrige e urdhëroi të më largonin. Kur më shpunë përsëri në birrucë ku gjeta edhe dy të tjerët, ajo ishte përsëri plot me ujë dhe më detyruan të shtrihesha mbi çimento duke më bërë qull. Ato goditje në këmbë i ndjeva edhe për shumë kohë. Kur ngrihesha në fillim mezi më mbanin deri sa normalizohej qarkullimi i gjakut. Kurse ngjyrat e plagëve nga të kuqe u bënë më të errta, pastaj si në blu, më vonë jeshile e në fund si të verdha deri sa u zhdukën. Ishte një provë e madhe në kalvarin e jetës sime që do të vazhdonte gati gjysmë shekulli. Babai më kish brumosur me mësimin e tij të madh për mua:”Bir, sa më e madhe të jetë vështirrësia, aq më shumë qëndro, shtërngo dhëmbët e mos u dorrëzo!” Vite më vonë, i burgosuri Maqo Stratobërdha më ka treguar se ishte ndodhur njëherë në një dasmë ku ishte dhe ai tetari ziosh. Gjatë pijes, sidomos kur u bënë pak çakërqef, dikush e ngacmoi duke i thënë a kish rrahur ndonjë në burg. Ai ishte përgjegjur:”Kot më ngacmoni, nuk i gjen gjë njërzit nga druri. Deri sa nuk vdiq Niko Kirka me atë dru që i kemi dhënë…”
*** —————————————————————————-
Ishte viti 1948 e që prej dy muajsh ishim në kampin famëkeq të Vloçishtit, ku po trajtoheshim në mënyrën më shtazarake. Meqënëse ishim rreth njëmijë të burgosur numërimi tek porta kur dilnim për në punë kërkonte kohë. Unë me disa shokë rrinim në fund të brigadës sonë e përfitonim nga kjo kohë për të vrapuar tek çisterna e ujit e mbushnim paguret. Një ditë kur po kthehesha nga çisterna për t’u futur në rrjesht, u hap porta e madhe e kampit e hyri drejtori Tasi Markoja. Porsa më pa, m’u drejtua me këto fjalë:” Eh, Niko Kirka, djalli i madh! T’u plotësua dëshira…do të vijnë anglo-amerikanët”. Ula kokën e vazhdova rrugën. Një shok më pyeti se ç’më tha Tasi. Ato ngacmimet e zakonëshme iu përgjigja. Pas disa ditësh, kur mësuam ngjarjet e ndarjes së Jugosllavisë nga kampi komunist, e kuptuam se ku e kish pasur hallin Tasi kur më tha ato fjalë. Të trembur nga situata e krijuar, ata e shtuan edhe më shumë egërsinë ndaj nesh. Për të bërë një shembëll, Tasi më caktoi mua si kurbanin e rradhës. Duke shfrytëzuar poshtërsinë e pabesinë e Trajan Xhekës, njeriu me të cilin ishim dënuar bashkë e rrinim bashkë, i cili i tregoi Tasit se unë i kisha shkrojtur një letër babait, të cilën do t’ia dërgoja më ndonjë të burgosur. Ishte një letër me plot mall e dashuri për babanë, e thjeshtë, e qartë, në të cilën edhe lexuesi më qëllimkeq nuk mund të gjente asgjë për keqinterpretim politik. Me spiunimin e Trajanit, polici Skënder Xhemali vajti e gjeti drejt e aty ku ë mbaja unë.
Ishte ditë e premte. Ishim kthyer nga puna e po rrjeshtoheshim për të na dhënë lëngëtyrën e përditëshme, kur hyri Tasi me gjithë suitën e tij. Mbasi na mblodhën të gjithëve, filloi të flasë Tasi duke tundur në dorë letrën e duke bërtitur për komplotin e madh që armiku Niko Kirka po mundohej të bënte kundër pushtetit popullor. E pashë që kish erdhur çasti i provës më të vështirë në jetën time të re. Mbylla sytë e mëndja më shkoi tutje, larg, aty në kaushët e burgut të Tiranës, ku vuante e qëndronte babai im. “Më ke mësuar të shtërngoj dhëmbët, baba. Më ndihmo me frymën tënde të qëndroj!” Më nxuar para të burgosurve e Tasi tha:”Ja ku është ky armik. Dënoheni edhe juve duke e goditur” M’u vërsulën të burgosurit ordinerë, më rrëzuan e më hipën sipër duke më goditur më grushta e me shkelma. Mblodha këmbët e vura duart sipër kokës për ta mbrojtur. Shtërngova nofullat, nuk lëshova asnjë britmë dhembjeje, asnjë rrënkim. Durova dhembjet që u bënë shumë të forta. Por goditjet ishin aq të shumta, sa nuk mbeti pjesë e trupit pa u dëmtuar. Dhembja u bë e përgjithëshme e nuk ndjeja më goditjet e veçanta. Trupi i gjithë u mpi. Më në fund shtazët u lodhën e më lanë të shtrirë aty në baltë. Erdhën policët më muarr e më shpunë më lidhën me tela tek shtylla që ishte midis kampit. Më mbështetën tek shtylla, duart m’i lidhën mbrapa shtyllës, me një tel më lidhën në gjoks, një tjetër në mez e tjetrin në këmbë.Aty dërguan për të më goditur atë që në kamp njihej me nofkën Ropka i vogël. Ky ishte një hajdut xhepash e shtëpish që ishte dënuar për shumë vjedhje që kish bërë, ishte i shkurtër, i imët, verdhacuk, i shëmtuar. Ishte një përbindësh. Ishte vegla e ndyrë e komandës. Kishte në dorë një opingë të bërë nga kopertonat e makinave e filloi të më godasë në fytyrë me shpejtësi e shumë fuqishëm. Më trrullosi. Fytyra po më përcëllonte, veshët më buçisnin, koka po më pëlciste. Gjaku po më rridhte ngadalë nëpër qafë e në gjoks. Ajo shtazë po më vriste, duke më shpërfytyruar. Ndonëse i katandisur në atë gjendje, inati më tërboi. Gjithë muskujt e trupit u tendosën, i dhashë një shtytje trupit për të këputur telat e t’i vërsulesha. Por çdo gjë ishte kot. Në duart që ishin fryrë si kacekë teli u fut thellë në mish, kurse teli që më shtërngontë gjoksin çau lëkurën e m’u duk sikur më futën një hekur të skuqur. Po prisnja fundin…. po goditjet pushuan. Katili duket u lodh e u largua. Kishte filluar muzgu e ajo natë, çdo sekondë e së cilës ishte një vuajtje e madhe për mua. Po freskia e ajrit sikur më lehtësoi ca. Në Vloçisht, buzë kënetës së Maliqit, klima ishte pak e çuditëshme: ndërsa gjatë ditës zhegu ishte mbytës, nata ishte e ftohtë. Pas lehtësimit të fillimit, po ndjeja të ftohtë e më pas po dridhesha nga të ftohtit. Në ato kushte, ndjenja më njerëzore e trupit është nevoja për të urinuar. Për të më lejuar të vinja tek gropa e zezë e mbuluar me ca dërrasa që shërbente si nevojtore, as që bëhej fjalë. Po edhe të urinoja nën vehte, më dukej fyese për dinjitetin njerëzor. Durova sa durova, por nuk mundja më. Kështu që urinova e vazhdova të urinoj nën vehte sa kohë zgjati ajo torturë.Nuk kisha ngrënë, stomahu e zorrët ishin bosh, kështu që nuk ndjenja nevojën për defekim. Edhe ujë nuk kisha pirë, po si duket trupi ka nevojë të nxjerrë jashtë ujrat që ka. Duke u dridhur nga të ftohtit mezi po kalonte ajo natë, që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Ishte nata e së premtes.
Më në fund gdhiu e doli dielli, rrezet e të cilit më ngrohën ca. Por unë ndjehesha i dërrmuar. Gjithë trupi më ishte mpirë, më ishte bërë si trung. Kokën e kisha shumë të rëndë. Buzët më ishin tharë e gjuha më ishte ngjitur pas qiellzës.Syrin e majtë nuk e hapja dot e shikoja pak vetëm nga i djathti. Këmbët më dukej sikur ishin mbushur me miza. Etja po më mundonte shumë. Kur shtërngoi vapa, m’u shtua edhe një vuajtje tjetër: mizat. Me dhjetra më ishin vërsulur mbi fytyrën e gjakosur e tërë plagë e po më pickonin. Ato pickime ishin aq therrëse sa edhe sot tetëdhjet e pesë vjeçar më duket se i ndjej ende. Tundja kokën për t’i larguar, por ishte e kotë. Si nuk u çmenda nga ajo torturë?! Dhembja e duarvet po bëhej më cfilitëse. Nga që ato po enjteshin përherë e më shumë e teli po hynte më thellë në mish, më dukej sikur dikush m’i shtërngonte vazhdimisht. Si nuk m’u gjymtuan përjëtë?! Ndoshta mosha e fiziku i fortë.
Pothuaj i shastisur mezi dallova para meje Tasin me sejmenët e tij. Mbaj mënd që më tha:”E Niko Kirka deshe të përmbysje pushtetin popullor?! Shiko si je bërë!” Dhe një nga policët më vuri përpara një copë pasqyrë. Me syrin e djathtë pak të hapur pashë një lëmsh të përgjakur, të enjtur, plot hematoma të zeza e gjaku të përtharë. Asgjë njerëzore. E kuptova që donin të më thyenin shpirtërisht, të më mposhtnin vullnetin për të qëndruar. Nuk iu përgjigja, se nuk mund të flisja.
Në këtë gjendje që sa vinte e përkeqësohej, kaloi e shtuna, gjithë nata, e djela e deri sa u gdhi e hëna. Gjatë asaj kohe, sekondë pas sekonde, e kam ndjerë, përjetuar e vuajtur me vetëdije të plotë çdo dhembje të asaj torture. Ditën e tretë fiziku filloi të mos mbante më. Hëre mbas here e humbisja vetëdijen. Mendja po më turbullohej. Nga buzët e thara filloi të më kalonte ndonjë rrënkim. Vetëdija po më mjegullohej. Si nëpër tym më kujtohet që mbas dite erdhi një polic, më zgidhi telat e më tha të ikja në barrakë, në vëndin tim. Kur më hoqi telat e duarve e të gjoksit dhimbja ishte aq e madhe, sa më kthjelloi për një çast e pashë se si varreshin copat e lëkures e të mishit në to. Menjëherë ndjeva sikur diçka më goditi në tru, këmbët m’u drodhën dhe u rrëzova në tokë. E kisha humbur vetëdijen plotësisht. Nuk e di se sa kohë qëndrova në atë gjendje. Më në fund erdha në vehte e po dridhesha nga të ftohtit. Ishte natë. Më shumë duke u zvarritur se sa duke ecur, u drejtova për nga barrakat. Më kujtohet që i pari i burgosur që takova ishte prifti unit i Elbasanit, At Josif Papamihali. Shtangu kur më pa e më kujtohen fjalët e tija:”Niko, ti je? Gjallë qënke, o bir?! Po ti qënke Krishti i ringjallur!” Dicka murmurita nëpër dhëmbë e më shumë mund arrita tek vendi im në barrakë. U mbështolla me velenxën, mblodha këmbët, mbështeta kokën në gjunjë dhe e ndjëva veten të vetmuar, të vogël,të pafuqishëm e të rrethuar nga një botë armiqësore. Dhe për çudi mendja nuk më shkoi tek babai. Jo. Mendja më shkoi tek nëna, tek ajo grua që rrinte si kërcure pranë zjarrit të vatrës me mëndjen te burri e djali i vëtëm që po mundoheshin nëpër burgje. Dhe në ato çaste pata vetëm një dëshirë. Të isha pranë saj, të mbështesja kokën tek prehëri i saj, të më mbështillte me krahët e saja për të më ngrohur e mbrojtur dhe unë të shpërthenja në lot për të nxjerrë gjithë atë hidhërim e duf që më ishte mbledhur në shpirt, për të zbrazur jashtë gjithë atë si lëmsh që më ishte mbledhur në gjoks. Isha vetëm njëzetenjë vjeçar!
***
—————————————————–
Sot në pleqërinë e thellë e ndonëse ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, mendja më shkon shpesh në atë kohë të errët. Ajo kohë që më vodhi vitet më të mira të rinisë, më ka lënë mbresa të thella në shpirt që nuk do të shuhen deri sa të marr frymë. Më kujtohet se vuajtja më e madhe morale që ua kalonte edhe vuajtjeve fizike, më shkaktohej nga detyrimi për të bashkëjetuar gjatë gjithë kohës me një grumbull të madh njerëzish. Nuk kishte më asgjë krejt personale, asgjë krejt intime, asgjë nga ajo që në botën e qytetëruar quhet “privacy”. Të gjithë të shihnin si flije, si zgjoheshe, si vishej e çfarë vishnje, si laheshe, si hanje e çfarë hanje. Pra gjithë jeta në njëzet e katër orë.
Por ajo që të fyente më shumë, që në një farë mënyre të degradonte deri në shkallën e kafshëve, që të bënte të vuaje aq shumë, ishte detyrimi i pashmangshëm që të kryeje nevojat biologjike para të tjerëve, nën vështrimin e tyre. Nevojtoret e burgjeve kishin të ndara, por pa dyer, të hapura dhe ti ishe i detyruar të defekoje para disa të tjerëve që prisnin rradhën e tyre. Kurse në kampet e punës së detyruar gropat septike ishin krejt të hapura, të mbuluara me dërrasa, ku ishin lënë të hapura disa hapësira të vogla ku ti ishe i detyruar të defekonje.
Në jetën bashkëshortore, në jetën e tyrë intime, nuk ka sekrete në kuptimin fizik të fjalës, si fjetja së bashku në një shtrat, zhveshja deri në lakuriqësi para njëri tjetrit, por nuk ka burrë a grua që të kenë parë e të shohin çdo ditë se si defekon njëri e tjetri! Për mua kjo është shëmtia më e madhe e jetës që kaluam në ato burgje. Kur për mua e qindra e mijra të rinj të tjerë si unë, kjo ishte e rëndë, mendoj se sa e rëndë, poshtëruese, shumë e mundishme ishte për të shkretin baba e moshatarët si ai. Ata burra të vjetër që kishin jetuar gjithë kohën si njerëz seriozë, dinjitozë e krenarë për personalitetin e tyre, ishin të detryruar të ulnin pantallonat në sy të të tjerëve! Sa e dhimbëshme, sa e mundimëshme, sa fyese! Unë sot ndjej dhembje të madhe për atë që ka ndjerë babai im në atë kohë!
————————————————-
***
Isha liruar në vitin 1954 e atëherë vajta në Korçë ku jetonte nëna me dy motrat. Por pas pak kohe u larguam prej andej, sepse qëndrimi aty do të sillte ose arrestimin tim përsëri, ose do të na internonin familjarisht. Vajtëm u vendosëm në Tiranë. Babai ndërroi jetë një vit më vonë, më 1955. Një vit më vonë na dëbuan nga Tirana e vajtëm të banonim në Shkodër. Por mbas një viti, më 1957, me vendim të komisionit qëndror të dëbim-internimeve, na dëbuan edhe prej Shkodre. Na lejohej qëndrimi vetëm në Kavajë ose Elbasan. Kështu që u nisa aty nga dreka, hipur në karrocerinë e një kamioni për në Tiranë. Mendonja që aty të gjeja ndonjë shok me origjinë kavajase që të më ndihmonte të vinim së bashku në Kavajë për të gjetur ndonjë skutë ku të futnim kokën. Sa arrita u drejtova në një hotel ku të flija natën. Por sportelisti sa pa gërmën D që më vunë në letërnjoftim kur na dëbuan nga Tirana, më tha se nuk kishte vënde. Në disa hotele ku vajta, e njëjta përgjigje. Ajo D-ja në letërnjoftim ishte shenja ogurzezë, ishte damka që na dallonte nga të tjerët, ishte si ylli me gjashtë cepa i hebrejve në Gjermaninë naziste! I lodhur e i mërzitur u drejtova për në qendër, tek sheshi para Bankës, në pritje për të parë ndonjë të njohur ku të vija të flija atë natë. Ndërkaq ishte ngrysur. Po më shtohej shqetësimi se mos do detyrohesha ta kaloja jashtë atë natë.Nuk më mërziste fakti se mund të flija tek stolat aty, por mendimi se gjatë natës ndonjë patrullë policije mund të më ndalonte e porsa të shihte te letërnjioftimi im D-në famëkeqe, do më hapte telashe të paparashikuara. I zhytur në hallin tim, u gjenda midis një grumbulli të madh njerëzish e fëmijësh që po flisnin rusisht me zë të lartë e po qeshnin me të madhe. Nëpër duar kishin portokallë që po i qëronin e lëvozhgat i hidhnin përtokë, kurse fëmijët çokollata e pako biskotash, letrat mbështjellëse të të cilave edhe ata po i hidhnin përtokë. Ishin sovjetikët që po dilnin nga klubi i tyre që ishte në godinën përballë, në atë godinë që kish qënë selia e të parit parlament të shtetit të parë shqiptar! Në fytyrat e tyre shprehej qartë siguria, qetësia, kënaqësia. Ata ishin shëndevërë. Ata ishin në vendin e tyrë, zot në shtëpinë e tyre! Dhe ndjeva një trishtim të thellë për vete e për mijra të tjerë si unë. Ndjeva dhëmbje të madhe për të gjithë ata që punuan për këtë vend, për ata që shkrinë jetën për Shqipërinë e tyre, për këtë Shqipëri që po e shkelnin ata që ishin vetëm shqipfolës e ua kishin falur të huajve ta gëzonin! Mendova për babanë e shokët e tij që ikën të dëshpëruar nga kjo botë kur shikonin se si disa shqiptarë mundonin e vrisnin vellezërit e tyre për të kënaqur kërkesat ë të huajve.
Me këto mendime nëpër tru, ndjeva që dikush më preku në krah. Kthej kokën e shoh një shokun tim. “Ç’bën këtu-më tha-Je ngulur si hu midis sheshit?” I vura dorën në sup e i thashë: ”M’u kujtua thënia e atij romakut të famshëm që po e ndiqnin për ta kapur po romakët.-“Edhe kafshët e egra e kanë një strofull, kurse ata që punuan e luftuan për madhështinë e Romës nuk po gjejnë vrimë ku të futen!” Dhe u nisëm për në shtëpinë e tij.
——————————————————————–
***
Ishte viti 1993. Ai regjim sa absurd e i çmëndur, aq edhe gjakatar e kriminal, ishte shkërmoqur. Ashtu si edhe shumë e shumë të tjerë, duke parë e ndjerë që në vend nuk do të ndërtohej ajo për të cilën kisha ëndëruar e shpresuar për gati gjysmë shekulli, si edhe mendimi e iluzioni se do të gjeja një mërgatë politike të gjallë e aktive, të gatëshme për të vajtur e punuar në Shqipëri, erdha këtu në SHBA. Zhgënjimi ishte i madh. Nuk gjeta atë që prisja. Po kjo është një temë që s’ka të bëjë me këto copa kujtimesh.
Kisha vajtur në Boston, në Pier Four, ku organizohej një pritje për nder të Presidentit të Kosovës, të ndjerit Ibrahim Rugova. Gjatë prezantimit, dy gazetarët Sulejman Gashi e Isuf Hajrizi, më cilësuan si atdhetar aktivist. Unë shtova se çdo gjë ishte meritë e babait tim, ai më kish brumosur e unë isha krenar për të.
“Unë dua me të njëjtën dashuri si Korçën edhe Prishtinën” shtova unë.
“Faleminderit!” m’u përgjegj i ndjeri President.
“Më fal, por gabuat. Zoti President” ia ktheva unë.
“Pse?” më pyeti duke buzëqeshur i ndjeri Rugova.
“Po unë nuk jam frances, Zoti President, e po ju them se dua Prishtinën një lloj si Parisin. Unë jam shqiptar dhe është e natyrshme ta dua Prishtinën si Korçën. Babai më ka mëkuar që në djep me dashurinë për çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare. Për mua janë të dashura si Korça e Tirana edhe Shkodra e Ulqini me Tivarin. Si Elbasani, ashtu edhe Prizreni me Gjakovën. Si Berati e Saranda, ashtu edhe Arta me Gumenicën.”
“Kini shumë të drejtë. Gabova.” M’u përgjegj i ndjeri President duke më vënë dorën në sup.
Këto janë pak copëza kujtimësh. Ky libër u shkrua për babanë e kryesisht për të. Ne të tjerët, si pjesë e familjes, jemi pjesë ë tij duke e plotësuar kështu personalitetin e figurën e tij. Meqënëse ai ndërroi jetë papritur në burg dhe nuk kemi asgjë si kujtim nga ana e tij, autori i librit më kërkoi të shkruaja ndonjë kujtim që vërtet e kisha përjetuar unë, por që kish të bënte me botkuptimin e tij, me frymën e shpirtin e tij. Pra të fliste ai nëpërmjet meje. Jam munduar ta bëj këtë.
* Marrë nga libri”KRISTO KIRKA” i autorit Uran BUTKA