E shtuna e 7 shkurtit ishte fare e vecantë, na bashkoi ditëlindja e Verës , vajza e Adem dhe Mimoza Belliut. Vera është një vajzë e vecantë, ku bashkohen cilësi të vyera, ajo është jo vetëm një studente e shkëlqyer, por dhe një person publik për komunitetin shqiptar përmes Televizionit Kultura Shqiptare, ku atë e shohim shpesh herë në Kamera e here si intervistuese. Gjithësesi mbrëmja e së shtunës ishte e mbushur me emocione: Miqtë, të afërt të familjes, shoqe të Verës, gazetarë dhe familjet e tyre, përjetuan emocione gjatë darkës së organizuar në restorantin Maestro. Në krye të sallës së madhe të restorantit, ishte vendosur një tavolinë gjatsore, ku qëndronte Vera me Shoqet e saj, ndersa pista e vallezimeve mbeti gjate te gjithe kohes e mbushur me vallezues.
Festa e ditëlindjes ishte një shou i bukur, mbushur me : muzikë, këngë, valle, kujtime përmes vidiove, urime, Kamera e TV Kultura Shqiptare fiskoi gjithcka, ndërkohë që Studio e Dritan Haxhisë fiksoi momente gjatë të gjithë festës, nga hapja e deri tek Torta me qirinjët e Ditëlindjes.
Dy ishin momentet më emocionuese: Vidio e shfaqur, ku përcilleshin castet nga jeta e Verës, nga bebe e vogel-deri në castët e sotme, si dhe urimet e përcjella përmes regjistrimit nga Ardian Hila me familje, daja i Verës. E gjithë darka ishte e mrekullueshme. Vera do ta kujtojë gjatë festën e bukur të kësaj ditëlindjeje.
Gezuar ditelindjen Vera!
Happy Birthday VERA!
KUR FAIK KONICA PËRCILLTE HERMAN BERNSTEIN NGA NJU JORKU DREJT TIRANËS
*Ambasadori amerikan Herman Bernstein e kishte marrë emrimin si Ministër i Shteteve të Bashkuara pranë Oborrit Mbretëror të Shqipërisë, që me 17 Shkurt 1930. Ai u nis nga Amerika drejt Shqipërisë të mërkurën e 2 prillit 1930 me avulloren”President Roosevelt”. /
* Shkëlqimi i Ambasadori të Shqipërisë në Washington, z. Faik Konica, në darkën përcjellëse, ku bëri rolin e avokatit për Mbretin Zog, përballë gazetarëve, që sajonin lajme të rreme për Shqipërinë dhe Mbretin./
*Është intersant të shënohet fakti se ceremoninë e dasmës së vajzës së Bernstein, Dorthy-t, e drejtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës Rexhep Jella. Në të morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës. Dasma u bë të dielën e 19 tetorit 1930 në Legatën amerikane./
*Botohet me rastin e 85 Vjetorit të emërimit si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri/
Nga Dalip Greca/
Shtysën për këto shënime, e mora të dielën e 14 Dhjetorit 2014, kur ambasadori shqiptar në Londër z. Mal Berisha prezantoi në Institutin e Kerkimeve Hebraike YIVO, ne New York, ligjëratën “Albanian – American – Jewish Relations and the Contribution of U.S Ambassador to Albania, Herman Bernstein”.
Në gazetën DIELLI, më e vjetra gazetë e shqiptarëve në botim, e cila me 15 shkurt 2015, mbush 106 vite nga dita e parë e botimit, gjenden kronika dhe shkrime të gjinive të ndryshme, që sjellin informacione të shumta, që nga dita e nisjes të ambasadorit amerikan drejt Tiranës e deri në ditëkthimin e tij.
Marrdhëniet e Konicës dhe Vatrës me Herman Bernstein, kanë qenë të shkëlqyera. Vatra e priti me gëzim emrimin e z. Bernstein ambasador në Shqipëri. Popullariteti që ai gëzonte jo vetëm tek hebrejtë, por edhe tek i gjithë opinioni amerikan,falë penës së tij dhe kurajos qytetare, mbështetja që gëzonte nga presidenti amerikan, u jepte shpresë vatranëve se Shqipëria do të fitonte shumë nga ambasadori hebre. Dhe nuk u zhgënjyen.
***
Në Gazetën”Dielli” të 21 Marsit 1930, faqa e parë i kushtohej pikërisht ”Ekselencës së Tij, zotit Herman Bernstein, Ministër i Shteteve të Bashkuara pranë Oborrit Mbretëror të Shqipërisë.” Ka vetëm një titull faqja e parë e Diellit të atij numri dhe pesë fotografi, të zotit Herman Bernstein, zonjës Bernstein dhe fëmijëve të tyre, Miss Dorthy, Mr. David dhe Miss Violet Bernstein.
Ndërsa në faqen e dytë të gazetës, në vend të editorialit botohej shënimi”Ministri i ri i Amerikës”.
Në momentin që janë publikuar fotografitë e familjes Bernstein në faqen e parë të Diellit dhe shënimi editorial në faqen e dytë, z. Bernstein, ende nuk ishte nisë për në Tiranë, por po gatitej për nisje. Në fakt ai e kishte marrë emrimin që me 17 Shkurt 1930 dhe u nis nga Amerika të mërkurën e 2 prillit 1930 me avulloren”President Roosevelt”.
Ministri shqiptar në Washington, Faik Konitza shkoi ta përcillte në avullore ditën e nisjes , duke dhuruar tri buqeta me trandafila për të shoqen e ministrit dhe dy të bijat.
KUSH ISHTE HERMAN BENRSTEIN
Kush ishte Herman Bernstein deri në momentin e nisjes për në Tiranë? Herman Berstein ishte shkrimtar, gazetar dhe diplomat. Kishte lindur në Neustand-Scherwindt të Rusisë me 21 shtator 1876. Ishte i biri i David Bernstein, tregtar dhe njeri i ditur i hebraishtes.Hirsch Bernstein, ungji i tij, ishte themeluesi i gazetës së parë Hebraisht në Shtetet e Bashkuara që më 1870.
Herman Bernstein emigroi në SHBA më 1893, ku mësimet e nisura në Rusi i përfundoi në Amerikë. Ishte i prirur pas shkrimeve dhe gazetarisë. Që më 1900 ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës”The New York Evening Post” dhe i të përkohshmeve”Nation”, “Ainslee’s Magazine” dhe “Independent”.
Gazeta famoze The New York Times e dërgoi z. Bernstein si korrespondent të saj në Evropë gajtë viteve 1908, 1909 dhe 1911.
Gazeta Dielli tek do t’ua prezantonte lexuesve të vet aktivitetin gazetaresk të z. Bernstein për këto vite shkruante:”Në kohën e udhëtimeve në Evropë, z. Bernstein pati intervista me disa nga njerëzit më të shquar të Evropës si: Witte-n, Metchenikoff-in, Bergson, Bodi-n, Bernard Show-n, Tolstoi-n dhe mblodhi subjektet për librin e tij”Me mësonjësit e mendjes”, që e botoi më 1912.(Dielli 21 Mars 1930)
Kur u kthye në SHBA, Bernstein themeloi më 1914 gazetën “The Day”, e përditshme në gjuhën Hebraishte. Ishte editori i saj deri më 1916. Ai po ashtu ishte botues dhe Krye-Editor i gazetës “The American Hebrew” nga vitet 1915-1919.
Gjurmë ka lënë pena e tij në fushën e gazetarisë së kohës në vitet 1917, ku u dërgua në Rusi prej gazetës”The New York Herald”, ai përshkroi revolucionin dhe përmbysjen absolute të Carëve dhe dhe qeverimin e Sovjetëve.
Ai mbahet si një ndër gazetarët më të rëndësishëm gjatë kohës së luftës së Parë Botërore. Bernstein kreu një studim në ato vite për vendndodhjet e popullit izraelit në shtetet ku bëhej lufta.
Penës së Bernstein i dedikohet korrespeondenca e bujshme mbi bisedën mes Carit dhe Kaiseri-t në kohën e luftës Ruso-Japoneze, ku ai nxori në dritën e diellit bisedat e fshehta që preknin interesat anglo-amerikane.
Herald-i i Nju Jorkut e dërgoi Bernstein në Japoni, Siberi, e Çekosllovaki më 1918, ndërsa më 1919 ai ishet korrespondent special në Konferencën e Paqes në Paris.
Më 1920-21 gazeta”The New York American” i kërkoi Bernstein-t që të përshkruante shtetet e reja të Evropës, që u krijuan pas Traktatit të Versajës. Për çdo vit ai ndërmerrte udhëtime me qëllime gazetarie dhe letrare në Evropë.
Karriera e Bernstein në Evropë ishte e pasur. Ai ishte edhe Editor i gazetës”The Jewish Tribune” nga vitet 1923 deri në 1928.
Herman Berstein ka lënë pas edhe vepra letrare, si vëllimi me poezi “Fluturimi i kohës”-1899; një vëllim me përralla”Në portën e Izraelit” 1902, ka shkruar librin”Herbert Hoover, Njeriu që solli Amerikën përpara Botës”-1928 etj. Një trashëgimi të psur ka lënë Bernstein në fushën e përkthimeve nga rusishtja. Ai përktheu drama dhe përralla nga Tolstoi, Maksim Gorkit, Leonid Andreiv e të tjerë.
Z. Herman Bernstein ishte martuar me 1 Janar 1902 me zonjushën Sophie Friedman dhe kishin katër fëmijë Hilda e martuar me z. Murray Giltin, Dorothy( e cila e bëri dasmën në Tiranë) Violet dhe djali David Bernstein.
Është intersant të shënohet fakti se ceremoninë e dasmës së vajzës së Bernstein e drejtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës Rexhep Jella dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës. Dasma u bë të dielën e 19 tetorit 1930 në Legatën amerikane. Dorthi u martua me zotin Actius Nash, në atë kohë student i mjeksisë në një universitet francez.
DARKA MADHËSHTORE NË HOTELIN “ASTOR” NË NEW YORK, I FTUAR NDERI FAIK KONICA
Para nisjes së Ministrit Amerikan, miqtë e tij dhe lobi hebre, shtruan të Hënën e 31 Marsit 1930, një darkë përcjellje në Hotelin”Astor” në New York. Lajmin e nisjes së Konicës për në New York gazeta Dielli e dha në numrin e 25 Marsit, në faqen e parë.
Në darkë morën pjesë më shumë se 200 të ftuar, mes të cilëve shquheshin diplomatë, kongresistë, juristë, shkrimtarë, artistë, financierë të shquar, gazetarë etj. Në këtë mjedis i ftuar nderi ishte Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Washington z. Faik Konitza.
Në numrin e 4 prillit, Dielli përshkruante me shkëlqim darkën, ku merrnin pjesë personalitete më të njohura të kohës.
Gjykatësi Otto A. Rosalsky, që Dielli e përshkruan si dollibashin e darkës, mbajti një fjalim të bukur rreth jetës dhe veprave të Herman Bernstein. Më pas ai ia ka dhënë fjalën milionierit filantropist Nathan Straus, i cili edhe pse i kishte kaluar të 80 vjetët, qëndroi deri në fund dhe foli për Bernstein, si një personalitet i kohës. Fjala më e zgjedhur u vlerësua ajo e zotit James W. Gerard, ish ambasadori i Amerikës në Berlin, si dhe fjala e z. Robert Underwood Johnson, ish ambasador i Amerikës në Romë. Që të dy thurën fjalë të hijshme, tepër lëvdonjëse për kombin shqiptar, dhe që të dy shfaqën mërzinë që nuk patën mudnësi ta vizitonin Atdhenë e Skënderbeut, Shqiperine. Shumë u duartrokit edhe fjala e Dr. Samuel Schulman, i cili e lëvdoi shumë Shqipërinë, dhe përmendi hebraisht fjalën e një profeti, kuptimi i së cilës ishte se një djalë izraelit nga populli do të dilte para mbretërve: kjo fjalë i shkonte pikë për pikë shkuarjes së Bernstein, që do ta priste Mbreti Zog. Në kronikën e fjalimeve të asaj nate plot shkëlqim, shënohet edhe fjala e Dr. Macfarland, përfaqësonjësi i Këshillit Federal të Kishave të Krishtit në Amerikë, i cili shtroi nevojën vëllazërimit të popujve.
Vëmendjen e audiencës e ka tërheqë fjalimi që mbajti zonja Rebekah Kohut, kryetare e Kongresit të Përbotshëm të Grave Izraelite, e cila përmendi veprën e një spanjolli të Shekullit XVI, i cili kishte përshkruar me admirim figurën e heroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pikërisht aty e ksihte marrë ngacmimin Longfellow, për të shkruar poemën e vet, që i jep lavdi heroit shqiptar.
Zonja Rebekah nuk harroi të përmend edhe takimin që kishte pasë në Vienë me motrat e Mbretit Zog I.
Atë natë u fol vetëm për Shqipërinë dhe Bernstein.
SHKËLQIMI I FAIK KONICËS NË DARKËN PËRCJELLSE
Fjalimin e Faik Konicës, gazeta Dielli, që për atë kohë kishte editor Refat XH. Gurrazezi, e përshkruan me supershkëlqim, duke e paralajmëruar në faqen e parë:”Zoti Faik Konica jep një fjalë të pritur mirë…. Përgënjeshtron propogandat e padrejta kundër Mbretit tonë…. Lëvdon Trimërinë, Zotësinë, Zemërbardhësinë e Mbretit….Të gjithë të ftuarit ngrihen në këmbë dhe pinë Shëndetin e Madhështisë së Tij…”
Ministri i Shqipërisë e kishte marrë fjalën pas orës 12 të natës. Ishte i parafundit në radhë, para ministrit amerikan Bernstein.
Në fjalën e tij z. Konitza e komplimetoi Ministrin Amerikan, z. Bernstein, si një njeri që bashkon në personin e tij dy gjëra, që rrallë janë të bashkuara-Ëndrrën dhe Veprimin: Zoti Bernstein, tha ai, është ”both a man of letters and a man of action, both a dreamer and a fighter”.
Konica shtoi se z. Bernstein pati fatin e çuditshëm të njihet dhe të fjaloset me figura historike si Papa Benedikti i XV dhe Presidenti Wilson, me shkrimtarë si Tolstoi dhe Bernard Shaw, me shkencëtarë si Mecnikof-i dhe Einstein-i, me artistë si August Rodin-i etj. I patrembur dhe i palodhur, si korrespondent lufte dhe kryengritjesh është futur në sheshet më të rrezikshme. Vetëm një popull kishte mbetur gjer tani i panjohur për zotin Bernstein-populli shqiptar dhe këtë popull do ta vizitojë për së afërmi si i Dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Konica e shfrytëzoi mjeshtërisht fjalimin, për të vrarë me një gurë dy zogj; përgënjështrimin e shkrimeve të gazetarëve trillues, për të hedhur dritë mbi shpifjet kundër Shqipërisë dhe Mbretit, dhe së dyti për t’i bërë apel Ministrit amerikan para miqëve të tij dhe para gazetarëve, që ta shihte Shqipërinë me sytë dhe zemrën e tij, jo me të thënat e gazetave.
Faiku tha:- Një gjë që z. Bernstein ka për ta vënë re menjëherë është ndryshimi i madh në mes Shqipërisë siç është, dhe Shqipërisë siç e kanë përshkruar gazetarët.
Konica, shtoi se njeriu, mund t’i ndajë gazetarët në dy soje; gazetarët-historianë, që vazhdojnë me kujdes e me ndërgjegje historinë e sotme siç po bëhet në sytë tanë; dhe gazetarët poetë, të cilët nxjerrin lajme jo nga burime të jashtme, por vetëm nga fantazia e tyre. Gjer më sot më të shumtët gazetarë të huaj që janë marrë me Shqipërinë, janë të sojit të dytë, tha Faiku.
Kryediplomati shqiptar, Konica, e bëri për vete auditorin, kur filloi të tregojë shembuj konkretë. Salla shpërtheu në të qeshura e habi, kur ai tregoi: “Afro këtu e katër vjet më parë, qindra gazeta në Amerikë botuan lajmin se kish dalë në Shqipëri një vullkan dhe një liqen i Ri me ujë të nxehtë që valonte:- shumë qytete dhe fshatra u prishën….Ministri shqiptar në Washington nisi të marrë telegrame ngushëllimesh nga gjithë anët e Amerikës. Madje dhe vizita zyrtare u bënë në ambasadë. Pasi u kabllua në Tiranë, u mësua se gjithçka nuk ishte e vërtetë, lajmi ishte i çpikur nga rrënja në majë.”
Pastaj Konica kishte shtuar me ironi: Ndoshta gazetari- poet që çpiku këtë lajm kish parë çiliminj të lozin afër një pellgu me ujë duke djegur kashtë…Të qeshura…!
Pasi dha edhe disa shembuj të tjerë, Konica komentoi se: “Sot, gazetarët kanë hequr dorë nga vullkanet dhe liqenet me ujë të përvëluar, mania e tyre është të çpikin lajme mbi Mbretin e Shqiptarëve dhe Shqipërinë. Mbretin, herë e përshkruajnë si njeri të shkurtër e të trashë, të veshur pa shije, herë si njeri pa mëshirë, herë si njeri të trembur që ruhet tepër, e të tjera marrzira. Fakti është, tha Konica, se Mbreti Zog është një i ri 35 vjeçar, i qytetruar, i hollë, i veshur me shije dhe pa shkëlqim, jo vetëm më i dukshëm, por dhe më i zoti i të gjithë Mbretërve që rrojnë sot. Që të kuptojë njeriu zotësinë krijonjëse të tij duhet të ketë njohur Shqipërinë si ish para se ta merrte ai fuqinë, dhe si është sot. Vlera e një njeriu, veçan e një njeriu të kësaj shkalle, nuk matet me fantazi, por me studimin e kthjellët dhe të duruar të fakteve.”
Pas fjalës së Konicës drejtuesi i darkës kërkoi të ngriheshin në këmbë dhe të pinin shëndetin e Mbretit të Shqiptarëve.
Banketi përfundoi me dhurimin e një busti mermeri të z. Bernstein, vepër e skulptorit të njohur të kohës, Moses Dykaar, dhuratë e miqëve.
Ky banket madhështor u mbyll në orën 1 të mëngjesit të 1 prillit 1930. Shumë gazetarë i shtërnguan dorën Faik Konicës për informacionin e hollsishëm që dha për Shqipërinë dhe Mbretin Zog….
BERNSTEIN DREJT SHQIPËRISË
… Gazeta “Dielli”e 21 Marsit e përcaktonte kështu personalitetin e ministrit Amerikan Bernstein: “Shkrimtar i zoti, njeri me karakter, dhe me kurajë, z. Bernstein është një nga personalitetet më të forta të Amerikës. Është ay që e shtërngoi Henry Ford-in të heqë dorë nga lufta fanatike që industrialisti i madh kish vazhduar disa vjet me radhë kundër izraelitëve. Sot, z. Ford është një nga miqtë e çquar të z. Bernstein, i cili ka një shumicë miqësh këtu dhe veçan, gëzon miqësinë dhe besimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në komentin e tij, Dielli shënonte se z. Bernstein shkonte si përfaqësonjës diplomatik në një vend që ka vuajtur qindra vjet dhe vazhdon së vojturi nga grackat dhe çpifjet e popujve të tjerë.
Dielli shfaqte bindjen se z. Bernstein do ta përkrahte popullin shqiptar dhe se shpejt ai do të shfaqte simpatinë për shqiptarët, me gjithë mungesat e mëdha.
Po ashtu Dielli shfaqte bindjen se”S’kemi asnjë dyshim se Shqipëria, e cila kurdoherë ka nderuar karakteret e forta dhe mendjet e holla, do ta bëjë z. Bernstein të ndjejë se është mes miqsh dhe si në shtëpinë e tij.”
Pasi prezantonte familjen e Ministrit Amerikan, artikulli mbyllej me urimin:”Vatra dhe Dielli, i urojnë udhë të mbarë!”
RISHKRIMI I HISTORISE- ABAZ KUPI PERBALLE HISTORISE DHE HISTORIANEVE
-SI E KTHEU ENVER HOXHA NGA HERO NË TRADHËTAR ABAZ KUPIN…/
-Enver Hoxha:”….Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!”/
Nga Dalip Greca/
Edhe në përkujtimin e 39-të të vdekjes së heroit të 7 Prillit, heroit kombëtar,(me 28 Nëntor 2014 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”),-u përmend sërish kthimi i eshtrave në Atdhe. Komandanti i qëndresës antifashiste me 7 prill të ’39-tës, e ka vendin atje pranë Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut. Por kush do ta kthejë? Qeveria s’ka gjasa, shqiptarët e Amerikës duhet t’i dalin për zot vetë këtij kthimi.Djemtë energjikë të Legalitetit duhet t’i drejtohen diasporës dhe t’i dalin për zot kthimit.Ndoshta ky kthim shërben edhe si model për kthimin e nacionalistëve të shumtë, eshtrat e të cilëve duhet të prehen në Atdhe. Është e pafalshme që politika shqiptare, për një cerek shekulli demokraci, nuk ka kthyer eshtrat e Mit’hat Fashërit dhe nacionalistëve të tjerë!
Le të kthehemi tek Abaz Kupi: Ka 39 vjet që shqiptarët e Amerikës, i përulen me nderim heroit kombëtar, por ende historishkruesit shqiptar, nuk duan t’i japin Abaz Kupit ç’ka është e tij.Paskal Milo kërkon për Enver Hoxhën,” Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit”, por nuk e kërkon këtë për Abaz Kupin, për të cilin do të mjaftonte vetëm qëndresa e 7 prillit, për t’u vendosur me nderime në historinë e Shqipërisë.. Ende shkruhet nëpër gazeta se Abaz Kupi e tradhëtoi Lëvizjen për çlirim!
Në fakt Abaz Kupi nuk pranoi të hyjë në labirinthet e luftës, kur ajo mori drejtim vëllavrasës, orientuar nga jugosllavët së bashku me Partinë Komuniste. Historia dëshmon se Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes mbajtur në 1-2 gusht 1943, për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Marrëveshja e Mukjes u pagëzuar në zjarrin e armëve në betejën e përbashkët me 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, në një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër.Mirëpo komunsitët nën diktatin e jugosllavëve, e hodhën poshtë Mukjen. Në shtator të 1943,në Konferencën e Labinotit Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen. Abaz Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.Enver Hoxha e shpalli tradhëtar dhe e dënoi me vdekje me një urdhër të posaçëm të komandës së Shtabit.
NGA HERO, ENVER HOXHA E SHPALLI TRADHTAR ABAZ KUPIN
Ende dëgjohen përrallat e Nexhmije Hoxhës, që vazhdon të shkruaj kujtimet e Enverit dhe kujtimet e saj,ku Abaz Kupi paraqitet me ngjyra të errta, si personazh negativ i letërsisë së realizmit socialist. Ajo harron se çfarë ka pasë shkruar vetë Enveri në Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943, ku s’lë epitet, krahasim e metaforë, pa përdorur për të ngritë lartë trimëritë e Bazit të Canes. E risjellim pa koment të plotë fragmentin që i kushtohet Abaz Kupit, me shpresë se ithtarët e Enverit dhe të Nexhmijes do ta gjykojnë ndryshe heroin e 7 prillit:“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çu në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”-Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
Pa koment…!
ABAZ KUPI PËRBALLË HISTORISË DHE HISTORIANËVE
Duket si lojë fjalësh ky nëntitull, por e vërteta duket sheshazi, ka një kontraditë mes historisë dhe historianëve rreth Abaz Kupit. Abaz Kupi përballë historisë është i dneruar, ai e ka kryer detyrën ndaj Kombit.Shumë kombe e shtete më të mëdhenj se Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë ëndërruar një pushkë të shkrehur kundër pushtuesve,ndërsa shqiptarët organizuan qëndresë të armatosur, por historianët tanë nuk duan ta vlerësojnë.Një pjesë e tyre nuk duan ta ngisin Abaz Kupin në piedestalin që i takon për shkak se një pjesë e pidestaleve janë të zëna me heronjtë e rremë të krijuar nga historianët militantë,duke u nisë nga Enver Hoxha, që ende mbanë titullin Hero i popullit. Do të mjaftonte vetëm 7 prilli për t’ia ngritë monumentin Abaz Kupit….
Pra, problemi nuk është ai i Abaz Kupit me historinë, por i historianëve militantë me të.Ndërsa historianë si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu,Uran Butka e të tjerë, e kanë trajtuar realisht këtë figurë,ende ka historianë të tipit Kotani, Milo,që pretendojnë se zotërojnë materiale sekrete të arikivave(të Nexhmijes), ndërkohë që anglezët e kanë ngritur në qiell Abaz Kupin.
Ende e kujtoj një shprehje të djalit të Abaz Kupit, Bardhit, qëndrestarit të burgjeve komuniste dhe kampeve të internimit:” …Anglezët e kanë veshur Abaz Kupin me ar’, shqiptarët me lecka…!”. S’ka nevojë për koment kjo shprehje.
Në këtë këtë shkrim do t’i referohem studiuesit, dr. Vangjel Kasapi, i cili në librin e tij”Yjet e Gjeneralëve” e vështron me objektivitet figurën e Abaz Kupit. Ai kërkon nga historianët e kohës së sotme, që ta vlerësojnë dhe studiojnë Abaz Kupin si shqiptar dhe si ushtarak, duke iu shmangur politizimeve e subjektivizmit, pasi s’mund të gjejmë portrete të përkryera, të marra jasht konteksteve historike.Abaz Kupi nën këndvështrimin e këtij studiuesi, si personalitet lufte, i përket periudhës së lavdërueshme të popullit shqiptar për pavarësi Kombëtare 1911-1922, si dhe etapës së luftës Antifashiste, me prolog 7 prillin 1939. Edhe pse nuk e kishte arsimin ushtarak, shquhej për zgjuarsi e prakticitet të rrallë pune e drejtimi në fushën e luftës.Nga natyra shfaqi dhunti ushtarake, si prirja për të pasur e për të përdorur armë, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin pushtues etj. Këta tregues të karakterit të tij nisën nga fundi i sundimit turk (1910) e vazhduan deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeçar zgjidhet anëtar i këshillit Kombëtar të qytetit historik të Krujës. Ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky komitet, kur egzekuton filoturkun Llan Hoxha, pse ai pat përbuzë Flamurin Kombëtar, duke e zëvendësuar me atë turk. Në ngjarjet e pavarësisë më 1912, Abaz Kupi ishte në krye të krahinës së tij, duke qëndruar si prijës pro Kuvendit Kombëtar dhe Qeverisë së Vlorës. Ai konfirmon me vepra se është armik i shovinizmit fqinj, duke u rreshtuar në radhën e nacionalistëve që luftonin për Shqipërinë Etnike. Në vitin 1922 serbo-malazezët rrezikojnë me hordhitë pushtuse territoret e Koplikut dhe të mbi Shkodrës. Në këtë front lufte Abaz Kupi shquhet si komandant me të dhëna të plota ushtarake, organizator e udhëheqës me talent ushtarak i një reparti me rreth 400 krutanë. Goditjet e tij mbi ushtritë sllave qenë rezultative duke i thyer ata e duke i detyruar të tërhiqeshin nga krahina veriperëndimore.
Në çastet e vështira që kalon shteti shqiptar ka dalë në pah shërbimi i përkushtuar i Abaz Kupit ndaj shtetit. Pas vitit 1925 ai është ithtar i vendosjes së rendit dhe qetësisë duke luftuar ashpërsisht anarkinë. Në atë kohë ishte një ndër drejtuesit e operacioneve ushtarake ndaj atyre që kundërshtonin shtetin. Zgjuarsinë ushtarake dhe aftësitë komanduse, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve krahinorë si dhe krenarinë e familjes, ai i vuri në shërbim të shqiptarizmit.Kur Atdheut i troket në prag agresioni fashist, Abaz Kupi nxjerr në pah cilësitë më të spikatura të shqiptarizmës.Shteti shqiptar, disi i paralizuar me kapacitete të kufizuara ushtarake, duket i pamundur për t’u përballur me agresionin. 1 milionë kundër 40 milionëve, ç’mund të bëhej në këtë përballje të pabarabartë? Gjithësesi me vendim Parlamenti, major Abaz Kupi vihet në krye të komandës për rezistencën e 7 prillit.
Studiuesi Kasapi na jep këtë informacion: Sipas planit të orientuar nga komanda e përgjithshme e UKSH-së, Abaz Kupi është në komandë të 500 vetave të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, posaçërisht të portit strategjik të Durrësit. Ai u përpoq të mabjë në det ushtrinë pushtuse në portin kryesor. Luftimet i drejtoi në brendësi, që ta pengonte përparimin e shpejtë të motorizatave italiane, gjë që ishte e pamundur, por ai e kreu me nder aktin e atdhetarit.Abaz Kupi largohet përkohësisht jashtë Shqipërisë, ndërkohë që familja i internohet në Himarë, e më pas në Itali. Italia e shndrroi Shqipërinë në një teatër lufte e trampolinë për në Lindje. Emri dhe kontributi i Abaz Kupit doli sërish në skenën e qëndresës shqiptare.
Studiuesi konstaton se: Një kapitull më vete në biografinë e personalitetit të Abaz kupit formon vija e tij në raport me fashizmin italian.Ai s’i fsheh opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Por Shqipëria etnike e lirë qëndron mbi pikpamjet që lindën në truallin e pushtuar.Në atë kohë Abaz Kupin e gjejmë në krye të aksioneve, por tepër i zgjuar,afrohet dhe drejton përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme. Viti 1942 bëhet i padurueshëm, kështu që detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë e pushtuar nga nazi-fashizmi. Abaz Kupi duke u investuar me fonde nga jashtë, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe nga Kosova pro luftës për shqiptarizëm. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake me qëllim që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë (Shkodër) Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi, ngre Flamurin Kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar.
Abaz Kupi ishte një personalitet në qendër të vëmendjes prandaj është në qendër të kërkesave për dialog, qoftë nga pushtuesit fashistë, qoftë edhe nga Fronti Nacional-Çlirimtar si dhe Balli Kombëtar. Nisur nga interesat më të larta të Kombit, si dhe nga kërkesat imperative, si ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai përkon me platformën e bashkimit kombëtar e në përpjekjet për zgjidhjen e detyrës kapitale. Kupi pajtohet dhe jep ndihmesë me pjesmarrje në organizimin e mbledhjes të krerëve dhe përfaqësuesve të popullit, siç ishte Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942. Kupi është në një front me nacionalistët por pranon bashkëpunim edhe me komunistët për çlirimin e atdheut. Mukja, ishte momenti, ku nacionalizmi i Kupit shfaqi cilësitë e tij prej atdhetari gjithëetnik, por komunstët, nën diktatin e Miladinit dhe Mugoshës, e revizionuan konferencën e bashkimit kombëtar.
Te personaliteti i Abaz Kupit spikati qëndrimi burrëror dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Periudha 4-vjeçare e nxjerr atë si prijës ushtarak që bashkëpunoi me faktorët e tjerë të interesuar. Ai ndërmori edhe aksione të përbashkëta me UNÇSH-në, duke drejtuar me po aq aftësi sa dhe komandantët e tjerë. Kryengritja popullore e Matit qe një provë e madhe edhe për Abaz Kupin. Luftimet në Mat dhe në Dibër ishin një tërësi veprimesh sulmuse kundër garnizoneve të Burrelit, të Shkronjanit e të Qafës së Buallit, që u bllokuan për ditë të tëra. Major Kupi e mori zonën me ngarkim duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, bashkëorganizon pritë pas prite me mjeshtri, sidomos me çetat partizane në Qafë-Shtamë. Kjo pritë shpartalloi dhe shpërbëu regjimentin italian”Guida”. Po ashtu ai thyen operacionin italian, që vinte nga Dibra dhe nxjerrjen nga rrethimi i forcave shqiptare. Abaz Kupi shfaqet kamandues tipik në pritat mbrojtëse për gjatë rrugës për Burrel, Klos, Kurdari, e Suc. Italainët pësojnë humbje të ndjeshme.Asnjë historian nuk mund t’ia fshijë me një të rënë të lapsit këto kontribute Abaz Kupit.
Deklarata e tij konfirmon shqiptarizmën e kulluar:”Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm pa dallim feje, krahine apo ideje. Unë nuk kam gajle se ju jeni komunsitë.Unë jau respektoj çdo bindje politike, por me kusht që ju të jeni komunistë shqiptarë…”
Nënkuptohet se Abaz Kupi duke vënë theksin tek”komunsitë shqiptarë”, aludonte mos komandimin e tyre nga sllavo-komunsitët sepse pavarsisht nga ideologjia e re komuniste, sllavët kurdoherë e kanë lakmuar sundimin e Shqipërisë.
Deklarata e Abaz Kupit se “Unë nuk dua që të shpallemi parti politike në këtë lufte se partitë politike përçajnë popullin”- konfirmon pikëpamjen e tij kombetare perëndimore.
Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës e konfirmoi Abaz Kupin si prijës patriot me vizione lufte për liri, e dëshmoi si strateg popullor, ndërsa Mukja konfirmoi vizionin prej nacionalisti.Ndarja nga Fronti erdhi, kur ai u bind se Partia Komuniste i ktheu shpinën Kosovës dhe tradhëtia e Mukjes, ia përshpejtoi këtë vendim.
KRONIKA E PËRVJETORIT TË 39-TË TË VDEKJES
Përkujtimi i 39-të i ndarjes nga jeta të heroit Abaz Kupi u shënua nga Partia Lëvizja e Legalitetit për ShBA dhe nga familja Kupi, Dani e Çupi me 10 Janar 2015 në Kew Gardens, Queens, New York. Takimin e ka hapë nënkryetari i PLL, z. Ahmet Hoti. Pas përcjelljes me solemnitet të dy hymneve Kombëtare, Amerikan dhe Shqiptar, është mbajtë një minut heshtje-në kujtim të Abaz Kupit dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit. Kryetari i PLL për SHBA, z. Hakik Mena, përmes një kumtese evokoi jetën prej heroi kombëtar të Gjeneral Abaz Kupit. Prof.dr. Muharrem Dezhgiu përcolli kumtesën “Rrethanat historike të vendosjes së Legalitetit në Shqipëri, 24 dhjetor 1924”.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj, z. Asllan Bushati.
Veprimtari i komuniteti çam, Sali Bollati, ashtu si dhe vitet e tjerë ka përshëndetur duke vlerësuar kontributin kombëtar të Abaz Kupit.
Nga brezi i ri përshëndeti presidenti i “Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi. Musli Mulosmanaj, veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptar, vatran, në përshëndetjen e tij, bëri apel, që së bashku me gjeneral Abaz Kupin, të nderohen edhe nacionalistët e tjerë, të cilët prehen në të njëjtën varrezë me të.
Anëtari i kryesisë së PLL për SHBA, Tomor Selamani lexoi kumtesën e gazetarit Erald Capri”Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit”, ndërsa Ahmet Hoti, i cili ishte dhe udhëheqësi i veprimtarisë përkujtimore, lexoi fragmente nga libri i Julian Amery.
Në emër të familjes Kupi, Dani dhe Çupi, ka përshëndetur Sokol Kupi, nip i gjeneral Abaz Kupit, i cili falenderoi organizatorët dhe pjesmarrësit për nderimin që i bënë gjyshit të tij. Sokol Kupi bëri thirrje për organizim dhe bashkim të nacionalistëve të vërtetë, të cilët vetëm të bashkuar do ta shpëtojnë Shqipërinë e rrezikuar nga korrupsioni, ringjallja e komunizmit dhe pseudodemokratët. Për Sokol Kupin, kombi shqiptar nuk mund të shkojë në Europë kështu i dobsuar, inferior, i kërcënuar me shpërbërje në trojet e veta etnike, i shpërndarë në gjashtë shtete. Në Europë, tha duhet të shkojmë me dinjitet. Dhe dinjitetin Kombit ia kthejnë nacionalistët.
Takimi përkujtimor u mbyll me vizitë tek varri i heroit të 7 Prillit në “Maple Grove Cementry” në Kew Graden( Queens), ku u vendosën kurora me lule dhe u bënë fotografi.
Në këtë takim përkujtimor morën pjesë edhe vatranët:Asllan Bushati, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Uk Gjonbalaj,Lek Përlleshi si dhe editori i Diellit.( Shkrimi u botua në Diellin e printuar, 27 Janar 2015)
KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI I KOMUNITETIT SHQIPTAR NË SHBA, DR. SELAHEDIN VELAJ
Funerali te Premten e ardhshme duke nise nga Ora 10 am ne adresen:Gallagher Funeral Home
31 Arch Street/
Greenich, CT CT.06830/
Tel i Funeralit: 203-869-1513/
….Redaksia e Diellit njofton bashkatdhetarët se ka ndërruar jetë veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar në SHBA, ish kryetar i degës se VATRES së Nju Jorkut, dr. Selahedin Velaj. Z. Velaj është një ndër shqiptarët nacionalist që u largua nga Shqipëria fare i ri, pas Luftës së II Botërore. Familja e tij nga Kanina e Vlorës kaloi kalvarin e burgjeve komuniste.
Fillimisht z. Velaj kaloi në kampet e refugjatëve në Itali dhe më pas erdhi në SHBA. Gjatë të gjithë jetës ai ishte një shembull i vyer për bashkadhetarët, si pikë orientimi për t’i shërbyer cështjes kombëtare. Në Amerikë ai u lidh ngushtë me Federatën Vatra dhe ishte jo vetëm pjesmarrës por edhe organizator dhe udhëheqës i veprimtarive të Vatrës, kryesisht të degës së Nju Jorkut, ndër më aktivet e Federatës.
Selahedin Velaj ishte një ndër pjestarët e delegacionit të Vatrës, që vendosi ura komunikimi mes arëbëreshve të Italisë dhe Shqiptarëve të Amerikës. Më 1968 ai së bashku me kryetarin e Vatrës Peter Chiko, Anthony Athanas, dr. Hamdi Uruci dhe të tjerë ishin të ftuarit e vëllezërve të gjakut, arbëreshëve të Italisë me rastin e vendosjes së bustit të heroit Kombëtar në 500 vjetorin e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbe në Romë, veprimtari që shënoi dhe lidhjet mes dy diasporave.
Një vit më pas , nëntor 1969, me rastin e 60 vjetorit të Gazetës Dielli, organ i Vatrës, dr. Velaj ishte pjesë e komisionit të festimeve. Është pikërisht kjo ngjarje festive, që shënoi kulmin e bashkëpunimit mes shqiptarëve të Amerikës dhe arbëreshëve. Një delegacion i madh prej arbëreshëve udhëtoi me Al Italian drejt Bostonit me 20 nëntor 1969, ku për ditë te tëra u zhvilluan veprimtari të përbashkëta, si në Katedralen e Shën Gjergjit, tek vendvarrimi i Fan S Nolit dhe Faik Konicës, Pier Four i famshem i Antoni Athanas,e deri tek veprimtaritë e kulmore të Nju Jorkut, ku përvec një seminari shkencor historik, u oroganizuan edhe ekspozita piktures me dy korifejtë e pikturës shqiptare, Ibrahim Kodra e Lin Delia, një paradë fanatastike e shqiptarëve të Amerikës dhe arbëreshëve, ku ranë në sy veshjet e bukura arbëreshe dhe të trevave shqiptare, paradë që nisi nga Rockfeler Center deri Katedralen e famshme të St Patrikut, veprimtaritë e përbashkëta fetare në Katedrale, dhe finalja u shënua me darkën përmbyllse, ku morën pjesë më shumë se 1000 vetë. Meritë në këtë veprimtari kishte edhe dr. Selahedin Velaj, që ishte pjesë e delegacionit.
Dr. Velaj njihet edhe për aktet e veta të bamirësisë si dhe përkrahjen që u ka dhënë shqiptarëve në nevojë apo përkrahjen që i ka dhënë brezi të tri. Ai ishte pjesë e shumë veprimtarive kulturore kombëtare mes shqiptarve.Ikja nga kjo jetë e dr. Selahedin Velaj është një humbje jo vetëm për bashkshorten e tij dhe djalin, por për të gjithë shqiptarët.
Lamtumirë dr. Selahedin Velaj!
Funerali te Premten e ardhshme duke nise nga Ora 10 am ne adresen:Gallagher Funeral Home 31 Arch Street/ Greenich, CT CT.06830/ Tel i Funeralit: 203-869-1513/ –
(D Greca- Gazeta Dielli)
U MBLODH KESHILLI DREJTUES I FEDERATES VATRA
Vatrani veteran Mustaf Elezi dhuroi për Gazetën DIELLI një chek me $1000.00/
Me 31 janar 2015, të shtunën paradite, në Shtëpinë e Vatrës, nën drejtimin e kryetarit dr. Gjon Bucaj, u mblodh Këshilli Drejtues i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.
Para mbledhjes anëtarët e Këshillit kishin marrë programin e tematikës së rendit të ditës, rreth të cilit u përqëndruan raportet dhe debatet, si dhe amendamentet e Kanunores, që do të diskutohen në Kuvendin e ardhshëm të Vatrës.
Kryetari i Vatrës njoftoi se vatrani veteran z. Mustaf Elezi, kishte dërguar një Chek me 1000 dollarë , sponsorizim për gazetën Dielli. Ky njoftim u prit me duartrokitje. Nuk është e para herë që ky atdhetar i përkushtuar dhuron për Diellin e Vatarës. Ka vite që ai dërgon chekun me $1000.00. Faleminderit atdhetar!
Fillimisht Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, ka paraqitur raportin e veprimtarive të Vatrës nën drejtimin e kryesisë së saj. Fillimisht ai paraqiti një raport të detajuar rreth veprimtarivë që u zhvilluan gjatë muajve nëntor, Dhjetor dhe Janar. Raporti për veprimtarinë që u organizua në presidencën e Republikës së Shqipërisë, ku presidenti Bujar Nishani, dekoroi Martirët e Vtarës dhe zv/kryetarin e Vatrës z. Agim Rexhaj. Ai falenderoi z. Simon Miraka dhe bashkëpunëtorët e tij nga të përndjekurit politik, që iu bashkëngjitën Vatrës në atë veprimtari, duke dhenë një ndihmesë të vecantë, apo ndihma e z. Rasim Hasani, zotërinjëve Kadri Morina, z. Geci, zotërinjët Ndricim Kullaj, Uran Butka, Reshat Kripa, Uran Kostreci etj. Z. Bucaj informoi edhe për takimet me klerikët fetarë, ku u dhurua fotogarfia e klerikëve nga festimet e 100 vjetorit të Vatrës, takimet me zotërinjtë Lulzim Basha, Sali Berisha, Eduard Selami e të tjerë.
Dr. Bucaj përshkoi me detaje dhe veprimtarinë që u organizua në Prishtinë ku u promovua libri i studiuesit Skënder Blakaj e Ismail Ismaili” Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ku Vatra ishte bashkëbotuese.
Një vend të vecantë i dha në raportin e paraqitur dr. Bucaj veprimtarisë së organizuar nga Instituti për studime e hulmutime Hebraike YIVO, ku ambasadori i Shqipërisë në Londër, anëtar nderi i Vatrës, z. Mal Berisha mbajti ligjëratën rreth veprimatrisë së ambasadorit të Amerikës në Tiranë, Herman Berstein.
Po ashtu kryetari Bucaj u përqëndrua edhe në veprimtaritë e Festës së Flamurit Kombëtar, që Vatra dhe bashkësia shqiptare organizuan me 28 nëntor 2014.
Një informacion të detajuar dha kryetari i Vatrës edhe për veprimtaritë e organizuara nga Komuniteti, si ai i Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës për mbledhjen e fondeve për qendrën fetare në Tuz të Malësisë, ku do të përurohet edhe një përmendore për meshtarin martir , Patër Zefin, i pushkatuar nga sllavokomunistët më 1945.
Jashtë vëmendjes së raportit të kryetarit nuk mbetën edhe pjesmarrja e vatrës në gëzimet dhe hidhërimet e komunitetit, jo vetëm në Nju Jork, por edhe në Boston e shtete të tjerë.
Një tjetër veprimtari ku Vatra ishte e pranishme ishte edhe ajo e organizuar nga Partia Lëvizja e Legalitetit për SHBA, kushtuar përvjetorit të 39 të ndarjes nga jeta të heroit kombëtar Abaz Kupi.
Më pas dr. Bucaj dha një panoramë rreth degëve të Vatrës, duke u ndalur tek më e reja, dega e Vatrës në Tampa dhe Clearëater në shtetin e Floridës, duke regjistruar degën e katërt të Vatrës në këtë shtet.
Jashtë ëvmendjes së kryetarit nuk mbetën edhe shqetësimet e vëna re në disa nga degët e Vatrës si ajo e krijuar vitin e kaluar në Hartford, dega e Hudson Valley, si dhe dega e Michiganit.
Për gjendjen në Kosovë pas protestave të dhunshme dhe grevave në rritje të qytetarëve nga sektorë të ndryshëm si ai i shëndetësisë dhe arsimit, apo ikjen masive në mërgim të qytetarëve të Kosovës, paraqiti një raport të detajuar zv/kryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj. Për zotin Rexhaj situata në Koosvë është e rënduar nga papërgjegjshmëria e klasës politike kosovare, e cila është shkaktarja kryesore e gjëndjes.
Z. Rexhaj e vlerësoi situatën alarmante dhe kërkoi që Vatra të dilte me një deklaratë rreth zhvillimeve në Kosovë. Për këtë qëllim u ngrit një grup pune, nën drejtimine profesor Mit’hat Gashit, që ta hartojë deklaratën, e cila do t’I paraqitet publikut sa më shpejt .
Relatuesi i tretë në mbledhjen e Këshillit të Vatrës, ishte persidenti i Fondit të studentëve , Profesor Mithat Gashi. Ai parashtroi një raport rreth “Gjendjes organizative të Vatrës dhe procesi për aprovimin e degëve të reja të Vatrës.”
Një ndër pikat kyce të rendit të ditës për këtë mbledhje të këshillit të Vatrës ishte edhe diskutimi rreth Kanunores së Vatrës, kryesisht rreth gjashtë amendamenteve që nuk kaluan për votim në Kuvendin e fundit të Vatrës, zhvilluar gjatë vitit 2014. Materiali iu dha me shkrim anëtarëve të Këshillit dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit që do të bëhet para Kuvendit, do të bëhet diskutimi për t’ia relatuar Kuvendit për aprovim.
Shkurtazi u diskutua në këtë mbledhje edhe rreth mbledhjes së fondeve për Vatrën, kryesisht për bibliotekën, arkivin dhe mobilimin e shtëpisë së Vatrës.
U vendos që gjatë muajit shkurt të organizohet në restorantin e z. Sabit Bitici, një takim fondmbledhës.
Rreth organizimit të festimeve të përvjetorit të shtatë të Pavarësisë së Kosovës nga Federata Vatra dhe Bashkësia Shqiptare, foli nënkryetari i Vatrës z. Asllan Bushati. Zoti Bushati solli detaje rreth përgatitjeve që janë bërë deri tani, duke u ndalur në , pikat e programit festiv.
Dr. Gjon Bucaj paraqiti një informacion rreth një projekti të Harvard University për diasporën.
Editori i Dielli, Dalip Greca, prezantoi librin e ri të gazetarit dhe studiuesit Idriz Lamaj, anëtar i Këshillit të Vatrës, z.Idriz Lamaj” Vatra dhe Vatranët”, i sapo botuar. Editori tha se ky është një kontribut i vecantë i studiuesit Lamaj, ish gazetar i Zërit të Amerikës, i cili ka plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në Historinë e Vatrës. Deri tani kemi dy botime të mirëfillta për historinë e Vatrës, ai ish editorit të Diellit Refat Gurrazezi dhe i Prof. Dr. Beqir Meta, por ato prekin në detja periudhën e dy-tre dekadave të para të Vatrës, ndërsa libri i Idriz Lamajt rrok një periudhe që shtrihet nga viti 1925 deri në vitin 1955. Editori propozoi që me rastin e 103 vjetorit të themelimit të Vatrës të organizohet promovimi i këtij libri. Ky promovim do të organizohet të Dielën e 26 Prillit 2015 në orën 1 p.m. në Shtëpinë e Vatrës.
Kryetari Bucaj informoi se Kuvendi i ardhshëm i Vatrës do të organizohet me 2 Maj 2014 në Jacksonville në Florida.
Në Këshill u diskutua rreth ndihmës për t’i dhënë një të riu 25 vjecar nga Kosova, z. Dreshaj, i cili vuan nag një sëmundje e rëndë dhe ka nevojë për transplant.
Anëtari I kshillit të Vatrës. Z.Lek Mirakaj, propozoi një deklaratë të Vatrës rreth peticionit për hapjen e Dosjeve. Z. Mirakaj tha se Vatra duhet të shprehet rreth këtij problem kyc për shoqërinë shqiptare, kryesisht për mënyrën e hapjes së dosjeve të policisë sekrete. Së fundmi, tha ai, ka nisur të qarkullojë dhe një peticion në formën e Apelit për parlamentin për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës komuniste, i mbështetur nga një grup prej rreth 100 personalitetesh të shquara nga vendet europiane, shkrimtarë, anëtarë parlamentesh, politikanë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj. Mendoj që edhe Vatra duhet të jetë në mbështetje dhe qëndrimin ta shprehë me një deklaratë të qartë, tha z. Mirakaj.Propozimi u miratua në parim.(reporteri i Diellit)
- « Previous Page
- 1
- …
- 96
- 97
- 98
- 99
- 100
- …
- 135
- Next Page »