Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës së parë në Hagë, mbrojtja e Veselit tha se do të kërkojë lirimin e tij deri në nisjen e gjykimit.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli kur u pyet nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm apo fajtor për aktakuzën.
Veseli dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.
Sekretarja e Gjykatës, pasi lexoi dhjetë pikat e aktakuzës, tha se ekziston dyshimi i bazuar se Veseli është penalisht përgjegjës për këto krime.
Mbrojtja: Veseli u dorëzua vullnetarisht në Hagë
Veseli po mbrohet nga avokati Ben Emmerson, i cili në këtë seancë u lidh përmes video-linkut dhe Andrew Cayley, i cili ishte prezent në sallën e gjyqit.
Emmerson reagoi lidhur me arrestimin e Veselit, duke argumentuar se Veseli është paraqitur në Hagë vullnetarisht, në bazë të një marrëveshjeje me prokurorin.
“Dorëzimi i tij në mënyrë vullnetare është bërë përmes avokatit”, tha Emmerson.
Avokati Emmerson ka lexuar edhe një mesazh të Veselit, ku ai kërkon që të gjitha segmentet e shoqërisë “të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”.
“Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund”, tha Emmerson, teksa lexoi mesazhin e Veselit, ku rikujtohej se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas votimit në Kuvendin e Kosovës “për të shërbyer në emër të popullit”.
Gjatë kësaj paraqitjeje të parë të Veselit para gjykatës në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu u konsultua me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe palën mbrojtëse lidhur me datën për mbajtjen e konferencën statutore.
Si datë për këtë konferencë u propozua 18 nëntori.
Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.
Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.
Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.
Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën, më 9 nëntor, e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”.Të mërkurën para Dhomave të Specializuara do të dalë edhe Rexhep Selimi.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.
Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.
Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.
Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.
Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili tashmë është deklaruar i pafajshëm për veprat që rëndojnë ndaj tij.
Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.