Dështon debati, nisin protestat – është kryetitull në shtypin e neserm të Kosovës.
“As pas dymbëdhjetë orë diskutimesh në tryezën e organizuar për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pozita dhe opozita nuk i kanë përafruar qëndrimet. Lëvizja “Vetëvendosje” i ka ftuar për sot në mëngjes qytetarët në protestë para Kuvendit, përderisa ambasadori amerikan, Greg Delawie, i ka akuzuar palët se po e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës”, thekson në ballinë gazeta Zëri.
PËRFUNDON DEBATI PËR DEMARKACIONIN, VV PARALAJMËRON…
Ka përfunduar debati në tryezën për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, pa përfundime të dakorduara.
Pak më parë Lëvizja Vetëvendosje, mes tjerash, deklaroi:“Ftojmë qytetarët e aktivistët, që nesër në orën 10:00 të mblidhemi para Kuvendit. Është momenti vendimtar që ta mbrojmë Republikën tonë… Demarkacioni nuk do të kalojë…Nëse nuk tërhiqet Qeveria, gjendja do të dalë jashtë kontrollit dhe rezistenca do të jetë edhe më e ashpër se kurdoherë”.
Kosovë-Qeveria vlerëson lart debatin për shënjimin e kufirit
PRISHTINË, 3 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sonte se vlerëson lartë debatin e zhvilluar sot lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e debatit për kontributin e tyre në këtë debat shumë të dobishëm për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi.
Qeveria e Kosovës, pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, vlerëson se në të ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së.
Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje, përfundon deklarata e dërguar.
Në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës përfundoi sonte debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë – Mali i Zi./b.j/