*Shqipëria nuk ka zyra. Nuk ka institucione. …Po ka darkat ama. Darkat e sojit të Turqisë./
*Darkat e shefave nuk sjellin asgjë. Veçse vigjilencë. Ruhu nga aleati./
Nga Ilir Levonja/ Florida/
Një nga darkat më të bukura në historinë e shqiptarëve, është ajo e Dhimitër Anagnostit. Tek filmi Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr. Të më falin ideatorët e ndalim qarkullimit të filmave, megjithëse ky film i ka shpëtuar rrjetës. Ku kishte komunizëm atëhere. Kutadish. Po, aty është, në internet. Pra darka kur martohet Gjinoja. Ka një personazh në ‘të, një që i thonë Gole. Ai e quan veten gdhë’…, a një cope dru. Ai që shkon i pari, si e si të zëri qoshen. A vendin afër parisë dhe oxhakut. Mirëpo si gjithmon, siç ndodh me sojin e goleve, përfundon tek dera. Dhe prapë është i kënaqur aq sa i thotë me vetdije Maliqit, se ai Golja është një copë dru, një gdhë’.
Mu kujtua e gjitha kjo, nga sytë katërsh mbi darken e radhës të çiftit Rama-Meta… Një vëmendje e jashtëzakonshme sa s’thuhet me fjalë. Çfarë hëngrën? Çfarë thane? Hë, do vazhdojmë apo jo? Do na kakarisi më ai Luan Rama, apo ai lezhjani që e bëm edhe minister të drejtësisë? Do jemi bashkë edhe 4 vitet e ardhshme…, që të plasi çadra e Bashës? Do marrim pjesë në zgjedhjet e Kavajës?
Do thoni ju, ç’lidhje ka e gjitha kjo me Golen?
Ka, sepse ai që del tek dera, atje përfund është sërish populli. Golet me shumicë. Ata që akoma nuk po e kuptojnë se në demokraci pushteti fillona nga vota. Dhe fatet e tyre nuk vendosen prej maliqëve. Po prej votes.
Mirëpo vetëm në Shqipëri ndodh që fatet e një populli caktohen nga humori i darkave. Më jep një dopio, të jap një dopio. Fati i goleve që këtej pine vet veresie. Këtej presin zgjuar se çfarë u tha në darken e radhës.
Shqipëria nuk ka zyra. Nuk ka institucione.
Po ka darkat ama. Darkat e sojit të Turqisë.
Darka me dopio. Se darkat të shpëtojnë të nesërmen. I thua tjetrit, nuk mbaj mend se çfarë thashë. Piva shumë. Isha i dehur. Darkat të shpëtojnë erzin.
Dhe si të thuash duhet të lutemi, që ai guzhinjer ta kavardijë mire peshkun. T’i ketë qëmtuar halat një më një. Ta zbukurojë në pjatë. Me ca rriska limoni dhe trumçe majdanozi. Pasi të ketë pyetur mire e mire sekserët se si ia do dieta gjenisë që luan byçkat sa majtas dhe djathtas. Si ja do ënda atij të gjatit që ka 19 vjet vetëm 1-sh. Flet për standarte dhe bën humor çadrash, sapo merr vesh që dashnorja e dobësuar ia pranon një ngërdhjeshje. Jemi popull i marrë peng. Dhe rrezik e kemi gdhirë deri sa kemi mësuar se çfarë po ndodh me elefentatët. Jemi një soj golesh që pasi jemi dëndur mire e mire me pulat e fryra. Aq na mjafton. Një pulë të pjekur për kokë. Gjysëm gjumë e gjysëm zgjuar. Vdesim të mësojmë se çfarë u tha në darken e elefantëve?
Në fakt e gjitha është një martesë mallinje. Si puna e atij çiftit që e di fare mire që gjithçka ka marrë fund. Por rrinë bashkë për sy e faqe. Me preteksin se mbrojnë familjen. Ndërsa nga ana tjetër nuk lënë flirte pa bërë. Njëri me drogën e tjetri me miellin dhe vendet e punës. Këtë më mire se kushdo e dine vetë socialistët. Që nën zë thonë me plot gojën se na çau mender bythën kjo Lsi-ja. Por jo, mos pyesni lësëistët. Ata janë kaluar.
Darkat e shefave nuk sjellin asgjë. Veçse vigjilencë. Ruhu nga aleati. Kjo është situata më absurde, karshi një populli me emrin Gole. Një vend i tërë që kujdeset për humorin e njërit apo tjetrit. Një popull që shkon i pari…, si Golja. Dhe përfundon tek dera, po si Golja.