• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pese arsye për të djathtën dhe Sali Berishën

June 22, 2013 by dgreca

Shkruan:Alfred LELA/

Taksë e sheshtë apo progresive?/

Dilema për taksën e sheshtë, pra 10 përqind të të ardhurave i kalojnë shtetit, apo një rritje progresive e taksës, sa më të mëdha të jenë fitimet aq më e lartë ajo, nuk është e re dhe as nuk është shqiptare. Ajo bëhet shqiptare dhe shndërrohet në debat, që në fakt duhet të përcaktojë votën, për dy arsye themelore: e para, ne e dimë modelin që do të ofrojë z. Berisha nëse fiton, taksën e sheshtë, por nuk dimë modelin e një qeverie të majtë. Kjo sepse dy krerët e së majtës janë për një taksim të ndryshëm. Z. Rama është për taksim progresiv duke e bërë këtë model të ri pjesë të programit përmbysës të Rilindjes, ndërsa z. Meta, kryetar i LSI, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë Berisha, është më i prirur për të mbajtur taksën e sheshtë. Kjo sa i takon rrafshit politik, por nuk duhet harruar një ‘teknikalitet’ gjithashtu i rëndësishëm. Ekspertë të ekonomisë në vend janë hezitantë për kthimin te taksa progresive, jo se janë kundër saj si të tillë, por sepse sistemi ynë fiskal e ka më të lehtë absorbimin apo mbledhjen e taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë, theksojnë ata, është më e lehtë për t’u vjelë dhe më e lehtë për t’u abuzuar. Teori që vazhdon me një tjetër shtjellim sipas të cilit, para se të kalohet te debati mbi llojin e taksës, duhet filluar me riparimin e sistemit fiskal. A paguhen taksat dhe detyrimet, dhe një kontroll më i imtë mbi to është më ‘ekonomike’ dhe ‘smart’ sesa debati mbi llojin e taksës, i cili zhvlerësohet nëse sistemi ka aq vrima sa një pjesë e taksapaguesve arrijnë t’u shmangen detyrimeve. Këta ekonomistë përmes artikujsh në shtyp kanë kërkuar menaxhim të informalitetit, që sipas tyre ende është përcaktues në ekonominë shqiptare dhe më pas ‘luksi’ që kërkon ‘barazia’ e taksës progresive. Ata që janë edhe më të zjarrtë në mbrojtjen e simplicitetit të taksës së sheshtë tregojnë me gisht nga taksat absurde të presidentit socialist francez, i cili detyroi individë me të ardhura të larta të largohen nga vendi.

Estetikë apo siguri?

Për t’u katapultuar me mendje në modelin e nesërm qeverisës duhet mbajtur një sy vëzhgues edhe nga fushatat elektorale të dy partive kryesore. Fushata e së djathtës, ose e liderit të saj Berisha, ka lëvizur në tre akse duke u zhvendosur ritmikisht nga njëri në tjetrin, por pa dalë prej tyre. Turi zgjedhor i Demokratëve ka nisur me town hall-e, për të kaluar më pas te mitingjet dhe për të prekur fazën përmbyllëse me biseda apo intervista nëpër studiot televizive. Sigurisht, pjesë e së gjithës kanë qenë edhe përurimet e rrugëve, ujësjellësve apo punëve të tjera publike. Por fushata e PD nuk ka lëvizur nga ky aks sigurie, duke u bërë nganjëherë edhe e mërzitshme në përsëritjen e vet.

Fushata e Partisë Socialiste, ose më saktë e liderit të saj Rama, i është nënshtruar një luhatjeje në kurs duke i provuar të gjitha: mitingjet, udhëtimet me autobus, intervistat në studio televizive, këndet e fjalës. Risia qëndron jo vetëm te stili i tyre, për Shqipërinë sigurisht, sepse ato janë imitime të fushatave anglo-amerikane, por te ndërthurja. Të përditshme të ndryshme kanë raportuar se ato që janë nisur si mitingje kanë përfunduar si kënde fjale për shkak të pjesëmarrjes së ulët, por gjithsesi përtej kësaj ka vuajtur mesazhi i cili ka ardhur i hallakatur. Estetikisht, megjithatë, fushata e socialistëve ka qenë më lart se e demokratëve, e modeluar kjo e fundit brenda kufijve dhe notave të sigurisë. Edi Rama, kreu socialist është treguar madje cinik kur ka futur në ligjërim edhe moshën e kryeministrit Berisha duke u bërë thirrje të tijve që të zgjedhin mes pikëçuditëses (atij vetë) dhe pikëpyetjes (shefit të qeverisë). Duke i ftuar pra në një moment estetik përballë një momenti përvoje e sigurie, kur koha jo vetëm në kontekst botëror, por edhe shqiptar është në kërkim të sigurisë më shumë se estetikës. Zgjedhja e së dielës merr edhe një kthesë të tillë: një lider që ofron siguri në kohë krize apo një tjetër që tundon me estetikë?

Konteksti europian ‘e majtë e djathtë’, dhe pse?/

Në rrethet e majta në Shqipëri ekziston një keqkuptim i madh kur kërkohet për një simbol që përfaqëson suksesin e së majtës. Vendet skandinave, thonë me një gojë të majtët, që kanë mbetur pa një atdhe ideologjik pas rënies së Bashkimit Sovjetik, turpërimit të Kubës, ekzibicioneve të Chavezit, tashmë të ndjerë, dhe groteskut koreanoverior që i ngjan si dy pika uji, hiq armët bërthamore, Shqipërisë së Enver Hoxhës. Mëtim i rrejshëm megjithatë, të paktën nëse marrim si të vërtetë një speciale prej dhjetëra faqesh të revistës britanike “The Economist” që shtjellonte gjerë e gjatë, pikërisht vendet skandinave dhe modelin e tyre ekonomik. Milton Friedman, teoricieni i madh i liberalizmit ekonomik ku u mbështetën Reagan e Thatcher, ‘do të ndjehej si në shtëpi në vendet skandinave’, shkruan The Economist. Revista i mëshon idesë se suksesi i Skandinavisë i detyrohet pikërisht shtetit të vogël dhe menaxhimit privat, duke e ilustruar edhe me shembullin e një spitali të madh shtetëror në Suedi, i cili në prag të falimentimit, iu kalua një kompanie joshtetërore që e shndërroi në rentabël duke kombinuar publiken me privaten.

Përballja ‘e majtë e djathtë’ në kontekstin europian shkon dërrmueshëm në favor të së djathtës. Angela Merkel në Gjermani është shembulli më ilustrativ dhe ajo kërkon një mandat të tretë së shpejti dhe shihet ndërkohë si fituese. Italia pa dështimin spektakolar të së majtës kur ajo edhe pas bunga-bungës së Berlusconit nuk arriti të krijonte dot një mazhorancë dhe u nda në zgjedhjet e fundit vetëm me një përqindje të papërfillshme me Il Cavaliere, duke shtyrë jashtë politikës Bersanin. Ky i la vendin Lettas, një të majti që ka po aq lidhje me Berlusconin. Në Greqi qeveria e kryeministrit të djathtë Samaras, paketë pas pakete shpëtimi, po mundohet ta mbajë larg falimentit vendin e shtyrë në humnerë nga zgjerimi përtej shtatit të vet i shtetit të paraardhësit, socialistit herditar Papandreu.

Restauracion historik duke filluar nga zogizmi apo enverizmi?

