*Zonja Elsa Ballauri e Shoqërisë civile ka konflikt interesi për të qenë përfaqësuese për hapjen e dosjeve sepse i ati i saj, Robert Ballauri, na ka dalë dëshmitar akuze (dëshmitar rëndues) në gjyqin tonë dhe ajo e di mirë këtë./
* Lustracioni?…ka raste që të indinjojnë, të revoltojnë. Dikur si deputete, sot si drejtuëse e një emisioni televiziv na del përpara, si për karshillëk, fytyra e Diana Çulit! Ç’farë mendojnë kur e shohin e bija e Vilsonit e djali i Gencit? Sa të lënduar, sa të fyer ndjehen ata?/
….Hapja e dosjeve, a do te ndodhe apo serish do te shohim show. Ish i perndjekuri politik Niko Kirka mendon se dy projekt ligjet bëjnë sikur i hyjnë problemit, por nuk zgjidhin asgjë. Hapja e plotë e të gjithë dokumentave të asaj strukture kriminale dhe publikimi i tyre pa asnjë kufizim është e vetmja mënyrë për të mbyllur këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë. Kirka mendon se dekomunistizimi i shoqerise shqiptare eshte nje proces i zvarritur qellimisht.
Ai sjell si paralele veprimin e gjermaneve pas Luftes se Dyte Boterore: Denazifikimi u bë me prerje kirurgjikale, sepse Gjermania u pushtua me luftë. U dënua jo vetëm krimi nazist, por edhe kriminelët nazistë. Ndërsa komunizmi u vetshkërmoq, u kthyen xhaketat dhe sigurisht ata që bënë këtë gjë nuk mund të vetdënoheshin. Pra dekomunistizimi u bë dhe po bëhet me vetpastrim, gjë që kërkon kohë të gjatë dhe u jep mundësi xhaketakthyësve të ripërtëriten. Ndiqeni te plote intervisten dhene editorit te Diellit.
Dielli: Mendimi juaj për hapjen e dosjeve?
-Niko Kirka: Në Shqipëri kur flitet për dosjet nënkuptohet gjithmonë dokumentimi i aktivitetit të spiunëve të sigurimit. Kurse ato janë një pjesë e krimit që kreu regjimi komunist ndaj popullit shqiptar. Sipas mësimeve të çekistëve sovjetikë e udbashëve jugosllavë edhe në vëndin tonë u ngrit dhe veproi një sistem i tërë strukturash që me dhunë e terror do të mbante të nënshtruar nje popull të tërë. Pra, për të filluar, në bazë të dokumentave që egzistojnë, duhet bërë publike se si dhe kush filloi ngritjen e strukturave te atij sistemi që nga qendra e deri në degët poshtë. Kush kanë qënë individët dhe ç’kanë bërë, në renditje kronollogjike që nga fillimi. Të publikohet se ku dhe si merrej informacioni në bazë, duke filluar me organizatat bazë të partisë që kishin kontigjentin potent, mbështetur në faktin që një nga dhjetë cilësitë e komunistit ishte “vigjilenca revolucionare”. Të vazhdohet me informatorët gjysmë të punësuar që futeshin në ambiente ku kish grumbuj njerëzish si në kafenera, rradhë, autobuzë për të përgjuar se çfarë thuhej. E në fund me bashkëpunëtorët ose spiunët që ishin detyruar të spiunonin individë të ndryshëm si rrjedhim i një presioni kërcënuës të egër, në ndonjë rast edhe barbar, por gjithmonë me karakter të dobët. Pra, në se vërtet duam ta pastrojmë duke e dekomunistifikuar shoqërinë shqiptare, duhet bërë e njohur publikisht veprimtaria gadi gjysmë shekullore e atij sistemi kriminal.
Dielli: Mendimi juaj se si ndërthuret dekomunistizimi me dosjet e sigurimit?
N. Kirka: Denazifikimi u bë me prerje kirurgjikale, sepse Gjermania u pushtua me luftë. U dënua jo vetëm krimi nazist, por edhe kriminelët nazistë. Ndërsa komunizmi u vetshkërmoq, u kthyen xhaketat dhe sigurisht ata që bënë këtë gjë nuk mund të vetdënoheshin. Pra dekomunistizimi u bë dhe po bëhet me vetpastrim, gjë që kërkon kohë të gjatë dhe u jep mundësi xhaketakthyësve të ripërtëriten. Kështu që edhe tek ne janë paraqitur projekt-ligje në të kaluarën edhe sot që, jo vetëm nuk dënojnë kriminelët më të egër të të gjithë ish vëndeve komuniste, por duke e ngritur vetëm fare pak “petën e lakrorit”, synojnë që vetpastrimin ta shtyjnë sa më gjatë në kohë.
Dielli: A mendoni se hapja e dosjeve do të ketë pasoja të rënda sociale si hakmarrje, prishje familjesh, etj.?
N. Kirka: Këtë zhurmë e kanë bërë ata që nuk duan hapjen e dosjeve jo vetëm për të fshehur ndonjë prapësi të tyren, por edhe për të bërë presion tek të tjerët. Shtresa e nacionalizmit nuk ka menduar kurrë për vetgjyqësi, sepse mbi mllefin e urrejtjen në shpirtin e tyre qëndronte dashuria për vëndin. Ata prisnin e presin ende qe drejtësinë ta bëjë shteti shqiptar me ligjet e tij. Ato familje, ku pjestarët kanë spiunuar njëri-tjetrin, janë më se të prishura, janë të kalbura. Nuk pashë në asnjë rast që individëve që mbanin në duar portete të diktatorit në mitingje t’u dilnin përballë pasardhës të komandantëve e komisarëve që ai i pushkatoi në masë, t’ua hiqnin nga duart për t’i shkelur me këmbë.
Dielli: Eshtë folur shumë për ndërhyrje tek dosjet nga qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën gjatë këtyre 24 viteve. Mendimi juaj?
N. Kirka: Duke nënkuptuar gjithmonë me fjalën dosjet spiunët e sigurimit, Blendi Fevziu në një panel të tij tha se sipas të dhënave, për gjatë gjithë periudhës kanë qënë rreth 120.000. Nga vitet 94-95 një miku im, figurë e lartë në qeverinë e kohës, më ka thënë se dosjet u rregjistruan në kompjuter dhe dolën rreth 60.000 spiunë. Sot po flitet se do të hapen 4.000 dosje. Të shohim? Unë jam tepër skeptik. Më duket se do veprohet më tepër për të kaluar rradhën, se jemi i vetmi vënd kandidat për anëtarësim në Europë që s’e ka bërë. Të tjerë, gjoja specialistë, thonë se sado të zhduken, lenë gjurmë se dosjet ndërlidhen njëra me tjetrën. Mund të zhdukësh kartelën e X-it, por emit i tij del tek dosja e atij që ka spiunuar. Vetëm për një gjë jam i sigurtë që hapje publike të të gjithë dokumentave që do të tregonin gjërësinë e thellësinë e krimit të atij sistemi të llahtarshëm nuk do te ketë.
Dielli: Të përndjekurit politikë kanë kërkuar të jenë palë në këtë proçes, mendimi juaj?
N. Kirka: Eshtë domosdoshmëri që përfaqësuesit e tyre, pra të viktimave të atij krimi, të jetë shumica në komisionin që do të kryejë atë proces. Nga anët tona ka një thënie që nuk mund të bëhet dasmë pa dhëndrin e nusen.
Dielli: Ka zëra që thonë se midis spiunëve të sigurimit ka shumë nga shtresa e të përndjekurve. Sipas jush cila është e vërteta?
N. Kirka- Kjo është thënë me synimin djallëzor për të mos i hapur dosjet, se gjoja të gjithë jemi të përlyer!
E vërteta është krejt ndryshe. Ta analizojmë. Edhe midis vetë të burgosurve ka pasur spiunë, numuri i të cilëve ndryshoi sipas kohës. Në fillim ishin sa gishtat e dorës, sepse të burgosurit kishin një ideal e bindje politike. Më vonë u shtuan, sepse të burgosurit vinin nga shtresa të ndryshme, për interesa të ndryshme, pa bindje. Kurse jashtë burgut gjëndja ishte kjo. Pjesa dërrmuëse e popullsisë jetonte në fshat. Pjestarët e familjeve të përndjekura ose ishin internuar në qendra të caktuara, ose pjestarë të tyre kishin ikur në qytete ose qendra pune për të humbur në anonimat. Në fshat armiku i përndjekur ishin kulakët, të cilët ishin të izoluar, asnjë nuk hynte e dilte tek ata, askush nuk u fliste.Bile edhe njëri me tjetrin nuk afroheshin. Atëhere të rekrutuarit e sigurimit kë do përgjonin e spiunonin? Vetëm muret e shtëpisë!! Kështu që në fshatin e asaj kohe spiunët nga rradhët e të përndjekurve nuk vlenin. Kurse ata me biografi të mirë po. Marrim korpusin e madh të oficerëvë, për rrezikun që mund t’i vinte diktaturës nga ushtarakët për vetë specifikën e tyre. Cili oficer do të shoqërohej e miqësohej me ndonjë armik të përndjekur që ky i fundit ta spiunonte?! Marrim administratën, nëpunësit e së cilës nuk shoqëroheshin e të zinin miqësi me ndonjë me biografi te keqe, se rrezikonte vëndin e punës. Vetëm në arsim pati ca të rinj nga familjet e përndjekura, të cilët punuan në fshatrat e largëta ku nuk vinin ata me biografi të mirë. Kjo vazhdoi deri nga viti 1970 kur i pushuan të gjithë, duke i zëvëndësuar me mësues vëndas nga nxënësit që ata vetë kishin pregatitur. Edhe ne që punonim puntorë ata me biografi të mirë nuk na afroheshin, bile shpesh herë na kujtonin që të mos harronim se kush ishim! Prandaj spiunët nga rradhët e të përndjekurve do të jenë në numur të kufizuar, sepse nuk i hynin në punë sigurimit. Para do kohe një shkrimtar i përmëndur vetdeklaroi se kish punuar për sigurimin. Tani dy shkrimtarë shumë të njohur po akuzojnë njëri tietrin si spiunë. Asnjëri nuk ka qënë i përndjekur, përkundrazi kane qënë komunistë!
Dielli Për hapjen e dosjeve janë paraqitur dy projekt-ligje një nga shoqëria civile nëpërmjet dy deputetëve dhe një nga qeveria. Mendimi juaj?
N. Kirka: Përsa i përket përfaqësueses të shoqërisë civile, zonjës Ballauri, ajo ka konflikt interesi, sepse i ati, Robert Ballauri, na ka dalë dëshmitar akuze (dëshmitar rëndues) në gjyqin tonë dhe ajo e di mirë këtë. Projekti i tyre parashikon që vetëm i interesuari mund të shohë dosjen e tij dhe po vdiq ai ajo mbyllet përgjithmonë. Projekti qeveritar e shtrin këtë të drejtë edhe tek trashëgimtarët e afërt, si biri ose nipi. Veçse të dy projektet më shumë i hermetizojnë dosjet se sa i hapin ato, sepse emri i spiunit fshihet nën inicialet, duke shumëfishuar hamëndjet, dyshimet, duke rënduar edhe më shumë shoqërinë shqiptare. Kufizime që më shumë mbrojnë spiunët, sikur duan t’iu rruajnë “namuzin”! Qarkullojnë edhe teza të tilla si “në se individë të nderuar, me pozitë shoqërore të mirë, nuk kemi të drejtë t’i lëndojmë duke treguar se babai i tyre ka spiunuar e futur në burg shokun ose mikun e tij. Mendimi im është se këta individë duhet ta dine se babai i tyre ka bërë një krim, një vrasje, sepse nuk dënohej vetëm viktima e tij, por e gjithë familja, ndoshta më gjërë, bile edhe tek ata që nuk kishin lindur ende! Gjithashtu ata duhet ta dinë se ata sot janë profesorë, doktorë,etj. si rrjedhim i krimit të babait të tyre, kur se bijtë e viktimës, ndoshta edhe më të talentuar se ata, kanë ngelur hekurkthyesa, marangozë, muratorë etj, e ndoshta atë fat e jetojnë sot edhe fëmijët e tyre. Eshtë njerëzore të mendosh se kërkimi i faljes prej viktimave të krimit të ktyer nga i ati, do t’i bënte të ndjeheshin më të lehtësuar edhe ata vetë. Këta dy projekt ligje bëjnë sikur i hyjnë problemit, por nuk zgjidhin asgjë. Hapja e plotë e të gjithë dokumentave të asaj strukture kriminale dhe publikimi i tyre pa asnjë kufizim është e vetmja mënyrë për të mbyllur këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë.
Dielli: Pse po ndahet lustracioni nga dosjet në projektin qeveritar?
N. Kirka: Në fillim të viteve 90, kur në vëndet e ish regjimeve komuniste filluan të hapeshin dosjet sekrete dhe nuk synohej dënimi i autorëve të krimeve të kryera, për të zbutur revoltën e shtresave të gjëra të shoqërive përkatëse, u procedua që për një farë kohe,sipas vëndeve të ndryshme, të inkriminuarit të mos lejoheshin të merrni pjesë në jetën politike shoqërore. Sot pas gadi 25 vjetësh, kur vetëm Shqipëria ka ngelur pa e bërë këtë proces, me ligjet, rezolutat mbi të drejtat e individit, interpretimet, etj. është e pamundur të bëhet vërtet spastrimi i mëkatarëve. Ish hetuesa, të shndruar në juristë e avokatë i gjen kudo. Njëri grupim politik që ka më shumë nuk e bën për arsye votash, kurse grupimi tjetër ka më pak, por i ka si emblemat e veta. Të rinjtë që po drejtojnë sot këto grupime, sigurisht për interesa të pushtetit të tyre personal, po krijojnë ekipe me të rinj që s’kanë të bëjnë fare me lustracionin e me regjimin e kaluar. Pra synohet që lustraionin ta bëjë koha, por që vazhdon gjatë. Por ka raste që të indinjojnë, të revoltojnë. Dikur si deputete, sot si drejtuëse e një emisioni televiziv na del përpara, si për karshillëk, fytyra e Diana Çulit! Ç’farë mendojnë kur e shohin e bija e Vilsonit e djali i Gencit? Sa të lënduar, sa të fyer ndjehen ata? Ajo pamje ua hap atë plagë që nuk do mbyllet kurrë, sepse në duart e saja ata shohin gjakun e baballarëve të tyre! Edhe ajo është vrasëse e dy poetëvë, se me ekspertizën e saj ligjëroi trillimet e akuzat e sajuara të kriminelëve xhahilë të sigurimit! Mendoj e pres që zonjat fjalëshumë të shoqërisë civile që bëjnë zhurmë për të drejtat e homoseksualëve ose të njerëzve me ngjyrë, të ngrenë zërin në mbrotje të viktimave të diktaturës kriminale. Jeta private e Diana Çulit nuk na intereson, është e lirë të bëjë atë që do, por dalja e saj në ekrane vazhdimisht është fyese, është cfilitëse për fëmijët e poetëve dhe jo vetëm për ta. Për ta mbyllur çështjen lustracion po përdor frazën e fundit që gazetari i shquar Italian Enzo Biagi shkroi në Lubjankën e tij “…e për gjithë ato krime askush nuk u gjykua, askush nuk u pendua, askush nuk kërkoi të falur.”
(Intervistoi:Dalip Greca)
PËLLUMB KULLA NGATËRRON FJALIMET NË FESTËN E DITËLINDJES
Në festën e 75 viteve, Pëllumb Kulla lexon fjalimin e 90 vjetorit/
10 janar 2015 SAN MARINO – SOHO, New York,NY/ nga Dalip Greca/
Manhattan, NY- Ditëlindja e 75-të e Pëllumb Kullës është konceptuar si një festë më shumë se familjare,me pjesmarrje të artistëve dhe gazetarëve, ku surpriza apo sekreti nuk i kanë rezistuar dot deri fund tundimit të vetë Pëllumbit, por edhe organizatores. Edhe pse ftesat e miqëve janë bërë telefonike, fshehurazi Pëllumbit, duke i “vjedhur” atij numrat e telefonave, duket se ka qenë aktori Zef Mosi, ai që e zbuloi, (gjë që vetë Pëllumbi e kundërshtoi seriozisht). Në pritje të ardhjes së vonuar të Pëllumbit në San Marino restorant, thashethmnaja lakoi për nxjerrje sekreti edhe emrat e Gazmir Shtinos, Gëzim Gjyrezit, Gavrosh Levonjës, Bujar Verzivollit, Valentin Veizit, por asgjë nuk u vërtetua. Madje, nuk u vërtetua as hipoteza se sekreti doli nga familja,-Xhuli e lau veten duke thënë se ende nuk e dinte se ditëlindja e kujt po festohej, ndërsa për Erën, të bijën e artistëve, doli garant Flladi. Ditbardhi duke qenë se filmonte, nuk u përzie në debate.
Po ç’rëndësi ka se kush e nxori sekretin?! Surprizat nuk munguan. Festa e 75 vjetorit të regjisorit, shkrimtarit, publicistit Pëllumb Kulla, u organizuar me 10 janar 2015 në restorantin San Marino me pronar shqiptarin Sammy Gashi. Restoranti ndodhet në pjesën e poshtme të Manhattanit, zonë shumë e preferuar, veçanërisht nga artistët.
