Kosovë- Aktorit Xhevat Qorraj Çmimi “Bekim Fehmiu”/
-Regjisorit Agim Sopi Çmimi për Kinematografi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 28 Korrik 2015/-Aktori kosovar Xhevat Qorraj, me mëse 60 role në teatër dhe në film, është fituesi i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”.
Sipas vlerësimit të jurisë, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” i ndahet aktorit Xhevat Qorrajt “për rolet e tij të shumta të realizuara që nga fillimi i viteve të 70-ta e këndej në vepra të ndryshme filmike të produksionit vendor, kryesisht role kryesore, të cilat, si në kinematografinë e paraluftës, ashtu edhe në atë të pasluftës, nga kritika vendore dhe ajo ndërkombëtare, janë pranuar dhe vlerësuar si kreacione të nivelit të lartë artistik”.
Ka luajtur në filmat “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës”, “Era dhe lisi”, “Binarët”, “Kulla”, “Tre veta kapërcejnë malin”, “Tri dritare dhe një varje”, “Kodi i jetës”, e të tjerë.
Pas rolit të Babait të Madh në shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehtë” të regjisorit Florent Mehmeti në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në vitn 2010, u pensionua.
Në ceremoninë e zhvilluar sot pasdite, aktori Xhevat Qorraj, duke falënderuar Ministrinë e Kulturës për çmimin tha se, “ky është shpërblimi më i dashur për mua, sepse e mban emrin e aktorit të madh Bekim Fehmiut”.
Çmimin vjetor për Kinematografia iu dha regjisorit, skenaristit dhe producentit Agim Sopi dhe sipas vlerësimit të jurisë, ky çmim jepet “për suksesin e jashtëzakonshëm me filmin ‘Agnus Dei’, i cili me përmbajtjen dhe me formën e tij, në mënyrë krejt të veçantë, trajton dramën e luftës së fundit në Kosovë”. Filmi, me premierë në vitin 2012, ka marrë mbi 30 çmime në festivale ndërkombëtare.
Ministri kosovar i Kulturës, Kujtim Shala ndau çmimet pas vlerësimeve të jurisë, në përbërje Musa Ramadani, Lindita Zeqiraj, Bekim Lumi, Drita Krasniqi dhe Besim Rexhaj.
Çmimi “Bekim Fehmiu” që iu dha aktorit Xhevat Qorraj, në bazë të rregullores, shpërblehet me 5000 euro. Ndërsa, Çmimi Vjetor për Kinematografi që iu dha regjisorit Agim Sopi për filmin “Agnus Dei”, shpërblehet në vlerë 2500 euro.