• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIHAPET NE VATER SHKOLLA SHQIPE E BRONKSIT

February 24, 2018 by dgreca

1 nxenesbashke tavdy me dyedhe i vogliera mesusjanxen e prin

Sot, e Shtunë 24 Shkurt, që në orët e para të mëngjesit, Shtëpia e Vatrës, ka ndjerë zërat e gëzueshëm të fëmijëve të shkollës shqipe në Bronks, e cila po rihap dyert sërish për këtë vit shkollor, këtë herë në mjediset e Vatrës derisa të gjendet një shkollë e përshtatshme. Themelusi i shkollës , kryetari i bordit të shkollës Gjergj Dedvukaj, drejtori Mustafë Qosja, mësuesja e pasionuar Violeta Dushallari ,Estela Hajdinaj dhe mësueset e tjerë i kanë pritur fëmijët me dashuri dhe kanë shpalosë programinin e funksionimit të shkollës me prindërit dhe fëmijët e tyre. Që sot fëmijët po i nështrohen programit mësimor. Njëri nga prindërit, Lulash Juncaj, tha për Diellin se fëmijët e tij ishin rritur me këtë shkollë shqipe dhe kanë mësuar shqip falë mësuesëve të pasionuar të kësaj shkolle.

Sot, ne diten e pare, mesueshet verifikuan njohjen e gjuhes shqipe pas nje pauze te gjate nga viti i kaluar, duke i ushtruar femijet ne shkrim dhe lexim. Era Shala, ndjehet mire para prinderve te vet pasi hartimin e shkurter arrin qe ta shkruaj me pak gabime ne gjuhen e bukur shqipe. Po keshtu dhe nxenesit e tjejer. Mesuese Violeta, teksa korrigjon gabimet, e pergezon Eren.
Shkolla do të vazhdojë sot regjistrimet deri në orën 12.00 am për të qenë cdo të shtunë e hapur në mjediset e Vatrës nga ora 10.00 am deri në orën 1.00 pm.
Ftohen prindërit që ta shfrytëzojnë ditën e sotme për regjistrimet, ndërsa ata që nuk kanë mundësi sot të kontaktojnë përmes telefonit: 347-316-6686 si dhe: 423-747-5100.
ADRESA:
2437 Southern BLVD
Bronx, NY 10158

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, rihapet ne Vater, Shkolla shqipe

10 VJETORI I PAVARËSISË, ÇMIMI I LIRISË DHE SHQIPTARËT E NJU JORK-ut

February 20, 2018 by dgreca

1 Policet OK1 Mark

-MANIFESTIM MADHËSHTOR I ORGANIZATAVE TË BASHKUARA NË NJU JORK PËR 10 VJETORIN E PAVARËSISË/

IMG_0830

NGA DALIP GRECA/*

Përvjetori i 10-të i Pavarësisë së Kosovës i gjeti të bashkuara pjesën më të madhe të organizatave të komunitetit shqiptar. Këshilltari i Nju Jork-ut, bashkëkombasi ynë Mark Gjonaj, pas një takimi, darkë pune me Kryetarin e Vatrës me 19 dhjetor 2017, z. Dritan Mishto, u bëri thirrje organizatave të komunitetit që ta festonin së bashku Përvjetorin e 10 të Pavarësisë Kosovës. Vatra dhe 15 organizata u bënë bashkë, duke ia lënë nderin e përshëndetjes organizatës më të vjetër të shqiptarëve të Amerikës, Vatrës 105 vjeçare dhe kryetarit të saj aktual z. Dritan Mishto.
KRONIKA: Festimi i Pavrësisë së Kosovës u organizua në restorantin luksoz Marina del Ray nën shoqërimin e borës që binte prej orës 5 pm. Bora nuk i zmbrapsi bashkatdhetarët, edhe pse një pjesë prej të cilëve udhëtonte nga Nju Xhersi dhe Kënektikat. Në një mjedis festiv të dekoruar në rezonancë me ngjyrat e flamurit të shtetit më të ri në Botë, me një ndriçimin flourishent, më shumë se 700 bashkatdhetarë kanë festuar së bashku. Në moderimin elokuent të Drilona Bajramit dhe Dardan Gjonbalaj, dhe masave të shkëlqyera të vullnetarëve që kanë përgatitë manifestimin, festa ka ruajtë ritmin nën një organizim perfekt, ku mbizotëruan emocionet.
..Festohet, gëzohet, por edhe kujtohet. Çmimi i Lirisë erdhi nga mbështetja e fuqishme e Amerikës dhe aleatëve Europianë, por mbi të gjitha nga sakrificat sublime të qytetarëve të Kosvës dhe kontributi i pazëvendësueshëm i Diasporës. Është kjo arsyeja që në faqen e katërt të programit që ishte mbi tavolina shkruhej: Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës- Le të kujtojmë çmimin e Lirisë!
– Mbi 13,000 vetë u vranë.
– Mbi 1,400 fëmijë u vranë.
– Mbi 20,000 vajza dhe gra u përdhunuan.
– Mbi 700.000 njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
– Mbi 100.000 shtëpi janë shkatërruar dhe dëmtuar.
– Mbi 1.200 kosovarë janë ende të zhdukur…
A mund të harrojmë? Kurrësesi!
Ne kurrë nuk do të harrojmë…
Është kjo arsyeja që kjo festë ishte koncepruar ndryshe pasi nuk është si gjithë të tjerat; ka formatin njerëzor të sakrificave sublime, ka amanetin e të rënëve, ankthin e të humburve, psherëtimat e të përdhunuarave, ndaj duhet të jetë një Festë-Apel; një Kujtese në çdo përvjetor: Politikanët dhe shtetarët e Kosovës duhet që para se të nisin punët ditore, të sjellin ndërmend çmimin e Lirisë, të mendojnë se në karriget ku ulen dhe bëjnë karrierë, është një shpirt që dhemb; është një jetë e humbur, të mos vrapojnë pas pasurisë e privilegjeve, korrupsionit, amoralitetit, por të çojnë në vend amanetin e të rënëve dhe të humburëve të pakllur. Kujdes, mos e zhbëni shtetin, që nuk është merita juaj!
***
Le të kthehemi tek Festa e së shtunës, 17 Shkurt 2018, në Restorantin Marina Del Ray: Restoranti duket se hyri në rezonancë me hapat marshus të policëve shqiptaro-amerikanë,të grupuar në Shoqatën e tyre me emrin e lashtë arbëror”Illyria”. Të veshur me uniformën e policisë amerikane ata i dhanë solemnitet ceremonisë të ngritjes së Flamurit të Shtetit të Kosovës. Salla duket e mbërthyer nga emocionet në ato momente solemne. Të gjithë janë çuar në këmbë dhe kanë përcjellë ceremoninë, duket se për një çast janë ndalur frymëmarrjet…
Solemnitet dhe në përcjelljen e Hymneve Kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë nga Jesicca Raja, ndërkohë që kolona muzikore e Hymnit të Kosovës e përmbyll pjesën e ceremonisë solemne, për t’i lënë vend fjalimeve dhe kujtimeve.
I pari i festës, Këshilltari i Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, përmes fjalës përshëndetse, përcjell urimet për festën e Pvarësisë, mesazhet, jo vetëm për festën, por edhe edhe për programin e së nesërmes për komunitetin e bashkuar shqiptar për ruajtjen e identitetit Kombëtar dhe rritjen e krenarisë shqiptaro-amerikane.
