1. Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë do të drejtohet nga znj. Alketa ÇOÇKA MATI
Znj. ÇOÇKA MATI është diplomuar në Universitetin e Ilinoisit në SHBA në Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas disa vitesh aktivitet profesional, humanitar dhe politik në SHBA është rikthyer në Shqipëri me angazhime në fushën akademike.
2. Departamenti i Integrimit Evropian do të drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Mirela BOGDANI
Zonja Bogdani është një emër i njohur në jetën publike dhe botën akademike. Ajo ka kryer studimet master në Universitetin e Oksfordit për “Politika Evropiane”, si dhe në Universitetin e Kardifit, njëkohësisht edhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, për “Politika Publike Evropiane”. Është doktoreshë në shkencat mjekësorë. Zonja Bogdani është lektore në disa universitete evropiane dhe shqiptare, autore e disa botimeve shkencore dhe eksperte nga më të njohurat në fushën e studimeve evropiane.
3. Departamenti i Arsimit dhe Shkencës do të drejtohet nga Prof. Dr. Edmond DRAGOTI
Profesor Dragoti është një personalitet në jetën publike, psikolog dhe pedagog, autor i shumë teksteve universitare dhe studimeve shkencore. Z. Dragoti ka përvojë të gjatë akademike, por edhe politike dhe është një nga ekspertët më të njohur në trajtimin e çështjeve të arsimit dhe shkencës.
4. Departamenti i Shëndetësisë do të drejtohet nga z. Aleksandër SALLABANDA
Zoti Sallabanda është një personalitet i njohur publik, me një CV të pasur profesionale dhe politike. Ai është mjek, ekspert i shëndetit publik, Doktor i shkencave mjekësore. Në karrierën politike janë të njohura angazhimet e tij si Zv/ministër i Shëndetësisë dhe Ambasador i Shqipërisë në SHBA.
5. Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Medias do të drejtohet nga znj. Edlira Gjoni
Zonja Gjoni është një analiste e njohur politike dhe pedagoge në universitet. Ka kryer studimet master dhe është doktorante në fushën e komunikimit në Suedi. Zonja Gjoni sjell një eksperiencë dhe përqasje të re në fushën e marrëdhënieve me publikun, ku pjesën qendrore, e zë pikërisht ndërtimi dhe përcjellja e mesazhit politik ne interes te publikut.
6. Departamenti i Politikave të Administratës Publike, të Decentralizimit dhe Pushtetit Vendor do të drejtohet nga z. Andi SEFERI
Zoti Seferi është jurist dhe ekonomist, ka kryer studimet master në qeverisje në Universitetin e Palermos, dhe Universitetin Katolik në Perugjia, Itali. Ka një përvojë të gjatë angazhimi në disa organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri e Kosovë dhe në programe trajnuese si ekspert i metodave bashkëkohore dhe kooperimit ndërkombëtar.
7. Departamenti i Çështjeve Kushtetuese, Ligjore dhe i Politikave të Institucioneve të Pavarura do të drejtohet nga zonja Edlira Abazi
Zonja Abazi është juriste, specialiste e Shkencave Politike, Master “Për të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative” dhe për “Marrëdhënie ndërkombëtare”. Ajo ka përvojë të gjatë pune në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucione akademike e universitare, ku është lektore.
8. Departamenti i ish të Përndjekurve Politikë do të drejtohet nga z. Bedri BLLOSHMI një nga emrat simbol të disidencës antikomuniste në Shqipëri
Zoti Blloshmi është një emër shumë i dashur në publik. Ai në mbrojtje të ideve demokratike kaloi shumë vite burgim politik në regjimin komunist dhe sot në demokraci është një shkrimtar e autor me disa botime me vlerë historike. Zoti Blloshmi është diplomuar në shkencat juridike. Vëllai i Bedriut, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua bashkë me poetin Genci Leka nga regjimi komunist. Familja Blloshmi numëron 12 të pushkatuar nga regjimi komunist.
9. Departamenti i Çështjeve të Pronësisë do drejtohet nga zonja Arjola TOLA (TABAKU)
Zonja Tola është juriste dhe inxhiniere, me studime master në administrim publik dhe me përvojë të gjatë profesionale në çështjet e pasurisë dhe pronësisë në Shqipëri. Aktualisht është eksperte teknike dhe konsulente ligjore në çështjet e pronësisë së paluajtshme.
10. Departamenti i Politikave Ekonomike, Burimeve Natyrore dhe Pasurive Kombëtare do të drejtohet nga z. Alfred CAKO
Zoti Cako është gjithashtu një figurë e njohur publike, ish deputet në parlament gjatë viteve 2001-2005. Z. Cako ka kryer masterin në administrim biznes në programin e Universitetit të Nebraskës. Ka përvojë të gjatë politike dhe profesionale, është botues i suksesshëm dhe analist politik në media.
11. Departamenti i Politikave Financiare dhe Rregullimit të Tregjeve do të drejtohet nga znj. Gerta GUMENI
Zonja Gumeni është gjithashtu një emër i njohur i fushës financiare, eksperte ekonomie, diplomuar në Menaxhim Biznes në Universitetin e Torontos, Kanada. Zonja Gumeni ka përvojë të gjatë administrimi dhe drejtimi, duke qënë drejtuese kryesore për disa vite në INSAT, në Drejtorinë e Tatimeve dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht ajo drejton “Qendrën e Zhvillimeve Post Tranzicion”.
12. Departamenti i Marrëdhënieve me Biznesin do të drejtohet nga znj. Mimoza PREKU, specialiste e njohur e biznesit dhe Dhomave të Tregtisë.
Zonja Preku ka kryer studimet master në shkencat administrative dhe ka përvojë të gjatë pune në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Gjatë aktivitetit të saj ka koordinuar projekte të ndryshme në fushën e biznesit, dhe aktualisht është Drejtore e Departamentit të Misioneve të Biznesit dhe Panaireve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.
13. Departamenti i Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve do të drejtohet nga Stavri RISTANI.
Inxhinier Ristani ka një përvojë të gjatë akademike dhe profesionale, është Doktor i Shkencave në inxhinierinë e strukturave (Itali), dhe prej 30 vjetësh është lektor në Universitetin e Tiranës. Ka gjithashtu përvojë politike në angazhimet politike si Zv/ministër apo edhe si ekspert direkt i fushës, duke qenë një nga autorët e reformës në sektorin e furnizimit me ujë dhe të shërbimit të kanalizimeve që po implementohet në Shqipëri.
14. Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit do të drejtohet nga Prof. Dr. Aleksander Flloko
Zoti Flloko është biolog i njohur, pedagog prej 30 vitesh në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me përvojë të gjatë profesionale, politike dhe administrative. Zoti Flloko ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në çështje të veçanta të bujqësisë dhe ushqimit, si dhe për pesë vjet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Ai është autor dhe bashkëautor në disa botime, përfshirë studime shkencore brenda e jashtë vendit në fushën e bujqësisë.
15. Departamenti i Politikave të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të drejtohet nga z.Agron XOXA
Zoti Xoxa është një nga ekspertët më me përvojë në fushën e kulturës, pianist dhe publicist i njohur, me studime pasuniveristare në Gjermani dhe Belgjikë, si dhe me eksperiencë administrative e drejtuese në disa institucione kulturore. Ai ka qenë drejtor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe këshilltar pranë PNUD dhe në Ministrisë së Kulturës. Zoti Xoxa është prej vitesh pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura.
16. Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Shoqërisë Civile do të bashkë-drejtohet nga z.Kliton ZGURI dhe znj. Edlira SEFERI SHETA
Zoti Zguri është psikolog, ka kryer studimet master për Qeverisje dhe Politika të Zhvillimit të Territorit. Ai ka një eksperiencë të gjatë në radhët e shoqërisë civile, ku në fokus të këtij aktiviteti kanë qenë gjithmonë çështje me interes dhe ndjeshmëri të lartë për publikun.
Zonja Seferi SHETA ka kryer studimet pasuniversitare në Itali për sipërmarrje, marketing dhe menaxhim në sektorin social – shëndetësor. Ajo është menaxhere në sektorin privat, eksperte në fushën e sipërmarrjes dhe sektorit social, me përvojë të gjatë në OJF humanitare ne Shqipëri dhe Itali.
17. Departamenti i Diasporës dhe Emigracionit do të drejtohet nga z. Lisandër SARAÇI
Zoti Saraci është matematicien dhe ekspert në financë, me master në Universitetin e Parisit dhe Institutin e Shkencave Financiare dhe Aktuaristike, Francë. Ka një përvojë të gjatë në rrjetin e organizatave shqiptare të emigracionit, në promovimin dhe organizimin e komuniteteve tona në diasporë, si dhe në angazhimin e tij si këshilltar i Presidentit për cështjet e sigurisë kombëtare.
18. Departamenti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare do të drejtohet nga z. Klajdi Mati
Zoti Mati është ekspert i njohur me përvojë të gjatë profesionale në Shqipëri dhe në SHBA në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Është diplomuar për Drejtësinë Kriminale, dhe ka kualifikime të ndryshme në SHBA. Ai ka gjithashtu përvojë në çështjet e sigurisë edhe në Shqipëri, me angazhimet e tij si drejtues pranë zyrës së delegacioneve të huaja, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë apo Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë ministri.
19. Departamenti i Turizmit do të drejtohet nga z. Fisnik Brovina
Zoti Brovina ka kryer studime në shkencat ekonomike dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në universitetet shqiptare. Zoti Brovina ka qenë një nga drejtuesit në institucionet përgjegjësisë për politikat e turizmit në Shqipëri.