Presidenca greke e BE, Ambasadori: Kufiri detar, çështje dypalëshe jo e BE/
Përtej betejës së gjatë Shqipëri-Greqi për zonat ekonomike që ndahen nga kufiri detar, Athina nuk do e vërë kusht për marrjen e statusit të kandidatit nga vendi yne.
Ambasadori grek në Tiranë, Leonidas Rokanas, shteti i të cilit mban Presidencën e radhës së BE, dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, pakti detar nuk kushtëzon statusin.
“Nuk ka lidhje mes kësaj çështje si kusht për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së .Nuk dua të bëj koment për këtë çështje, po flasim për BE. Por dua të bëj një koment për Bashkimin Europian: Çështjet që kanë mbetur do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë së mirë. Çështja e zonave ekonomike ekskluzive është e rëndësishme. Nuk mund të hyj në detaje sa i takon çështjeve mes dy vendeve”tha ai.
Qëndrimi u përforcua edhe nga Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi.
“Konkluzionet e Këshillit Europian kanë thënë fare qartë se nuk ka kushte. Kërkohet konsolidimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe është qëndrimi i të gjithë shteteve anëtare” u shpreh Sequi.
Ambasadori helen, Rokanas hodhi poshte pretendimet e qeverisë shqiptare se refuzimi i statusit erdhi për shkak të lobimit kundër të qarqeve ekstremiste brenda unionit.
“Sa i përket ekstremizmit, unë nuk flas në mënyrë zyrtare, por Presidenca greke dhe shumë udhëheqës kanë thënë që ekziston euroskepticizëm, nuk do thoja ekstremizmi apo ata ultranacionalistë janë një element përkufizues i Bashkimit Evropian. Le të mos e vëmë theksin vetëm tek ekstremizmi, por euroskepticizmi ku disa janë euronacionalistë, disa skepticistë, por ky element nuk ka luajtur një rol përkufizues në vendimin e Këshillit në muajin dhjetor. Jo, statusi nuk u refuzua, jo nuk ka të bëjë refuzim, por u tha që ne na duhet një historik më i gjerë. Arsyeja kryesore është se disa qeveri në BE kanë menduar se duhet më shumë kohë ndaj në përfundimet e Këshillit janë që presim të shohim këtë vazhdim të gjërave të mira që ka bërë deri tani Shqipëria”tha Ambasadori grek.
Në qendrën e informimit të BE, Ambasadori Rokanas prezantoi prioritetet e Presidencës së 5-të greke të BE, në prani edhe të Ambasadorëve të tjerë të unionit, si dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.
“Greqia do të ketë shumë sfida dhe zgjerimi është politikë kyçe e BE me të cilën promovohet demokracia dhe stabiliteti në Europë. Zgjerimi i BE-së do të thotë rritje ekonomike. Kjo është një politikat tona më të rëndësishme. Të gjithë udhëheqësit e BE në mënyrë unanime kanë treguar angazhimin e pakthyeshëm për integrimin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë duhen realizuar reformat për të bërë ndryshime, progres që do të ndihmojë në përmirësimin e sistemeve të vendeve të rajonit me qëllim përputhjen e tyre me sistemet e vendeve të BE-së. Ky vit do të njihet si viti mesdhetar, për ti dhënë një theks të rëndësishëm këtij rajoni, ku është dhe Shqipëria.Ne kemi një destinacion të përbashkët dhe mesazhi i presidencës greke të BE-së është optimizmi dhe jo optimizmi. Evropa po del nga kriza shkatërruese dhe Greqia gjithashtu. Shenjat e para që kanë të bëjnë me përmirësimin e ekonomisë ne po i shohim. Bashkimi Europian po përpiqet të ndërtojë një arkitekturë të re ekonomike dhe jo thjesht bashkim monetar, por dhe ekonomik” u shpreh Rokanas.