• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRIMO SHLLAKU MBI DEBATIN RRETH MARTIN CAMAJT DHE ERNEST KOLIQIT

July 21, 2020 by dgreca

Primo Shllaku komenton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, debatin mbi figurën e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit dhe shprehet se regjimi komunist shqiptar shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Me Primo Shllakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA. 

PSE SOT DEBATI MBI FIGURËN E CAMAJT DHE KOLIQIT?

Koha e hapjes së këtij debati mbetet edhe ajo për t’u diskutue dhe për t’u hamendësue sepse metodat e plasjes së skandaleve politike të bujshme kanë qenë veçanti e kulturës “bizantine” të socializmit real shqiptar. Pra gjendej një kohë kur njerëzit e kishin mendjen tek pushimet dhe impakti do të ishte ma i vogël dhe qëllimtarët do ta kalonin ma me pak kosto “klasën”. Asht shum e vështirë të thuhet me saktësi nëse kjo kohë pa kohë e plasjes së kësaj shashke tymçe ishte nji përpjekje për matje pulsi, nji “paradhanie” për nji veprim të akademisë, apo edhe ndoshta nji “tekë” e nji njeriu që merret me arkiva sepse e ka hobby dhe i pëlqen të gjendet në mesin e fërkimeve ma të ashpra dhe të një shitstorm-i tue dëshmue edhe njifarë prirjeje të kjartë prej mazokisti. Mohimi i qëllimeve të mirëfillta studimore dhe hjedhja e temës me interpretime dhe aksiologji shpesh të pabaza dhe të paplota për të ndërtue silogjizma solide, na ka lanë të gjithëve para nji pyetje që nuk na detyron ta amnistojmë këtë hapës së kutisë së Pandorës me argumenta naivë dhe përbuzës e mospërfillës. Lidhja me një anëtar të ri të Akademisë shqiptare, e cila i mundësoi botimin tek faqja e tij “Peizazhe të fjalës” dhe pastaj replika ime e shpejtë dhe kërkimi i skjarimeve tek Akademia, më duket se i bashkuan pikat e daljeve dhe na dhanë një drejtëz që nuk premton kohë të kthjellët.

PSE SULMOHEN DHE BALTOSEN KUNDËRSHTARËT E REGJIMIT KOMUNIST? PO ATA QË I SHËRBYEN REGJIMIT?

Unë nuk mendoj se asht baltosje. Baltosja asht diçka që të len gjallë dhe ti edhe mund të lahesh. Goditja ka qenë nën bel dhe asgjasuese. Tue u nisë nga ndjeshmënitë e tradicionale të alergjisë që në shoqninë shqiptare ngjall fjala “spiun”, raportet e Auron Tares kanë qenë asgjasuese në qëllimin e tyne final. Fjala “spiun” në nji mjedis të mbushun me “spiunë” të të gjithë llojeve e të të gjithë kohnave, për paradoks asht e mbetet sot e gjithë ditën nji sinonim i pushkatimit moral, por edhe fizik. Prsonalisht më duket se dikujt ose disave, mbase edhe ndonjë institucioni, i interesonte që dikush, ashtu “si për lojë” të hidhte një gur në ujë dhe aty të shkaktohej një cunami me Koliqin e Camajn si viktima të sigurta. Meqë ne shqiptarët kemi adoptue në vendin tonë prej plot 30 vjetësh një sistem demokratik të tipit europian liberal, në pikëpamje të pozicionimit ideologjik si fashizmi ashtu edhe komunizmi shihen si ekstreme që edhe empirikisht kanë tregue se janë kundër lirisë, kundër të drejtave të njeriut, pro konflikteve dhe luftës si mjet për zgjidhjen e kontradiktave etj. Pra që të dy ato skaje sollën ndër ne regjime që populli i damkos me shprehjen “mos ardhshin ma”. Pra nga pozitat e realiteteve juridike, ligjore e morale na dënojmë të gjitha praktikat e këtynë dy përvojave që shoqnia shqiptare i kaloi mbi kurriz. Po të ishte i frymëzuem demokratikisht hapësi shqiptar i kutisë së Pandorës mendoj se kjo do të ndodhte në nji paketë me të gjithë ata shkrimtarë dhe njerëz të formimit shpirtnor që kanë lanë gjurmë në të dy regjimet. Marrja vetëm me këta të dy e sidomos me Camajn që ka mbi kurriz nji Klavar mbijetese në tre katër vende ku jetoi si mërgimtar, mendoj se ka erë shqetësimesh që vijnë mbas njilloj tronditje e trandjeje hierarkish, kur ardhja e të dyve mbas nji heshtje që i bante ata të paqenë, por edhe mbaj nji fundosjeje tektonike të produktit letrar zyrtar që njifet si “letërsi e realizmit socialit”, provokoi nji bum kureshtjeje dhe mahnitjeje para vetë imanencës së veprës së tyne. 

ÇFARË PËRFAQËSOJNË CAMAJ E KOLIQI NË LETERSINË E KULTURËN SHQIPTARE?

Në vitet ’30 na duket se letërsia shiptare doli nga angazhimi i saj etnocentrik dhe po orientohej drejt letërsisë bashkëkohore europiane. Me Migjenin si i shenjuem prej ekspresionizmit dhe estetikave të tij, bahet bashkë edhe Koliqi e pak ma vonë edhe Kuteli që përdorën me sukses teknikat psikanalitike në shestimet e tyne letrare dhe në zbërthimin e personazheve të tyne. Kjo metodë avangardiste e Europës së atëhershme përdorej gjërësisht nga Cvajgu, Andre Zhidi, Strindbergu, Pirandelo etj. Pra na duket se lajmi i mirë ishte se në atë periudhe letrat shqipe e braktisën romantizmin anakronik që lidhej me vonesat e zhvillimeve tona kombëtare dhe shtetnore dhe letërsia e jonë po vehej për hap me letërsinë e kryesinës europiane. Kurse Camaj asht diçka tjetër. Për shkakun se ai u zhvillue si letrar mbas fillimit të viteve ’50, arti poetik dhe letrar në përgjithësi asht edhe ma i avancuem. Poezia e tij asht nji poezi esencialiste dhe në dukje mjaft e ngjashme me hermetizmin italian. Por unë nuk mendoj se ajo asht hermetike në kuptimin e hermetizmit italian. Ndoshta teknikat i ka, por ajo mbetet nji poezi e qenies njerëzore dhe shoqnore në rrethana të zakonshme dhe kritike. Pra tek Camaj kemi të bajmë pothuejse kudo me të zakonshmen kritike, gja që i jep asaj nji ngarkesë të madhe emocionale dhe kudo zbulon magjinë e thanies përgjysëm të vegimeve dhe të depozitave të kujtesës. Shuemja e kujtesës tek Camaj dhe përpjekja për ta rigjallnue e për ta konservue atë përmes aktit letrar estetik, i jep poetit pamjen e trishtë të nji vorri të pazakontë ku vorroset kujtesa e vendlindjes, përkatësisht e atdheut. Poezia e tij asht kriza e madhe ekzistenciale e tij me nanën e vet dhe ma vonë me mëmëdheun e vet. Në hapësirën midis këtyne dy elementave homogjenë ndehet pjesa ma delikate dhe ma artprodhuese e ekzistencës së tij.

A E DËMTON SHOQËRINË DHE SHKENCËN KJO HAPJE ARKIVASH NGA NJERËZ JO KOMPETENTË? 

Asnji hapje arkivash dhe asnji dalje në dritë e të vërtetave nuk e damton shoqninë. Shoqnia jonë ka marrë me vete dhe mbi vete të gjithë barrën e mëkatit që u prodhue nga regjimi komunist. Ka mendime që thonë se asnji pushtue i huej nuk do t’ia bante nji populli tjetër atë që i bani komunizmi shqiptar shoqnisë së tij. Në planin moral – sepse ai na ka mbetë me diskutue tashti – regjimi komunist shkatërroi virtytet e kombit për të ndërtue me gërmadhat e tyre veset e tij perverse dhe antiqytetnuese. Ai synoi dhe në nji masë të madhe ia arriti që të moralisht të mos lente njeri në kambë. Na kemi nevojë për nji filozofi të re kombëtare që ta shëndoshë atmosferën mbi bazën e nji ngritjeje substanciale të mirëqenies dhe forcimit të pavarësisë së individit. Na kemi nevojë t’i çojmë ma larg kufijtë  pranimit shoqnor e qytetar dhe jo të bajmë operacione selektive që synojnë zgjatjen sa të jetë e mundun të raporteve hegjemioniste, të cilat pengojnë dhe sabotojnë kthimin e ekuilibrave mbrendakombëtarë. Mitet janë aty për t’u sulmue dhe substancat e forta janë prapë aty për t’u qëndrue sulmeve. Por unë nuk mendoj se Koliqi e Camaj patën kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të arritë në nivele mitesh. Ata nuk i mitizoi askush. Madje u futën gati-gati si fshehtazi ne fushën e vëmendjes së lexuesit shqiptar, nuk patën asnji ceremonial ardhjeje e nuk gjetën asnji horizont pritjeje. Ata erdhën si “të rinj” gati-gati si autorë që po shfaqeshin në premierë, në nji kohë që kishin ma se katër herë dhjetëvjeçarë si debutim letrar. Pra mahnitjen dhe admirimin e fituem me anë të tekstit e të mos e marrim si mitifikim. Katër pesë libra janë shkrue për Camajn, po aq edhe për Koliqin. Mitifikue janë Kadareja, Agolli, Arapi etj, por miti i tyne natyral i ngritun nga aparati shtetnor i shtetit komunist ra bashkë me konsideratat e tij për veten. Këtë fat e pësuen edhe emnat e masipërm të cilët pritet vërtet të çmitizohen, të reduktohen në vlerat e tynë esenciale pa asnji atribut mesianik ose teokratik të tyne. Akademia e Shkencave duhet t’u prijë punëve shkencore dhe t’i koordinojë ato me detyrën e studimit të rreptë dhe serioz. Në kushte të tilla hapja e botimi i faksimileve të Tares do të mbetej nji ngjarje që pakkush do ta merrte vesh. Por kur Akademia hesht ose jep përgjigje me tekste si letra bakalli, atëherë fenomeni Tare arrin ta shqetësojë atë pjesë të opinionit publik, i cili e shef këtë institucion në bisht të punëve, madje edhe me produkte shpesh të kontestueshme për periudha të gjata që nuk kanë sjellë asnji harmonizim me dijet që nuk prodhohen detyrimisht mbrenda mureve të Akademisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Camaj & Koliqi, Debati, Primo Shllaku

Komisioneri Hahn, thirrje opozitës: Debati, në Parlament

February 22, 2017 by dgreca

Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn i kujtoi sot opozitës shqiptare se debati politik duhet të zhvillohet në parlament dhe jo jashtë tij. Deklarata e zotit Hahn pason vendimin e opozitës për të bojkotuar parlamentin. Komisioneri europian vuri në dukje pasojat negative që do të kishte ky vendim mbi procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Në të njejtën linjë, edhe eurodeputeti Knut Fleckenstein, kërkoi nga opozita që ajo të bëhet pjesë e Komisioneve për rivlerësimin që procesi të mos pengohet.1 Hahn

Vendimi i opozitës shqiptare për të shoqëruar protestën e saj për një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme më 18 qershor, edhe me bojkotin e parlamentit duket se nuk është pritur mirë në Bruksel. Pas deklaratave të zëdhënëses së Komisionit europian, sot ishte Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn i cili i kujtoi opozitës se “debati politik duhet të ndodhë brenda dhe jo jashtë Parlamentit. Bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është i domosdoshëm për ambicien e vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Europian”.Në deklaratën e tij, ai vuri në dukje gjithashtu, pasojat negative që bojkoti do të sillte për zbatimin e reformës në Drejtësi dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Eshtë me rëndësi të madhe që parlamenti të ruajë vazhdimësinë, në një kohë kur në agjendën e tij janë reforma mjaft thelbësore që janë në agjendën e Parlamentit, si ajo e ngritjes së organeve të rivlerësimit, në kuadër të Reformës në Drejtësi, dhe Reforma zgjedhore, përfshi dhe rekomandimet e OSBE/ ODIHR të cilat janë thelbësore për të siguruar më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto reforma janë të domosdoshme për Shqipërinë që të ecë drejt rrugës së integrimit në BE”, përfundon deklarata e zotit Hahn.

Ndërkohë në Tiranë, eurodeputeti Knut Fleckenstein, relator për Shqipërinë në Parlamentin europian, ndërsa ju shmang komenteve mbi protestën e opozitës e cila “është një çështje e brendshme”, ritheksoi sot, në linjë me Komisionerin Hahn, se “bojkoti i parlamentit është në pikëpamjen tonë, rruga jo e duhur. Prandaj u kërkoj kolegëve të mi dhe miqve të mi në PD të vazhdojnë atë që ata mendojnë se është e nevojshme, por të kthehen në punë”.

Edhe ai vuri theksin te pasojat që ky vendim i opozitës rrezikon të ketë në zbatimin e Reformës në Drejtësi. “Kur diskutuam Reformën në Drejtësi, ka qenë një betejë e fortë, për t’i siguruar opozitës ndarjen 50 me 50 në komisione. Dhe prandaj u them kolegëve të mi të PD-së, mos na jepni ndjesinë që e keni keqpërdorur këtë. Minimalja që do i kërkoj, është të shkojnë të bëjnë punën në Komisione, të mos ndalojnë procesin e rivlerësimit dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi”, u shpreh ai.

Eurodeputeti Fleckenstein tha se “deri tani kemi dëgjuar fjalët dhe duam të shohim vepra. Dhe është momenti më i mirë, që të gjithë ata që kanë patur mundësinë që kanë qenë pro të bërit të gjërave në letër, tani të tregojnë se janë realisht në favor të Reformës”. Sipas tij, në fund të javës së ardhshme, kur parashikohet të përfundojë verifikimi i kandidaturave për organet e rivlerësimit dhe duhet të ngrihen Komisionet parlamentare për të bërë përzgjedhjen “të gjithë do ta kuptojnë se kush do t’i qëndrojë vetëm fjalëve, kush do të veprojë e kush ka arsye për ta bllokuar ndoshta për ca kohë”.

Por opozita duket e vendosur të mos bëj asnjë hap pas. Edhe sot kryetari demokrat Lulzim Basha e ritheksoi një gjë të tillë: “Nuk ka pazar me zgjedhjet e lira e të ndershme. Nuk ka pazar me vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është lëvizja e një partie politike. Eshte lëvizje mbarëpopullore, kombëtare. Kjo që ka nisur nuk ndalet. Shqipëria nuk do të jetë kurrë si dje”. Zoti Basha ripërsëriti se nuk do të ketë kthim në parlament pa u plotësuar kërkesa për një Qeveri teknike.

Lidhur me situatën e krijuar foli sot gjatë, për herë të parë, dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta, drejtuesi i Lëvizjes socialiste për Integrim, aleati kryesor i socialistëve në qeveri. Mbrëmjen e djeshme zoti Meta, ndaj të cilit nuk kanë munguar ftesat e opozitës që të dalë nga koalicioni qeveritar, pati një darkë të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Ai tha sot pasdite se “opozita është gjithnjë e mirëpritur në parlament në mënyrë që të çojë përpara kërkesat e saj për standarde me të lart për zgjedhjet e 18 qershorit. Për mua parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim. Kështu që do të bëjmë të gjitha përpjekjet në mënyrë që kjo klimë të përmirësohet dhe të rritet besimi i shqiptarëve në radhë të parë tek zgjedhjet, por edhe të përmirësohet klima tani ku jemi në një moment mjaft të rëndësishëm të ecjes përpara të reformës në drejtësi”, u shpreh zoti Meta.(kortezi:VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Debati, Komisioneri Hahn, ne Parlament, thirrje opozitës

Shkëmbime të ashpra në debatin Clinton-Trump

September 27, 2016 by dgreca

Kandidatët për president Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballën të hënën mbrëma në debatin e parë mes tyre, ndërkohë që janë mbërthyer në një garë të fortë për Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump kritikoi zonjën Clinton se për 30 vjet nuk kishte bërë asgjë për krijimin e vendeve të punës. “Sekretare, ju nuk keni një plan”, tha zoti Trump.

“Donaldi jeton në botën e tij,” u përgjigj zonja Clinton.

I pyetur se përse nuk deklaron taksat, Donald Trump tha se ai do t’i publikojë ato kur zonja Clinton të publikojë të 33,000 emailat që janë fshirë.

Zonja Clinton pranoi se kishte bërë gabim për çështjen e serverit privat dhe se nëse do t’i jepej një shans tjetër do të vepronte ndryshe.

Sulmet kibernetike ishin një temë për të cilën u debatua. Zonja Clinton kritikoi rivalin Trump për lavdërimet ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ndaj sugjerimit të tij që Rusia të piratojë qeverinë amerikane.

Kandidatët folën për grupin Shteti Islamik. “Jam i tëri për NATO-n, por ajo duhet të fokusohet te terrorizmi,” tha zoti Trump, i cili shtoi se NATO-ja duhet të dërgojë trupa në Lindjen e Mesme për të çrrënjosur ISIS-in.

Zonja Clinton tha se NATO-ja po e lufton terrorizmin, dërgoi trupa në Afganistan pikërisht për të luftuar terrorizmin.

Ajo kritikoi zotin Trump për çështjen e armëve bërthamore, që ajo tha se ai i trajton me shkujdesje. Qëndrimi i tij për armët bërthamore është thellësisht tronditës, – tha zonja Clinton. Ajo tha se SHBA do t’i respektojë marrëveshjet me aleatët.

Trump u përgjigj: Armët bërthamore janë kërcënimi më i madh ndaj vendit tonë.

Ai foli për çështjen e gjykimit dhe temperamentit që duhet të kenë kandidatët. “Unë kam gjykim shumë më të mirë se sa ajo dhe një temperament shumë më të mirë. Temperamenti im është arma ime më e fortë,” tha zoti Trump.

Zoti Trump kritikoi ashpër marrëveshjen me Iranin. Është marrëveshja më e keqe që është bërë ndonjëherë në histori, tha ai.

Rivalja Clinton kundërshtoi. Ajo e quajti marrëveshjen me Iranin të suksesshme.

Clinton: Cila do të ishte alternativa e zotit Trump në këtë rast?

Trump: Për të qenë president duhet të kesh forcë dhe ajo nuk e ka këtë forcë.

Clinton: Ju flisni për forcë ndërkohë që unë kam vizituar dhe negociuar me kaq shumë vende.

Trump: Ju keni shumë përvojë, por një përvojë të keqe.

Kandidati Trump tha se zonja Clinton ka shpenzuar qindra miliona dollarë për reklama kundër meje dhe kjo nuk është e ndershme.

Zonja Clinton tha se do ta mbështeste rezultatin e zgjedhjeve. Dikush do të fitojë e dikush jo, tha ajo.

Zoti Trump tha se qëllimi i tij është që Amerika të bëhet përsëri madhështore. “Nëse ajo fiton, unë absolutisht do ta mbështes rezultatin”, tha ai.

Njëqind milionë njerëz mendohet se e ndoqën debatin në Universitetin Hofstra në afërsi të Nju Jorkut. Kjo është audienca më e madhe ndonjëherë që ndjek një debat presidencial në SHBA.

Është hera e parë që amerikanët panë dy kandidatët ballë për ballë në të njëjtin podium. Sondazhet politike i jepnin zonjës Clinton një avantazh të lehtë para debatit.

Clinton dhe Trump tashmë i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre mbi shumë çështje jetike, duke përfshirë ekonominë, emigracionin, ushtrinë dhe terrorizmin, prandaj debati kishte të bënte më tepër me çështjet e temperamentit, besueshmërisë dhe shkallën e pëlqimit të votuesve për secilin kandidat.

Gruaja dhe fëmijët e zotit Trump ishin në sallë, po ashtu edhe ish-Presidenti Bill Clinton dhe vajza e çiftit Clinton, Chelsea.

Debati ndahej në gjashtë segmente 15-minutëshe. Temat kryesore ishin tre: Drejtimi i Amerikës, arritja e begatisë dhe siguria e Amerikës.

Nga tre debatet presidenciale, debati i parë është tradicionalisht më i ndjekuri, dhe zhvillohet në një moment kritik, thotë Matthew Dallek i Universitetit “George Washington”. “Tashmë rezultatet janë shumë më të barabarta se ç’pritej, kështu që debati ka peshë më të madhe për të dy kandidatët”, thotë ai.

Debatet televizive presidenciale filluan në vitin 1960, me një debat ndërmjet Richard Nixon dhe John Kennedy. Që nga ajo kohë, debatet televizive kanë ndikuar në disa gara presidenciale. “Në një vit normal, debatet janë mënyra e vetme për ta ndryshuar garën pas mbarimit të konventave të partive. Është momenti kur numri më i madh i njerëzve ndjekin garën nëpërmjet mediave,” thotë profesori për qeverisjen në Universitetin “George Mason”, Jeremy Mayer.

Mundësi dhe rreziqe

Të dy konkurrentët vuajnë prej një mospëlqimi të lartë nga votuesit dhe debatet ofrojnë mundësi të reja, por edhe rreziqe. Zoti Meyer thotë se “debati mund t’u ofrojë kandidatëve një shans të dytë për të krijuar një tjetër përshtypje, ose për të çimentuar përshtypjen negative”.

Gjatë viteve të fundit, debatet presidenciale nuk kanë patur ndikimin e zgjedhjeve të mëparshme. Profesori Wayne thotë se: “Mund të na kujtohen dy debate të rëndësishme në historinë amerikane: debati i vitit 1960, ndërmjet demokratit John Kennedy dhe republikanit Richard Nixon; si dhe ai i vitit 1976, ndërmjet republikanit Gerald Ford dhe demokratit Jimmy Carter. Në të dyja këto debate u bënë gabime dhe paraqitjet nuk ishin të duhurat, duke ndikuar për rrjedhojë në rezultatin e zgjedhjeve.”

Do të ketë gjithsej tre debate presidenciale, si dhe një përballje ndërmjet dy kandidatëve për zëvendëspresident, demokratit Tim Kaine dhe republikanit Mike Pence.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Debati, Klinton-Trump

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT