• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DREJTËSIA, GUR I VARUR NË QAFËN E KRYEMINISTRIT

June 9, 2021 by dgreca

Nga PIRRO LOLI/Edi Ramës i është prishur qetësia. Në fillim nga dehja e fitores pastaj nga frika; Ka filluar të trembet nga  fitorja e zgjedhjeve. Dhe sikur i ka ikur zëri; nuk  flet më duke u çjerrë, e bërtitur me duar e këmbë e me ato gjeste aktoreske provuar në pasqyrë. Edhe ata të dashurit e tij, banditë, ishër, drogaxhinj, oligartësh e simpatizatësh që i serviloseshin më parë po i duken të frikshëm, “harroje Skëndërbeun e asaj zonjëzës, që i falej me temena; (Dikush i tha, laj gojën, “Skendërbeu nuk ishte hajdut); frikë i vjen dhe nga Lali Eri dhe nga Tao Tao-ja që imitojnë atë  dhe në lëvizjet dhe në tonet e fjalorit të tij. Nuk e donte me kaq muzikë këtë fitore që akoma pa dhënë rezultatet e mori vesh bota mbarë si masakër zgjedhore. Propaganda mashtruese i ka këputur frenat dhe nuk ngjit më. Ajo drejtësia e tij po katandiset si thes i shpuar e sherri kërkon sherr

***

Pika më strategjike e programit të tij (pa program) është reforma në drejtësi. Dhe, ua tha shqip me sinqeritet, “ Doni drejtësi të pavarur, votoni mua, votoni numurin 12., 12 , mos harroni”. Doni të shpëtoni nga virusi pandemik, votoni mua, numurin 12, mos harroni…Ja, ata votuan e ne fituam, po tani? Me sa duket drejtësia është thembra e Akilit për qeverisjen oligarkike të  Rilindjes  dhe nuk e kupton  i ngrati se “sukseset” e qeverisjes së tij tetë vjeçare, varur në qafë si varëse zbukurimesh, po bëhet gjithnjë e më tepër gur i rëndë…Ndryshimet me pikatore , në drejtësi, një sot e një mot,  më përziejnë zorrët..

***

Nuk harrohet. Sapo mori pushtetin, që në vjeshtën e vitit 2013, Edi Rama nisi sulmet ndaj pushtetit gjyqësor dhe sidomos ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që , për hir të së vërtetës. ishte i tej mbushur me  gjykatës e prokurorë të korruptuar. Duhet të pranojmë që drejtësia drejtohej nga politika dhe se politikanët ( peshqit e mëdhenj)mbeteshin gjithmonë të pa prekur. Të gjitha rotacionet, hiq e mos këput, synonin ta kishin drejtësinë me vete, ose nën vete. Kjo bënte që sistemi demokratik të mbetej i plagosur, i pa balancuar mbërthyer në një tranzicion të gjatë. Degradimi i drejtësisë kishte ardhur galopant në të gjithë strukturën sidomos pas vitit 1997, ku rrugaçëria e shoqërisë shqiptare me shumicë majtist-o-komuniste, nën stimulimin serbo grek, dhunshëm diktonte ligjin dhe veprimin. Rrëmbehej kirurgu nga operacioni, mësuesja nga klasa, kasaforta nga banka; kujtojmë shembullin më ekstrem e aq të  rrezikshëm kur, kryetari i gjykatës kushtetuese R. Gjata u nxorr forcërisht nga zyra dhe në vend të tij u emërua Fehmi Abdiu, xhelati i fundit i komunizmit që dënoi me varje poetin Havzi Nela.. 

Rama na dolli “më i suksesshmi”. Ky synonte që të bënte gjithçka me drejtësinë por, rreptësisht, djallëzisht e kategorikisht të mos prekej ai dhe rrethi tij i ngushtë, rilindasit, soristët, ministrat  dhe oligartët e zgjedhur të tij, që arritën deri në Parlament, e me luftën e ashpër të opozitës dhe të opinionit ndërkombëtar, u arrit të aprovohej ligji anti korrupsion, që rrëzoi rreth 20 deputetë të tij hajdutë.  Nën sqetullat e forumeve të drejtësisë ai arriti të aprovonte disa ligje sipas qejfit dhe interesit gjoja në emër të reformës dhe arriti ta lërë Republikën  pa drejtësi funksionale. Djalli i dinte të tëra djallëzitë. Por koha po bënte të vetën. Dhe djalli nuk qëndronte dot u pazbuluar.  Pas gërr-gameve të  vazhdueshme të një propagande mashtruese, ai shkarkoi dy anëtarë të Këshillit të Lartë, (L. Lelczajn Dhe të riun E . Çefa) dhe i zëvendësoi me dy dy socialistë ( V. Kosta dhe S. Çomo).  Me këtë zëvendësim që duket kaq i thjeshtë,  E. Rama mori ( votën pro tij), kontrollin mbi KLD-në. Kjo manovër do të bënte të pa mundur akuzat ndaj oligartëve dhe të gjitha akteve korruptive të Rilindjes me në krye kryerilindasin ose kryeministrin sorist. KLD-a e korruptuar do  emëronte  dhe do shkarkonte  çdo gjyqtar që mund të rrezikojë dikë nga administrata e lartë shtetërore. Milionerët punonin të qetë për të ngritur kulla dhe paraja pastrohet lirisht. Akti arbitrar “ala Ramë”, goditi thelbin e çdo vendimi të gjykatave me anë të votës,  akt që flet  qartë për një uzurpim pushteti me diktat shtetëror. Ky kurth që iu  ngrit drejtësisë,  tërhoqi mendimin  Gjykatës Kushtetuese, që e quajti vendim anti kushtetues, megjithatë ndryshimi i anëtarëve nuk u bë. Pikësynimi i Ramës në drejtësi synonte dhe synon djallëzisht të bëhej diçka, sa me i dëgjue paksa ndërkombëtarët, aqë, ashtu sa me ly buzët me buzkuq por,  në asnjë mënyrë kjo drejtësi të mos i drejtonte sytë lart nga oligarkia qeveritare. Pas këtij akti u kuptua manovra trashanike e kryeministrit; u fol hapur për dështim të tij por  ai po përgatiste një kurth tjetër më djallëzor. ( Edhe nën hijen e ndihmës vllazërore të ndërkombëtarëve). Diçka të bëhet, mishi të piqet e helli të mos digjet; le të kapej ndonjë cironkë, t’u zihej ndonjë sy të huajve dhe ndonjë fakiri më tej, që nuk mbrohej dot e me këtë funksiononte  dhe propaganda e, do s’do,  të kënaqte dhe aleatët e jashtëm sidomos ata amerikanë me promotor Ambasadën Amerikane. Duke pasur një shumicë votash në Kuvend, mendja  e tij fabrikoi një ligj ku do ngrihej një Byro Kombëtare (një farë “FBI” shqiptare) me kompetenca hetimore  mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin që po bëheshin dukuri të frikshme. Djalli po vepronte hapur. Në sy të të gjithë të huajve.  Çudia do vazhdonte më tej. E pabesueshme: Kjo farë FBI-je “made in Ramë”, do drejtohej nga Ministria e Brendshme,  nga ministri i brendshëm Sajmir Tahiri, më i suksesshmi i të gjitha pushtetarëve që s’mbahen mend,  Kjo, jo vetëm që ngjante më tepër si gestapo ligjore ku, më i suksesshmi i qeverisë sipas Ramës,  Sajmir Tahiri, me dhjetëra e qindra oficerë policie në shërbim të tij dhe të korrupsionit  e mbushën dhe e mbrojtën Shqipërinë me drogë. (Dhe çudia nuk përmendet më, emri i tij i bllokon fytin kryeministrit. Në sukseset e Ramës, S. Tahiri, që në atë kohë kishte marrë superxhiro, gjoja në ballë të luftës së qeverisë kundër krimit dhe korrupsionit, aktualisht po gjykohet nga  gjykatësit dhe policisë së tij të dashur. FB-në shqiptare  e zuri covidi 19, që ka një të keqe që nuk e njeh atë që sulmon.) Ligji u miratua nga kufomat e PS-së, nën duartrokitjet e “Rilindjes” – ala tao-la-ntësh  e  spiro-palësh- Por dhe ky “sukses” kaq flagrant,  nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese. Dështimi i dytë me emra të mëdhenj si në Amerikë e bëri Ramën të hidhte sytë më lart…Pse jo, ai kishte arrën dhe gurin, dhe paranë dhe kartonët e Kuvendit dhe deputetët e ardhur nga ferrat, ata që kishin mbetur nga mbetjet e mbetjeve, por vlera e kartonëve ishte e njëjtë. Sipas tij “duhej bërë” Reforma në Drejtësi, që kish kohë që kërkohej edhe nga faktori ndërkombëtar. Dhe menjëherë do ngrihej një grup me emrin “ekspertë të nivelit të lartë” U emëruan në të elementë , që kishin qenë hetues, gjyqtarë apo prokurorë, që vinin nga regjimi komunist dhe nga Sigurimi i Shtetit. Këta “ekspertë” do të hartonin një projekt për të reformuar  tërë sistemin shqiptar të drejtësisë. Nuk u mor vesh pse u quajtën ekspertë, por të gjithë u zgjodhën nga  fidanishtja e plakur e PS-së. Kokërr më kokërr.   Për çudi, ndoshta dhe nga mos njohja, kjo reformë mori mbështetjen morale  edhe financiare me fonde të mëdha nga SHBA. Faktori ndërkombëtar kish kohë që kish kërkuar të merrte fund krimi, korrupsioni sidomos pa ndëshkueshmëria ndaj administratës së  lartë shtetërore, në veçanti  për peshqit e mëdhenj. Por peshqit e mëdhenj notojnë në ujra të thella dhe nuk bien në rjeta. Krijohej përshtypja se Edi Rama ishte aktori dhe autori që po realizonte reformën në drejtësi.  Dhe medaljet i vareshin atij në qafë. Atij vetë i dukej se çdo hap ( lexo çdo kurth) drejt reformës ishte si një meritë personale.  Për këtë flisnin veçanërisht televizorët e uzurpuar nga ai. Siç dihet , propaganda artificiale tek ne është ushqim i përditshëm sepse të gjitha valët televizive kryeministri ia ka dhënë bandave që lëvizin paranë e madhe. ( Ai reciton vazhdimisht nga TV e tij personale (ER-TV) Dhe iso i mbajnë gazetat e analistët servilë e pseudo intelektualë interesaxhinj duke krijuar një  situatë kundërshtish thelbësore midis opozitës dhe pushtetit. Domosdoshmërinë për një reformë të vërtetë në drejtësi e shfrytëzoi edhe fondacioni Soros, duke hedhur gurë e duke fshehur dorën. Sorosi e kish gjetur drejtësinë shqiptare  në krizë  dhe kish kohë që kish rrëmbyer të gjithë mbeturinat e sistemit komunist, ish oficerë të sigurimit,  intelektualë të ndryshëm të çdo sektori me prirje të majta  dhe me ndërhyrje në organika të shumta kuadri, një për një, me premtime e me para, pro komunistë e enveristë, duke u  ofruar punë e roga qyli  kudo në shoqërinë tonë që, gjithsesi influenconte në një njëanshmëri aspak demokratike. Të gjitha mund të ndryshojnë  Shqipërinë mono partiake tani, por çdo veprim në drejtësi do bëhej nën ndikimin e mikut të Sorosit, E. Ramës,  për ta ruajtur atë dhe oligartët rreth tij, brenda dhe jashtë vendit.  Dua të besoj se ndërhyrjet tinëzare të fondacionit Soros, nuk janë të njëjta me ato të SHBA. Po kështu duket se këto ndërhyrje nga jashtë janë të ndryshme nga dëshirat dhe ndërhyrjet e  kryeministrit  Rama për  reformën në drejtësi. Opinioni shqiptar ka besim të patundur në mbështetjen amerikane e financiare pavarësisht se, aty këtu, ka mos përkime e qëndrime të ndryshme aspak në përputhje me mendimet parimore të opozitës, që u detyrua të braktiste Kuvendin më mirë, se sa të katandisej në bishtin e të ashtuquajturës Rilindje.  Kujtojmë rastin e emërimit të kryeprokurores A. Marku në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe, jo vetëm që nuk lëvizi kundër krimit dhe korrupsionit,  por u bë mburojë për mos dënimin e krimeve qeveritare. Askush nga miqtë ndërkombëtarë nuk nxorri zë; po kështu absurde tingëlloi së fundi dekorimi i   A. Dovranit nga departamenti i shtetit – që ishte pushuar me motivacione bindëse nga organet e drejtësisë, mbeten të pa shpjegueshme as nga ambasada amerikane.(!) Në sy të opinionit vendas , por dhe të huaj, kur direkt e kur indirekt, po përkëdhelej Edi Rama që , siç thamë më lart, po siguronte kontrollin  mbi sistemin e drejtësisë dhe arriti gati për tre vjet, ta zeroi e ta nxjerrë plotësisht jashtë sistemit krejt Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, akt ky i pa precedentë në çdo shtet dhe në organet e drejtësisë. Ritmet e reformës në drejtësi po ecin me hapat e breshkës dhe sigurisht që nuk mund të jetë nën  kontroll të plotë të Ramës; me ne po eksperimentohet një drejtësi e  njollosur që nuk mund të luftojë krimin dhe korrupsionin me oligartë e drogaxhinj që kanë  uzurpuar krejt rrethin e Kryeministrit. Por, nuk mban më ujë pilafi.  Edi Rama, sidoqë të vërtitet nuk i shmanget dot përgjegjësisë së tij në çdo pseudo reformë që ka ndërmarrë në këto tetë vjet të drejtimit të tij. Vetingu , vërtet selektiv e tmerrësisht i zvarritur nuk godet  kokat e korruptuara të politikës dhe të korrupsionit galopant. Reformat ala Ramë, mbulohen me mjegull, kot kërkohet transparencë , gjarpri nuk i tregon këmbët…por thuhet se shpresa vdes e fundit…  Skenat nuk mund t’i mbulojë gjithmonë mjegulla… Dikush , brenda apo jashtë vendit, që dëshiron të bëjë dhe rolin e guvernatorit në Tiranë  edhe mund të krekoset se diçka po lëviz, por me sa duket dilemat nuk do na ndahen;  e pranuam nusen e virgjër në dasmë, ngritëm dhe dolli,  edhe pse e dimë se, e mirë dhe e virgjër është nusja, por është pak shtatzënë. Reformat në Vendin tonë janë përmbytur nga oligarkët Rilindjes. Shqipëria po lëngon pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë funksionale. Kemi arritur në këtë pikë,  kur kryeministri ynë,  edhe po të dojë të dorëhiqet, nuk e lënë milionerët e kriminelët. Se vjen një kohë që mafja ha vetveten, e ata zinxhirrët “e meritave”  të varura në qafën e Ramës po kthehen në gurë të rëndë. 

***

Zgjedhjet mbaruan u manipuluan dhe u fituan nga Rama,  por masakra zgjedhore nuk mund të fshihet. Sherri vërtitet në të gjitha instancat e (pa)drejtësisë dhe tani radhën e ka opozita idealiste që, keq t’i njohë e keq të mos i njohë zgjedhjet pa zgjidhje. Drejtësia dhe ligjshmëria e zgjedhjeve mbetet përgjegjëse e  masakrës zgjedhore e demokracia jonë përsëri po zhytet në një tranzicion më problematik. Dielli nuk mbulohet me shoshë. I gjithë sistemi i drejtësisë është mbuluar me një propagandë të dendur mashtruese.  Faktet janë kokëforta e flasin vetë. Shqipëria ka pesë vjet që në të gjitha nivelet  sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Unë po shpreh mendimin tim se faktori ndërkombëtar ose nuk e njeh gjendjen, ose bën sikur, a më keq akoma, i mban iso një kryeministri që ju duhet atyre dhe që rrënjët i ka te istikamet e Sorosit. Shembujt janë alarmante: Gjykata e Posaçme Apelit Kundër Krimit Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar aktualisht ka 4 anëtarë nga 11, Gjykata e Posaçme e Shkallës se Parë Kundër Krimit, Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, aktualisht ka 6 anëtar nga 16, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 6 anëtarë të zgjedhur nga 9 që duhet te kishte. Gjykata e Lartë sot ka 7 gjyqtarë nga 19 që duhet të kishte. Në këtë gjykatë çështjet e mbartura vijojnë të jenë mbi 30 000 mijë dhe që datojnë prej vitit 2016.. Gjykata e Apelit Administrativ sot ka 8 gjyqtarë, nga 13 që duhet të kishte sipas organikës. Sipas ligjit, shqyrtimi në Gjykatën Administrative duhet të përfundojë 30 ditë pas administrimit të ankimit.. Gjykata e Apelit Tiranë sot ka vetëm 9 gjyqtarë, nga 31 që duhet të kishte. Edhe në këtë Gjykatë shqyrtohen çështje me vite vonesë (2016) dhe ka shumë probleme me formimin e trupave gjyqësore. Ka 14 000 dosje që presin gjykimin. Gjykatat e Apeleve në Rrethe funksionojnë me numër gjyqtarësh më shumë se të përgjysmuar. Ka Gjykata që nuk formojnë as një trup gjyqësore me 3 anëtarë, ndërkohë që në Gjykatat e Rretheve përditë reduktohet numri i gjyqtarëve për shkak të procesit veting. Edhe në Gjykatat e rretheve ka vonesa masive, me vite, në shqyrtimin e çështjeve. E kur kryeministri duhet të vinte kujën për këtë gjendje, guxon e thotë …”Reforma në drejtësi në Shqipëri është e pashembullt…” Kjo gjendje të kujton atë djalin nga fshati gjysmë budalla që nuk e pranonin në fshat dhe ai kërkonte vajzën e priftit për nuse…

 Asnjë analize objektive nuk ka për këtë situate kritike. Asnjë kritikë brenda sistemit. Parlamenti hesht i kënaqur. Ndërkohë, deformimi është shumë i rëndë vonesat janë skandaloze dhe askush nuk mban përgjegjësi. Këto mangësi strukturore dhe funksionale askush nuk mund t’i mohojë. As shqip. As anglisht…

Filed Under: Opinion Tagged With: Dguri ne qafen e Rames, Drejtesia, Pirro Loli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT