Rreth 132 mbishkrime, që janë gjetur në mure, dru dhe gurë sjellin të dhëna për jetën shqiptare dhe përbëjnë një kontribut për fushën studimore, veçanërisht për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane./
Nga Jolanda LILA/Me praninë e personaliteteve të rëndësishme të kulturës e shkencës në Tiranë u promovua libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” (“Korpusi i mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”), i studiuesit dr. Mehmet Tytynxhu, publikuar së fundi në anglisht dhe që së shpejti, pritet të publikohet edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili organizoi edhe veprimtarinë promovuese në mjediset e Hotel Imperial, ditën e premte, në Tiranë/
Në fjalën e hapjes së veprimtarisë, drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj theksoi rëndësinë e këtij botimi për kulturën e shkencën shqiptare dhe nxori në pah disa nga vlerat kryesore dokumentare që bartin këto mbishkrime. Sipas tij, “Mbishkrimet që gjenden në monumentet e kulturës islame në trojet shqiptare janë një aspekt i veçantë, që ka ardhur si trashëgimi e kulturës islame shqiptare deri në ditët e sotme. Ato rrokin një hark të gjerë kohor gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1466 dhe përfundojnë në vitin 1942 dhe hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare. Nëpërmjet tyre njihemi edhe me jetën dhe veprën e disa personaliteteve shqiptarë si vezirë të mëdhenj, pashallarë, udhëheqës, kryengritës që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Në shumë mbishkrime të tjera jepen informacione mbi kohën kur kanë filluar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre personalitete të rëndësishëm dhe misionarë të besimit islam si: myftinj, imamë, hatibë, myezinë, dervishë, baballarë, vaisë dhe teologë. Njëkohësisht në këto mbishkrime gjenden të dhëna edhe për protagonistë të rangjeve e natyrave të ndryshme, përmenden emra mirëbërësish që një pjesë të pasurisë së tyre e përkushtuan në vepra bamirësie, përmenden emra dijetarësh islamë dhe mësuesish që në kohën kur jetuan rrezatuan kulturën dhe dijet islame, përmenden emra vjershëtorësh, vizatuesish kaligrafë, kronikanësh dhe mjeshtërish të mirënjohur, që ndër vite derdhën talentin e tyre në to”. Dr. Ramiz Zekaj, në fund të fjalës së tij, njoftoi të pranishmit që libri “Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro” do të jetë së shpejti në duart e lexuesve shqiptarë, sepse ka nisur puna për përkthimin në shqip nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), institut i cili prej 2 dekadash promovon zhvillimet më të rëndësishme në sferën e kulturës dhe të qytetërimit islam.
Libri më i ri i studiuesit Mehmet Tytynxhu zbulon dëshmi të reja mbi botën shqiptare përmes qëmtimit të të dhënave të mbishkrimeve osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Libri me 311 faqe botuar në anglisht, përmban 132 mbishkrime, shumica të zbuluara në terren, por edhe në arkiva dhe është konceptuar në tre pjesë kryesore, ku dy të parat i dedikohen Shqipërisë dhe një Malit të Zi. Pjesa e parë – “Periudha e parë e sundimit osman” përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670; Pjesa e dytë – “Mbishkrime nga qytetet” paraqet 90 mbishkrime nga vitet 1732-1913 dhe Pjesa e tretë -“Mbishkrime nga Mali i Zi” ka 18 mbishkrime, si dhe 4 nga Koleksioni Marubi. Veç tyre Korpusi paraprihet nga një hyrje që tregon objektin dhe kriteret e studimit dhe paraqitjes së mbishkrimeve, si dhe ka në fund Bibliografinë e literaturës së përdorur dhe abstrakte të shkurtra në gjuhët shqipe, serbo-kroate e turqisht.
Vetë autori i librit, gjatë fjalës së tij, rrëfeu përvojën hulumtuese dhe theksoi disa nga zbulimet kryesore që kishte përftuar me punën e vet. Ai prezantoi fakte interesante rreth historisë së themelimit të disa qyteteve shqiptare dhe kalave të ndërtuara në to, qysh në kohën e Skënderbeut, por edhe në periudhat e mëvonshme. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e angazhimit të autoriteteve shkencore shqiptare për gjetjen e disa mbishkrimeve të humbura, si për shembull mbishkrimi i xhamisë Hasan Balizade në Elbasan etj. Njëherësh, ai përmendi faktin se një pjesë e madhe e mbishkrimeve të gjetura u dedikohen femrave. Sipas tij, është koha që t’u jepet fund debateve mbi rolin e Perandorisë Osmane dhe të mos identifikohet kjo Perandori vetëm me kombin turk, por të shihet roli i të gjitha kombeve që kanë qenë pjesë e saj, sidomos shqiptarëve. Këta të fundit duhet ta shohin veten si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, përderisa kanë kontribuuar në zhvillimin e jetës politike, kulturore e më gjerë të kësaj Perandorie. Kujtojmë se shumë shqiptarë kanë shërbyer si vezirë dhe kanë pasur ofiqe të larta drejtuese në këtë Perandori. Gjithashtu, shumë autorë shqiptarë, ku përmendim Sami Frashërin e kanë përndritur kulturën turke e më gjerë.
Në fund të fjalës së vet, ai falënderoi të pranishmit dhe u zotua se do të vijojë hulumtimet për zbulimin e mbishkrimeve të tjera osmane në Shqipëri.
Më tej, fjalën e mori, studiuesi Aleksandër Meksi, i cili vlerësoi punën skrupuloze të Mehmet Tytynxhu, duke e konsideruar librin e tij si një skedë të plotë shkencore. Sipas tij, ky libër është një kontribut i madh për njohjen e jetës dhe të shoqërisë shqiptare. Për nga funksioni i tyre, autori dallon në qenien e tyre të ndryshme dy grupe: mbishkrimet ndërtimore dhe ato të gurvarreve (gjithsej 52, nga të cilat 11 në Muzeun arkeologjik të Tiranës dhe 15 nga qyteti i Shkodrës). Duhen përmendur për vlerën dhe rëndësinë e tyre historike 6 mbishkrime sulltanore (dy të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe tri të Sulltan Sulejmanit). Kështu mbishkrimet ndërtimore janë dokumente me rëndësi të dorës së parë për vendosjen në kohë të ndërtesave. Ato lidhen me data, personalitete e deri dhe me shkruesit e tyre. Disa prej tyre janë dëshmi e ndërtimeve të zhdukura ndërkohë.
Autori ka qëmtuar me këmbëngulje në terren dhe në literaturën shkencore dhe sot studiuesit shqiptarë dhe kushdo që është i interesuar për historinë e vendit ka në dorë një Korpus që ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike për krijime, ndodhi, persona e ndërtime deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi për shkak të mangësive për të dhëna të sakta.
Në fund të aktivitetet pati shumë diskutime ndër të pranishmit, ekspertë të fushës, të cilët përgëzuan studiuesin Mehmet Tytyxhu për punën hulumtuese të trashëgimisë Kulturore Osmane në Ballkan, ku njëherësh ai është dhe kryetar i Qendrës Kërkimore për Botën Turke dhe Arabe në Holandë.