Republika shqiptare si shtet i pavarur, dhe me një jetë mbi 6 muaj, ka nisur në fillimvitet ‘20 me Ahmet Zogun. Republika e kthyer në monarki u ndërpre nga pushtimi i vendit për t’u takuar me një tjetër republikë të ashtuquajtur popullore, socialiste të Enver Hoxhës, një vështrim historik mbi të cilën është i panevojshëm. Sidomos në mandatin e dytë, qeveria e djathtë e Sali Berishës edhe pse në pushtet me të majtët e Ilir Metës, e ndoshta pikërisht e shtyrë prej kësaj, ia riktheu Legalitetin periudhës së Zogut duke e zgjatur mbrapa në kohë edhe themelimin e republikës shqiptare në vitet ‘20 të shekullit të shkuar, për t’u takuar aty me Zogun dhe forcat e së djathtës. Përkundër kredos së të majtës, e cila shenjon mesin e viteve ’40, kur në pushtet erdhën komunistët, si datëlindje të Republikës. Kjo zgjedhje historike e Berishës nuk është futur te arritjet, por si qasje është reaganiste (një tjetër moment i takimit me Reaganin përveç reaganomics të parapëlqyer prej shefit demokrat). Pikërisht Presidenti amerikan i mëshonte një përballjeje kulturore, përveç, ose në mungesë të asaj ideologjike në përballjen mes palëve politike. Propozimi i Berishës ishte: Zogun në vend të Hoxhës. Ose, ju Enver Hoxhën, unë Ahmet Zogun.

Kjo, edhe si refleks ndaj përpjekjeve për Restauracion historik të së majtës, të paraqitura me një ngjyrë dhe glamour të ri nga kreu socialist i bashkisë, më vonë kryetar i PS, Edi Rama. Në formën e Natës së bardhë, Pezës së babë Myslymit si qendër hip e majtizmit të ri shqiptar; një vend për Rexhep Qosjen, enveristin kosovar në aulat e së majtës, katër parti komuniste në koalicionin aktual, ditirambet për Mehmet Shehun si burrë shteti nga eksponentë të së majtës tradicionale, e të tjera. Ky kthim i Legalitetit përkundër një rikthimi të Enverizmit është gjithashtu pjesë e dilemës së 23 qershorit. Pra, Zogun apo Enverin?

Një lider apo dy liderë?

Edi Rama dhe Ilir Meta, dy krerët e koalicionit të majtë dhe njëherësh kandidatë për kryeministër, kanë dalë dje, një ditë para heshtjes zgjedhore që është sot, dhe dy ditë para ditës së zgjedhjeve, që është nesër, si për të zbutur dyshimet se aleanca mes tyre është solide. Kjo ka ardhur pas një muaji dyshimesh e hamendësimesh frymëzuar edhe nga qëndrimet e të dyve përgjatë fushatës: z. Meta nuk e ka përmendur ‘vëllain e madh’ të koalicionit si kryeministër të pas 23 qershorit, nëse e majta i fiton zgjedhjet, ndërsa Rama, kryesisht ia ka lënë nominimin e vetes si kryeministër kandidatëve për deputetë në qarqe apo në Tiranë, të cilët nëpër sheshe apo ‘kënde fjale’ kanë bërtitur me sa u ka mbajtur zëri “kryeministri Edi Ramaaaaaaaaaaa’. Të dy janë, megjithatë përballë liderit solo, Sali Berishës, kryeministër i vendit për tetë vjet në kërkim të një mandati të tretë që do të përbënte precedent historik për një vend si Shqipëria, së cilës në trazimet e veta nuk i ka pëlqyer të qeveriset gjatë dhe me votë njëherësh, përjashto rastet e monarkut Ahmet Zogu apo diktatorit Enver hoxha. Sali Berisha vjen ta kërkojë historinë e tij brenda historisë së Shqipërisë me anë të votës. Vende të tjera e liderë të tjerë e kanë mandatin e tretë: Helmut Kohl, Margaret Thatcher, apo Angela Merkel që do ta kërkojë mandatin e tretë dhe, sipas gjithë gjasash, do ta marrë. Qeveritë socialiste me dy koka e shumë ngërçe, shqiptarët i kanë provuar ndërkohë gjatë përplasjeve të shumta në lidershipin socialist, sidomos në mandatin e tyre të dytë 2001-2005. Një qeverisje e luhatur me dy mëtues për kreun e saj, edhe pse me shije tjetër, nuk do t’u shkonte përshtat shqiptarëve, sidomos në kohë krize.(Kortezi:Mapo)

 

Filed Under: Komente Tagged With: dhe et djathten, per Sali berishen, Pese arsye

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT