Nga Rajmonda Maleçka/
k
Për Ballkanin janë shkruar shumë libra. Pse kaq shumë libra? Jo vetëm nga krijuesit a lëvronjësit ballkanas, por dhe nga të huajt. Ndoshta ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, në Lindje dhe në Perëndim, në vendet e njohura për kultet dhe kulturat e veçanta, Ballkani duhet se ka prodhuar më shumë se çdo vend tjetër “letërsi” të shkruar, kulturë orale dhe “gjetje” të tjera. Në asnjë vend apo “gadishull” tjetër të botës, nuk mund të gjendet kaq larmi “krijimtari” dhe specifikë të tillë.
Pse ka ndodhur kështu?
Pjesa më e madhe e analistëve kanë thënë të njëjtën gjë. Kushtet dhe rrethanat historike të popujve ballkanik kanë patur thuajse një llojë uniformiteti, një llojë klime malore dhe bregdetare, ç’ka dhe e ka diktuar bimësisë shpirtërore apo dhe atë “pragmatiste” tëpopujve ballkanas. E me të drejtë Ballkani ka qenë një krye-vend e një “makinë” e pa-lodhur e larmisë së kulturave krijuese, në të shumtën e herës jo të nevojshme dhe jo të shëndetshme për një gadishull të mbarsur që herët në konflikt.
Mund të përpiqesh deri në maksimum t’i largohesh magmës së nxehtë, asaj të vërtetës që ka jetuar Ballkani. Të takon të shkosh lart në mal, atje ku mijra pelegrinë përpiqen që të qetësojnë ndërgjegjen dhe shpirtin në “tempujt” e shenjtë, por përsëri ajo dufma e nxehtë vjen nga pas. Të përplaset në fytyrë…
Kohët kudo kanë lënë gjurmët e veta, shenjat. Thonë që shenjat rrojnë gjatë. Dhe kjo duhet të jetë e vërtetë. Si varret. A ka gjë më të shenjta se sa varret e të parëve për ballkanasit. Veçmas për shqiptarët. Në Veri e në Jug, të takon të dëgjosh emra të tillë:- varri i nemceliut, varri i serbit, varri i grekut, varri i turkut, varri i shqiptarit. Po kështu dhe në vende të tjera ballkanike fqin je. Në të gjithë Ballkanin kjo llojë “toponimie” gjendet jo rrallë. Një mjet për të kuptuar shumë gjëra se ç’ka ndodhur historikisht në Ballkan dhe në ndërgjegjen e këtyre popujve. E këto emra, duken si petku që mbulon trupin. Thellë varreve, ka histori të dhimbëshme. Ka gjak, luftëra, tradhëti, aleanca, histori nga më të stisurat e nga më të vërtetat. Ka tmerre, pikëllime, shtëpi dhe vatra të shuara përjetë.
Kohët i burburojnë këto histori. Si plagët. i burburon plagët, e ato gjithmonë dhëmbin. Gjithmonë prodhojnë dhimbje. Në këtë rast të vjen të pyesësh:- Ishin vllazën apo armiq kundër njëri-tjetrit? Vranë njëri-tjetrin, apo i vrau dikush tjetër? Vargu i pyetjeve është i gjatë. Si një kalvar, si vetë jeta dhe vdekja që janë zvarritur me një kryeneçësi të papranueshme.
Po pse të gjallët armiq të njëri-tjetrit? Secili përfol dhe kumton “të drejtën” e vet.
Ndoshta ashtu siç ka ndoshur përjetsisht, siç ka ndodhur me kohën pagane, me atë antike, pas-antike, me kohën e Krishtit e më vonë, me të gjithë arsenalin e madh shpirtërorë, atë qiellor dhe nëntokësor, u ka takuar që të gjithë të kenë të drejtë mbi Ballkanin.
E drejta mbi Ballkanin!
Një e drejtë që ka qenë dhe vetë-fatalitetit i saj. Një e drejtë, që më së shumti i ka bërë varrin vetes. I ka hapur humnerën vetes. I ka hapur llogoret. Një e drejtë, që është keq-përdorur siç përdoren skllevërit. Një e drejtë qaë e kanë përdor perandorët, ambasadorët, ajdutantët, shërbëtorët e salloneve, e kancelarive, të drejtë që e kanë përdorur korrierët dhe fjalëtorët.
Një e drejtë që më së shumti ka qenë intrigë dhe dashuri. E drejtë dhimbje. Një e drejtë kaos. Mish-mash. Një e drejtë mjergull. Pra, një e drejtë për të cilën kanë folur, sajuar, survejuar, ngritur teza e hipoteza, kanë sharë e kanë lavdëruar, kanë qarë dhe kanë kënduar, kanë vajtuar të gjithë. Një vaj e një gaz gati kolektiv.
Ç’është ky gadishull që krijon, sajon dhe thur intriga, dashuri, urrejtje e kaq kurthe? Pse kaq histori, kaq të drejta e pa-drejtësi, që shkojnë dhe vijnë si pajtonët e vjetër me dorën e heshtjes mbi Ballkan. Ndoshta ajo kishte”shpërblyer” dhe analistët dhe shtypin e kohës, të cilët më së shumti punonin kundër çështjes shqiptare.
Terri vazhdoi gjatë. Ishte një, terr i hidhur dimëror. Ishte një terr, që “shëtiste” mbi Ballkan si hyena, si hijet. Ndoshta, ndoshta dhe ardhacakët, veprimin e Is’ Boletinit se përbuzën. Diku, diku e quajtën një akt të rrallë. Të hyje me kobure në derën më të ruajtur dhe më të sigurt të Anglisë së kohës, sa trimëri ishte dhe një “çmenduri”.
Kuptohej qartë se trimëria e Is’ Boletinit kishte pjesën e saj. Ajo ishte rritur, ishte përmasuar. Kishte patur një kujdes të veçantë, që të lejohej vetëm trimëria, duke lënë në heshtje dhe në terr mençurinë. Sa tmerr! Të heshtësh për mençurinë! Pra, trimëria kishte marrë krejt pjesën e mençurisë, e cila ishte e gjitha, në mos kaq ishte pjesa më e madhe. Ishte një strategji e hollë në kurthin e së cilës kishin rënë të gjithë dhe që vazhduan të binin epokë pas epoke analistë, politologë, diplomatë dhe strategë luftërash dhe “parashikuesh” konfliktesh. Mbi to kishte rënë murtaja e ç’etnitetizimit.
Në këtë kurth (për arsye!?), ajo ka mbetur deri vonë. Fare pak apo askush deri më sot nuk ka arritur ta evidentojë, ta bëjë prezente, ta zbardhë aktin e madh diplomatik të Is’ Boletinit.
Lufta ka qenë pjesë e vazhdueshme e jetës së etniteteve në Ballkan. Ajo ka ekzistuar në themelin e keq-ndërtimit ballkanik, veçmas pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër në 1912-1913. Lufta dhe jeta kanë ushqyer njëra-tjetrën, si dy qenie që ushqehen tek njëra-tjetra. Të dyja kanë luftuar po kundër njëra-tjetrës. Vdekja të ushqejë jetën dhe jeta të ushqejë vdekjen, përveçse duket si një paradoks, për shqiptarët dueli ka qenë i vërtetë dhe real.
Analistët janë kundër luftës. Ta mohosh atë për realitetin në të cilin janë gjendur shqiptarët është të abuzosh me ekzistencën e tyre. Është një llojë sikur t’i akuzosh ato, se pse ekzistojnë! Pra, ato kanë mbi-ekzistuar nga vullneti i tyre i fortë për të ekzistuar. Lufta ka qenë një filozofi shumë e njohur e cila ka ardhur nëpër të gjithë kohët si një gjetje për të mos u shuar, për të mos u eliminuar, një gjetje për të ekzistuar.
Lufta ka ardhur tek ata si një kusht për të ekzistuar apo për të mos ekzistuar. Është njëllojë sikur të pyesësh:-don apo nuk don të ekzistosh, – dhe pse ke të drejtë të ekzistosh. Si të përgjigjeshin ndryshe shqiptarët para këtij dueli “biblik”, para kësaj pyetje shkatërruese dhe eliminuese!? Këtë histori dhe këtë “gjyq” të lashtë në Ballkan, lidhur me shqiptarët dhe ardhacakët, e dinë të gjithë, sa për të ka një epos të madh, ka kode dhe “ligje” të ashpra dhe të buta, ka memorie dhe përmendore mendjesh, mençurish, për nga të tilla kanë ardhur kohët. Shqiptarët ju përgjigjën se do të bënin dhe luftë për ekzistuar në vendin e tyre, aty ku krijesa e parë njerëzore në këto troje, qenë pikërisht ato vetë.
Kohët kishin mbjellë urrejtjen në Ballkan. Si një mallkim. Si një kusht i dhunshëm dhe i dhimbshëm. Kjo dihej që para 500 vjetësh, madje dhe para 1000 vjetëve. Nga delirantizmi i ballkanasve autokton dhe kompleksi i inferioritetit të ardhacakëve. Dy botë që s’mund të pajtoheshim dot. Dy “struktura”, që nuk ishte e mundur të qëndronin bashkë
nuk krijoi një perëndi të quajtur mbase “mot-mira” apo “kundër-mot i keq”, të duket se ka qenë pa ndonjë inventar të caktuar në njësinë e tij, ashtu siç ai është njohur mirë nga njerëzit dhe perënditë. Dhe hyjnitë i janë sjellë atij ashtu si dhe njerëzit.
Të jetë e vërtetë se gadishullorët autoktonë të mbanin po këtë qëndrim dhe me luftën?
Me sa njihet ballkanasit e kanë njohur luftën. E kanë përfshirë në kronikat e tyre të gjithë-llojëshme. E kanë komentuar. E kanë vlerësuar. Kanë ngritur prelude, shtatore, simbole. Kanë patur dhe hyjnitë e luftës. Luftëtarët i kanë vlerësuar me një fjalor të zgjedhur, duke i afruar dhe me perëndinë. Ndofta jo rrallë është quajtur edhe “kalendari” i jetës së tyre. Një tablo ngjethëse dhe torturuese. Si i thonë në trevat e veriut, “ me qefin për kreje”. Shprehja ka lindur dhe përdoret në vendin e vet. Jo sot, por nga mijra vjet, ky refren ka hyrë në imunitetin e moralin e sakrificës a dëshirës për të jetuar, që në fjalët e para që belbëzojnë fëmijët. Pastaj refreni është i qartësuar, i ka ikur mjergulla a qumështia, për ta burrëruar bashkë me trimin. Të edukuar me dekën, të mësuar me vdekjen!
Një moral i përjetshëm i ekzistencës së kombeve dhe racës njerëzore. Dhe historia e njerëzimit ka raste të panumërta për këtë. Thuajse të gjithë kombet e mëdhenj dhe ato të lashtë, tiparin më thelbësor të tyrin:- të dinjtetit dhe indentitetit të tyre, – kanë patur ndërgjegjen e lartë me etninë e tyre. Emblema me njeriun kanë mbajtur njëri-tjetrin. Kjo ndërgjegje është shndërruar në institucion. Është shndërruar në marrëdhënie, në dialog dhe pronësi burrërie. Ajo është shndërruar në një llojë pasaporte a “dokumenti identifikues”, prej nga ekulibri është ruajtur më një përpikmëri të lakmueshme mot pas moti.
Kjo ndërgjegje ishte metër, është një njësi matëse me të cilën shqiptarët “shumëzonin dhe pjestonin” ditët e mira dhe ditët e këqia të jetës së tyre.
Puna më e vështirë e historisë së zhvillimit njerëzor, ka qenë ekulibri. Ai ka qenë një nevojë e pjesës më të madhe të njerëzimit. Nëse njëra palë ka prishur atë, për arsyet e veta ma të njohura të konflikteve, pjesës tjetër i është dashur ta mbajë ekuikibrin, ta ndërtojë, atë. Pra, njëra e ka prishur dhe tjetra e ka ndërtuar. Një lidhje e vazhdueshme kjo në një jetë të pa-fundme për të përballuar kohën dhe ngarkesat e saja.
Në fund të fundit e gjithë lëvizja njerëzore, i gjithë zhvillimi shkencorë asnjëherë s’kanë mundur të veprojnë jashtë ekulibrit njerëzorë. Ai është “kalkulatori” apo “matrica” më ekzakte, lidhur me gjithë rraportet dhe forcat, që vënë në lëvizje njerëzimin. Ai është si ajo lënda djegëse a të themi ai “karburanti”, që vë në lëvizje makinën, pra, hallkat e një “prodhimi” shumë të rëndësishëm dhe jetik.
Vetëm ekuilibri i duhet të jetë i përjetshëm. Ai duhet të ketë një gjithë-jetë. Ai është pjesë e qeverive, e partive, e politikës, diplomacive, e ushtrive, e industries së luftës, e të gjallëve, e të vdekurve. Është një pjesë e atyre që kanë vdekur nga 1000 vjet, 500, 100, 5 a një vit. Pjesë e atyre që lindin dhe atyre që vdesin.
Ekuilibri është pjesë e luftës.
A rregullohet në atë mënyrë “matrica” e luftës, për të sjellë në fund të fundit një llojë “peshe”, një “pakt” a një “paqe”, që mund të quhet ekuilibër? Në të vërtetë këtu ka një paradoks. Të flasësh për luftën, d.m.th. dy anë që luftojnë me njëra-tjetrën për vdekje dhe të thërrasësh se dhe kështu ato vendosin ekuilibër, me një fjalë “merren vesht” përmes armiqësisë, kjo është gati e pa-pranueshme. Në kët rast “marrëveshja” mes palëve është të pjesmarrjes në luftëra, autoritetet e besimeve sollën ato të institucioneve të shenjta, sa dhe i ç’shenjtëruan ato. Më pas dominuan koalicionet në luftëra, çështjet e emrave, toponimeve, etj. Ka ndodhur që një “provë” e parë në rastin tjetër është shndërruar në kundër-provë, e kështu me radhë. E për Ballkanin prandaj ka patur ka shumë libra.
Librat kanë qenë si lufta. Herë pas herë, si taborret, si ushtarët pushtues, si gjeneralët, komandantët, si strategët e luftrave. Po kaq vrasëse si armët, po aq helmatisëse si helmi, po tinzar si spiunët dhe fallsifikatorët.
Librat kanë qenë pjesa e luftës. Si armët, si llojet e armëve, që përdoren në një betejë. Artileri e rëndë dhe armë të lehta. Ata kanë hyrë në të gjithë cilësitë dhe planet e luftës. Armë llogoreje, armë dore, armë të fshehta dhe gjithë-llojësh. Si në një “paradë” të llojit të vet.
Librat si luftë apo lufta me librat, ka qenë një nga betejat më të gjata, më të ashpra, më të egrat dhe më tinzaret. Një luftë që asht’ zhvilluar në mal, në fushë, në qytet, në fshat, në ditët me diell e në ditët me acar. Një luftë me ca luftëtarë të çuditshëm. Një luftë me ca luftëtarë misteriozë. Tamam si një pluhur “kozmik”, masa e helmit është shpërndarë, si bryma… Si një pjalm që do të pllenojë një frut të hidhur. Si tingëllimat e një “lebrozi” nëpër terr dhe rrugët e humbura të pyjeve.
Librat kanë qenë si një shtab lufte. Ato kanë qenë një institucion i madh, i rëndësishëm dhe me shumë shpenzime. Një institucion me një hirerarki të rreptë dhe me urdhëra të rrepta. Urdhëra lufte, sepse ato ishin dhe janë si njerëzit. Librat kanë veset si njerëzit, ndërgjegjen, argumentin, pro dhe kundër tyre. Si votat në Kuvende, konferenca apo këshilla. “Ushtarët”, -libra-bërës duhej të ishin nga më të bindurit. Dhe shtetet veshët më të mprehtë i kanë vënë tek libra-bërësit. Duke i përgjuar hap pas hapi. Kudo. Me intuitën e qenit, nga pas.
Kaq shumë libra, të cilët ishin pjesë e luftës, pjesë e mos-marrëveshjes, pjesë e konfliktit, pjesë e mërisë, pjesë e inatit dhe një llojë ndërgjegje e ashpër. Shumë libra, të cilët më së shumti u thirrën histori, u thirrën si dëshmi pushtuese, dëshmi sunduese dhe luftë. Shumë-libra, që u kthyen në kufinj mes etniteteve. Shumë-libra që u bënë më të egra se sa vetë pushtuesit dhe sunduesit. Libra që ishin si plumbat, si thika si murtaja. Libra që i dehnin mendjet e njerëzve.
Prandaj Gadishulli i vjetër ka “prodhuar” kaq shumë libra. Libra të ftohtë të mbushur me urrejtje dhe ankth. Libra të mbushura me helëm. Libra të rremë akademikësh, që ardhacakët ballkanik ua hodhën në tavolinë kancalerive të Perëndimit, për t’u “dëshmuar” më të hershëm se sa autoktonët, mandje dhe atikë, për t’u dëshmuar rracë e parë, pra, rracë sunduese në Ballkan, për t’u “dëshmuar” si bashkohës të antikitetit të hershëm ballkanik. Një e vërtetë e fallsifikuar, e stisur, e sajuar, e krijuar për nacional-shovinizmin e njohur, u derdh si një epidemi në Ballkan, në Lindje e në Perëndim. Si një armatë kobi, epidemia e së keqes kishte ecur dhe ishte derdhur në rrugët e njohura të luftës, lumenjve, detrave, nëpër qiell, në “vuajtjet” e endacakëve, të refugjatëve, të tregtarëve, të shkollës, të foltoreve e tempujve, të emblemave, në ecejaket e valixhet diplomatike, pra, në një kohë e pa kohë, në rrugë e pa-rrugë.
Shqiptarët pra, ishin të sulmuar dhunshëm dhe nga ushtria e librave. Të gjithë këto libra ishin kundër tyre, kundër të kaluarës, realiteti dhe të ardhmes së tyre. Ishin libra kundër jetës, kundër lindjes e pro vdekjes.
Sa shumë ushtri kundër tyre? Sa shumë gjeneralë e “strategë” të të keqes, kundër tyre? Sa epidemi shfarosëse kundër tyre?
Të gjitha ishin kumte luftëtarësh. Dhe pse librat, ndoshta si ajo masa viskoze që ngjitet për dore, pa trajtë dhe formë. Veç shqiptarët shkruan më pak se të gjithë të tjerët libra. Ndoshta ngaqë ato ekzistonin vërtetë.
Dubrava dhe libri i dhunës serbe mbi shqiptarët.
Në mënyrë të pashmangshme, ngjarjet dhe personazhët e librit “Hasi mes luftës dhe lirisë” ishte i domosdoshëm të prekte dhe të sillte informim për të gjithë problematikën e çështjes shqiptare, madje duke kërkuar që të shkonte deri në ngjarjet dhe rrethanat më të errëta të marrëdhënies së detyruar që shqiptarët kanë pasur me serbët.
Në historiografinë shqiptare, e cila ka pasur dhe ka synuar të sjellë relitetin e ish-Jugosllavisë, lidhur me marrëdhëniet që shteti totalitarë dhe shovinist ka krijuar veçmas me shqiptarët, por dhe vetë realitetin, si ai ka vepruar në marrëdhëniet me shqiptarët, bëhet prezent një histori dhe një mekanizëm i zymtë me çfarë politika shovene e të gjithë strukturave të shtetin sllav, në të gjithë etapat historike të shekullit të kaluar, patën ndërtuar, për ta sunduar me forcë ndjenjën dhe veprimtarinë liridashëse të shqiptarëve.
Për fatin e mirë, pasi libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” është ndërtuar në një rraport të drejtë dhe komunikues me historinë e zhvillimeve shqiptare jo vetëm në Has, por dhe në hapësirën e vet, eksponentë të caktuar kanë mundësuar për të sjellë informim dhe për gjëra të tjera, të cilat janë cekur në rrethana të tjera dhe më të drejtpërdrejta.
Në opinionet e këtij libri, i cili ka kërkuar që ta vjelë informimin mbi ngjarjet më prekëse të zhvillimeve në Has dhe në Kosovë, trajtimi i shqiptarëve në burgjet serbe ndriçon një rrethanë të veçantë të ballafaqimit që shqiptarët kanë qenë të detyruar të bëjnë me makinën vrasëse, që serbët kishin ndërtuar për ta shuar dhe vrarë shpirtin e qëndresës së shqiptarëve në kufinjtë e mbi-ekzistencës, që u shfaq kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar.
Fatmirësisht në faqet e këtij libri, ndër më të rëndësishmit dhe më të vështirët që unë kam shkruar deri sot, kanë ardhur disa eksponent,ë që arrinë të zbardhin ngjarjet makabre, ngjarjet terrorizuese, ngjarjet tmerrësisht të pandershme dhe vrastare, që serbët kanë praktikuar përmes strukturave të shtetit kundër shqiptarëve, të cilët për shkak të angazhimit të tyre për çlirim kanë qenë të dënuar nga ligjet serbe.
Eksponentë të gjallë, të cilët sot jetojnë dhe që kanë mundur të mbeten të gjallë, falë rastësisë dhe fatit të çuditshëm, i cili nganjëherë dhe vepron, arrijnë të sjellin dhe t’i bëjnë pjesë të këtij libri mjetet dhe mekanizmat aspak njerëzore, aq më tepër të një shteti, i cili krijon mundësi dhe praktika të shumta për ta vrarë popullsinë e pafajshme, ato histori që kanë ndodhur kryesisht në burgjet serbe. Njerëzit e këtyre ngjarjeve tmerrësisht të pabesa, sjellin një dëshmi tronditëse, një mekanizëm vrasës të paimagjinueshëm, që shteti totalitarë serb kishte vënë në punë për të zhdukur dhe shfarosur kryesisht shqiptarët, të quajtur sipas tyre problematik.
Këto ngjarje, unë kam qenë e detyruar ta propozoj për lexuesin në një kapitull të veçantë, i cili sjell një argumentim të plotë për të gjithë atë që ka ndodhur në rrjedhën e ngjarjeve që çuan në vitet 1998-1999, në daljen në skenë dhe marrjen e fatit të luftës në dorë nga UÇK-ja, dhe faktori ushtarak ndërkombëtarë, pastaj në rrjedhimet e tjera të terrenit të luftës si Hasi, për të cilin bëhet fjalë në librin ”Hasi mes luftës dhe lirisë”.
Në vitet “90-të e në vazhdim, serbët u përplasën me “veprën” e tyre 50 vjeçare, e cila ishte sigluar në Ish-Jugosllavinë, si një manipulim i dhunshëm dhe i shtërnguar, i cili për shkaqe të nacionalizmit shovinist sllav, kishte praktikuar modelin stalinist të BRSS-së. Sado që kërkon t’i shmangesh arsyetimit ideologjik të Evropës Lindore, e cila i shtërngoi popujt e saj në një kurs të dhunshëm dhe totalitarë, shqiptarët në ish-Jugosllavi mbetën viktimat më të dukshme të këtij kursi totalitarë.
Me një shpejtësi të madhe, gjithë dekompozimi 50 vjeçarë, vijoi të shpërbëhet në një kohë thuajse 7-8 vjeçare. Natyrisht, ngjarjet, të cilat pasojnë marrëdhënien ekstremisht vrasëse, që serbët u përpoqën t’i kushtëzojnë dhe t’i ndalojnë shqiptarët në këtë kohë, prodhuan një dhunë të pashoqe dhe të verbër, të cilën shteti totalitarë e shndërroi në makinë vrasëse.
Burgu i Dubravës është njëri prej tyre. Ai ka qenë dhe mbeti një makinë vrasëse, një mjet i pashembullt, që një shtet e përdorë kundër njerëzve, të cilët i janë dorëzuar drejtësisë. Gjatë kësaj kohe në mënyrë të verbër, me akuza dhe procese të montuara monstrualisht, gjykatat serbe në Kosovë dënuan me mijra shqiptarë të pafajshëm. Në qelitë e burgjeve u dërguan njerëzit më aktiv të lëvizjesh kombëtare për çlirim dhe vetëvendosje.
Pjesa më e madhe e tyre u vranë misteriozisht dhe në një pjesë u vranë hapur nga njerëz të strukturave policore dhe të sigurimit serb, ndërsa një pjesë prej tyre humbën pa asnjë koment dhe pa as një shenjë. Serbia nuk u përgjigj kurrë për këto krime mizore, të cilët ishin krime shtetërore të pastra.
Nuk mund të gjendet në historinë njerëzore, qoftë në kohët më të errëta të quajtura të tilla, dhe as nuk është praktikuar të vriten nga njerëz të tërbuar, nga kriminelë të burgosur, njerëzit e tjerë, të dorëzuar për të vuajtur dënimin, siç vepruan në burgun e Dubravës serbët me shqiptarë, të cilët vuanin dënimin në këtë burg.
Njerëz që kanë arritur t’i mbijetojnë këtij primitiviteti, kësaj masakre të tmerrshme, shpjegojnë se serbët, strukturat e specializuara dhe të njohura të shtetit serb, kanë praktikuar një mekanizëm barabarë, ku kriminelë serbë, të cilët vuanin dënimin në këtë burg, janë droguar, janë tërbuar dhe armatosur deri dhe me granata dhe armë të tjera vdekjeprurëse, për t’i përdorur kundër të dënuarve shqiptarë, të cilët janë detyruar të dalin në një korridor të gjërë, të fortifikuar dhe të ruajtur fort dhe bllokuar në të katër anët, dhe mbi to është derdhur një mizori e verbër plumbash, bombash dhe mjetesh të tjera.
Teatri i dhunshëm dhe makabër, i cili është ndërtuar në mënyrën më mizore, i ka ngjarë një beteje gladiatorësh, me çfarë është ndërtuar një masakër e pashembullt me shqiptarët. Njerëzit që kanë përjetuar një rast të tillë, pasi skena dhe mekanizma vrasëse kishte në të gjithë burgjet e serbisë në këtë kohë me shqiptarët veçanërisht, nuk arrijnë ta tregojnë në të gjithë mundësinë e vet, mënyrën se si ato janë përballur me vdekjen. Nuk mund të ndeshish në asnjë psikologji dhe në asnjë psikozë barbare si ajo që ka ndodhur kryesisht në burgun e Dubravës.
Për atë ngjarje, e cila para lexuesit të këtij libri është vetëm në minimumin e vet, shteti serb nuk dha llogari kurrë, ashtu siç nuk dha asnjë shpjegim për shumë luftëtarë, intelektualë dhe njerëz të tjerë të devotshëm të Kosovës.
Është një ngjarje që asnjë mendje njerëzore nuk arrin ta rrokë, ta pranojë dhe ta besojë se mund ta praktikojë qoftë dhe nga një fis dhe jo më një shtet, i cili e konsideronte veten të aftë për marrëveshje dhe bashkëpunim në kohën e Rendit të Ri Botërorë.
Kjo ngjarje është njëra nga prerjet e ngjarjeve, që pasojnë të gjithë ngjarjet e tjera, të cilat i çuan shqiptarët drejt një lufte mbrojtëse dhe çliruese njëkohësisht.
Burgu i Dubravës dhe dhuna e përgatitur me turrën kriminale të kriminelave serb dhe të tjerë që vuanin dënimet në burgjet e kohës, në kushtet e një skenari kriminal shtetërorë dhe të një nacionalizmi shovinist tipik stalinist, i cili gjatë viteve “90-të e deri kur në Kosovë shpërtheu lufta u praktikua për të mbjellë terror dhe barbari. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, në kushtet e një vdekje të sigurtë, djemtë dhe burrat shqiptarë nuk u mposhtën. Ata i rezistuan barbarisë dhe një pjesë prej tyre ishin protagonistët e UÇK-së, dhe misionit ushtarak për çlirimin e trojeve në vitet 1998-1999 e më vonë.
Jusuf Bardhoshi i lindur më 01.05.1959 në fshatin Peraj dhe banues në fshatin Peraj.
Ne që e kemi parë dhe jetuar nga afër luftën, për shumë arsye të kohës, të historisë dhe tonat njëkohësisht, mundemi me thënë se lufta për çlirimin e kosovës ka pasur motive të mëdha atdhetare, përveçse nga njerëzit e saj, po ashtu dhe eksponentët e caktuar të saj. Gjatë 50 vjetëve djemtë, intelektualët, veprimtarët, ideologët dhe shumë njerëz të tjerë nga Kosova e kanë ngrysë jetën e tyre në burgjet serbe, për të cilët nuk është dhënë asnji lajmërim, asnji detaj dhe asnjë sensibilizim tjetër. Në ish-Jugosllavi, jeta e shqiptarëve ishte ndërtuar e tillë. Pavarësisht kësaj, shqiptarët kanë ditur shumë gjëra për ato që ka ndodhur, dhe kjo i ka ushqyer ato me një ndjenjë të thellë patriotike dhe qëndrese.
Të mos harrojmë se të gjithë luftëtarët e UÇK-së, dhe gjithë shtresa intelektuale shqiptare në Kosovë, ka pikërisht këtë formim dhe këtë marrëdhënie të mrekullueshme të njerëzve që kanë punuar gjatë gjithë jetës për çështjen tonë kombëtare, veçmas atë që lidhej me çlirimin e Kosovës.
Të mos harrojmë se dhe Adem Jashari, familja e tij lidhet me këtë rrënjë të thellë qëndrese dhe patriotizmi. Rënia e familjes Jashari në ato kushte është njëri nga motivet e njohura të luftës për çlirimin e Kosovës, në të cilën u përfshimë të gjithë. Kjo gjë na bërë që të angazhohemi me shpirt pranë luftatarëve të UÇK-së, që në fillimet e saj të para, duke i ndihmuar me dërgimin e armatimit në brendësi të Kosovës.
Ishte 08.07.1998 po ktheheshim me Halim Bardhoshin dhe Isa Malaj, pasi e kishim dërguar armatimin. Ishte ora dy pa një çerek e natës, gjendeshim në fshatin Zhup të Gjakovës. Kemi rënë në pritën serbe. U zhvillua një betejë e ashpër, unë u plagosa rëndë në këmbën e djathtë.
Isai ishte para meje duke tërhequr kalin për dore, unë pas kalit të tij. Serbët si duket kanë qenë duke na përcjellur dhe na kanë goditur me breshëri, Isain e morën plumbat në krah e në këmbë. Isai briti: – Jusuf Bardhoshi na çartën, bre…iu kam afruar Isait dhe pasi edhe vetë isha i plagosur u ktheva në krahun e djathtë, e mora Isain në atë krah, pata edhe një të kërcitur të këmbës që mu thye nga pesha e trupit të Isait. Isai jetoi pak çaste dhe dha shpirt në krahët e mi. Jam munduar të tërhiqem pak, serbët deri në ora katër pa një çerek, nuk na janë afruar. Ndërkohë që vendi u rrethua nga blindat e tyre. U detyrova të largohem nga Isai pasi isha i plagosur. Kam rënë në një përrua pranë një livadhi. Ishte bërë pothuajse mëngjes, ora 06 e 40, u afruan 20 serbë me automatikë të gatshëm për gjuajtje. Për momentin nuk më panë edhe pse unë i shihja mirë. Në ora nëntë kanë ardhur tre civilë, më panë dhe i treguan policisë serbe. Erdhën 20 ushtarë me qen. I mbanin armët gati për gjuajtje, erdhi qeni në përrua dhe më kapi.
Unë kisha derdhur shumë gjak nga plagët e marra. Më kanë tërhequr zvarrë, duke më nxjerrë në rrugë të makinës. Para se ushtria të më hidhnin, thesin në kokë e pashë dhe një herë Isai, ndërsa Halimin gjatë gjithë kësaj kohe se kam parë.
Policia kur ka ardhur ma ka hequr thesin prej koke, duke më torturuar dhe më ka vënë tytën e automatikut në gojë. Atë moment zoti më ka dhënë forcë dhe e kam shty policin. Ai i revoltuar më gjuajti me kondakun e armës së tij në krahun e djathtë të kokës. Rashë pa ndjenja, deri kur e kam parë veten në Spitalin e Gjakovës.
Në spital ishte mjeku Burim Sahatçija, i cili është kujdesur, për mua. Në spital erdhi sërisht i njëjti polic, i cili më kishte gjuajtur, me kondak. Filloi duke më sharë e ofenduar. Kam vënë dorën, pranë një hekuri duke e shtrënguar fort. Dhe unë ju kundërvuna duke e sharë njëjtë si ai, më shau mua. Ai filloi të më rrahë, ndërkohë që hynë dy infermjere dhe e nxorrën jashtë. Më ndërruan rrobet, ndërsa mjekët erdhën dhe më rregulluan këmbën. Ishte data 10.08.1998, mjeku Burimi më solli të takoheshin me mua ata të kryqit të Kuq. Edhe një natë e bëra në spitalin e Gjakovës dhe të nesërmen më dërguan në stacionin policor në Gjakovë. Po i nëjti polic më të cilin isha përplasur dy herë, pasi më rrahu, më theu edhe këmbën. Më dërguan në hetuesi, aty vazhduan përsëri maltretimet, edhe pse më kanë bërë shumë pyetje, unë nuk kam treguar asgjë.
Nga Gjakova na kanë dërguar për në Pejë së bashku me 18 fshatarë të Jetishit. Edhe në Pejë kanë vazhduar maltretimet edhe pse isha tepër i lënduar. Aty na kanë rrahur të gjithëve. Fshatarët që ishin me mua në burg, më kanë mbajtur shpirtin gjallë si me ushqime ashtu edhe me veshmbathje. Në burgun e Pejës kemi qëndruar dy muaj. Më datën 20.11.1998, na dërguan në Burgun e Mitrovicës. Isha së bashku me Ilir Kortoçi, Osman Kortoçi, Bujar Sylaj, Avni Mëmia, Ramiz Mëmia, nga Tropoja, e Bastri Myftari nga Peshkopia. Një pjesë e jona ishim të lënduar.
Më 12.02.1999, më ka marrë policia dhe më ka dërguar në Pejë, ku më nxorrën në gjygj dhe më dënuan dy vjet. Pas dënimit më dërguan në Burgun e Duvravës së bashku me 40 vetë të tjerë. Kur zbritëm, nga çasti kur ishim tek porta e deri tek fusha e sportit nuk i ndalën të rrahurat. Gjatë kësaj kohe na kanë lënë tetë ditë dhe tetë netë, pa bukë. Njëkohësisht na i ndaluan dhe vizitat. Ishte ditë maj 99, u hap një derë burgu, ndërkohë që ne e hapëm derën me këmbëzën e krevatit, pranë meje ishin Valdet Jetishi, Hajzir Betullahu, Reshat Nurboja, etj.
Më 23.05.1999, komandanti i Burgut, Aleksandar Rankoçeviq, ne të burgosurve shqiptarë na u drejtua nëpërmjet altoparlantit që për 5 minuta të bëhemi gati dhe të dalin në oborrin e kompleksit të Burgut të Dubravës, “për shkak sigurie do të largohemi nga burgu dhe do të udhëtojmë për Nish dhe burgje tjera të Serbisë”. Pasi na grumbulluan në fushën e sportit, papritur filluan të shtënat nga të gjitha anët mbi ne. Gjatë ikjes, një pjesë arritën të strehohen në lokalet e kuzhinës, në bodrume, në kanale, në gropa septike për t’u shpëtuar plumbave të kriminelëve ordinerë. Ata që shpëtuan nga vdekja filluan të ndihmojnë të plagosurit. Gjatë tërheqjes së trupave të plagosur dhe të vrarë kriminelët nuk ndaluan për as një moment breshëritë e plumbave, hedhjen e granatave të dorës në puseta e kanalizime. Mua më ra plumbi i një të vdekuri në krahun e djathtë të kokës, dhe sot e barti me vetë ngado shkoj. Gjithmonë më mbushen sytë me lot kur kujtoj ato ditë të tmerrshme, gjith ato shqiptarë të vrarë. Unë rashë pa ndjenja, as vetë se kuptoj si jam gjallë, sot. ndërsa Ramiz Ramë Mëmia nga Myhejani i Tropojës, u vra. Po atë ditë, pothuajse mbetën diku 200 të vdekur dhe 50 të plagosur.
Të nesërmen pas kësaj masakre, në orët e para të mëngjesit, të burgosur ordinerë serb, shumë prej tyre të ardhur nga burgjet tjera, të armatosur me të gjitha llojet e armëve që nga revolet, thika të mprehta, bomba dhe me maska në kokë, si bisha të tërbuara hynë nëpër pavijonet e Burgut dhe skutat e tjera dhe filluan të vrasin të tjerë të burgosur shqiptarë. E njëjta gjë ndodhi edhe në spitalin e burgut, ku ishin dërguar të plagosur rëndë për shërim, kriminelët me revole vranë të gjithë të plagosurit në kokë para syve të personelit shëndetësor.
Në një moment kur pushoi lufta pak, ne 400 të burgosur që kishim mbetur, na futën në një dhomë, dhe na lidhën me litar. Ato dhoma ishin të pregatitura vetëm për tortura.
Pas një urdhri të marrë na lëvizën nga Dubrava për në Lipjan. Sapo arritëm në burgun e Lipjanit, na zbritën, na rrahën mirë, sepse ishte e pamundur që të futesh në burg pa e kaluar kordonin e policëve, të gardianëve dhe të burgosurve serbë, të cilët në çdo mënyrë, kishin dëshirë që t’i gjymtonin të burgosurit shqiptarë. Në Lipjan na vendosëm nëpër qeli.
Reshat Nurboja-Pejë duke rrrëfyer për Jusuf Bardhoshin thotë: “Pasi na dërguan në Lipjan, Jusufin e ndanë nga ne. Ai i kishte flokët e gjatë, ishte më i rrahur e maltretuar se ne të tjerët. Serbët i thanë thuaj poshtë Kosova e poshtë Shqipëria, të rrojë Serbia. Ai ju përgjigjet me një forcë që i buronte brenda vetes, edhe shtatë shpirtra t’i kisha nuk do të thoja të rrojë Serbia, por të Rrojë Kosova e të Rrojë Shqipëria. Ky moment ende është i freskët në mendjen time, pasi më kujtohet fare mirë kur pas këtyre fjalëve sërisht e kanë rrahur shumë keq Jusufin”.
Pasi na lidhën, nga Lipjani më 15.06.1999, duke na rrahur gjithë rrugës, na dërguan në burgun e Pozharevcit. Dhe këtu gjatë qëndrimit dy mujor, asnjë ditë nuk na janë ndalur torturat dhe pas dy muajve të qëndrimit tim aty. Falenderoj shokët dhe miqtë të cilët mu kanë gjendur si me ushqime dhe me veshmbathje.
Nuk mbaron këtu. Më 17.04.2000, më bënë transferimin në një tjetër burg, quhej Mitrovica e Stremit. Isha dobësuar shumë, aq shumë sa nuk e dija ku po më qëndronte shpirti. Nuk kishte ditë apo natë që të mos na rrihnin. Deri më datën 06.07.2000, ku i shoqëruar nga Kryqi i Kuq më kthyen pranë familjes sime. Ishte një moment mjaft mallëngjyes takimi me fëmijët e mi, unë dukesha para syve të tyre sikur kisha dalë nga varri. Ata ishin të vegjël dhe nuk e kuptonin dot se sa tortura kisha kaluar që nga koha kur më arrestuan e deri në momentin pranë kthimit të tyre.
Hamide Bardhoshi-gruaja e Jusufit tregon çastin e marrjes vesh të plagosjes dhe kthimit në shtëpi
Ishte mëngjes. Atë ditë ne ishim shqetësuar, Jusufi ende nuk ishte kthyer dhe hidhnim sytë nga kodra se mos po kthehej. Në vend të tij, u kthye kali i plagosur që kullonte gjak. Edhe kafsha dukej sikur më fliste ato çaste. I ishte varur koka poshtë, dukej sikur donte të na rrëfente ngjarjen e asaj nate. Nxorra Antigonën vajzën, që të pyeste një polic, ai nuk mundi ti tregonte se çfarë i kishte ndodhur Isufit. I thanë kunatit se kanë mbet të vrarë dy dhe një është i plagosur. I gjithë fshati doli në kufi për të marrë kufomat. Ne ishim në pritje. Kur su ndalën pranë varreve tona, fëmijët më thanë: – mami, babi është gjallë. Ne u prekën edhe për Isain dhe Halimin që ishin vrarë, se edhe ato bij nënash ishin. Pasi kishin kaluar rreth dy muaj erdhi Kryqi i Kuq dhe na tregoi se Isufi është gjallë.
Gjatë muajit qeshor 99, Isufi filloi të komunikoi me ne nëpërmjet letrave, ku më tregonte se po më mbajnë shokët si me ushqime ashtu edhe me veshmbathje. Më kujtohen pak fjalë nga ato letra– Jam dobët, më duhet pak mjaltë, mish dhe lëngje- Gjatë kohës kam shkuar katër herë në Gjakovë dhe nëpërmjet Kryqit të Kuq ia kam dërguar, ato që më kishte kërkuar Isufi.
Ardhja e tij në shtëpi na befasoi, pasi e kishin liruar pak ditë më para. I dolën para të gjithë, motrat, vëllezërit, pothuajse i gjithë fisi, për Isufin ishte lindja e dytë. Fëmijët i dolën para. Antigona, me lot në sy vjen tek unë dhe më thotë:- mami-nuk na kanë sjellë babin tone. E mora me të mira dhe pasi e qetësova i thashë: – mos u shqetëso mos bijë, babai juaj është. Aq shumë ishte i dobësuar Isufi sa vërtet, fëmijët kishin të drejtë të mos e njihnin të atin e tyre.
Gjatë një ore mësimi kur mësuesja i kishte dhënë, vajzës Antigonës hartimin me temë –“Gëzimi im”, vajza kishte trajtuar kthimin e të atit në shtëpi dhe lindjen e dy vëllezërve Edisonit dhe Edmondit. Kjo gjë kishte befasuar të gjithë nxënësit në klasë, mësuesen dhe ne si prindër të saj. Të gjithë fëmijët e duan Jusufin, por Antigona duket që e don më shumë, babain e saj. Jusufi sot jeton pranë familjes së tij, në fshatin Letaj-Has, në kokë me dhimbje mban një pjesë të kësaj historie, që mes dhimbjesh e lotësh ma rrëfeu mua sot.
Letaj, shkurt 2010
Blerim Muhamet Krasniqi –Pejë Ngjarje tronditëse nga Burgu i Dubravës
Kam qenë pjesë e luftës së UÇK-së, gjatë vitit 1998. Më 25.08.1998, në Pejë, këtu afër shtëpisë më kanë arrestuar forcat paramilitare serbe. Më kanë dërguar në burgun e Pejës, ku më kanë mbajtur mbi 2 muaj. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit aty, torturat nuk janë ndalur asnjë çast. Diku nga fundi i dhjetorit 98 na kanë dërguar në Burgun e Dubravës. Aty para se ne të hymë Brenda, njerëz me maska, të cilët mbanin në duar shkopa të bejzbollit, edhe pse ishim të lidhur me zinxhirë këmbë e duar, na goditnin ku të mundnin. Ishte një situatë tëpër tronditëse, pranë meje ishte Arsim Kulloshi. Na kanë shti nëpër dhoma të izolimit. Gjatë qëndrimit atje dy herë në muaj na shtinin në akull të ftohtë. Ka patur rast që na kanë lënë tetë ditë dhe tetë net, pa buk. Jemi detyruar të thyejmë magazinat dhe kemi marrë ushqimin e ia kemi sjellë dhe të tjerëve të burgosur.
Ditën 19.05.1999, forcat e NATO-s, bombardojnë dy pjesë të pavionit të burgut të Dubravës, ku janë vrarë tre vetë dhe plagosur disa të tjerë.
Më 21.05.1999, NATO-ja, ka bombarduar një pjesë të Burgut të Dubravës, me ç’rast janë vrarë edhe 19 të tjerë. Më kujtohet këto çaste, një shka i cili thoshte, mos i hapni dyert, pasi vet e kanë lyp, le ti mbysin si mit.
Më 22.05.1999, në mëngjes në njërin nga karakollët vëzhgues është paraqitur një zyrtar i burgut, i cili përmes altoparlantit i ka urdhëruar të gjithë të burgosurit që të rreshtohen ne fushën e sportit me arsyetimin se po na transferonin në Burgun e Nishit, kinse për shkaqe sigurie. Për të na vrarë ne shqiptarëve në këtë burg, serbët ishin pregatitur më parë, pasi të burgosurit serb i kishin veçuar prej nesh që më 19.05.1999.
Dhe këtë ditë, menjëherë pas rreshtimit të serbëve dhe pozicionimit nëpër karakollë dhe pika të caktuara të murit të burgut shtien me breshëri armësh, me snajperë, bomba e granata dore mbi ne, duke vrarë mbi 100 të vdekur dhe 200 të plagosur.
Kam përjetuar dhimbje që se kam përjetuar kurrë në jetën time. Isha shumë afër këtyre ngjarjeve. Një çast kam qenë duke pirë një cigare dhe pashë një njeri gjysëm të këputur në trup, zemra i punonte ende. Çudi mu duk dhe e pabesueshme, më kërkoi që ti jap cigare dhe unë ia dhashë, pasi e thithi dhe nxorri pak tym dha shpirt. Mundoheshim që të largoheshim ne që kishim mbetur gjallë, duke u larguar snajperët serb që na vrisnin një e nga një. Mundoheshim që ti ndihmonim të plagosurve duke i dërguar në bodrumin e kuzhinës dhe në Pavijonin “C”. Këtë ditë në ambulancën e burgut të burgosurit serbë së bashku me gardianët dhe forcat paramilitare, kanë vazhduar të vrasin dhe të tjerë të burgosur që ishin strehuar në fushën e sportit.
Më 23.05.1999, të njëjtët, paramilitarë serbë së bashku me gardianë e të burgosur serbë, hyjnë dhe pasi na bajnë kontroll në vendet ku ne ishim të strehuar, përsëri na vrasin. Të njëjtën gjë bëjnë edhe në kuzhinë ku gjuajnë nga dritaret me bomba dore. Këtu më kujtohet dhe një i plagosur nga Hasi i Shqipërisë, i cili kishte marrë plumbin, që doli nga koka e një tjetër të burgosuri. Ky ishte Jusuf Bardhoshi.
Pas gjithë këtyre torturave një moment nëpërmjet radiolidhjes, dëgjuam që thanë të ndërpriten vrasjet. Kishin ardhur gazetarë për të inçizuar këtë ngjarje. Serbët të gjithë këtë tragjedi donin që të bënin me faj NATO-n.
Ishte 24.06.1999, ku prej Dubrave na dërguan në Burgun e Lipjanit. Deri në momentin që jam liruar nuk i kam besuar vetes që do dal gjall prej torturave. Besoj se Burgu i Dubravës dhe ngjarjet e tmerrshme që inskenuan në të serbët në vitin 1999, është më e kobshmja dhe më kriminalja. As në kohët e vjetra në betejat e gladiatorëve nuk ka ndodhur kjo.
Për këtë unë do ti lutesha medias ta pasqyrojë në hollësi dhe ta ketë fakt këtë ngjarje e cila nuk rroket me logjikë njerëzore e jo më të arsyetohet…
Pejë 12.05.2010
Bisedë me Haki Xhebexhinë
Ndërmjet atyre shqiptarëve nga Republika e Shqipërisë që u bashkuan me UÇK – në, furnizuan apo përballuan luftimet, burgjet dhe sot i gëzohen lirisë së Kosovës, është edhe Haki Xhebexhia nga Fshati Mujaj i rrethit të Hasit.
Si nisi rrugën me UÇK- në ?
Më 09.01.1998, unë jam nisur me urdhrin e Komandantit Rruzhdi Saramati për të sjellë armatimin në Milë. Aty kemi sjellë shumë armatim tek shtëpia e Hasan Xhemës. Aty doli Ylli Hysen Rashkaj dhe na mori armatimin, të cilin e kishim ngarkuar me nëntë kuaj. Ylli atë natë na mbajti në shtëpinë e tij. Nëna e Yllit kujdesej për përgatitjen e darkës, pasi ne ishim të lodhur prej rrugës. Të nesërmen në mëngjes herët kam shkuar në Planejë, tek Shejh Shuaipi, për të çuar një letër nga komandanti me të cilën urdhërohet Shehu për të marrë armatimin në dorëzim, për të gjithë Planejën. Shejh Shuaipi pa më të voglin hezitim më ka thënë : “ Sille armatimin sa më shpejt, se ia shpërndaj unë”. Jam kthyer po atë ditë dhe kam shkuar në Kukës, dhe menjëherë jam nisur përsëri me armatim për ta çuar në Kosovë. Kam shkuar në Dobrush. Së bashku me mua në Dobrush ishin shokët e luftës Maksut Saramati me të birin Jani, Ylli Rashkaj, Arben Rashkaj, Gazmend Hoxha, Nazmi Pula, Abdurrahman Nazifi–Bugari, gjithsej bëheshim 30 vetë. Të gjithë këtë radhë armatimin e kemi sjellë me krahë deri në fshatin Dobrush. Aty në Dobrush na priti Ismend Saramati, Enver Saramati dhe na kanë çuar te shpella e Gurit të Kuq.
Më 20.01.1998, po me urdhër të Komandantit Rruzhdi Saramati jam nisur për në Kosovë, për të sjellë armatim. Në malet e Pashtrikut, tek Rasa e Kuqe, forcat paramilitare serbe, na kanë bllokuar rrugën, ku dhe kemi shkëmbyer zjarr. Me mua ishin edhe ushtarët e UÇK–së, Ismet Shigjeqi, Bajram Shigjeqi të fshatit Planejë, Idriz Krasniqi, Dushanovë, Shaban Kryeziu, rruga : Bajram Curri, Prizren, Arben Xhebexhia dhe i ati i Arbenit, Alia, të dy të Krumës.
Për arsye se ishte luftë, shumica e atyre djemve, në këtë grup ishim 18 vetë, nuk i kanë treguar emrat e tyre. Luftimet zgjatën rreth tri orë, prej orës 18.00 të mbrëmjes deri në orën 21.00. Gjatë kësaj beteje nga ana e jonë nuk pati asnjë të plagosur, por sipas lajmeve që u dhanë edhe në “ Zërin e Amerikës”, vetë serbët e kanë pranuar se kanë pasur të vrarë një serb dhe katër të plagosur. Prej granatimeve të serbëve Bajrami e ka humbur vetëdijen, dhe sot e atë ditë është me të meta mendore.
Më 20.04.1998 unë jam nisur me shtatë kuaj armatim, për me i sjellë në Kojush të Hasit. Këtë ditë fjala ka qenë që në ora 21.00, me dalë të më marrë armatimin Ahmeti i Drenicës së Epërme, i cili ishte vrarë, tek ura e Nashecit. Këtë lajm të hidhur e mora vesh të nesërmen nga shokët. Unë kam marrë dhe e kam fshehur armatimin sipas urdhrit të komandantit Rruzhdi Saramati. Pas pesë ditësh jam nisur edhe njëherë për ta sjellë këtë armatim në territorin e Kosovës, ku jam bashkuar me kryetarin e katundit Kojush–Ilmi Çuni, duke i treguar se ky armatim do të shkojë në duart e UÇK–së.
Më 04.06.1998, isha në Kojush të Hasit, ku jam takuar me Ilmi Çunin, dhe e kam pyetur në lidhje me armatimin. Ai më tha se armatimi ka shkuar në shtab të Drenocit, dhe aty e ka marrë në dorëzim Baca i Vogël dhe Baca i Madh. Unë për të bindur komandantin që më kishte kërkuar sjelljen e këtij armatimi në Kosovë, prej Ilmisë, mora një shënim për të gjithë këtë armatim, dhe jam kthyer në Planejë, ku jam takuar me Ismet Shigjeqin dhe me Limon Morinën prej lagjes Mariq të Pogajve, të Hasit, dhe së bashku të tre u nisëm për në Shqipëri në orën 14.00. Në atë moment forcat paramilitare serbe na kanë rrethuar. Ismeti, Limoni dhe unë jemi pozicionuar duke hapur zjarr kundër serbëve. Ismeti dhe Limoni arritën ta çajnë rrethimin, ndërsa unë hyra në një shtëpi fshati. Rreth orës 16.00 të 05 .06.1998, më rrethuan dhe më arrestuan serbët. Nga aty më dërguan në vendin e ngjarjes. Më rrahën dhe më thyen brinjët e krahut të djathtë. Më kanë dëmtuar dhe veshkën dhe shtyllën kurrizore duke më çuar në postën e Gorozhupit të lidhur. Atë natë më kanë mbajtur aty. Të nesërmen në ora 6.00 të mëngjesit më kanë kaluar me varkë, dhe më kanë nxjerrë në Morinë më kanë hipur në një tank duke më sjellë në Prizren. Edhe pse më kishin keqtrajtuar fizikisht më morën në pyetje, pastaj më kanë dërguar në spitalin e Prizrenit, ku më kanë lidhur dorën djathtë dhe këmbën e majtë. Interesi i tyre ishte që unë të kthehesha përsëri në gjendje që të flisja dhe të nxirrja sekretin. Më dhanë serume dhe mjekime të tjera prej 6 ditësh. Pas gjashtë ditësh më kanë dërguar në burgun e Prizrenit. Aty më kanë nxjerrë në gjyqin komunal. Për momentin më kanë dënuar vetëm një muaj, dhe duke qenë në hetime.
Më 12 .06.1998, përsëri më kanë marrë në pyetje, në lidhje me UÇK–në. Duke e parë që unë nuk po tregoja, ato çdo ditë prej orës 09.00 deri në ora 14.00, më kanë rrahur.
Më 27.06.1998, më kanë shtrirë në korrent, përsëri duke më bërë tortura nga më çnjerëzoret. Por unë isha betuar për të mos i treguar shokët. Më 06.07.1998, më kanë çuar përsëri në gjygjin komunal dhe më kanë dënuar dhe gjashtë muaj të tjerë për armëmbajtje pa leje, duke më akuzuar si terrorist. Tre muaj më lanë në Prizren dhe më dërguan në Mitrovicë. Aty më keqtrajtuan 18 ditë në dhomën e izolimit. Gjatë qëndrimit tim në burg familja nuk ka ditur gjë. Familja ime është e interesuar nëpërmjet Kryqit të kuq Anglez. Ata më gjetën në Stremi–Mitrovicë.
Po Ukshin Hotin ku e takuat ?
Gjatë qëndrimit tim në burgun e Stremit-Mitrovicë, kam qenë në të njëjtën qeli me Ukshin Hotin, njeriun të cilin se kam njohur se kush ishte, por nëpërmjet asaj qelie, arrita të njoh një prej figurave më të mëdha të Kombit shqiptar.
Ukshin Hoti mundohesh që të na mësojë të gjithëve neve të burgosurve anglisht dhe gjermanisht. Mua më dha urdhër drejtori i burgut të mësoja serbisht. Kështu që i detyruar dhe me ndihmën e shokëve i mësova disa fjalë të komunikimit me gardianin e burgut, sepse ishte i detyrueshëm mësimi i këtyre fjalëve, pasi muaj për muaj ne ishim të detyruar të shkruanim anketën nga policët serbë, sipas dëshirës së tyre, por Ukshin Hoti, nuk e shkruajti asnjëherë anketën ashtu si e dëshironin ata. Ai në anketë shkruante: “ Kosova është e domosdoshme që të ndahet nga Serbia”, kurse të tjerët e shkruanin për paqe e dialog. Kurse unë nuk plotësoja anketë se në anketë shkruaja se jam shtetas shqiptar nga Shqipëria, kështu që më merrnin nga qelia dhe më rrihnin.
Shpesh Ukshin Hoti më jepte ushqimet që i sillte familja e tij.Gjithashtu dhe të burgosurit e tjerë më ndihmonin me ushqim e veshmbathje. Në fillim të burgosurit nuk silleshin mirë pasi unë duke mos patur besim nuk i pata treguar të vërtetën e burgosjes sime. Gradualisht duke u njohur me këtë njeri me vlera të mëdha, i besova fjalët e mia Ukshin Hoti dhe Bajrush Xhemajlit. Duke i treguar se kam qenë ushtar i UÇK -së. Ata u gëzuan tej mase dhe nisën duke qeshur, duke treguar në sytë e tyre një gëzim të madh. Kështu që jeta ime në atë qeli ndryshoi. Prof. Ukshin Hoti dhe Bajrush Xhemajli më thonin: – “Kemi dëshirë të dijmë për traditat, zakonet, doket, dasmat, lindjet e dekat e asaj treve”. E unë i tregoja. Ndërkohë që Ukshini mua më tregoi rregullat e burgut dhe më mësoi që të flas serbisht, ato pak fjalë, që duheshin për të komunikuar me gardianin e burgut. Një mëngjes kur po shkonim të hanim në mencë, ne u vendosëm në rresht për dy. Ukshin Hoti ishte i pari, Nait Hasani i dyti, të tjerat me radhë si Libon Alia, Mehmet Memçaj, Bajrush Xhemajli, Enver Dugolli, Raif Çela, Riza Xhakli, Asllan Selimi, Naim Krasniqi, Vesel Ismajli, Besim Zymberi, etj, që nuk po më kujtohen emrat, ndërsa përgjegjësi i dhomës Naser Hysaj dhe unë rrinim në fund.
A mund të na flisni më me hollësi për burgjet serbe dhe si trajtoheshit ju?
Një moment kur ishte muaji dhjetor i 1998 dhe kishte rënë borë e madhe, gardiani më dha urdhër të mbyllja derën, pasi e kishim ngrënë mëngjesin. Unë duke mos e kuptuar gjuhën e tyre, vazhdova rrugën me shokët. Gardiani më ndaloi, Ukshin Hoti bëri ndërhyrje për të më ndihmuar dhe më tregon se duhej të mbyllja derën, ndërkohë që gardianit i thotë : “ Ai djalë është nga Shqipëria dhe nuk e din serbishten”. Kjo gjë gardianin e revolton dhe më nxjerr nga rreshti dhe në prezencën e shokëve më ka gjuajtur 27 herë me shkopin e gomës. Sa herë isha goditur ma kanë treguar shokët pasi unë vetë nuk kam qenë në gjendje t’i numëroj. Shokët më kanë marrë në duar dhe më kanë dërguar brenda në qeli duke më dhënë ndihmën e parë. Naser Hysaj, duke parë gjendjen time, thirri policin duke i thënë se numri 2043 (numri personal i imi) të shkojë në spital. Prej aty më kanë dërguar në spital dhe më kanë mbajtur katër ditë. Gjatë qëndrimit në spital më thërrisnin “ ai terroristi “.
Mbas katër ditëve u ktheva përsëri tek shokët në dhomë, nr.21 kati i 3–të, pavoni nr.2. Prej qëndrimit tim që nuk bërtita gjatë rrahjes, ata ishin kureshtarë të dinin pse nuk bërtita. Unë i thashë se nuk bërtita për t’iu treguar serbëve se sa të fortë jemi ne shqiptarët, në shikimet e tyre shprehej kënaqësia, tek qëndresa ime.
Shokët e burgut e lajmëruan gardianin që më 06.01.1999, po afrohesh dita për tu liruar nga burgu. Kur mi panë rrobat e grisura dhe të përgjakura, nga plagët e bëra nga serbët, më thanë të mos i vishnja këto duke më dhanë rroba të tjera, nga ato që atyre ju kishin sjellë familjarët.
Një ditë para daljes nga burgu,Ukshini, Bajrushi, Naiti e Naimi më lanë porosi për të shkuar te prof. Sulejman Krasniqi, për t’i treguar atij se si keqtrajtohen të burgosurit politikë, ajka e kombit. Kështu që në mëngjesin e 06.01.1999, përpara se gardiani të më thërriste emrin, unë u ndava nga këta shokë që për katër muaj prej 11.09.1998 deri më 06 .01.1999, më respektuan si vëlla të një gjaku. Duke e ditur se kam një udhëtim të gjatë, ata më dhanë ushqim dhe pije të ndryshme. Në momentet e fundit të ndarjes sime me Ukshin Hoti më tha: “ Bravo të qoftë, për qëndrimin tënd, gjatë këtyre katër muajve në këtë burg të armikut. Bëj kujdes gjatë udhëtimit, mos komuniko, e mos trego çfarë kemi komunikuar këtu”, lotët e ndarjes bënë punën e vet. Bajrushi e shokët e tjerë më thanë–mirupafshim së shpejti në Kosovën e lirë.
Me kaq mbaruan burgjet ?
Jo. Në atë moment më thirri gardiani, për të më liruar nga burgu. Më hipën në një makinë. Unë mendova se po më përcillnin për në Shqipëri. Por ata më dërguan në një burg tjetër, që thirrej “Padiska Skella” Beograd. Aty kam ndenjur dhe dy muaj e gjysëm të tjera i keqtrajtuar. Në atë burg të burgosurit kanë qenë serb, por vetëm një ka qenë shqiptar prej Kumanove–Muhamet Hajredini. Mbas dy ditësh më ka marr komandanti i burgut në pyetje. Unë i thashë se kam ardhur në Kosovë për të vjedhur lopë, sipas deklaratave të bëra në burgun tjetër. Drejtori i burgut më tha: “duhet të qëndrosh këtu deri sa të vijnë persona prej ambasadës së Shqipërisë që të të marrin, sepse nuk e ke asnjë lloj dokumenti”. E ka thirrur ambasadën në telefon më 15.03.1999, dhe ambasada iu ka përgjigjur: “silleni në ambasadë”. Kur kam biseduar me ambasadorin tonë në telefon i kam thënë:- “a mundesh të vish tek burgu, sepse këta gjatë rrugës më keqtrajtojnë”. Ai ka ardhur dhe më ka takuar duke më pyetur se a kisha dëshirë të khehesha në Shqipëri. Iu jam përgjigjur: “ Po”. Kështu që më 15.03.1999, më ka marrë dhe më ka dërguar në ambasadë. Aty më kanë nxjerrë në fotografi dhe më thanë se në 23.03.1999, ora 23.00. do të nisesha për në Shqipëri. Unë u nisa me tren në Mal të Zi. Aty ka ardhur në vijën e kufirit polici ynë dhe më ka marrë. Ishte 24.03.1999, ora 14.00, ku më kanë dërguar në spitalin e Shkodrës për të më dhënë ndihmën e parë. Kam patur rrjedhje gjaku në kokë mbrapa dhe të nxira në fytyrë.
Në Kukës, sapo kam mbërritur kam dhënë intervistë në radio dhe televizion. Ku ia kam treguar të gjithë këtë histori, ende kisha shenjat e goditjeve dhe torturave, të marra gjatë gjithë kësaj periudhe që isha në duart e serbëve. Në shtëpi kam ndenjur vetëm 9 ditë. Më 18.04.1999, unë shkova të takoj komandantin e Brigadës 127-128, Rruzhdi Saramatin. Edhe pse ende se kisha marrë veten mirë, u ktheva pranë shokëve të luftës, të cilët më pritën me kënaqësi. Kisha arritur të shpëtoja nga duart e barbarëve. Mora uniformën dhe shkova në Kalimash. Aty u ushtrova gjer në ditën kur u nisëm për në luftë më 09.05.1999.
Ishte kohë lufte. Ju kishit motive më shumë se kushdo tjetër për ta luftuar armikun?
Pasi kemi hyrë në brendësi të territorit të Kosovës në fshatin Gorozhup, pranë meje kam pasur Yllin, Janin, Arbenin, Bashkimin, Bugarin. Gjatë luftimit, unë kur i shihja serbët duke gjuajtur në drejtimin tonë, çohesha në këmbë dhe gjuaja mbi to, sepse në ato momente më kujtoheshin torturat që kisha kaluar gjatë atyre muajve të qëndrimit në burgjet serbe. Ndërkohë kur po bëhej shkëmbimi i zjarreve me serbët, dëgjova nga shokët që është plagosur rëndë njëri nga luftëtarët më të dalluar, Gani Saramati. Menjëherë shkova e mora në krahë dhe e dërgova në spital në Pogaj. Ai ishte lënduar shumë në kokë. Por më shumë u hidhërova kur mora lajmin se na ishte vrarë vullnetari tjetër që kishte ardhur nga Berati për t’iu bashkangjitur radhëve të UÇK–së, Astrit Suli. Hapëm varret dhe varrosëm Astrit Sulin dhe dy shokët e tij. Pastaj bëmë pastrimin e minave nën drejtimin e Valbon Çollakut. Në momentet ku po bëhej luftë, meqenëse po granatonte NATO, ne me urdhër të komandantit u detyruam të tërhiqemi në Pogaj. Pas dy ditësh përsëri kemi patur luftime me serbët, në afërsi prej 30 metrash. Unë së bashku me Yllin qëlluam në drejtim të serbëve, duke u shkaktuar humbje palës kundërshtare. Në ato momente drejt pozicioneve serbe po vinte një veturë e zezë për të tërhequr kufomat e tyre. Unë qëllova me snajpër dhe Ylli bëri granatimin, duke e goditur veturën në xhamin e parë. Duke luftuar, u çliruan njëkohësisht disa fshatra si Stojk, Milë, Planejë, Kojush, Dobrush, Shkozë, Vërmicë, Vlashnje, etj.
Në bashkëpunim me NATO–n, bëmë pastrimin e terrenit të këtyre fshatrave nga serbët, ndërsa NATO hyri nga Morina. Gjatë pastrimit të këtij terreni Arben Rashkaj bie në një minë të vënë nga serbët. Fatkeqësisht ai aty humbet këmbën e djathtë.
Kemi shkuar në Nashec, ishte muaji qeshor 1999. Aty u vendos brigada 127–128. Ndërsa mua më dërguan tek shkolla e Vërmicës me shërbim.
Më datë 18.12.2000, në ora 08.00, të mëngjesit u nisëm së bashku me Hakinë nga Prizreni dhe shkuam në Prishtinë, në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në ora 11.00. Aty takuam së pari sekretaren Vlora Çitakun, e cila e lajmëroi në telefon Bajrush Xhemajlin, “ të ka ardhur një shok i burgut, nga Shqipëria”. Ishte një takim i ngrohtë shpirtëror mes dy shokësh të burgut, kujtuan të gjitha vuajtjet në burgjet serbe.
Pasi Bajrushi na mori në zyrën e tij, na porositi nga një çaj. Duke biseduar me të kisha dëshirë të dija rreth shokëve që kisha lënë në burg. Bajrushi më tha: “Me Libonin kam lidhje telefonike”. E pyeta për Naitin dhe më tha se është shumë i sëmurë. E në përgjithësi për shokët e tjerë, duke iu lutur Zotit, që edhe ata së shpejti do të kthehen në gjirin tonë, në Kosovën e lirë. Bajrushi kishte pyetur për mua, dhe fjalët që unë i kisha treguar në lidhje me pregatitjet ushtarake të ushtarëve të UÇK–së, nga Shqipëria dhe sjelljen e armatimit për në Kosovë, në kohën kur ne ishim në burg, i kishte vërtetuar pas daljes së tij nga burgu. Ai, ishte shumë i kënaqur me atë çfarë kishim bërë ne për vëllezërit tanë. Më mori dhe një hërë në përqafim ashtu si atë ditë kur u ndava me të nga burgu i Mitrovicës së Stremit. Ndjehem mirë se të gjithë ata që i përmenda janë liruar nga burgjet sllave dhe jetojnë në Kosovën e pavarur, pranë familjeve të tyre, përveç Ukshin Hotit, për fatin e të cilit ende nuk dihet gjë…
- Marrë nga libri i autores- “Hasi mes Luftes dhe lirise”
Prishtinë, dhjetor 2000