Gazetarja Alba Kepi sjell para lexuesit librin e saj më të ri etnografik “Dasma Tiranse”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, gazetarja Alba Kepi shprehet se botimi “Dasma Tiranse” është një studim etnografik, e ka si qëllim evidentimin e traditës popullore, vlerave shpirtërore e kulturore të trevës së Tiranës. Vemendje e veçantë i është dedikuar në libër Etnopsikologjisë tiranse e lidhjes së banorëve me qytetin e Tiranës. Kapitujt e librit respektojnë ritualin e dasmës së hershme tiranse e kryefjala është folklori autokton, zakonet, tradita shpirtërore, këngët, vallet etj. “Dasma Tiranse” vë në pah dhe tiparet etnokulturore të artit dekorativ të veshjeve tiranse, aftësive krijuese të grave e vajzave në qëndisjen, endjen e pëlhurave, kombinimin e ngjyrave. “Dasma Tiranse” është një studim që përfshin etnografinë, etnokoreografinë dhe lirikën popullore.
E VEÇANTA E STUDIMIT “DASMA TIRANSE”
Ky libër është një histori e vërtetë dashurie mes meje e qytetit tim të lindjes Tirana. Rrëfimi i kësaj ndjenje mban rrahjet e zemrës së stërgjyshërve e të gjyshërve të mi. Jam lindur e rritur në një familje tiranse, jam bijë e banorëve autoktone të këtij qyteti shekullor, e quaj këtë libër një kontribut për rrënjët e mia. Studimet universitare në fakultetin e Histori-Filologjisë dhe eksperienca disavjeçare në Drejtorinë e Muzeve të Tiranës si historiane, qenë shtysa për të kuptuar se sa të cunguar dhe të pashkruar e kishte lënë historigrafia komuniste traditën popullore të qytetit tim. Arkiva të mbushura me fotografi të retushuara, tekste shumëvjeçare këngësh popullore të redaktuara në përshtatje me himnet revolucionare të Partisë së Punës, zakone e rite të konsideruara si “shfaqje të huaja”, kishin vetëm një qëllim: harresën e plotë ndaj një historie të shkruar nga populli. Punimi “Dasma Tiranse” është mbi të gjitha një studim etnografik, e ka si qëllim evidentimin e traditës popullore, vlerave shpirtërore e kulturore të trevës së Tiranës. Është pjesë e pandarë e historisë së popullsisë së këtij territori. Çdo festë, gëzim, çdo ngjarje e shqetësim, çdo moment i rëndësishëm i jetës o qoftë një ditë e re, shoqërohej tek banorët autoktonë me një arkiv zakonesh e dokesh që i janë përcjellë brezave si një amanet shpirtëror i qytetit. Në kulm të tyre qëndron tradita e dasmës tiranse që mundi t’i rezistojë diktaturës komuniste e transformimeve që ka pësuar gjatë dekadave të fundit shoqëria shqiptare.
STUDIMI OFRON SPEKTRIN E PAFUND TË VLERAVE TË PAKRAHASUESHME QË MBART TREVA TIRANSE
Mangësia e botimeve me tematikë studimin e traditës kulturore, popullore e tradicionale shqiptare është arsyeja e dytë e rëndësishme në realizmin e punimit “Dasma Tiranse”. Dhe pse i fokusuar në një ritual të caktuar, ky studim ofron spektrin e pafund të vlerave të pakrahasueshme që mbart treva Tiranse, tejet e begatë në këtë drejtim, e që kurrsesi nuk duhet lënë të humbasë e të zhduket. Në Tiranën e sotme, ku qyteti e rrethina është e mbipopulluar nga banorë të rinj, mbartës e përcjellës të zakoneve e traditave të vendorigjinës së tyre, bëhet e nevojshme dhe evidentimi e ruajtja e kulturës popullore autoktone. Dasma tiranse me elementët e saj përbërës ka njohur katër etapa zhvillimi: lindja e formimi i saj, që shkon deri në fund të shekullit të XIX; zhvillimi e lulëzimi etnografik deri në mes të shekullit të XX, duke shënuar një kulm në vitet ’30; përsiatja e kufizimi i tipareve e i origjinalitetit, në kushtet e një regjimi dikatorial deri fillim të viteve ’90 të shekullit të XX; transformimi e modernizimi i saj në ditët e sotme. Duke u bazuar në këtë kronologji historike kam evidentuar hap pas hapi tiparet e karakteristikat e saj. Një vemendje të veçantë i kam dedikuar Etnopsikologjisë tiranse e lidhjes së banorëve me qytetin. Të rrëfesh, siç thuhet ne dialektin autokton, adetet e dasmës tiranse, do të thotë të përshkosh historinë e zhvillimit të këtij qyteti si dhe evolucionin kulturor të popullsisë së tij. Tek rituali i dasmës kulmon qartë kultura, historia, patriotizmi i popullsisë së një territori që bashkarisht kanë nisur rrugështegtimin e tyre të jetës.
NDRYSHIMET DEMOGRAFIKE E ROLI SOCIAL – POLITIK I SHTRESËS SË TREGTARËVE E ZANATÇINJVE AUTOKTONË
Një vend të rëndësishëm zë dhe historia e zhvillimit ekonomik e social të qytetit të Tiranës, ndryshimet demografike e roli social – politik i shtresës së tregtarëve e zanatçinjve autoktonë në zhvillimin e qytetit gjatë viteve ’30 të shekullit të XIX. Kapitujt e librit respektojnë ritualin e dasmës së hershme tiranse e kryefjala është folklori autokton, zakonet, tradita shpirtërore, këngët, vallet. Kapitujt kryesorë janë: Dhënia e fjalës (Fejesa) me transformimet që ka pësuar që nga rregullat e imponuara dikur nga Kanuni e deri më sot, Vadja (prerja e ditës së dasmës). Prerja e vades njihet në krahinën e Tiranës si caktimi i ditës së dasmës e është një moment të cilit i tregohet një kujdes i veçantë nga familjet e çiftit të ri, Përgatitja e dasmës në shtëpinë e nuses, Përgatitja e dasmës në shtëpinë e dhëndrrit, Dasma – ceremonia festive, gostia. Është momenti më sublim i festës familjare me një ngarkesë të fortë emocionale për të gjithë, këngët, vallet, veshjet, krushqit, nusja, dhëndri janë aktorët kryesorë të këtij kapitulli, Gostia që u shërbehet të ftuarve në dasmën tiranse ndjek një protokoll cerimonial që është tregues i qartë se kultura e popullsisë autoktone ka qënë shumë herët e ngjashme se ato që shohim të na imponohen sot nga agjensitë e organizimit të festave. Etika e kultura e respektimit të miqve e familjarëve, me rregullat e mënyra e ndarjes së tavolinave, cilësia e gatimit, menuja speciale janë shprehje të një emancipimi të familjes tiranse, vlerave e dinjitetit në respektimin e çdo të ftuari. Zbërthimi i këtij kapitulli vë në pah dhe tiparet etnokulturore të artit dekorativ të veshjeve tiranse, aftësive krijuese të grave e vajzave në qëndisjen, endjen e pëlhurave, kombinimin e ngjyrave etj. Ditët pas dasme: Ky kapitull ka të njëjtën vëmendje nga familja tiranse aq sa dhe ceremoniali i dasmës, e ku renditen ritualet e zakoneve të hyrjes së nuses në punë, kafeja e nuses, dorovitja, kthimin e saj në familjen e origjinës etj. Këngë e valle dasme tiranse: Qëllimi i këtij kapitulli është mbledhja e ruajtja e këngëve e valleve të hershme popullore tiranse me ndërgjegjësimin e përgjegjësinë e rrezikut të humbjes së tyre në ditët e sotme.
DOKUMENTACIONI DHE MATERIALET E BOTIMIT
Libri “Dasma Tiranse” është bazuar në dokumente të mbledhura nga arkivat folkloristike e nga rrëfimet e autoktonëve. Një vend të veçantë i kam dedikuar në këtë studim rrëfimeve të banorëve autoktonë, takimeve e bisedave të drejtpërdrejta me gjyshe e nëna që e kanë jetuar dhe e kanë trashëguar ritualin e vërtetë të dasmës së hershme tiranse. Kam shfrytëzuar dhe studimin nga botime të realizuar nga Akademia e Shkencave, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Historisë etj, si dhe tekste kërkimore me objekt etnografinë, etnokoreografinë, lirikën popullore. Disa prej tyre janë librat e etnografëve e historianëve të njohur shqiptarë si “Dasma në Shqipëri” e Abaz Dojaka, “Shqipëria në 1923” Teki Selenica, “Shqipëria në 1921” Teki Selenica, “Martesa në Tiranë” Shefqet Nallbani, “Zakone në Tiranë” Xhemal Kusi, “Shqipëria e ilustruar”, “Tirana Kryeqyet” Mehdi Frashëri, “Tirana 1604-1937” etj.
E ZONJA E SHTËPISË, HËNA, LULJA, AJRI E JETA
Në një familje tradicionale tiranse zonja e shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, motra, mbesa e stërmbesa, pra figura femërore në përgjithësi, kishte një rol kyç në vlerat e traditat e saj. Figura e femrës është busulla e bashkëjetesës, sjelljes, kontributit ekonomik e social në marrëdhënie me të gjithë anëtarët e së njëjtës familje. Për fat të keq historiografia komuniste femrën tiranse e ka trajtuar në mënyrë mediokre, të kushtëzuar nën mentalitetin diktatorial për të shpërfytyruar e manipuluar çdo vlerë të kësaj treve. Me synimin e poshtërimit të banorëve të Tiranës së pas Luftës së dytë Botërore, sistemi komunist doktrinizoi e falsifikoi historinë e etnografinë tiranse. Gruaja tiranse nga studiuesit e kësaj epoke, prezantohet si e përulur, pa asnjë të drejtë ekonomike, shërbëtore e burrit dhe e pavlefshme brënda familjes. Po për fat të keq në disa përpjekje të kryera gjatë viteve të fundit për të përcjellë historinë e zakoneve e riteve të traditës tiranse, përsëritet i njëjti gabim, i justifikuar nga referimi i vazhdueshëm që i bëhet materialeve të historiografisë komuniste, si dhe nga mosnjohja e mungesa e kulturës së informacionit të jetesës në një familje tiranse. Pozicioni i gruas tiranse brenda familjes, nuk ishte aspak më e ulët se pozita e çdo gruaje shqiptare në çdo familje shqiptare, pavarësisht krahinës ku ndodhej. Një fakt i vërtetueshëm përmes etnografisë është se roli i femrës në familjen tradicionale tiranse ishte thelbësor, me dinjitetin e respektin si në çdo familje europiane. Nëse i Pari i shtëpisë ishte truri i familjes tiranse, Zonja e Shtëpisë, gruaja, nusja, vajza, mbesa e stërmbesa ishte zemra pa të cilën truri nuk mund të vinte në lëvizje asnjë mekanizëm jetësorë.
KULTURA TIRANSE E VESHI GRUAN KOKË E KËMBË ME AR
Kultura tiranse e veshi gruan kokë e këmbë me ar, kostumi i saj tradicional ishte dhe është nga më të bukurit, më të kushtueshmit e më të vlerësuarit në kostumografinë popullore shqiptare. Bizhuteritë e ballit, të gushës, të gjoksit, të duarve e këmbëve dëshmonin vlerësimin e respektin për vlerën shpirtërore, sociale e ekonomike të gruas brenda familjes. Jeleku, këmisha, dimiqtë e çdo pjesë e veshjes së gruas, duhet të ishte ekskluzivisht e qëndisme me ar dhe e punuar mbi pëlhurën më të kushtueshme që ekzistonte në treg. Momenteve të caktuara të ditës i përgjigjej një veshje e veçantë për vajzën, gruan, o gratë më të moshuara. Të tilla ishin rrobat e drekës, rrobat e pazarit, rrobat e dasmës, e sebepeve etj. Duke u bazuar në ligjet dokësore historiografia komuniste shqiptare e ka prezantuar gruan tiranse si pa asnjë të drejtë ekonomike. Dhe ky pohim bazohet në keqdashësinë për të mos njohur siç duhet realitetin. Gruaja tiranse ishte goca (vajza) tiranse e cila kishte mbërritur në familjen e burrit, me të gjitha pasuritë e tundshme e të patundshme të dhuruara nga familja e saj e origjinës, e që i duheshin për të përballuar jetën denjësisht. Fuqia ekonomike e gruas tiranse në shtëpinë e burrit, ishte e pandashme nga pasuria që bashkëshorti apo dhe vetë i Pari i shtëpisë zotëronte për çdo anëtar. Gruas tiranse nuk i mungonte asnjëherë e drejta për të pasur lirinë ekonomike në zgjedhjet apo nevojat e saj, kishte kapitalin e saj që e gëzonte dhe e administronte në mënyrë autonome. Mjaft vajza tiranse, në fillim vitet e ’90 studiuan e u diplomuan në Universitetet më të mira të Europës, të tjera specializuan aftësitë e tyre pranë kompanive më të sukseshme botërore, e shumë të tjera zgjodhën të bëheshin mësuese e të kontribonin në arsimin e popullsisë autoktone. Por dhe mjaft vajza e gra të familjeve tiranse u bënë pjesë aktive e bizneseve të familjes. Në familjen tiranse nuk ka ekzistuar kurrë as me ligj dokësor e as në mentalitet një grua shërbëtore. Gruan, burri e djali tirans e mbante mbi kaptinë (kokë) e i thurte vargjet e këngët më të bukura me krahasime më të bukura të natyrës si hëna, lulja, ajri e jeta. Në familjet tiranse ishte e zakonshme që vëllezërit e martuar, nënë e babë të jetonin në një zjerrm (banesë) e ky fakt çonte në domosdoshmërinë e krijimit të figurës së zonjës së shtëpisë. Ajo ishte pothuajse përherë gruaja e të Parit të shtëpisë e nëse ky nuk ishte i martuar mund të ishte një grua e familjes e përcaktuar nga ai për të kryer këtë rol. E zonja e shtëpisë zgjidhte rregullat për një bashkëjetësë të qetë me detyrimet që secili kishte në aktivitetet e përditshme. Disa nga vajzat e gratë e familjes ngarkoheshin të gatuanin, disa të tjera për pastërtinë, e të tjera që zakonisht ishin vajzat e pamartuar të shtëpisë, merreshin me kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël, pra ndaj nipërve e mbesave. Si Pari i shtëpise dhe e Zonja e shtëpisë karakterizohej nga urtësia e fjalës. Zonja e shtëpisë, kishte të njëjtën mënyrë jetese si çdo femër e familjes, pra dhe pse konsiderohej e tillë nuk gëzonte asnjë privilegj ndryshe.
PJESË NGA LIBRI “DASMA TIRANSE”
Kënga e përcjelljes së vajzës nuse nga familja e saj e hyrja në shtëpinë e familjes së saj të re:
“O c’janë këta krushqit tanë kështu-o
Nisen e s’po duken o
Nisen e s’po duken o
O i vonoka babaës nuses o
Osht tu e porositun o
Amanetni bijën time o
se e kom tue e rrut o…”
(e me rradhë vijnë në vargje porositë e nënës, vëllait, motrës…)
Një lajmëtar sjell lajmin se nusja doli nga shtëpia e babës e të gjithë nisin të këndojnë:
“Mirë se të na vish o nusja jonë
të na vijsh me sheqer në dorë,
O nusja dermonit o, dega selfionit o
O nusja dëshirit o, lulja e xhevahirit o…
“…O nusja e re o nusja e re,
Të shkojnë lotët rrëke rrëke,
O shkoja e fhsija dhondërr e
o ja fshij por s’ka me se…
O me mendilin e xhepit e
O e kom të re e prishet e
O të morrtë të keqen e
O të bi nusja tjetër e,
O ta mbështjell me letër e….”
Sapo nusja mbërrin në derën e burrit, çdo hap i saj shoqërohet me një ritual këngësh e vallesh të caktuara:
“O marshallah nusja si qeka
O marshallah shtatin ce paska,
O dhe ne të mira jemi,
por shtatin e nuses nuk e kemi …”
E mbajtur krahëve nga kunetërit e saj, o kushërijtë më të afërt të dhëndërrit, nusja i drejtohet oborrit ku grania këndon:
“O hyni nusja në oborr,
shtati nuses si vaporrr,
Ndërsa sapo shkel hajatin dëgjohet;
“O hyni nusja në hajat, shtati nuses si bajarak
O hyni nusja në hajat,
shtati nuses si bajrak…”
Oriz, karamele, sheqer e monedha i derdhen mbi trup për t’i sjellë lumturi, ëmbëlsirë e begati në jetë. Mbi kokë i vejnë qeleshet e burrave të shtëpisë e sa më shumë ti rrijnë në kokë, aq shumë fëmijë e gëzim ka për t’i sjell kësaj shtëpie. Pranë pragut të shtëpisë, i vejnë nën sqetull një parur buke, për begatinë e kësaj dere, ku e pret e vjehrra mes këngëve të granisë:
” O hyni nusja në shtëpi,
O shtati nuses si selvi…”