KRONIKË E EKRANIZUAR
Për të ruajtur ”sekretin” Pëllumbi erdhi i fundit në festën e ditëlindjes së tij të 75-të, por për pak mbeti pa karrige… Era, e bija, organizatorja, që formalisht tentoi ta ruante sekretin edhe pasi festa filloi, gëlltit vërejtejet e pazëshme të të atit. Por shumë shpejt e bija do të fitonte duartrokitje e të pranishmëve, madje edhe buzëqeshjen e Pëllumbit dhe duartrokitjet e Xhulit, tek do të shfaqte një video-foto montazh, që shpalosi me humor jetën 75 vjeçare të babait të saj. Fotografitë dhe filmimet nisin që nga 10 Janari i vititit të lindjes(1940), kur Pëllumbi erdhi në këtë botë pa dashjen e tij dhe me të qarat e parreshtura trembi Zemblakun. Edhe pse ishte kohë lufte, të qarat e Pëllumbit shurdhuan krismat e luftës. Me tekst dhe pamje plot humor, shfaqen fotografi që nga fëmijëria e Pëllumbit, ku përkrah parakalojnë edhe portrete të njerëzve të famshëm, që kanë lindur po me 10 Janar 1940, më pas fotografitë shpalosin kronikën e Pëllumbit,- fëmijë i praptë, shkollar i devotshëm, punëtor nga halli,- Gjyshi i pushkatuar nuk e lejoi të kalonte pengesën për në Akademinë e Arteve në vitin 1959, por një vit më pas ai arrin të kualifikohet, edhe pse gjyshi mbeti prapë i pushkatuar, pas akademisë- regjisor në estradën e Vlorës, por shfaqet sërish hija e gjyshit të pushkatuar, që nga dashuria e madhe që ka për nipin, nuk e lë rehat që nga varri, dhe e shtyn në “braktisjen” e skenës, për “ degdisjen” në guroren e Shashicës; pasi u kalit në gjirin e klasës punëtore emrohet në estradën e Fierit, ku shkëlqeu për 18 vite, duke u bërë Kulla i humorit shqiptar. Në vitin 1990 ai do të linte Fierin për të shkuar pedagog në Akademinë e Arteve, ku mezi e patën pranuar, për t’u bërë edhe Dekan, ndërsa dy vite më pas nisi rrugën e diplomatit; më 1992 Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Rruga e jetës shoqërohet me fotografi, filmime, intervista me humor, batuta, që të shkulin së qeshuri… Duket se grupi që ka punuar për paraqitjen e rrugëtimit të Pëllumbit, ka qenë mjaft i impenjuar dhe ka punuar kolektivisht; ata kanë gjetur mundësi që të intervistojnë edhe amerikanë, që flasin për shkrimtarin e publicistin Kulla, madje edhe pakistanezo-amerikanët, paskëshin dëgjuar për madhështinë e penës së Pëllumbit! Jo vetëm kaq, por për ditëlindjen e tij paskej dëgjuar edhe Kryeministri rus Putin, edhe presidenti amerikan Obama (që këndoi për Pëllumbin “Happy Birthday To You”, edhe udhëheqësi i Koresë së veriut Kim Jong Un, ky i fundit dërgoi mesazh special).
HUMOR MJESHTROR NGA AKTORË E AMATORË
Festimi i ditëlindjes të regjisorit dhe shkrimtarit më kulmor të humorit dhe satirës nuk mund të konceptohet pa humor. San Marino kthehet kështu në një skenë të improvizuar ku aktorë dhe jo aktorë, ish profesionistë dhe amatorë, kanë krijuar një situatë të ngarkuar me humor. Krahas Xhuli Kullës, Zef Mosit, Pranvera Veizit, konkurojnë Alba Bungo, Vili , Era e Flladi Kulla. Eksperimenti është i sukseshëm. Të qeshurat shoqërojnë çdo batutë. Alba Bungo duket se ka marrë përsipër të zëvendësojë mungesën e të atit, Lekës, (që ka shkuar në Shqipëri të këshillojë Kryeministrat dhe Pëllumbi betohet se të gjithë ata që marrin këshilla nga Leka kanë fund të palavdishëm). Leka u ka dhënë nerv e të qeshura përvjetorëve të tjerë të shokut të tij, veçanërisht atij të 70-vjetorit, edhe pse Pëllumbi në shtyp e paditi për shpifje Lekën… Humori nga jeta e përditshme interpretohet bukur dhe të qeshurat nuk kanë të pushuar. Zef Mosi me Pranvera Veizin duartrokiten gjatë. Vili duket se i ka shkuar kot talenti, Flladi është i lirshëm dhe i sigurtë, Alba, po ashtu. Tekstet plot humor duket se aktorët i kanë zgjedhur pa ndihmën e autorit të njohur të cilit po i festojnë ditlindjen, si për t’I thënë “estradat e Shqipërisë ta kanë nevojën, por jo ne!”
Thumbat dhe satira kanë mbetë për në fund. Era ka menduar një lloj “hakmarrje” ndaj të atit që nuk ia ruajti sekretin e kësaj feste. Ajo e sulmon Pëllumbin me komentet nga gazetat e Tiranës, që nuk i lënë gjë pa i thënë,për shkrimet që boton, duke gjuajtë herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur gjuan të djathtën, shahet se shpërdoroi shpërblimin si ambasador, kur shan të majtën, i kujtojnë se ka ngrënë edhe në kohë të Enverit dhe e ka bërë për të qeshur atë….Nuk ka nevojë që të sajojë, Era i ka marrë batutat të gatshme nga gazetat online, komente te lexuesve militantë. Pëllumbi vetëm qesh…
PËLLUMBI NGATËRRON FJALIMET, LEXON ATË TË 90 VJETORIT
Qershia mbi tortën e ditëlindjes së 75-të ishte vetë fjalimi i Pëllumbit. Duke qenë se ai nuk ishte dakord me këtë darkë festive,tha se nuk ishte parapërgatitur. Ai jep sqarime për të ftuarit se kur ishin mbledhë si familje e kishin lënë se festa nuk do të bëhej.Ky ishte vendim i formës së prerë. Por fëmijët dhe zonja kishin marrë përsipër të aplikonin stilin surprizë. Ai betohet se e ka marrë vesh lajmin vetëm një ditë më parë.Të gjithë e besuan.
Pëllumbi rrëfehet: “Nga një anë u bë mirë që e mora vesh (edhe pse me vonesë), nga ana tjetër jam lodhur duke bërë prova se si të befasohem. Se unë jam aktor i keq dhe m’u desh të hap sytë, të bëj sikur hutohem, sikur emocionohem që të mos ua prishja qejfin fëmijëve. Po, siç e patë, e luajta keq. Unë prandaj u bëra regjisor se jam aktor i dobët. (Në fakt këtë e ka thënë Leka Bungo). Të gjithë aktorët që nuk bëjnë hajër, bëhen regjisora dhe çuditërisht, sa më aktor i keq të jesh, aq regjisor më i mirë bëhesh. Nga ne, hiqjani rolin e Sali Protopapës, aktori më i keq ka qënë Piro Mani. Ju e keni parë se çfarë regjisori ka dalë ai! Zeusi i regjisorëve!… Belaja më e madhe pas dështimit në provat për habinë e surprises,” vazhdon jubilari, “është se nuk pata kohë të bëja një fjalim për falenderim, për ju që do të më vinit, një fjalim përmbledhës për jetën time. Se nuk kisha një për 75 vjetorin. Nuk e mendoja se do t’i lodh duke i mbledhur miqtë njëherë në pesë vjet. Ama, si sistematik që jam, kisha përgatitur fjalimet për 80 vjetorin deri 100 vjetorin.… Mos habitet njeri se tërë jetën më kanë uruar u bëfsh 100 dhe unë nuk ua prish miqve. Aq më tepër që “u bëfsh 100” më kanë uruar dikur, kur ishim tonët edhe dy Presidentë republike! Dhe urimi i komandantëve nuk është urim, por urdhërim. Kështu gërmova për fjalimet, por i kemi bërë valixhet rrëmujë se përgatitemi për trasferim në Florida dhe nuk e dija ku m’i pat vënë Xhuli. Gjeta vetëm njërin nga ata, dhe atë do t’ju lexoj. Atë të 80 vjetorit!… Jo, qënka i 90 vjetorit! Nuk ndryshon gjë, se edhe atëherë të ftuar po ju, do të jeni. Sinqerisht nuk pata kohë për një fjalim sonte!”
Dhe ai nis të lexojë fjalimin që ka përgatitë për vitin 2030:
“Të dashur miq!
Viti 2030 na ka hapur udhën dhe ja ju prapë u lodhët …(Ëh?! Duhet të jetë “u mblodhët”) të festojmë ditlindjen time. Ju faleminderit! Ja vitet kalojnë sa hap e mbyll sytë. Unë vërtet jam rënduar pak, por do pajtohem me gjendjen. Nuk do të jem më ai llastari i hollë, elegant siç isha kur isha 75 vjeç. Aha, ai trup më del në ëndërr por nuk e arrij ta kem më! Por edhe në këtë moshë kam plot me se të gëzohem…”
Fjalimi më pas bëhet konkret në emra. Pëllumbi parashikon të ardhmen e familjarëve dhe miqëve të vet që ka sonte në festë se si do të jenë ata në 90 vjetorin e Pëllumbit. Prashikon suksesin e nipit dhe të mbeskave, por humori i shkon së shoqes, Xhulit….” Ime shoqe edhe në këtë moshë të avancuar 84 vjeçare,dha provat e mori më në fund patentën e automobilit. (Pëllumbi nuk do të jetë më i punësuar si shofer i saj). Pas një trainingu 40 vjeçar. Po e mori patentën atë ditë që na mbaroi leesa dhe dorëzuam makinën. Edhe nuk e rinovojmë dot se … se ashtu e kemi punën! Xhuli thotë “ta kishim edhe ca ditë vetëm ta parkonja njëherë, se ëndërr e kisha dhe në kurs isha më e mira në parkim paralel….”
Më pas, Pëllumbi, i drejtohet një miku të vet ish të përndjekur: Zija Lepenica dje (në 2030-tën) na gostiti në Arthur Avenue se sapo mori këstin e dytë për vitet e burgut dhe flitet që kryeministri I maxhorances aktuale të 2030 Ilir Meta do të japë brenda këtyre pesë vjetve që vijnë, këstin e tretë”…. Dhe humori vazhdon; ai sheh në 90 vjetor Gavrosh Levonjën, që në 2030-tën kuron gazetën më të madhe shqiptare online dhe vetë sapo mbaroi librin me kujtimet nga turnetë e kombëtares së basketbollit. Ai e pati të lehtë se kujtimet ia plotësonin kolegët e tij basketbollistë të emigruar në Amerikë, Kujtim Kasmi, Lulzim Tela e të tjerë. “Siç e vutë re,” thotë Kulla, “gjatë tranzicionit, kategoria më e suksesëshme e shqiptarëve, ishin basketbollistët shtatlartë. Ata bile arritën që njërin prej tyre për nja dy vjet ta nxjerrin deri kryeministër”…
Në fjalimin e Pëllumbit parakalojnë me nota humori miqtë e shokët… Ai i sheh ata me sytë e 2030-tës: “Gazmir Shtino e ka shtuar humorin. Vazhdon u tregon barzeleta pensionistëve amerikanë dhe ata shkulen së qeshuri. Ia kam zili Gazit e nuk ia kuptoj sekretin: gjen barzeleta shumë të bukura, apo amerikanët gajasen se ai ua tregon në anglisht?”…
Të qeshurat dhe duartrokitjet nuk rreshtën gjatë gjithë darkës…. (Fotografite i shihni ne facebook)
VATRANËT NË WASHINGTON DC, URËLIDHJA MES DY KOMBEVE
Flet kryetarja e Degës së Vatrës në Washington DC, zonja Merita B McCormack/
Dielli- Si kryetare e degës së Vatrës dhe përfaqësuese e Vatrës në Washington,me 17 dhjetor, keni qenë e pranishme në betimin e z, Donald Lu , ambasadorit të ri të Amerikës në Shqipëri. A mund të ndani me lexuesit e Diellit mbresa dhe informacione nga ai takim?
Merita B McCormack:- Së pari, më lejoni të flas në emër të të gjithë Vatranëve në DC sepse ne cdo gjë e bëjmë bashkë. Lidhur me pyetjen, po, isha në atë ceremoni se bashku me kolege te tjere dhe ishte një nder dhe privilegj për të gjithë komunitetin tonë. Ambasadori Amerikan z. Donald Lu bëri betimin e tij më datën 17 Dhjetor 2014 dhe përshtypjet e mia, sikurse të shumë pjesëmarrësve janë tepër të mira. Salla e inaugurimit në fakt u ndryshua brenda një periudhe të shkurtër dhe mund të them se salla ku u bë inaugurimi ishte plot dhe kur hyri Ambasadori dhe familajrët e tij pati duartrokitje të gjata. Duket që ky amerikan me eksperiencë dhe karrierë të gjatë diplomatike ka shumë dashamirës dhe miq që i uruan atij punë të mbarë në Shqipëri. Ambasadori shoqërohej nga bashkëshortja dhe dy fëmijët e tyre. Po ashtu të pranishëm nga familja ishin edhe prindrit dhe vjerra e tij.
Siç mund të jetë vëzhguar në lajme ai foli edhe pak në gjuhën shqipe kur përshëndeti mbas betimit. Aty kishte edhe disa shqiptarë të tjerë , njerëz që Ambasadori Lu i njeh nga kontakte të ndryshme profesionale a personale, dhe besoj se shumica ishin amerikanë. Aty ishte edhe Ambasadori i shumëdashur Rajerson i cili me shqipen e tij të kulluar na mallëngjeu të gjithëve në orët e festës pas ceremonisë zyrtare. Pas betimit u bënë përshëndetjet personale me urimet përkatëse dhe pastaj u dha një koktej në një ndërtesë afër departamentit me rastin e Inaugurimit. Pritja kaloi në një atmosferë të këndshme dhe miqësore.
Dielli: Diçka konkrete rreth ambasadorit Lu?
Merita B McCormack -Ambasadori Lu flet shqipen shumë mirë, ka një humor të këndshëm dhe eshte një njeri mendjehapur e zemërgjerë.Ne shqiptaro-amerikanët duhet të bëjmë çmos të njihemi me të e të përcjellim tek ai jo vetëm urimet ,më të mira por t’i japim atij mbështetje maksimale për të kryer detyrën sa më mirë. Ai mund të kontaktohet përmes zyrës së tavolinës shqiptare ne departamentin e shtetit.
Diçka që duhet të na bëje akoma më shumë krenarë është se ai kur falenderoi autoritetet qeveritare amerikane për besimin që i kanë dhënë, gjithashtu falenderoi me emër dhe personalisht të gjithë stafin e seksionit të gjuhës shqipe në Institutin e Shërbimit të Huaj që në ato momente u ndjeva shumë mirë të dëgjoja emrat e bashkëatdhetarëve, specialistë të shqipes por edhe këshilltarë kulturorë që i kanë dhënë Ambasadorit Lu çka i nevojitet përgjatë punës në Shqipëri.
Dielli- Ky besoj se nuk ishte i vetmi takim që keni zhvilluar me zyrtarët amerikanë. Çfarë ka përcjellë dega e Vatrës tek zyrtarët amerikanë gjatë vitit që po mbyllim dhe si janë marrdhëniet me Departamentin e Shtetit, zyra për Ballkanin.
Merita B McCormack- Po natyrisht, kontakti i VATRËS me zyrtarët amerikanë është i vazhdueshëm dhe VATRA në DC natyrisht mban komunikimin hapur dhe transparent. Siç e dini festimi madhështor i 100 vjetorit të VATRËS dhe pjesëmarrja e zyrtarëve amerikanë ishte shembull ilustrativ i këtij fakti.
Presidenti i VATRËS , Dr. Gjon Buçaj herë pas here ka pasur rastin e komunikimit personal me zyrtarë nga departamenti i shtetit kur ka vizituar Uashingtonin dhe ne që jemi këtu, jemi si të thuash kontakti primar dhe ne e vlerësojmë faktin privilegjues por natyrisht edhe përgjegjësia që shoqëron këtë privilegj. Mund të theksoj se VATRANËT e DC janë qytetarë Amerikanë që kanë dhënë kontribut në Ushtri dhe Navy. Me djem si ata, natyrisht ne kemi ballin e hapur.
Dielli- Çfarë do të veçonte kryetarja Merita B McCormack nga veprimtaritë e degës në Washington për vitin 2014?
Merita B McCormack – Dega e VATRËS është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka dhe do të thoja se unë personalisht nuk jam askushi dhe nuk do të guxoja të flisja si individ sepse jemi të gjtihë bashkë që mblidhemi, bisedojmë, vendosim e bëjmë diçka, kur mundemi. Natyrisht aktivitetet tona këtu janë më tepër aktivitete edukative dhe informative, në kuptimin që ne jemi prezentë në aktivitete që kanë të bëjmë me çeshtjen shqiptare dhe shërbejmë si urëlidhje mes dy kombeve, atij amerikan e atij shqiptar duke theksuar vlerat pozitive të miqësisë e duke nxitur iniciativa që ndikojnë në forcimin e këtyre lidhjeve. Aktivitetet janë të shumta por do veçoja aktivitetin e sapo përmendur, pra inaugurimin e ambasadorit të ri Amerikan, po ashtu pjesëmarrja në disa aktivitetet ku kreu i shteti shqiptar, presidenti Nishani erdhi në DC, apo aktivitetin e Nëntorit ku prifti katolik shqiptar dhe personaliteti i medias, Dom Gjergj Meta pati mundësinë të fliste në disa vende, përveçesojmë këtu bibliotekën e Kongresit Amerikan ku audienca kryesore ishin diplomatë, që do të punojnë pranë ambasadave amerikane në Shqipëri e Kosovë. Dom Gjergji pati një temë më tre nën tema të rëndësishme dhe ishte një triptik interesant që përfshinte shumë material dhe i shërben shërimit kombëtar dhe të ardhmes së kombit shqiptar.
Dielli- A i mbulon dega jonë të gjitha zonat e Washingtonit e rerthina si shtrirje anëtarësie?
Merita B McCormack -Anëtarësia shtrihet në Uashington DC, Virxhinia, Meriland, Delauer dhe Karolina e Veriut
Dielli – Si ka funksionuar dega?
Merita B McCormack-Dega funksionon në rregull, ne paguajmë anëtarësinë,, marrim Diellin, shpërndajmë lajmin e mirë për Shqipërinë dhe marrim pjesë nëpër aktivitete të ndryshme. Ne shkojmë shumë mirë, si vëllezër e motra mes nesh.
Dielli- Ku do të fokusohet dega për vitin që vjen?
Merita B McCormack Dega e jonë natyrisht ka një detyrë unike mbi supe për faktin se ndodhet në kryeqytetin amerikan kështu që paralelisht me detyrimin që ka sipas misionit e statutit të Federatës , ne kemi edh përgjegjësinë për të mbajtur lidhjen e komunikimin e hapur me çdo institiutcion që ka interes për kombin shqiptar dhe për të mësuar të vërtetën e çështjes shqiptare.
Dielli- Si janë marrdhëniet dhe bashkëpunimi i degës së Vatrës me organizatat e tjera shqiptare që veprojnë në Ëashington dhe zonën përreth?
Merita B McCormack -Marëdhëniet tona ndër organizative janë shumë të mira. Djemtë e vajzat shqiptare në Ëashington mblidhen shpesh dhe në çdo organizim apo aktivitet ne jemi ose bashkëorganizatore ose pjesëmarrës, sipas mundësive dhe rastit, por VATRA gëzon respekt dhe dashuri dhe sa herë ne kemi aktivitete organizatat e tjera na gjenden pranë, pra sipas fizionomisë dhe natyrës së organizatave ne bëjmë bashkëpunim por edhe bashkërendim. Mund të them se jemi një komunitet kompakt dhe produktiv.Komunitetit shqiptar ne DC ka djem dhe vajza shumë të edukuar, dashamirës, të suksesshëm në fushat e tyre profesionale dhe me një dashuri të madhe për vendlindjen dhe për atdhenun e dytë, Amerikën dhe punojnë për forcimin e miqësise mes dy kombeve.
Dielli- Mesazhi juaj në këtë fundviti!
Merita B McCormack :Së pari Gëzuar festat! Të gjithë vëllezërve dhe motrave të krishterë ju uroj Gëzuar Krishtlindjen dhe të gjithë popullit shqiptar ju uroj Gëzuar Vitin e ri 2015!
Sa për meszahin që ne si Vatranë në DC duam të përcjellim është ky:
Le të ulim kokat, të bëjmë punë cilësore dhe të kemi si fokus qëllimin për të cilin jemi angazhuar. Mos harrojmë se kombi shqiptar sot është në një moment kyç historik dhe se Europa është e ardhmja e tij por mos harrojmë se integrimi Europian kërkon mund e djersë, kërkon ca dhimbje që do sjellin shërim e shëndet të gjatë. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka detyrën morale të ndihmojë në shumë drejtime dhe forcimi i miqësisë shqiptaro-amerikane është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Mos harrojmë se Shqipëria ka në vetvete problemin e shërimit nga e keqja komuniste dhe se dyti shqiptarët në rajon kanë problemet e të drejtave civile po ashtu paralelisht mos harrojmë se shqiptarët në Ballkan janë kombi që duhet të shohin strategjikisht integrimin europian dhe se problemet që e shqetësojnë sot botën mund të bëhn edhe problem të kombit shqiptar e më gjerë nëse ne largojmë fokusin nga ajo çka kanë nevojë Shqiptarët. pra janë disa plane e disa pika ku duhet të mbajmë sytë e mendjes e të fokusojmë e shpenzojmë energjinë. Çdo shqiptar që votn ne SHBA duhet të bëjë detyrën morale të votës por gjithashtu duhet të kontaktojë përfaqësuesin e vet e t’i bëjë të ditur problemi e shqiptarëve ne Ballkan. Kjo do ta ndihmojë shumë më shumë çështjen shqiptare të përparojë. Pra çdo shqiptar në SHBA të konsiderojë veten si një ambasador i shqiptarizmit.
Dielli- Ju faleminderit për intervistën!
Merita B McCormack:Kënaqësia ishte imja! Faleminderit
(Intervista u botua ne Diellin e printuar, dhjetor 2014)
Ne Foto:Dega e Vatres ne Washington gjate nje veprimtarie te saj
ADRIATIK SPAHIU:JA SI I NGRITËM DEGËT E VATRËS NË FLORIDA
Bisedë me kryetarin e degës së Vatrës në Jacksonville, z. Adriatik Spahiu/
Dielli- Keni përfunduar ngritjen e degës më të re të Vatrës në Tampa, ku kontributi juaj dhe i vatraneve te tjere ne Jacksonville ishte i ndjeshem. A mund t’i përshkruani rrethanat se si lindi ideja për ta pasur një degë të Vatrës në Tampa dhe cilët ishin inisiatorët.
Z. Adriatik Spahiu-Ju falenderoj për mundësinë që po më krijoni për këtë intervistë në këtë fundviti. Festimi i 101 vjetorit panvarsisë dhe 1 vjetorit të krijimit të degës vatra në Jacksonville celi mundësitë e reja organizuse për krijimin e degëve në Orlando dhe në Tampa. Mënyra e organizimit e mikpritjes dhe e bashkpunimit me miqtë dhe të ftuarit, ku për herë të parë në këtë aktivitet madhështor mernin pjesë dhe Ambasadori i Shqipërisë në SH.B.A z Gilbert Galanxhi kryetari i Vatrës Dr .Gjon Bucaj dhe kryetari i degës së Fort Lauderdale z. Kolec Ndoja. Inisiatorët e krijimit të degës në Tampa ishin zotërinjët Isuf Spahiaj ,Sali Mustali, Tasim Ruka Murat Halilaj, Zamira Rubejka, Iva Nallbani etj
Dielli- Cila është përbërja e degës. Kush është anëtarësuar, moshat, arsimimi, krahinat nga vijnë? Kush u zgjodh në struktuarat drejtuese?
A. Spahiu- Dega e shoqatës Vatra në Tampa u krijua me datën 10 dhjetor me 38 antarë të moshave të ndryshme të krahinave të ndryshme me shkallë arsimi të ndryshme. Në strukturat drejtuese u zgjodhën z.Tasim Ruko- Kryetar, z. Isuf Spahiaj- nënkryetar, zj. Zamira Rubjeka- sekretare, zj Iva Nallbani- financjere si dhe disa antarë të bordit drejtues.
Dielli- Ju jeni inisiator edhe për ngritjen e degëve të Vatrës në Orlando, madje edhe në Hartford në shtetin CT? Cili është motivi, që ju bën kaq energjik në përhapjen e frymës kombëtare të Vatrës dhe ngritjen e degeve te saj?
A. Spahiu-Vetë emri i Vatrës dhe dëshira për bashkim kombëtar si një pasardhës i një familje fisnike me tradita patriotike në zonën e Dëshnicës, janë motivet që më nxisin në veprimtarinë time.
Dielli- A mund ta përshkruani gjendjen e degës tuaj në Jacksonville? Cilat janë hapat e rritjes së saj?Cilët janë aktivitetet më kulmore? Sa e pranishme është dega e Vatrës së Jacksonville në jetën e shqiptarëve të atjeshëm, në gëzimet dhe në hidhërimet e tyre? Sa e pranishme eshte Vatra ne institucionet amerikane atje, po bashkepunimi me komunitetin?
A.Spahiu -Sot dega e Vatrës në Jacksonville ka 100 antarë dhe vazhdojmë të kemi rritje me antarësime të reja. Suksesi është puna e madhe që ne bëjmë si ekip,bordi drejtus po ashtu dhe antarët në tërësi, të cilët janë shumë aktivë. Aktivitetet e degës tonë kanë qenë të shumta në të gjitha drejtimet. Kemi festuar ditën e pavarsisë dhe përvjetorin e krijimit të degës, festën e pavarsisë së Kosovës, festën e nënave, përvjetorin e lindjes të poetit kombëtar, rilindasit të madh, Naim Frashërit, festojmë festat e Vitit të ri. Kemi ndihmuar në raste të ndryshme si familjet vatrane dhe komunitetin me ndihma financiare dhe kemi marrë pjesë në gëzime dhe hidhërime të shqiptarëve . Kemi bashkpunuar dhe kemi bërë takime si me degën në Fort Lauderdale me kryetar z. Kolec Ndoja si dhe me degën e Orlandos. Bashkpunimi i degës tonë me kryesinë e Vatrës dhe vleresimi që na është bërë nga kryetari i Vatrës,dr. Gjon Bucaj, duke marë pjesë disa herë në aktivitetet tona, ka qenë sukses i degës së Jecksonville. Dega jonë ka marrë pjesë aktive si në Kuvendet e Vatrës me delegatët e saj, po dhe në takimet e tjera, që ka organizuar Vatra si në takimin me presidentin Bujar Nishani, në takimin me konsullin e Kosovës, si dhe takimet ne shtëpinë e Vatrës në Nju Jork etj. Jemi në kontakte me institucionet dhe po punojmë për të bashkpunuar .
Dielli- Vatra ka dhe degë në shtete të tjerë, por jo të gjitha kanë këtë ritëm rritjeje të anëtarësimeve, që ka në Florida. Ku është shkaku i suksesit tuaj?
A. Spahiu-Bashkpunimi, përkushtimi, këmbëngulja si dhe puna me njerëzit faktorë si domosdoshmëri suksesi. Ekipi ynë fatmirsisht funksion kolektivisht.
Dielli: Po ashtu ju keni hapur për të parën herë shkollën shqipe në Jacksonville. Si ka ecur ajo dhe a ka të ardhme?
A. Spahiu-Shkolla që ne kemi hapur vazhdon me kontributin e mësuesve që punojnë falas vlerësoj dhe falenderoj punën dhe kontributin që japin dhe në mënyrë të vecantë dua të falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në hapjen e kësaj shkolle dhe ndihmën me tekstet që na dhuroi konsullata e Kosovës.
Dielli- A mund t’ua kujtosh lexuesve të Diellit, takimin e parë me vatranët, zotimi për të ngritur një degë vatre në Jacksonville dhe c’ndodhi pas kësaj?
A. Spahiu- Z. Editor ju jeni personi që unë kam kontaktuar nëpërmjet telefonit dhe ju kam shprehur dëshirën si një familje e lidhur me Vatrën, pasi gjyshi im Asllan Maksut Tolari, ka qenë një nga krijusit dhe i zgjedhur në bordin drejtues të degës nr 19 në vitin 1912 në New Hampshire. Mora pjesë familjarisht në aktivitetin e Vatrës me rastin e 100 vjetorit.Vlerësoj shumë respektin dhe mundësinë që më dhatë për të bërë një përshëndetje dhe ju premtova se do punoja për të hapur dhe një degë të Vatrës në Jacksonville Florida. Në bashkpunim me gjithë antarët e tjerë që morën pjesë u bë realitet me dt 18 Nëndor 2012. Do ngelet një kujtim i bukur dhe i pa haruar për familjen time takimi me të gjithë pjesmarsit si dhe personalitetet dhe figurat e nderuara që ishin në këtë takim
Dielli- Cili është mesazhi i kryetarit të vatranëve në Florida në prag të festës së vitit të ri?
A. Spahiu-Vatra sic ka emrin, shenjtorët dhe patriotët, që e krijuan ka dhe pasardhësit që kanë ruajtur vlerat dhe historikun. Vlerësimi i saj është histori suksesi për bashkim kombëtar. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen!
Zoti e bekoftë Vatrën dhe vatranët! Mbarësi për të gjithë!Gëzuar Krishtlindjet! Gëzuar Vitin e Ri 2015!( Intervista u botua ne Diellin e printuar te fundvitit, 30 Dhjetor 2014)
AMERIKANËT NUK JANË PUSHTUESIT, POR ÇLIRIMTARËT TANË
Intervistë e fundvitit me Z. Alfons Grishaj, Kryetar i Degës së Vatrës Michigan*/
Pyetje-Po lemë pas një vit të mbushur me plot ngjarje, çfarë do veçonte kryetari i Degës së Vatrës Michigan nga veprimtaria e kësaj dege?
Z. Alfons Grishaj: Çdo vit ka ngjarjet dhe ngarkesën e vet në kohë dhe hapësirë, si tek individët e angazhuar, organizatat,partitë apo edhe tek njerëzit e thjeshtë.
Tek Institucioni i Vatrës, çdo anëtar i saj,ndiheti privilegjuar që ka një vend ku të shprehë përgjegjësitë personale në funksion të një veprimtarie që i ka rrënjët në histori dhe që shtylla kryesore ka avancimin e çështjes kombëtare dhe kultivimin e identitetit nacional në diasporë. Ky mision e bën çdo vatran të ndihet i obliguar që krahas vëmendjes së nevojshme për jetën e përditshme familjare e profesionale, të jetë po aq i përditësuar me çështjen kombëtare dhe raportet e saj ndërkombëtare, ç’ka sigurisht vjen nga vetë historia e shkëlqyer që ka Vatra, nga një traditë që është përcjellur në breza. Kësaj tradite përpiqet t’i qendrojë rigorozisht dhe dega jonë.
Pas takimit vjetor në Michigan, aktiviteti më i rëndësishëm ka qenë ai në NY, ku dega jonë erdhi me piksynime të qarta për ndryshimin e disa neneve në Programin dhe Statutin e Vatrës. Sigurisht qendra dhe Z.Buçaj, na vlerësoi duke na dhënë mundësinë që një nga anetarët tonë të respektuar,Nevruz Nazarko, të drejtonte punimet e kuvendit.
Pyetje -Sa e pranishme është dega e Vatrës së Michiganit në jetën e komunitetit shqiptar në Michigan?
Z. Grishaj: Ne si degë jemi munduar të jemi sa më pranë komunitetit shqiptar,halleve dhe problemeve të tyre.Vatra është i vetmi organizëm që merret me përkrahjen e bashkatdhetarëve që kanë mangësi me emigracionin. Kemi ndihmuar dhe ndjekur me dhimbje problemet e tyre. Për këtë falenderojmë Konsullin e Nderit, Z.Bardha, i cili përmes zyrës juridike të Kongresmenit Peters,tani Senator i USA,mik i shqiptarëve, ka punuar me përkushtim në këtë drejtim.Sigurisht, Vatra tani, ka sekretarin e saj Mond Rakaj, që është përfaqësuesi jonë pranë kësaj zyre. Pothuajse në të gjitha evenimentet që zhvillohen në këtë komunitet, dega jonë është e pranishme. Më të rëndësishmet e këtyre evenimenteve janë dy:Mbrëmja e Letërsisë Shqipe që udhëhiqet nga Revista “Kuvendi” dhe botuesi i saj Pjetër Jaku, dhe festa e Pavarësisë, që udhëhiqet nga Kisha e Shën Palit, me Don Fran Kola në krye. Këtu Vatra është e tërësisht pranishme.
Pyetje-Po në politikën dhe institucionet amerikane, a është faktor dega e Vatrës? Çfarë do veçoni këtë vit që po lëmë pas? Takime,suporte?
Z. Grishaj: Ne i jemi mirënjohës Amerikës dy herë, së pari për moscoptimin e Shqipërisë dhe mëvetësisë së saj, dhe së dyti, për luftën në përkrahje të shqiptarëve për mëvetësinë e Dardanisë. Pa harruar mbështetjen e vazhdueshme që U.S.A. jep në dobi të zhvillimeve demokratike në dy shtetet shqiptare. Mirënjohja, tek ne shqiptarët është një virtyt obligues, që nuk mjaftohet vetëm me ndjeshmëri. Duke u ndjerë në borxh para Amerikës,ne si qytetarë të saj, duhet të punojmë pa kursim, që në momente të caktuara, të mbështesim ata personalitete të ndershme amerikane që punojnë sigurisht për interesat madhore të U.S.A. por që mbrojnë edhe interesat e popullit tonë dhe jo të bëjmë të kundërtën. Konkretisht është fjala për garën elektorale këtu në Michigan mes Senatorit vizionar Peters, mik i shquar i shqiptarëve, përballë kandidates Terry Lind Land,e cila nuk ishte kantidati i duhur për ne, fakt që u bë i njohur publikisht Av.Jozef Dedvukaj. Por në anën tjetër Vatra,Konsulli Bardha, Instititucionet fetare me liderët e tyre shpirtërore,Don Fran Kolaj e Dom Ndue Gjergji,shoqata Malësi e Madhe, e drejtuan komunitetin në kahun pozitiv, duke kontribuar në fitoren e Senatorit Peters, përfaqësues i popullit amerikan,por dhe përfaqësues i popullit shqiptar. Në vlerësim të kësaj, Senatori Peters, i kërkoi Z.Ekrem Bardha,ta festonim sëbashku fitoren, por dhe ditëlindjen e tij. Ishte një vlerësim i madh për ne.Për nder të Senatorit, Z. Bardha, shtroi një darkë në shtëpinë e Tij, me datën 14 Dhjetor 2014. Në këtë takim festiv të ngushtë merrnin pjesë nga Vatra, Alfons Grishaj,Kujtim Qafa, Mond Rakaj,Petrit Doda, i cili në mungesë të Don Fran Kolës, do të përfaqësonte dhe Kishën e Shën Palit, Donika Bardha,e cila do të ishte dhe zonja e këtij takimi, vëllezërit Gani dhe Ilir Bardha, Jozef Dedvukaj. Nga Kisha Zoja Pajtore, merrte pjesë Dom Ndue Gjergji si dhe biznesmeni Agim Lumani.
Dega e Vatrës Michigan, ka mbështetur kandidatë për pozicione të ndryshme në shtetine Michiganit, dhe do të ndihmojë edhe në të ardhmen me donacione të kosiderueshme, sa herë që kantidatët të jenë miq të shqiptarëve. Ne punojmë, dhe puna ështe ai barometër që tregon kohën.
Pyetje-Pse e anashkalove emrin Kosovë, dhe përmende Dardani ?
Z. Grishaj: Dardani është emër shqip. Kosovë është emër serb, më i vonë dhe i bie ndesh parimit të autoktonisë të shqiptarëve. Këtu, të gjithë duhet të bëjmë kujdes. Të parët politikanët e Prishtinës. Jo vetëm per emrin,por dhe për flamurin.Ne kemi një flamur, çdo shpikje tjetër, është djallëzore dhe e papranueshme.
Pyetje: -Si janë marrëdheniet e degës se Vatrës me komunitetet fetare?
Z. Grishaj: Me Teqen Bektashiane dhe Kishat, të shkëlqyera. Me Xhaminë e Imam Vehbisë, patriotit dhe besimtarit të madh, kanë qenë të shkëlqyera, por hë për hë, është një ngërç që na shqetëson dhe që shpresojmë se do të kapërcehet. Ne si Vatër, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington,jemi munduar me mish e me shpirt, që Institucionet fetare t’i afrojmë pas ftohjes së krijuar si rezultat i keqinterpretimit të një deklarimi, i cili në thelb shprehte një dhimbje atërore. Kur e thashë më lart se ne i jemi borxhlinj Amerikës, ne duhet ta ndjejmë detyrimin, dhe nuk do të sillemi si hipokritë, e aq më keq të mos distancohemi nga aktet terroriste që disa shqipfolës kanë tentuar kundër këtij vendi mik. Amerikanët nuk janë pushtuesit tanë siç ishin turqit, por janë çlirimtarët tanë. Fishta,prej dhimbjes, duke parë laramanet dhe sahanlëpirësit shqipfolës, u shpreh: “Le ta marrë vesh gjithë bota mbarë/ se prej sodit unë nuk jam ma shqiptar!” E kush ishte shqiptar më i madh se ai? Gjërat duhet të shikohen me qetësi e maturi dhe jo me ngut! Çdo të ndodhte sikur njerëzit besimtarët e krishterë,t’i merrnin në të njëjtën mënyrë sharjet që i bëhen nënës të përbotshme,Nënë Tereza, e cila i shërbeu botës së dhimbjes? Nëse do të prireshim nga një sjellje e tillë, kohezioni ynë vëllazëror do të merrte fund e pasojat do të ishin tragjike. Gjëra të tilla duhet t’i kalojmë me mençuri dhe dashuri. Në fund të fundit, shqiptar meriton të quhet ai që di të sillet vëllazërisht me shqiptarin pikërisht në çastet e gjërave delikate.
Pyetje: -Sa familjare është Vatra me antarët e saj?
Z. Grishaj: Siç theksova dhe më lart,ne jemi munduar t’u qendrojmë pranë të gjithë bashkatdhetarëve sa herëu është dashur këshilla dhe ndihma. Se sa ia kemi arritur?
Ka dhe hatër mbetje,por duhet të jetë e qartë për këdo, se ky është një bashkim vullnetar për t’i shërbyer shoqërisë në emigracion dhe kombit në tërësi. Nëse dikush e shikon autoritetin tone si çështje posti,atëherë ai është dritëshkurtër dhe dashakeq.Veprimtarinë tonë si degë e mbajmëme financat që ua heqim familjeve tona. Sikur pranë nesh të mos ishin disa persona me vullnet të mirë si Ekrem Bardha,Don Fran Kola,Mond Rakaj,Petrit Doda,Kujtim Qafa a ndonjë tjetër, ne do ta kishim më të vështirë punën tonë. Ka dhe kritika.Ato janë normale dhe i pranojmë,kur kanë në thelb propozime konkrete në dobi të veprimtarisë sonë, por nuk mund të pranojmë asgjë kur vijnë nga dashakeqësia e segmenteve të caktuara,apo ngandonjë lajthitje e rastit. Të fundit, i injorojmë.
Pyetje-Jeni i kënaqur me antarësinë dhe ç’projekte keni për të ardhmen?
Z. Grishaj: Të them të drejtën dhe pse kemi mbi 70 anëtarë nuk jemi të kënaqur. Objektivi ynë është dyfishimi i anëtarësisë çka besojmë se do ta realizojmë,por nga ana tjetër jam i kënaqur me disa antarë të rinj, me mjaft emër në jetën amerikane, kudo të veçoja, Z. Paul Berisha, një nga kampionët e Amerikës në karate.Kujdes duhet të bëjmë me kuotizacionin, të cilin duhet ta kolektojmë në masën 100%.
Gjithashtu, kemi projekte për ngritjen e tri degëve të reja në Viskonsin,Atlanta dhe Teksas. Janari do na gjejë me më shumë energji, por me një kujdes, siç thonë mirditorët: “Ma mirë djepin bosh se dreqin mrenë!”Sigurisht, Vatra është dhe duhet të jetë e të gjithëve,por duke zbatuar Statutin dhe Programin. Maratona për të bërë sa më tepër degë dhe antarë kundër normave statutore do ta dëmtonte Vatrën, e cila në thelb është një organizim elitar. Dega e Vatrës Michigan do të zbatojë vetëm Statutin dhe Programin. Ne do t’i realizojmë objektivat e mësipërm,duke pasur dhe mirëkuptimin e qendres.
Pyetje -Jeni marrë aktivisht me politikë: Çfarë komentesh keni për gjendjen në Shqipëri nën qeverisjen e së majtës, ku portretet e Enver Hoxhës shfaqen në publik? Koment për fushatat e shembjeve të ndërtimeve pa leje, fushatës së vjeljes së dhunshme të faturave të energjisë, për taksat, për moszbatimin e vendimeve të gjykatave etj…
Z. Grishaj: Politika është një shkencë që merret me të gjitha problemet jetësore të shoqërisë. Politikë do të thotë sistemimi i vlerave në një konfiguracion të gjerë dhe zbatimi i tyre me një efikasitet largpamës. A ka politikanë Shqipëria dhe a bëjnë politikë ata? E kam thënë dhe më parë, ne nuk kemi pasur kurrë klasë politike apo traditë politike. E vetmja shkollë politike ka qenë“Shkolla e Partise!” Nga kjo shkollë kanë dalë njerëzit që udhëhoqën Shqipërinë në diktaturë. Politikanët e pas viteve 90 ishin njerëz të profesioneve të ndryshme që nuk e kishin haberin se çdo të thoshte politikë. Prandaj dhe është ky tranzicion i tejzgjatur.Vlerat e bashkëpunimit dhe respektit reciprok nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë vetëm në afera korruptive. Egoizmi është i pranishëm kudo. Shumica e pushtetmbajtësve mendojnë për vete dhe kurrë për interesat e shoqërisë. Aderencat e kohës së shkuar ende nuk janë shkulur. Partitë nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen, sepse, në rradhë të parë ato vetëm parti nuk janë. Kleptokracia po ja zë frymën shtetit dhe pauperizmi shpirtëror i tyre nuk përkon me luksin fallso që kanë ndërtuar për një kohë të shkurtër.
Diferenca e pagave është e tmerrshme,dhe faturat e pandershme vrasin qytetarët e ndershëm dhe puntorë. Papunësia është e lartë dhe kostoja e jetesës në rritje do ta shtojë edhe më tej varfërinë dhe diferencën mes shtresave. Vjelja me dhunë e faturave të energjisë pa asnjë masë zbutjeje është si taksa e gjakut, që turqit aplikonin mbi të krishterët. Nuk mbushen arkat e shtetit me taksa gjaku. Sigurisht,qytetarët duhet të mësojnë të zbatojnë ligjet, por qeveria duhet t’u krijojë kushtet e nevojshme për zhvillimin e një jete normale. Qeveria duhet që urgjentisht të hartojë politika konkrete për nxitjen e punësimit kryesisht në ata sektorë ku mund të operojnë investorë të fuqishëm të huaj.Mjerisht shoh që populli shqiptar do të kalojë një dimër të vështirë…shumë të vështirë.
Është e dhimbshme që në shekullin 21 të ringjallet kulti i Djallit dhe kjo i bën parashikimet akoma më të zymta. Le të kujtojmë pak kontekstin e këshillës që dha ambasadori Arvizu: “Mos e humbni Gjelin e artë”!
Korrupsioni politik ka nxjerrë jashtë funksionit të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Politika ka nënshtruar drejtësinë dhe mosndëshkueshmëria e krimeve të zyrtarëve të lartë shihet tashmë pothuajse si një fenomen i përligjshëm, edhe pse disa çështje kanë qenë flagrante dhe të turpshme para syve të opinionit ndërkombëtar, për më tepër kur “specialistët”shqiptarë shpërfillnin edhe rezultatet e ekspertëve të FBI në gjykimin shkencor të provave. Këlyshët e korrupsionit kanë kohë që janë bërë ujq dhe ata që i shpëtuan ndëshkimit, pasi gëlltitën një të katërtën e koalicionit të shkuar, nuk po ngopen as me gjysmën e tryezëssë sotme.Çka ka mbetur pa u shqyer është vetëm njëri-tjetri. E kjo të kujton vargjet lapidare të Sadiut: “Këlyshët e ujkut dikush i ushqeu/ dhe kur u rritën, e hëngrën atë”!
Shpata e qeverisë pret nga e djathta,duke harruar që të djathtët nesër në emër të precedentit do të sillen njësoj ashpër, të nxitur aq më tepër nga përvoja e hidhur për shkak të shartesave kontaminuese.
Lojën e pandershme të politikës dhe paaftësinë e saj i paguan gjithnjë elektorati,i cili vuan për nevojat minimale të jetesës, shpesh herë i pavullnetshëm në votë dhe tashmë edhe i friksuaredhe pse liria e shprehjes është e sanksionuar në kushtetutë. Në fakt liritë në Shqipëri janë të kushtëzuara me heshtje dhe ky është një problem i madh për demokracinë.Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se në ç’ gjendje është demokracia në Shqipëri.
Sot është koha për të korrigjuar të gjithë sistemin në Shqipëri. Republika parlamentare ka dështuar. Shteti shqiptar në të vërtetë është një shtet kryeministror i tipit musolinian. Ka ardhur koha që zgjidhja të shihet tek një republikë presidenciale, sipas modelit amerikan që do të garantonte ndarjen e pushteteve, funksionimin e drejtësisë dhe përparimin gjithanshëm të shoqërisë.
Pyetje: -Po për opozitën, ç’ mendim keni për zhvillimet e këtij viti?
Z. Grishaj: Opozita nuk është duke bërë oponencë. Opozitarizmi nuk bëhet nëpër zyrate selisë së partisë, por atje në parlament.
PD dhe politika në përgjithësi duhet të përshtatet me rregullat e lojës dhe filozofinë e politikëbërjes jo vetem si shkencë, por dhe si praktikë. Pluralizmi ka lindur nga filozofia, me sens të qartë si rrugë dialogu.Lëvizja e fundit në PD, për freskimin e kryesisë, duhet vlerësuar. Promovimi i një elite të re ka qenë diçka e kërkuar me kohë si garanci për mos përsëritjen e gabimeve të së shkuarës. Por nuk duhet të mungojë respekti ndaj figurave historike. Ata gëzojnë përvojën që brezi i ri nuk e ka, dhe një pjesë e mirë e tyre mund të kontribuojnë ende me energjitë që disponojnë.
Çfarë është më e rëndësishme, PD duhet të dalë në terren derë më derë për të spjeguar alternativën e vet, veçse në rradhë të parë duhet tëidentifikojë një për një gabimet e qeverisjes së vet dhe të kërkojë ndjesë për to. Veçanërisht ndjesëduhet t’u kërkojë antarëve të vet të lënduar më parë nga mospërfillja dhe injorimi. PD duhet të ngjeshë gjithashtu raportet me aleatet e vet tëdjathtë. Me antarësinë që ka dhe duke rritur moralin e rënë, PD mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme një fitore të ngushtë,por të sigurte.Nëse nuk punohet në këtë mënyrë shanset janë të pakta. Megalomania dhe vetkënaqesia nuk është virtyt i të zgjuarve por i atyreve që mëngjezin e hanë në darkë, dhe darkën në të gdhirë.
Pyetje- Keni një koment për Ligjin e Lustracionit dhe hapjen e dosjeve,që janë rishfaqur si inisiativa të përsëritura në politikën shqiptare?
Z. Grishaj: Ligjin për hapjen e dosjeve e ka kërkuar me insistim PD e Shkodrës,që në momentet e para të demokracisë, dhe nuk është meritë e të vonuarve që kërcejnë si pupagjela tani. Ta dijë mirë i gjithë populli shqiptar kjo është një lojë e turpshme. E gjithë kjo zhurmë bëhet, për të larguar vëmendjen prej më të rëndësishmes, dënimin e komunizmit në Shqipëri. Kush i bëri dosjet në Shqipëri? Përgjigja do të jetë: “O, nuk e di ti,oficerat famëkeq të sigurimit!” Deri këtu jam dakord, po kush i komandonte këta mjeranë, që sot do t’i bëjnë mish për top?A ishte aparati i Komitetit Qendror projektuesi dhe inicuesi i këtij turpi? Po! Atëherë pse nuk dënohen arkitektet e krimit dhe jo dosjepunuesit?Kur u dogj Komiteti i PP-së, në Shkodër,me 2 Prill 1991, një miku im MB më solli rreth treqind faqe dosje të përpiluara dhe të dirigjuara nga ai Komitet. Sot e kësaj dite kam disa dosje dhe një dosje interesante ku shkruhet Top Sekret. Veç t’i lexoje se çfarë trillimesh të turpshme. Ju mendoni se të kujt janë ato dosje? Ato dosje janë të njerëzve të thjeshtë dhe intelektualëve të rinj, disa prej të cilëve jetojnë në Michigan e New York. Duhen hapur më pare ato dosje të Byrosë Politike apo e Komitetit Qendror, prej nga kanë dalë urdhrat për të përndjekur, internuar, burgosur e pushkatuar të gjithë ata njerëz të pafajshëm që konsideroheshin si armiq nga pushteti komunist. Tek dosjet e bashkëpuntorëve, do të gjesh zanatçinj që nga berberët tek fotografët, nga shoferët tek magazinierët, nga puntorët e krahut tek brigadierët, nga mësuesit tek doktorët, nga civilët tek ushtarakët. Nëna që padisnin fëmijën, vëllau vëllanë, si në rastin e mikut tim FSH, që vëllau e futi në burg (Sikur F do të arratisej)për t’i kapur gruan etj., etj. Berisha ka lexuar shumë dosje me vëmendje, dhe njëherë i tronditur më pat thënë: “sikur të hapen këto dosje, do të prishen me qindra familje dhe do të ketë hakmarrje të përgjakshme”. A kishte të drejtë Berisha?Po! Ai kishte dhe ka të drejtë për dosjet e bashkëpuntorëve, por ai do të kishte mbetur përjetësisht në historinë e Shqipërisë nëse gjatë dy dekadave e gjysëm do të kishte realizuar procesin e ndëshkimit ligjor të autorëve të krimeve të komunizmit.Unë mendoj që hapja e dosjeve pa ndëshkim të krimit është një proces që kërkon të mbyllë me turp një kapitull të turpshëm të histories sonë.Lustracioni duhet të përfshijë sigurisht politikanët dhe njerëzit që kërkojnë pushtet, por edhe të gjithë ata që bëjnë dhe kanë bërë jetë publike në këto njëzet e pesë vjet pluralizëm, qofshin këta të zgjedhur apo të emëruar, gazetarë apo historianë, aktivistë të shoqërisë civile apo drejtues subjektesh elektorale deri në rang lokal.Lustracioni duhet t’i shërbejë kryekëput katarsës së shoqërisë.
Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë të gjinden dosjet e pushtetarëve të kuq,sepse ata kanë pasur në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për t’i zhdukur gjurmët e provave inkriminuese.Do dalin disa dosje fatkeqësh,si për shembull: “Pelikani”, “Karramanja”, “Doku”, “Dezinjatorja”, “Plepi” apo këtu në emigracion si: “Bilbili”, “Fotografi”, “Korrieri”, “Studenti”, etj., etj. Ndonjëri që fshihet ende pas këtyre pseudenimeve nuk rri rehat edhe këtu në emigracion, edhe pse sipas ligjeve të shtetit amerikan, njerëzit që kanë kryer krime politike në vendet e tyre nuk mund të jenë shtetas të U.S.A. Por, unë nuk dua të merrem me të përdorurit, por me manipulatorët. Kërkoj një gjë që deri më sot nuk po e përmend askush: Të denoncohen hartuesit e Listave të Vdekjes, të cilatnë rast lufte do të ekzekutoheshin nga skuadrat e pushkatimit. Këto lista u botuan tek Gazeta “Pishtari”, dhe në to ishin dhe emrat e nënës time të dashur dhe vëllait tim Eduard Grishaj.
Qindra priftërinj, hoxhallarë, intelektualë,fëmijë, gra e nëna nacionaliste,puntorë u burgosen ,u pushkatuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes. A mund ta marrë përsipër drejtësinë historike Rilindja e Kuqe me portretet e Enver Hoxhës në tubime? Ata t’u bien baballarëve të tyre? Mos o Zot! Ambasdori i OSCE,Gert Ahrens, më pat pyetur nëse do tëmund të kishte ndonjë ditë reaksion nga të persekutuarit, me një fjalë, hakmarrje.Unë iu pergjigja se nëse dikush merr një plagë dhe nuk luhet me atë plagë, ajo shërohet. Nëse e ngacmon atë përsëri ajo pikon gjak! Nuk përjashtohet ajo mundësi! Në Bibël shkruhet, “sy për sy e dhemb për dhemb!
-“E kuptoj !”,m’u përgjigj ai.
Po e mbyll me thënien e Albert Camus: “In the midst of winter,I finally learned that there was in me an invincible summer.”
– Mesazhi juaj në pragun e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve…
Z. Grishaj: Me shëndet Krishtlindjet dhe vit të mbarë për gjithë popullin shqiptar!
-Ju faleminderit për intervistën!
Z. Grishaj: Edhe ju falenderoj!(Intervistoi:Dalip Greca. U publikua ne Diellin e Printuar, Dhjetor 2014)
* Ne Foto: Kryetari i deges se Vatres ne michigan, z. Alfons Grishaj me Senatorin Gary Peters
- « Previous Page
- 1
- …
- 97
- 98
- 99
- 100
- 101
- …
- 135
- Next Page »