Programi që ai synon të arrijë me bashkatdhetarët të mbush me shpresë se pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Shën Terezës, shqiptarët-Ilirë, do ta ruajnë identitetin e tyre Kombëtar, duke filluar nga fëmijët e vegjël e rritur në SHBA. Për këtë arsye ai synon futjen e mësimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë në shkollat amerikane. Dhe ky nuk është projekt i largët, por program që nis prej shtatorit të 2018-ës, duke filluar me parashkollorët në Shkollën Publike 105 në Bronx.
Një investim tjetër do të jetë ai për figurat-simbol të Kombit, siç është Shenjtëresha me gjak shqiptar-Shën Tereza. Për një shesh me emrin e saj në Pelham Parkway, kryeqendrën shqiptare në Bronx, do të investohen 500 mijë dollar.Ka dhe më…
…Me shqiptarët duket se është familjarizuar edhe Presidenti i Bronksit z. Ruben Diaz Jr. i cili i ka uruar shqiptarët për celebrimin e 10 vjeorit të Pavarësisë së Kosovës dhe i ka dorëzuar Konsulles së Përgjithshme të Kosovës, kryediplomates kosovare në Nju Jork, zonjës Teuta Sahatçija, Proklamatën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Konsullja e Përgjithshme Sahatçija, ka mbajtur një fjalim emocionues, ku ka përshkruar rrugëtimin e Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë.
Z. Dritan Mishto, Kryetar i Vatrës, ka përcjellë një përshëndetje të ngrohtë e të duartrokitur, jo vetëm në emër të vatranëve, por në emër të gjithë organizatave pjesmarrëse.
Z. Mishto, tha se kjo është e vetmja diasporë në rruzullin tokësor, që fëmijët e saj u lindën dhe u rritën në Amerikë, por kur atdheu ishte në rrezik, ata morën armët në dorë dhe të rreshtuar në radhët e Batalionit”Atlantiku” marshuan drejt Kosovës, duke bërë sakrifica sublime.
…..A nuk ishin të lindur në SHBA tre vëllezërit Bytyçi, që lanë Amerikën, dhe u bënë dëshmorë të lirisë?
A nuk ishte i tillë kampioni i Europës, dëshmori i Kosovës, Vezir Ademaj, që la rehatinë e kampionit në Zvicër, dhe dha jetën për Kosovën e Lirë?
…Historia përsëritet; dikur, në fillimet e vitit të largët 1920(shkurt), bijtë e shqiptarëve të Amerikës, linin rehatinë personale dhe nën rreshtat e Trupave Vullnetare të Federatës “VATRA” dhe Bandës Muzikore”VATRA” shkonin t’i shërbenin Shqipërisë, që kërcënohej nga fqinji jugor, Greqia. Dhe në fund të shekullit, bijtë e shqiptaro-amerikanëve, linin familjet dhe shkonin t’i sillnin Lirinë Kosovës!
…..Më pas z. Mishto ka prezantuar folësen kryesore të mbrëmjes, ”Yllin e darkës” Kapitenen e Ushtrisë Amerikane, oficeren e lartë, të dekoruar me shumë medalje, madje edhe nga Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, oficeren e shtabit të Ushtrisë amerikane në Europë, Yllka Cana, që erdhi në SHBA në moshën 10 vjeçare. Vetë Kapitenia Cana, plot emocion, ka rrëfyer rrugën nëpër të cilën eci deri tek suksesi. Ajo ishte folësja kryesore e darkës.
Emocione u krijuan tek pjesmarrësit në momentet ku u kumtuan çmimet e nderimit pas vdekjes të tre prej më të shquarve: Tahir Kërnaja, Ali Lajqi dhe Ibadete Thaqi.
Organizatorët sollën përmes ekraneve përshëndetjet e amerikanëve të shquar, miq të Kosovës dhe Kombit Shqiptar: Presidenti Bill Clinton, Gjenerali Wesley Clark dhe ambasadorja në Kombet e Bashkuara Nick Haley. Bashkatdhetarët të ngritur në këmbë i përcollën me duartrokitje këto përshëndetje me mesazhe shprese.
Një atmosferë të veçantë festive sollën artistët amatorë të Ansamblit Rugova, të cilët nën ritmet e Tupanit, kërcyen e hodhën valle karakteristike rugovase. Vajzat dhe djemtë, artistë, ruajnë traditat e shquara të Rugovës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Grupi muzikor” 4 Yjet” me Shqipe Kastratin, Nadin si dhe Ludmilla Baballëku, i argëtuan pjesmarrësit, të cilët nuk e lanë bosh pistën e vallëzimit. Një festë për t’u mbajtur mend.Edhe shumë përvjetorë të tjerë festofshim së bashku!

  • Për më shumë fotografi shihni në facebook

Filed Under: Featured Tagged With: 10 Vjetori i Pavaresise, cmimi i Lirise, dalip greca, kosova

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT

February 19, 2018 by dgreca

2 Yllka drit

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NJU JORK-ME PJESMARRJEN E KOMUNITETIT SHQIPTAR NEN DREJTIMIN E KESHILLTARIT MARK GJONAJ/*

Në darkën solemne me më shumë se 700 pjesmarrës, që u organizua nga Komuniteti shqiptar i Nju Jork-ut i bashkuar rreth Këshilltarit të Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, morën pjesë rreth 150 vatranë nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kënektikat.
Sic e kanë zakon vatranët përgjatë të gjithë historisë 105 vjecare së bashku me familjet e tyre u bënë pjesë e kësaj feste. Falenderime te vecante për të gjithë ata vatranë që u bashkuan në këtë darkë festive që i kushtohej përvjetorit të 10-të pavarësisë së Kosovës. Një falenderim të veçantë Familjes Mrnaçaj, së cilës i printe Marash Mrnacaj, që në simbolikë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kishte vënë një kapele me stemën e UÇK-së,… tre breza të kësaj familjeje ishin të pranishëm në këtë festë. Me vatranët ishin bashkuar edhe familja Çabej, studiuesi i pasionuar Nelson R Çabej me zonjën Nikoleta, me Familjen Aliko, Familja Brogi e Lleshi me miqtë e tyre nga Nju Xhersi.
Falenderime për të gjithë vatranët që iu bashkuan kësaj ngjarje, ndërkohë që u kujtojmë të zgjedhurëve në strukturat e vatrës, si dhe anëtarësisë së Vatrës, se në veprimtari të organizuara nga federata VATRA duhet të kontribuojnë të gjithë, së bashku me pjesmarrje të tyre dhe familjeve.
***
Me duartrokitje u prit përshëndetja në emër të vatranëve dhe të gjithë organizatave të komunitetit, e kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto. Është nder, tha z. Mishto, që në emër të komunitetit shqiptar, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës, organizimit më të hershëm të shqiptarëve të Amerikës, që prej105 vitesh, t’ju uroj për festën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është rrugë e gjatë e shqiptarëve të Kosovës deri në pavarësi; është derdhur shumë gjak, janë bërë shumë sakrifica, për të ardhur deri tek dita e Pavarësisë, tha Mishto..
Ta gëzojmë festën e Pavarësisë, ka uruar Kryetari i Vatrës.
Më pas z. Mishto ka paraqitur para publikut kapitenen Yllka Cana, e cila u prit me duartrokitje. Tek e prezantoi ushtaraken që ka arritë suksese në ushtrinë amerikane, z. Mishto tha se kapitenia ka arritur të shënojë një rrugë të shkëlqyer suksesi në radhët e ushtrisë amerikane.Ajo u lind dhe e kaloi fëmijërinë në Kosovë. U largua nga vendlindja kur ishte vetëm 10 vjeçe. Deri në moshën 15 vjeçe u rrit dhe u edukua në Pensilvani. Pikërisht në këtë moshë ajo iu bashkua Programit të Trajnimit të Ushtrisë. Yllka u diplomua në Shkencat Politike dhe Sigurinë Kombëtare në Universitetin DeSales dhe Sigurinë Kombëtare, si dhe në Universitetin Lehigh, u diplomua në Shkencat Ushtarake.
Pas Diplomimit në vitin 2011, ajo kishte fituar graden Toger i Dytë, ndërkohë që u promovua Togere e Parë në vitin 2013 gjatë vendosjes së saj në Operacionet Paqeruajtëse në Ballkan.
Yllka Cana ka shërbyer në Kore dhe është përzgjedhur për të udhëhequr operacionet gjatë misionit të KFOR-it në Kosovë, vendin që e pat lënë kur ishte 10 vjecare.
Kapitenia Yllka Cana aktualisht është e vendosur në Shtabin e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Ajo u gradua Kapitene pas vitit të saj të parë dhe tani është zyrtare në ngarkim të Operacioneve Strategjike në të gjithë Evropën.
Kapitenes Yllka Cana është dekoruar me medaljen e NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm, me Medaljen e Lavdërimit të Ushtrisë, Medaljen e Arritjes së Ushtrisë, Medaljen e Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes dhe shumë medalje të tjera.
Z. Mishto në fund të prezantimit tha se duke ju prezantuar Kapitenen Shqiptare Yllka Cana, shpresoj se ajo do të jetë e para Gjenerale në ushtrinë amerikane.
Vetë oficeria shqiptare ka bërë një përshkrim emocionues rrugëtimit të suksesshëm të jetës dhe karrierës së saj.(dg-Fotografite i gjueni ne Facebook)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 10 Vjetori i Pavaresise, dalip greca, Kosove, Mark Gjonaj, Vatra

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 109 VJEÇ

February 15, 2018 by dgreca

Peter-prifti-300x139

-Peter R. Prifti: VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR KETO FJALE…?/

1 Dalipi & Presidenti Nishani

 Ne Foto: Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani duke i dorezuar Editorit te Diellit, dekoraten”Nderi i kombit” per Gazeten e kohes se Rilindjes”DIELLI” i Vatres./

Newspaper Dielli, Janar 2018 faqe 1

NGA DALIP GRECA*/
Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 109 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. Presidenti i Shqiperise, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani, i akordoi Diellit dekoraten e  larte”Nderi i Kombit”.
***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditëlindjen, të Enjten, me 15 shkurt mbushi plot 109 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë. Dihet se emri i Vatrës ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922)
Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit prej Shoqërisë Besa-Besë u emërua Faik Konica, por e vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit.Më 22 të tetorit Konica mori drejtimin e Diellit.”

DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR

“Dielli ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën , por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis.

NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN

Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit,Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”babai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.

Sipas nje studimi te realizuar nga Editori i Diellit ne vitet 1994-2009, poeti dhe studiusi Anton Cefa, 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra. Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 9 vitesh Dielli drejtohet nga Kryeredaktori  Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print të përmuajshem dhe të përditshëm Online, ndërkohë dhe që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!


*Editor i DIELLIT, Prej gusht 2009

***

VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?

Shkroi: PETER R. PRIFTI*/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 109 Vjec, ditelindja, peter R Prifti

NJU JORK- EKSPOZITA:”BREATHING NEW LIFE”-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE”

February 14, 2018 by dgreca

1 Teuta

U ÇEL NË NJU JORK EKSPOZITA:”BREATHING NEW LIFE”-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE”/

2 agimi

-FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKËS, SPONSORE E AKTIVITETIT, VLERESOHET ME MIRENJOHJE-/

1 Me Teuten Vatranet

NGA DALIP GRECA/*

Në vijim të veprimtarive që po organizohen në Nju Jork në drejtimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, të Martën me 13 Shkurt në mbrëmje, u çel, në mjediset e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, ekspozita fotografike e dy fotografëve të njohur kosovarë  Shkëlzen Rexha dhe Arben Llapashtica. Ekspozita, me pamje nga paslufta, nga historia, natyra, zejet, veshjet, traditat, titullohej “Breathing New Life”- Frymëmarrja e Jetës së re.

Në prani të një numëri të madh pjesmarrësish, diplomatë dhe drejtues të komunitetit shqiptar,- Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, zonja Teuta Sahatçija, bëri një retrospektivë të asaj çfarë kishte ndodhë në kohën e Millosheviçit, në vitin 1989, kur Parlamenti i Kosovës ishte mbyllë, po ashtu shkollat, dhe institucionet e tjera.Artistët, mësuesit, inxhinierët e mjekët i flakën nga puna, apartejdi u vendos në Kosovë për një dekadë. Natyrisht nuk ishte koha e artit dhe artistëve. Ishte koha për të rezistuar e për të mbetur gjallë. Këto vite do të kujtohen si vitet më të errëta të historisë në qendër të Evropës.

Diplomatja Sahatçija tha se Serbia synonte të shfaroste shqiptarët e Kosovës. Veprimi i përbashkët i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO-s dhe botës progresive, së bashku me ndihmën e madhe dhe të vazhdushme të Diasporës, i dha fund asaj çmendurie, në mbyllje të shekullit 20-të.

Sot,theksoi Konsullja e Përgjithshme , Kosova është shtet i lirë dhe feston 10 vjetorin e pavarësisë. Është koha për festim, koha për shpresë, është koha edhe për artistët.

Më pas kryediplomatja e Kosvës në Nju Jork, tregoi se si Misioni i Kosovës në Nju Jork, po e shënon këtë përvjetor  të veçantë me një axhendë shumë ambicioze. Pas koncertit të fëmijëve të shkollave, që nisi në Alba Life, veprimtaritë vijuan me turneun e futbollit, me pas me një diskutim shumë të veçantë në nivel të lartë folësish dhe pjesmarrësish, për rrugën e Kosovës drejt Pavarësisë,për të vazhduar me ekspozitën “Breathing Neë Life”.

Duke iu referuar ekspozitës ajo ndër të tjera tha: Nëpërmjet lenteve të dy fotografëve të njohur kosovarë Shkelzen Rexha dhe Arben Llapashtica, kjo ekspozitë synon të paraqesë vendet e bukura të Kosovës, arkitekturën, kulturën, ngjarjet, zanatet praktike, emocionet, mesazhet, shpresat dhe shumë më tepër.

Ajo theksoi se e kishte ndjekur prej shumë vitesh punën artistike të Shkëlzen Rexhës e Arben Llapashticës dhe se ishte dëshmitare e rritjes kreative dhe artistike të tyre.Ajo iu referua një fotoje të famshme të Shkelzenit, realizuar në pjesën e vjetër të Gjakovës, mbuluar me dëborë, me kullën e Sahatit në qendër, që simbolizon lëvizjen e përjetshme dhe jetën. Xhamia e vjetër në të djathtë dhe kisha e vjetër e Shën Anthony të Padovës si dhe katedralja e re katolike, në të majtë të kullës së Sahatit, ka një simbolik të fuqishëm artistik të harmonisë së natyrës dhe harmonisë fetare, të zakonshme mes shqiptarëve që ndajnë 3 besime fetare. Kjo foto, tha ajo, u zgjodh nga Misioni ynë, si motivi i vitit të kaluar për sezonin e festave dhe jam e sigurt se shumica e Misioneve në Nju Jork e kanë atë në dhomat e tyre.

Duke iu referuar artistit tjetër, Arben Llapashtica, ajo tha se Arbeni,  nuk ka nevojë për ndonjë ekspoze të veçantë, pasi puna e tij e bëri të njohur dhe të vlerësuar në Kosovë dhe jashtë kufijve të saj. Fotot e tij fiksuan dhe regjistruan lëvizjen, muzikën, emocionet. Profesionalizmi i tij për zgjedhjen e këndeve dhe dritave mbi Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Kështjellën e Novobërdës, Xhaminë e Ferizajt dhe Kishën Ortodokse, që ka të njëjtin terren, e bën atë mjeshtër të profesionit të tij.

Këta dy artistë po ndërtojnë kronikat e Kosovës duke shënuar bukuritë dhe zhvillimet me të cilat ballafaqohet shteti ynë i ri, tha Sahatçija. Duke i falenderuar artistët, ajo e përfundoi fjalën e saj:Jemi të nderuar të kemi këta dy artistë të mirënjohur mes nesh për të festuar së bashku ditëlindjen e  10-të të Shtetit të Kosovës në Nju Jork.

Konsullja e Përgjithsme e Kosovës falenderoi sponsorët e kësaj ekspozite, duke thënë se: Kjo Ekspozitë nuk do të realizohej pa ndihmën bujare të Diasporës sonë dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar:

Harry Bajraktari, Cafo Boga, Federata Pan Shqiptare Vatra, Shoqata Shpresa, Restorani Alora për kontributin e tyre.

Në fund për sponsorët u shpërndanë Mirënjohje. Mirënjohja për Federatën Panshqiptare të Amerikës iu dorëzua zv/Kryetarit të Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili në emeër të kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto, uroi 10 vjetorin e Pavarësisë,falenderoi organizatorët e veprimtarisë dhe dy artistët.

*Per me shume fotografi shkoni ne Facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: "BREATHING NEË LIFE"-FRYMEMARRJA E JETËS SË RE", dalip greca, Ekspozita

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT