…Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë./
Nga Enver Bytyçi/
Duke reflektuar dhe me tej pas kaq ditë ditirambesh dhe mburrjesh per “suksesin” e vizitës së zotit Rama në Serbi, duket se njeriu vjen e kthjellohet, pra shkëputet nga vala e entusiazmit të turmës dhe lexon realisht ngjarjen, ndonëse ende nuk është larguar afshi që krijuan lëvdatat e deklaratës së kryeministrit tonë në konferencën e shtypit me homologun e tij serb në Beograd. Edhe pse koha kalon dhe dehja po bëhet esëll, ka njerëz që i qëndrojnë idesë fikse se zoti Rama bëri “heroin”, duke na rikthyer kujtesën jo shumë të largët, kur ne shqiptarët mburreshim me “heroizmat” e diktatorit. Atëherë dhe sot përjetimi është i njëjtë: “Udhëheqësi ynë është më i miri, më trimi, më i guximshmi, më i lavdishmi, ndaj dhe ne duhet të ndjehemi krenar për të”. Krenarinë për udhëheqësin e përjetojmë si krenari kombëtare, e ndërkohë dinjitetin tonë e masim me muskujt dhe forcën që udhëheqësi shfaq përballë “armikut”. Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë.
U ndala në këtë krahasim, jo për ta denigruar dhe zhvleftësuar vizitën në Beograd të kreut të ekzekutivit shqiptar. Eshtë e vërtetë se ai bëri “heroin”, por nuk jam I sigurt nëse sot në kohën e globalizmit i duhet kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë edhe ashtu si u bë, ajo ka një kuptim, ka një konotacion dhe në përgjithësi mund e duhet konsideruar si e nevojshme. Por përjetimin postvizitë, postkonferencështypi, thuajse e shohim të njëjtë. Pikërisht kjo ndjesi duket se na vjen si pluhur fosforie na bën dritë të rrejshme, pasiqë duket se ne shqiptarëve na pëlqen shumë rrena, duam në çdo kohë të bashkëudhëtojmë me iluzionet e për pasojë kemi gabuar e gabojmë aq shumë, sa me gabimet tona kemi dëshmuar se nuk jemi përgjegjës në atë masë sa duket gjatë brohoritjeve nacionaliste për fatin tonë e për fatin e kombit tonë.
Në këtë këndvështrim besoj se ndodhia e Beogradit do të duhet të shihet e analizohet në dy këndvështrime: Në aspektin diplomatiko-politik dhe në aspektin e komunikimit bashkëkohor.
Në aspektin politiko-diplomatik deklarata e zotit Rama dukej e pa vend dhe jashtë çdo dyshimi nuk mund të prodhonte efekte pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në politikë e në diplomaci kontaktet, bisedimet, vizitat reciproke nuk bëhen thjesht për shfaqje publike me ultimatume dhe receta absolute. Zoti Rama veç deklaratës se “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm. Atë e kanë njohur 108 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, si dhe një darke me humor dhe mizikë live nën melodinë e zërit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, nuk u përpoq të promovonte diçka më shumë. Nëse shkohet për vizitë në një vend thjesht për të lëshuar një deklaratë, atëherë që këtu ajo vizitë do të konsiderohej e dështuar. Ndërsa në rastin e një vizite pas gati 70 vitesh, si ajo që analizojmë, reduktimi i saj në motivin e një deklarate si ajo e zotit Rama, është më shumë se një dështim. Duhet thënë se ajo deklaratë ishte formuluar mirë, ishte e argumentuar si për një konferencë shkencore, por nuk kishte lidhje me diplomacinë e shefit të një qeverie, cilido të ishte ai. Mësë shumti ajo ishte e pranueshme në ndonjë forum ndërkombëtar, por aspak e goditur në një konferencë shtypi.
Vizita e zotit Rama duhej të kishte tri dimensione, dimensionin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dimensionin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, si dhe dimensionin e respektimit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kësaj vizite të ashtuquajtur historike i munguan pikërisht përmasat e tilla, aq sa të krijohet përshtypja se kryeminisri shqiptar e kërkoi me ngulm një vizitë të anuluar së paku katër herë, thjesht për të promovuar “nacionalizmin” e tij dhe për të fituar kapital politik te shqiptarët në rajon. Ai nënshkroi dy marrëveshje, të cilat mund të nënshkruheshin nga kushdo në Tiranë, ose në Beograd, madje dhe nga ndonjë drejtor drejtorie të dikastereve përkatëse të Ramës. Ato marrëveshje qenë si për të thënë “Ja, bëmë diçka më shumë!”, por që nuk kanë ndonjë peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe serbëve. Ne fund te fundit ai që merr rrugën të udhëtojë jashtë vendit do ta ketë patjetër pasaportën dhe kështu udhëtimi me karta identiteti do të regjistrohet rrallë në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Kjo do të thotë që vizita duhej të kishte në dosjen e saj një objektiv konkret në këtë drejtim, ndoshta në formën e një memorandumi, ose të një dokumenti që së paku në parim i jepte fund një të kaluare dramatike në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke marrë përgjegjësi të reja në qëllimet e përbashkëta në integrimet europiane e rajonale. Përcaktimi i angazhimit parimor të palëve për paqe e stabilitet, për integrime dhe projekte të përbashkëta rajonale zhvillimi diktonte nevojën e nënshkrimit të një memorandum të tillë. Por në Tieranë, e më duket se edhe në Beograd, gjithë skenari u përgatit për të luajtur shoun e radhës përballë spektatorëve përkatës me kombësi shqiptare e atë serbe. Prandaj edhë këtë mundësi historike zoti Rama e humbi, pavarësisht se kjo vizitë në Beograd u motivua dukshëm prej tij me interesat e përbashkëta për integrime europiane.
Në raport me Kosovën kryeministri Rama nuk arriti të artikulojë as kërkesën e domozdoshme për angazhimin e palës serbe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Prishtinës e Beogradit, marrëveshje, të cilat ende nuk gjejnë zbatim për shkak të refuzimit të serbëve. Ndërkaq thelbi i asaj që do të duhej vënë në dukje dhe për të cilin duhej insistuar kishte të bënte me çeshtjen që. Kosova të mos vuajë mosnjohjen e pavarësisë nga Beogradi. Njohja e Kosovës nga Beogradi do të duhej të lidhej me nevojën e Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë rajonit për integrimin euro-atlantik. Madje duhej garantuar qeveria serbe se qeveria shqiptare do ta përkrahte anëtarësimin e Serbisë në NATO, si interes jetik për të dy palët, sidomos për ne shqiptarët dhe jo si lëmoshë për krimet e Serbisë në Kosovë. Kosova vuan secesionin serb në veri të Mitrovicës, vuan ndërhyrjen e provokimet serbe në implementimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vuan mungesën e bashkëpunimit të minoritetit serb me institucionet e Kosovës. Pikërisht këto çeshtje zoti Rama i anashkaloi dhe as që i përmendi në takimet dhe konferencën e shtypit me homologun e tij serb. Formulimi i një kërkese dhe madje tentimi për të marrë një përgjigje positive nga Beogradi për këto çeshtje do të ishte një nga sukseset e zotit Rama në Beograd.
Ndërkaq sa i përket dimensionit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën Aldo Bumçi preferon ta konsiderojë si “Serbia Jugore”, zoti Rama vetëm kur erdhi në Tiranë dhe u shfaq në foltoren e kryeministrisë tha se kishte nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Por se është nënshkruar ose jo një marrëveshje e tillë, ende nuk është dhënë një konfirmim nga ana e Beogradit dhe ende nuk shohim diçka të shkruar në portalin e kryeministrisë. Nuk e dimë kush e nënshkroi e në emër të kujt. Megjithatë në Preshevë zoti Rama tha se ia kishte kërkuar zotit Vuçiç ndërtimin e një materniteti në Luginë dhe se ai nuk priste “provokacia”, dmth mosmbajtjen e fjalës prej tij. Ky ishte “suksesi” i zotit Rama për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Asnjë fjalë e asnjë premtim për respektimin e të drejtave kombëtare, për zhvillimin e kulturës, arësimit, gjuhës, teksteve shkollore, traditave, vlerave historike të hershme e të gjalla në kujtesën e shqiptarëve.
Duke analizuar gjithë këtë situatë duhet thënë se vizita e zotit Rama ishte krejt e pasukseshme, nuk solli asgjë të re sa i përket shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve tredimensionale që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Dhe duke mos i zgjidhur problemet politike në rrugë diplomatike, zoti Rama krijoi dhe një precedent tjetër të rrezikshëm dhe të dëmshëm, gjithnjë në aspektin e komunikimit. Mosadresimi i problemeve dhe shmangja e ballafaqimit me to bëri që kryeministri i Shqipërisë e për pasojë edhe kryeministri i Serbisë të krijonin një marrëdhënie komunikimi tashmë jo midis tyre, por me zgjedhësit përkatës të secilit. Zoti Rama dukej se nga Beogradi donte të komunikonte me shqiptarët, të bisedonte gjithashtu po me shqiptarët, ndërsa përballë kishte homologin e tij serb në kryeqendrën administrative e politike të Serbisë. Deklarata e tij nuk ishte apel, as mesazh për liderët e Beogradit, përkundrazi ishte shfaqje ekzaltimi për shqiptarët. Ndërsa reagimi i kryeministrit serb ishte gjithashtu një shfaqje rrjedhojë e liderit për turmën. Të dy në konferencën për shtyp në Beograd komunikuan me turmat përkatëse, pa u shqetësuar aspak për të shfrytëzuar ndonjë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të shumta që ekzistojnë midis të dy vendeve. Nëse zoti Rama do të donte të komunikonte më homologin e tij serb, do të duhej që pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ta integronte në konceptin e tij të integrimeve europiane e rajonale si dhe me konceptin bashkëkohor të bashkëjetesës në paqe, siguri e stabilitet, si parakushte të një Europe të Bashkuar e të një vendi të nderuar të shqiptarëve, serbëve dhe gjitha ballkanasve në këtë Europë. Kjo kërkesë mund të lidhej me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit me epilog njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Por ai nuk deshi ta bënte këtë, nuk u përpoq të jepte mesazhe e të bënte ndonjë apel ndaj bashkëbiseduesve që pati përballë, ai ishte i preokupuar me “dronin e tij” që të dërgonte mesazhe nacionaliste te shqiptarët, mesazhe që vinin si jehonë e atmosferës që krijoi “droni I vëllait të tij”. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë u kujdes më shumë të “krijojë një familje dronësh” dhe e shfrytëzoi vizitën në Beograd për të realizuar disa qëllime e synime të tij në politikën e brendshme. Pikërisht kjo e bën jo vetëm të dyshimtë, por të papranueshme një sjellje të tillë. Se është kështu, ai e pranoi në një emission televiziv, kur u shpreh se “Sikur të mos thoja unë ato që thashë për Kosovën, si do të reagonin kundërshtarët e mij?!”. Ndërkohë që ai nuk bëri atë që do ta kishin bërë kundërshtarët e tij, pra të dërgonte mesazhe të qarta te mikëpritësit, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vizitë politike e diplomatike në botë.
Në komunikim ka gjithmonë dy palë: Folësi dhe dëgjuesi. Një palë flet me synim që të japë një mesazh ose të dërgojë një apel te pala që dëgjon. Folësit ishin Rama dhe Vuçiç. Ata ishin gjithashtu dëgjues të njëri-tjetrit. Por të dy luajtën role aktorësh në monolog. Nuk bënë asnjë lloj apologjie, thjesht shfrytëzuan skenën për të shit sa më shumë nacionalizëm te përkrahësit e tyre. Pra, dëgjues nuk pati në sallë. Sikur të mos ishin prezente mediat, dëgjuesit mund të kërkoheshin në eter, do të ishin imagjinarë. Mediat bënë që dëgjuesi të merrte lajmin e “trimërisë” së pashoqe të kryeministrit shqiptar. Ndryshe këto çeshtje Rama do t’i diskutonte me të njëjtën forcë në takimin kokë më kokë me homologun e tij serb. Ndryshe e njëjta atmosferë do të shfaqej në darkën e mandolinës së Daçiçit.
Shkurt të dy kryeministrat konkuruan dukshëm e me virtuozitet në fushën e nacionalizmit të shtirur dhe u shmangën nga detyrimi themelor për tu përkujdesur për rritjen e cilësisë së jetës së popujve që ata përfaqësojnë. Kosova ishte edhe këtë radhë kurbani i rritjes së popullaritetit të Ramës dhe Vuçiç. Deklarata e Ramës përveçse si nxitje në kahen e kundërt, nuk ka shërbyer në asnjë rast për zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë. Në këtë kuptim edhe Hashim Thaçi është dëshmuar më konsekuent se Edi Rama.
Kjo lloj konkurence nuk ka sjellë ndonjë dobi as për shqiptarët, as për serbët. Serbët kanë fituar në 100 vite, sepse dijtën të luajnë rolin e viktimës përballë shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët fituan luftën më 1999-ën, sepse Ibrahim Rugova dhe liderët e UÇK-së mundën ta bindin botën se viktimat e vërteta të konfliktit shqiptaro-serb ishin shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Edi Rama bëri të kundërtën, luajti rolin e fituesit, ndërkohë që është viktima, shpresoj e fundit e këtij konflikti. Një rol të tillë të heroit e luajti për shumë dekada dikatori shqiptar, Enver Hoxha, derisa na izoloi dhe pas izolimit total të dështuar na dha nga një “fletë-hyrje për në varr”, derisa i detyroi shqiptarët që t’ia mbathin nga sytë-këmbët e të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë. Nacionalizmi patetik i zotit Rama dhe mbrojtja që ai i bëri pas kthimit këtij nacionalizmi të shëmtuar të stilit të vitit 1981 i ngrohu zemrat e enveristëve kudo në hapësirën shqiptare. Por çdokush që gjykon me gjakftohtësi sot do të kuptojë se vizita e Ramës në Beograd ishte po aq e dështuar sa vzita e Enver Hoxhës e vitit 1947. Përkohësisht vetëm dy veta dolën të fituar: të dy janë kryeministra të të dy vendeve respektive, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ndërsa viktimat mbeten si gjithnjë ata që besojnë verbërisht te sinqeriteti dhe “ndërshmëria” e këtyre dy burrave, të cilëve do t’u duhen prova të tjera më borrërore për tu thirrur “Burra shteti”.
Ajo çfarë i bën kombet të konkurojnë sot midis tyre nuk është reatorika nacionaliste, përkundrazi përkushtimi për të ndërtuar një botë të lirë e në stabilitet. Pas 12 qershorit 1999 shqiptarët kanë qenë dhe janë më komod në këtë linjë konkurimi, gjë që ende nuk është kuptuar nga zoti Rama dhe shumë politikanë të tjerë në Tiranë. Ndërkohë që Beogradit I shërben më shumë parimi “I fitores përmes konfliktit”, ne shqiptarëve na duhet t’I fitojmë betejat e humbura përmes rrugës së kundërt, papes e dialogut. Por mesa duket zoti Rama këtë kurs e ka të pamundur për shkak të natyrës së tij konfliktuale si në opozitë dhe sot në pushtet. Nëse ai do të sillej ndryshe në Beograd, do të plasnin kritikat e ashpra në Shqipëri, pse mbron dhe mban standarte të tjera në sjelljen e tij ndaj opozitës dhe popullit opozitar?!