-Intervistë e Harilla Koçi me zotin Darling Vlora/
Darling Vlora, është pinjoll i familjes Vlora, pasardhës i Ismail Qemal Vlorës. Prej vitit 1998, ai jeton e punon në veri të Italisë, por lidhjet me vendin e vet nuk i ka ndërprerë asnjëherë. Udhëton shpesh në Shqipëri dhe mban kontakte të rregullta me emigrantët shqiptarë në Lombardi e më gjerë. Në një intervistë për ATSH-në ai tregon se ka lindur në Tiranë, më 1967 dhe është djalë i Ismail Vlorës (1920-1990) dhe Esma Hurshitit (1926-2012). I ati ishte djali i madh i Qamil bej Vlorës (1895-1950) dhe Ylvije Dyrmishit (1900-1972), ndërkohë që Qamil bej Vlora ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemal bej Vlorës. “Lindur më 1920 (një vit pas vdekjes së Ismail beut) im at pati fatin të trashëgonte emrin e nderuar të gjyshit të tij”, tregon mes të tjerash Darlingu.
Darling Vlora i ka kryer studimet e mesme në Tiranë, por për motive politike nuk mundi dot të vazhdonte studimet e larta. “Duket çudi por fakti është që djali i Ismail beut (pra gjyshi im), u dënua me burgim gjatë viteve të para të regjimit diktatorial, të njëjtin fat, edhe pse për pak kohë, pësoi edhe babai im dhe kështu, në forma nga më të ndryshmet, lufta e klasave vazhdoi edhe tek ne”, tregon zoti Vlora, ndërkohë që shton se, “kam marrë pjesë që në demostratat e para kundër regjimit totalitar, në mitingjet dhe në demostratën e 20 shkurtit 1991, ku u rrëzua përmendorja e diktatorit Hoxha”. Edhe pse kishte dëshirën që të jetonte në Shqipëri, më 1998, pas 6 viteve nënpunës pranë Komitetit Shtetëror të ish-të Përndjekurve Politikë (ku gjatë kësaj periudhe ndoqi edhe Fakultetin Juridik), u largua nga Shqipëria bashkë me gruan dhe djalin e posalindur.
Në intervistën e tij ai bën një përshkrim të kontributit të familjes Vlora në historinë e Shqipërisë, ndërkohë që vlerëson vendimin e Qeverisë për kthimin në Atdhe të eshtrave të Eqrem Bej Vlorës.
1. Ditë më parë, ju ishit i pranishëm në ceremonitë zyrtare të rivarrimit të eshtrave të Eqerem Bej Vlorës. Në këtë rast, prania juaj, lidhej me atë në nderim të një personaliteti të letrave shqipe, të historisë sonë, apo të një prej paraardhësve të familjes Vlora, pinjoll i së cilës jeni?
– Prania ime në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të kthimit të eshtrave në atdhe të Eqrem bej Vlorës padyshim që, në radhë të parë, lidhet me faktin e përkatësisë familjare. Unë e kam ndjekur nga afër të gjithë procesin e përgatitjes së kthimit të eshtrave, deri në realizimin e tij dhe isha prezent në Shqipëri për të nderuar kujtimin e një pinjolli të shquar të familjes Vlora, ku kam nderin të bëj pjesë, por njëkohësisht edhe për të nderuar kujtimin e një figure të shquar të historisë sonë, në shumë aspekte. Eqrem bej Vlora ka qenë dhe do mbetet jo vetëm një personalitet i shquar i letrave shqiptare por një patriot, një njeri që atdheun e tij e ka dashur aq shumë.
2. Në këndvështrimin tuaj, si do ta vlerësonit ju Eqerem bej Vlorën dhe faktin që, 50 vjet pas vdekjes eshtrat e tij u sollën dhe u rivarrosën në Shqipëri me një ceremoni shtetërore?
-Eqrem bej Vlora, me dritëhije që dikush ia atribuon e dikush jo, është një figurë e shquar e historisë sonë kombëtare, me një kontribut të jashtëzakonshëm dhe mjaft të gjerë. Që i ri spikati në fushën e diplomacisë dhe letrave ku, sidomos në këtë të fundit, trashëgimia që na ka lënë e që akoma nuk është e njohur krejtësisht, është mjaft e madhe.
Fakti që eshtrat e tij u sollën në atdhe 50 vjet pas ndarjes nga jeta, nuk përbën ndonjë veçanti sa përbën fakti që ky veprim u realizua me një vendim qeveritar. Ka patur reagime sikur nëpërmjet këtij vendimi indirekt është «rehabilituar» figura e Eqrem bej Vlorës, gjë që është krejt absurde, pasi në radhë të parë, nuk ka çfarë të rehabilitohet ndërsa nga ana tjetër vetë vendimi i Këshillit të Ministrave flet mjaft qartë duke theksuar se ky vendim është marrë për vlerësimin ndaj kontributit të Eqrem bej Vlorës në letrat shqiptare.
Unë mendoj se me këtë veprim, pra me vendimin që Qeveria aktuale morri për të kthyer në atdhe eshtrat e Eqrem bej Vlorës, tregoj një pjekuri politike, duke përcaktuar fare qartë në vendimin e saj edhe motivin, pra duke bërë kështu një diferencim mbi një kontribut të pakundërshtueshëm e mbi atë ç’ka akoma, për disa, mund të jetë argument i tepërt e i kotë polemike.
3. Historia sjell edhe një fakt: kundërshtitë që kanë pasur mes tyre, në momente të caktuara, Ismail Qemal bej Vlora dhe Eqerem bej Vlora. Cili do të ishte komenti juaj për këtë?
-Midis vlorajve ka patur edhe kundërshtime dhe kjo është mëse normale. Megjithatë kjo nuk do të thotë që midis tyre ka patur armiqësi. Ky fenomen brenda vlorajve konfirmon thjesht faktin se mendimi i kundërt, ose më mirë të themi mosbashkëpunimi, është një e drejtë absolute e kujtdo. Nuk kishte pse të ndodhte që, duke qenë pinjollë të së njëjtës familje, ata duhet patjetër t’i mendonin gjërat njësoj. Kush mund të kenë qenë pasojat e këtij mosbashkëpunimi apo rivaliteti, kjo pastaj është diçka tjetër.
4.Si pinjoll i nderuar i familjes Vlora, cili është mendimi juaj: a është vlerësuar siç duhet dhe a është bërë mjaftueshëm për të nderuar figurën dhe rolin e Ismail Qemal bej Vlorës në historinë e Shqipërisë?
-Duke njohur mjaft mirë kontributin e vlorajve në historinë e Shqipërisë, sepse këtë njohje ma lehtëson shumë edhe fakti i të qenurit pinjoll i familjes, mund të them se roli i Ismail Qemal bej Vlorës në historiografinë tonë nuk e ka marrë akoma, por po e merr, vlerësimin e duhur, e po ashtu edhe vlorajt e tjerë.
Kjo padyshim lidhet shumë me faktin se Shqipëria, në 100 vjet shtet, nuk ka patur aspak një jetë të qetë politiko-shoqërore, por një jetë mbushur me ndryshime rrënjësore e periudha krejt të kundërta ideologjikisht. Nga një periudhë e vështirë e viteve të para të pavarësisë u kalua në Luftën e Irë Botërore; nga një mbretëri 10-vjeçare, në një pushtim të huaj; nga një Luftë e IItë Botërore në instalimin e një regjimi totalitar, e më pas një periudhë postkomuniste, që herë-herë ngjan me një tranzicion të pafund. Pra, në një jetesë të tillë, është e vështirë të mendohet për pozicionim figurash dhe rolesh historike. Megjithatë edhe pse figura e Ismail Qemalit gjatë gjithë këtyre periudhave asnjëherë nuk është luftuar nuk do të thotë që është vlerësuar. Megjithëse, kohët e fundit, sidomos që nga pragu i 100-vjetorit, figura e tij ka filluar të marrë pak nga pak atë ç’ka i takon. Në këtë drejtim më pëlqen të shpreh falenderimet e mia për vendimin që morri qeveria aktuale, që në ditët e para të saj, duke vendosur portretin e Ismail Qemal bej Vlorës në institucionet shtetërore. Prania e portreteve, monumenteve, data përkujtimore, etj., bën që figurat historike t’i kemi gjithmonë pranë, të reflektojmë, të mësojmë prej tyre e, mbi të gjitha, të mësohemi t’i respektojmë e nderojmë kujtimin dhe veprën.
5. Në festimet për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, a u vlerësua me dimensionet e nevojshme figura e Plakut të Pavarësisë?
-Një veprim i përkryer është gjithmonë vështirë të realizohet. Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë ndoshta u bë më pak nga çduhej bërë, ndoshta mund të bëhej më shumë, por ja që e përkryera nuk ekziston. Megjithatë mendoj se e rëndësishme është që roli i Ismail Qemal bej Vlorës, më tepër se u vlerësua apo jo, filloi të rikthehej në dimensionin e tij. Një histori e njohur mirë është dritë për këdo. Dhe kjo dritë filloi të përhapej nëpërmjet botimeve pafund, nga të cilët unë do veçoja punimin e Ilir Ikonomit: “Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”; nga bustet që u vendosën në Kaninë, Vlorë, Tiranë, Durrës, etj.; nga emisionet e ndryshme televizive, ku me mjaft interes ishte edhe dokumentari «Ismail Qemali që nuk kemi njohur», i gazetarit Roland Qafoku; nga ekspozitat, siç ishte ajo e piktorit Arben Morina i cili, në ambientet e Kryeministrisë, paraqiti portretet e të gjithë firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë; artisti Eltjon Valle realizoi një portret të Ismail Qemal bej Vlorës, portret i cili u përzgjodh nga gazeta e njohur “Dielli”» e shqiptarëve të New Yorkut për t’u vendosur në kopertinën e saj, pikërisht në muajin nëntor 2012; Nga ana tjetër, në një këndvështrim familjar, ne pasardhësit e Plakut të Pavarësisë, ishim të ftuar në festimet zyrtare, prezencë që, deri në atë kohë, na kishte munguar thuajse krejtësisht.
6. Në një këndvështrim tjetër, cili është vendi që zë në histori familja Vlora?
-Familja Vlora në historinë e Shqipërisë zë një vend mjaft të rëndësishëm.
Historia e saj është e do jetë pjesë e pandarë e Historisë së Shqipërisë duke filluar, të paktën, që nga fillim shekulli XIX, kur një nga më të shquarit pinjollë të saj, Ismail bej Vlora, njëkohësisht ndër të parët shqiptarë të atij shekulli, kundërvënien ndaj Perandorisë Osmane do ta paguante me kokën e tij, më 1829. Më pas kontributi i vlorajve vazhdon me rolin e tyre në kryengritjet kundër Perandorisë, sidomos në kryengritjen kundër reformave të tanzimatit (1847), ku spikatën Mahmud bej Vlora dhe Selim pashë Vlora, për të vazhduar në Lidhjen e Prizrenit (1878), me Mustafa pashë Vlorën, anëtar i Kryesisë së Lidhjes; në periudhën e Pavarësisë, ku, përveç Ismail Qemal bej Vlorës, spikatën Syrja bej Vlora, Eqrem bej Vlora, Et’hem bej Vlora, Qazim bej Vlora, etj.; në vitet e para të konsolidimit të shtetit shqiptar, ku shquhen Nuredin bej Vlora, Qamil bej Vlora, etj. Njëkohësisht vlorajt, pa përjashtim dhe në bllok, mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç është edhe rasti i Qamil bej Vlorës (djalë i Ismail Qemalit), midis vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948. Pra familja Vlora zë një vend të rëndësishëm për kontributin por edhe për prezencën e saj në një kohë relativisht të gjatë në shërbim të interesave të atdheut
100 VJET PAVARESI-FESTA NIS ME MEDVEGJEN SHQIPTARE
Medvegjasit mërgimtarë në kantonin Valis, në qytezën e bukur, Fully, u organizuan, si është më së miri, për të kremtuar, një përvjetor të veçantë, 100 vjetorin e shtetit shqiptarë. Për tre dekada me radhë, sa ka edhe jetë gjatësi kjo shoqatë humanitare, ka festuar 28 nëntorin dhe festa tjera, por kësaj radhe, për këshillin organizativ ishte më e veçantë dhe ishin mbledhur e tërë kryesia e kësaj shoqate me muaj të tërë, për të bashkëpunuar e për të dalur si është më së miri. Nuk mundemi ta fshehim dëshirën e madhe të medvegjasëve, që kishin, se mos po bashkohen edhe këto troje në Kosovë dhe Kosova në Shqipëri, për këtë 100 vjetorë, por kjo nuk ndodhi, e medvegjasit, presin, që një ditë, bashkimi të jetë në Bashkimin Europian. Fully, që njihet si Medvegja e dytë, ishte e mbushur me përplot bashkatdhetarë, të rinjë e të reja, mbanin nëpër vetura flamurin kombëtarë, në T-shirt dhe iu kishin drejtuar, sallës, që të zënë vend, sepse ishte frika e tyre, se mos rastësisht, nuk do të ketë vend, për të përcjellur këtë ngjarje. Për muaj të tërë, ishte diskutuar, se kush do të jetë mysafirë nderi dhe ëndrra e medvegjasëve, iu plotësua, se në mesin e tyre, ishte stërnipi i Babait të Kombit Ismail Qemajlit, shkëlqesia e tij z.Darling Ismail Vlora, një burrë shumë modest, elegant dhe historian i mirëfilltë. Së bashku me stërnipin e Ismail Qemajlit, shumë kanë pasur dëshirë, ta kenë edhe Ministrin e Diasporës në Qeverinë e Kosovës z.Ibrahim Makolli, po ashtu, edhe kjo dëshirë ju plotësua, pastaj ambasadori i Maqedonisë në Bern, z.Ramadan Nazifi e veprimtarë të tjerë, si dhe miq të shumtë zviceranë, që asnjëherë, nuk mungojnë në manifestimet e medvegjasëve.(Kortezi Bota Sot)