(Përsiatje rreth vëllimit : “NË SHQIPËRINË BURG. Ҫfarë ndodhi ?! Ҫfarë pashë ?! Ҫfarë hoqëm?!” të shkrimtarit KURT B. KOLA/
U mbush një vit nga dalja prej shtypit të UETPress të një libri me kujtime të shkruar nga Z. Kurt Kola, që është munduar, simbas mendimit tim me sukses, t’i japë lexuesve shqiptarë një vepër letrare, në të cilën përshkruhet me mjaft vërtetësi jeta e tij, ajo e një njeriu të lindur në një familje të njohur të mjedisit atdhetar të Veriut të Shqipërisë, i cili në moshën e njomë tetëvjeçare, së bashku me të gjithë pjestarët e familjes, gra e fëmijë, hynë fatalisht në ingranazhin mishgrirës të diktaturës komuniste e sllavofile shqiptare.
Historia e këtij fëmije që rritet, burrërohet e vuan për gati një gjysëm qindvjeti, gjithmonë nën ingranazhet bluajtëse të fateve e jetëve të qindra mijra qëniesh njerëzore, i ngjet asaj të shumë sivëllezërve e simotrave të tij, bashkudhëtarë në natën tepër të gjatë t’acarit ngrirës të diktaturës komuniste shqiptare. Autori i kujton ato apo ata me emra e mbiemra, me keqardhjen dhe dashamirësinë e bashkëvuajtësit e me dhimbjen e thelle të bashkëkombasit që nuk i nënështrohet për asnjë çast idesë se regjimi njëjtësohet me popullin e tij. Për të që nga 10 maji i 1945 deri në 10 janar 1991, kur përbindëshi po jetonte çastet e tij të agonisë vdekësore, ai regjim u quajt si një lëngatë e pështirë që kishte pushtuar trupin e lashtë të Shqipërisë etnike, si një mallkim që dilte nga thellësitë e Ferrit e vinte e trupëzohej në figurat e drejtuesve të komunizmit shqiptar, të cilët, si Kont Ugolini në veprën madhështore të Dantes, që brente pa pushim eshtrat e arqipeshkvit Ruggieri, brenin ata të shokëve të tyre, t’akuzuar për tradhëti.
“Del mizuer këndejna, del prej mërzijet
Zgaq i përbuzshëm Shqypnia t’volli…”
Kështu kishte prtretizuar vite më parë poeti i ndritur kombëtar, Ndre Mjeda, një krijesë shqiptare të ngjajshme me shembëlltyrat e atyre që, me yll në ballë, i kishin vënë Atdheut vargojtë më të rëndë që kishte provuar në mijëvjeçarët e qënies së tij.
Vepra e Kurt Kolës është një mozaik ndodhish, bëmash, episodesh, mjedisesh , njerëzish, të cilët autori i ka përshkruar me pasion në 90 kapitujt e saj, të shkëputur njëri nga tjetri, por secili prej tyre mund të jetë bërthamë e një vepre letrare. Është një lëndë jetësore, një dëshmi në vetë të parë e një odiseje të gjatë, e cila në këta vite të pas komunizmit nuk arriti të gjejë një strehë mikpritëse në letërsinë zyrtare të Shqipërisë edhe se nxori një përfaqësues madhor në fushën e letrave, në figurën e poetit dhe shkrimtarit të talentuar Visar Zhiti. “Në Shqipërinë burg”, për mendimin tim, mbetet një nga veprat më të arrira që pasqyrojnë periudhën komuniste, kryesisht pamjen e saj më të errët e kriminale : dhunën policore, terrorin shtetëror, mekanizmat e tyre të përsosura në mbarështimin e krimit të organizuar, që ishte ulur këmbëkryq, nga maja e piramidës deri tek skutat më të largëta të truallit shqiptar.
Kjo i detyrohet jo vetëm përvojës jetësore të autorit, por edhe kujtesës së tij të pazakontë, pa të cilën kjo vepër nuk do të kishte parë dritën. Për këdo, si i nënëshkruari, që ka kaluar familjarisht kalvarin e gjatë të tragjedisë shqiptare në kampet e internimit e në burgjet e socializmit shqiptar, leximi i këtij libri është një rikthim në një pjesë të madhe të jetës, episodet e së cilës ngjethin më shumë tashti kur kujtohen se atëherë kur jetoheshin. Për shumicën, që ka patur fatin e mirë të mos kenë provuar në familjet apo në veten e tyre përvoja të tilla, ky libër vlen për t’u treguar se në të njëjtën kohë me jetët e tyre të thjeshta e normale, kishte edhe bashkatdhetarë të tyre jo të paktë, që atë normalitet e kishin të ndaluar edhe t’a ëndërronin…
Realiteti i mprehtë që gjen pasqyrim në veprën e Kurt Kolës është i larmishëm e rrok në një periudhë kohe prej 47 vitesh, ngjarje e personazhe të ndryshëm, që nga ish drejtuesit e lartë të shtetit parakomunist, që qenë viktimat e para të terrorit komunist e deri tek pashallarët e kuq, xhelatët-viktima të “demokracisë popullore”, që nga njerëzit më të shquar të jetës kulturore shqiptare të të gjitha fushave, përfunduar shpejt a vonë në burgjet e regjimit e deri tek njerëzit më të thjeshtë, hajdutë pulash, që “arsyeja e mos arsyes” së absurditetit të pashembullt të klasës sunduese i ka mbiquajtur si “armiqtë e klasës”. Ky univers i vogël njerëzor, në të cilin hyjnë edhe njerëzit e regjimit, sidomos ata t’organeve të dhunës, na paraqitet i ndarë në dy kampe të kundërta, mes të cilëve partia mbjell vazhdimisht një urrejtje të përherëshme e të pafund, të tillë që nuk mund të mos ketë si përgjigje të njëjtën ndjenjë. Ishte një simbiozë e llahtarshme urrejtjesh që asgjësonin çdo ndjenjë njerëzore, që lindnin tmerre e njerëz të tmerrshëm, të cilët nuk ngurojnë të kryejnë edhe veprat më mizore, edhe mbi fëmijtë. Vepra na përshkruan një betejë të përjetëshme e të pabarabartë mes xhelatësh e viktimash, dy grupe shqiptarësh, e këtu qëndron tragjedia e vërtetë.
Autori shpesh largohet me përsiatjet e tij nga tregimi i ndodhive, shkon larg në kohë e hapësirë tokësore, në të tjera përvoja, bën krahasime, por nuk gjen shëmbëlltyra askund n’Evropë, e gjen sprovën e kobëshme të Vendit të tij, si një nga më të rrallat, në mos të vetmen. Logjikisht, përvoja vetiake duhej t’a kishte ngurtësuar jo vetëm shpirtërisht por edhe mendërisht. Fatmirësisht ai i u shmang atij rreziku, ruajti njerëzoren si ndjenjë por edhe objektivitetin si gjykim. Ai gjen tek populli i tij gjurmët e virtutit, të fisnikërisë, të moralit të trashëguar. Objektiviteti në gjykim, një nga vështrimet më të dobishme të personalitetit t’autorit, gjen shprehjen e vet më të mirë në shmangien e paragjykimeve që ishin të rrënjosura thellë në fushën shtetërore, por që mund të ndikonin fuqishëm në lindjen e të tjerëve në kah të kundërt. Kurt Kola din të gjykojë secilin prej kundërshtarëve të betejave të tij, sepse për një zgjedhje vetiake, deri diku të detyruar, ai mbeti gjithmonë luftëtar kundër regjimit me armën e vetme që kishte, gojën që nuk reshti së foluri e së padituri. Megjithatë ai nuk e sheh botën me të cilën përballet vetëm me dy ngjyra, bardh e zi, din të shohë në të edhe nuancat, madje edhe ngjyrat e tjera.
Shqipëria fisnike nuk është vetëm rrethi i tij i ngushtë shoqëror apo bashkëvuajtës, nuk janë vetëm shokët e tij të fëminisë, Qemali, Genci, Hakiu, Agroni, Gjoni, bashkëmoshatarët që u dënuan me burg politik sepse kishin fallsifikuar kuponat e reciprokut për një copë bukë që do të thyente urinë. Shqipëria fisnike shfaqet edhe nëpërmjet familjes qytetare beratase që kishte mbajtur me qira në shtëpinë e saj Bilal Kolën e internuar nga fashizmi e që nuk pranon t’i marrë qiranë familjes së tij t’internuar nga komunizmi ; nëpërmjet kryetarit të qytetit që i sjell asaj familje florinjtë për të mbijetuar, pa marrë parasysh rrezikun ; nëpërmjet figurave të policëve si Haxhi Ceka, kapter Todi, Hysen Lena, komandant Ismail Musta, polici pa emër që i bën me shenjë të dënuarit mos të pranojë të bëjë gjilpërën e të tjerë personazheve që, megjithëse ishin ushtarë të diktaurës, sa mundnin e bënin të mirën kur i u paraqitej rasti.
Me vërtetësi rrënqethëse janë përshkruar në libër shfaqjet e krimit shtetëror e përfaqësuesve të tij, që nga thënia proverbiale “një armik më pak” para vdekjes së një të dënuari tek arrestimet e internimet masive të qindra njerëzve në përndjekjen e Mirditës, që nga dhjetra të vdekur nga përdorimi i miellit me miza për bukën në kampin e Tepelenës tek torturat çnjerëzore në zyrat e hetuesive, nga ndëshkimet në biruca tek dënimet shumëfishe nëpër kampe, nga urdhërat e kryeministrit për të mos marrë në maqinat e shtetit njerëzit që shkonin në Spaç për të takuar të dënuarit, tek mbushja e burgjeve politikë me hajdutë e spiunë të llojit më të keq.
Vlera e librit qëndron pikërisht në vërtetësinë e pohimeve të tij, në përshkrimin e atij ferri mbitokësor që qe realiteti i Shqipërisë enveriste. Veç vlerës së dokumentuar të krimit komunist, ai pohon edhe madhështinë e qëndresës s’atyre shqiptarëve që nuk u njëjtësuan me të, nuk pranuan të bëhen pjesë e bashkëpuntorë të tij, duke e paguar këtë qëndrim me dhjetëvjeçarë burgjesh e kampesh internimi, me jetët e gjymtuara e shpesh edhe të këputura. Qëndresa ndaj së keqes, ndaj dhunës së verbër, ndaj përpjekjes së saj të hapur e të përherëshme për të prishur karakteret njerëzore e për të shkelur mbi dhuntitë morale përbën palcën e veprës e qëllimin kryesor të shkrimit të saj.
Ka një çast në rrëfimin e tij, kur para vetëdijes i vihet një mëdyshje hamletiane me pasoja më të dhimbëshme se ato të Princit të Danimarkës. Në faqen 274 të vëllimit autori shkruan :
“Kushte çnjerëzore të paimagjinuara….. S’besoj se në sistemin e skllavërisë të mund të ishin më keq. Kështu, ditë e natë vazhdonte kjo punë shumë e rëndë fizike e akoma më e rëndë morale. Unë isha në mëdyshje : të përzihem në turmë, të futem në shumicë, apo i vetëm në rrugën e mosbindjes me ndëshkime e vuajtje?! …… Zgjodha të dytën. Këtë kisha ndjekur që fëmijë.”
Mënyra e përballjes me regjimin e diktaturës mendoj se është boshti qëndror, synimi më i lartë që vepra dhe autori shtrojnë para lexuesit. Është kuptimplotë një episod nga fundi i veprës, një bisedë e shkurtër ndërmjet të dënuarit pesë herë, por që çasti historik e liron nga burgu dhe rojtarit tepelenas të varrezave të Lushnjes, ku prehej Nënë Vasha. Është një bisedë që zbulon thelbin e gjithë veprës e i bën jehonë shpirtit t’asaj epoke, që përmbledh në pak fjalë palcën e tragjedisë shqiptare :
“Ishim duke dalë nga varreza dhe përsëriti pyetjen : Nuk më the, ç’bëre që të kredhën në burg ?
Luftova për lirinë time dhe lirinë tënde, këtë bëra. Më kapi për krahu dhe më ndaloi:
Për lirinë u vranë dy djemtë e mij në luftë, dhe na erdhi kolera në Pushtet !
Për atë liri, sigurisht, se djemtë e tu nuk kanë ditur se me gjakun e tyre do të ngrihet diktatura!
Më pa goxha gjatë pa më lëshuar krahun, pastaj tha : “Ishallah po shembet ! Më uroi lirimin dhe kështu u ndava nga labi i mënçur e i përvuajtur.”
Kundërveprimi, si individë e si shoqëri, kundrejt ardhjes së komunizmit në Shqipëri është një proçes historik, pothuajse krejtësisht i pastudjuar. Shabllonizmi në paraqitjen e popullit “entuziast” për “çliruesit” dhe të renë e lufta kundër “armiqvet” në dy breza të tërë, që kanë qënë mënyrat zyrtare të paraqitjes së dukurisë, janë një thjeshtësim banal e i qëllimshëm i së vërtetës historike. Shkrimtari në veprën e tij mundohet t’a cekë problemin, nëpërmjet përshkrimit të ndodhive të njerëzve të ndryshëm që ai përshkruan, duke u bazuar në përvojën e tij apo t’atyre të cilëve ai u beson. Por vepra e tij është një dëshmi e atij realiteti, tashmë të largët në kohë, por jo një traktat i vërtetë studimor që e trajton dukurinë në të gjitha pamjet e saj e motivet shtyrëse të qëndrimeve të ndryshme.
Vetëpyetjes Kurt Kola i u vetëpërgjigj n’ujdi me karakterin e tij që nuk ishte i prirur për kompromise, por më shumë për ndeshje e vetëflijime. Një pyetje si ajo është vënë para shumë shqiptarëve të dy brezave të gjysëm shekullit komunist. Përgjigjet kanë qënë të ndryshme. Ato të tipit të Kurtit kanë qenë më të rrallat, në kufijtë e heroizmit deri në vetmohim, për një pakicë që bënte atë zgjedhje, në kufijtë e marrëzisë për shumicën që vendoste të zgjidhte rrugët e tjera. Këto të fundit paraqisnin larminë e tyre, por kishin gjithmonë si busull drejtuese ndërgjegjen vetiake, e cila përcaktonte caqet e kufijtë, përtej të cilëve nuk mund të kishte më bashkëjetesë në gjysëm lirinë e përgjithëshme dhe vendi i vetëm mbetej shkuarja në burg. Rruga e përplasjes së hapur me regjimin nuk ishte ajo më e praktikuara, jo vetëm sepse “nuk i bihet murit me kokë”, por edhe sepse përgjegjësia e pasojat binin mbi familjen e herë herë edhe mbi farefisin. Shumica dërmuese e të dënuarvet për agjitacion e propagandë nuk kishin folur hapur në publik kundër diktaturës, madje kishte prej tyre që mund të kishin biseduar në një rreth tepër të ngushtë, ose në një mjedis familiar ku Sigurimi kishte mundur të rekrutonte spiunët e tij, ndonjëherë vetëm me një njeri e shpesh herë as nuk kishin hapur gojë, por dënoheshin sepse nuk pranonin “bashkëpunumin” me organet e dhunës. E meqë ky fakt duhej të mbetej i fshehtë, sajoheshin padi të rreme edhe vetëm mbi hamëndje se mund t’a kishte atë mendim. Ky është krimi i vërtetë i atij regjimi, për të cilin askush nuk u përgjigj asnjëherë, sepse marrëveshjet e nivelit të lartë mbi ndryshimin e sistemit në gjithë bllokun komunist, patën si pikë të parë mos dënimin me gjyqe të krimit komunist. Kjo bëhej edhe me miratimin e atyre për të cilët neve kishim pësuar dënimet e rënda, por “arsyeja e Shtetit” doli më e fortë se normat më parësore të moralit njerëzor.
Sigurimi i Shtetit kishte kartë të bardhë nga Enver Hoxha dhe partia e punës, për të sendërtuar strategjinë e saj të depersonalizimit të shqiptarëve kundërshtarë e jo vetëm të tyre. Heroizmi i vërtetë shprehej në qëndresën kundrejt kësaj dukurie kundër kombëtare e kundër njerëzore dhe kriteri i arrestimeve dhe dënimeve mbështetej kryesisht mbi përfundimet e këtyre ndeshjeve, që shpesh kërkonin edhe vetëflijimin, pra të paguarit me burg të vullnetit për të mos ndihmuar në shkuarjen atje të miqve, shokëve, familjarëve, apo dhe njerëzve të panjohur.
Në larminë e kundërveprimeve ndaj diktaturës, mendoj se meritojnë respektin e duhur të gjithë qytetarët apo qytetaret shqiptare që kanë ruajtur ndërgjegjen e pastër, pa dëmtuar askënd. Por edhe ata që nuk kanë mundur t’a arrijnë këtë synim madhor moral e shpirtëror, duhen gjykuar me shumë durim e mirëkuptim, rast për rast, mbasi metodat e punës së Sigurimit kanë qenë jo vetëm mizore deri në sadizëm, por edhe të stërholluara deri në djallëzi. Mendoj se i tillë është edhe mesazhi që na vjen nga libri i Kurt Kolës, i cili din t’i bëjë dallimet e duhura edhe ndërmjet dëshmitarëve të dënimit të tij të dytë.
Ishin këto disa prej ideve që shtron dhe problemeve që ngre me sinqeritet e mënçuri autori i librit. Simbas mendimit tim, ky libër paraqet një ndihmesë të çmuar për njohjen e së kaluarës sonë të afërt, mbasi pasqyron jo vetëm përvojën e hidhur e dramatike të autorit, por na jep një panoramë të gjërë e të thelluar të një epoke historike, e cila ka shënuar jetët e dy brezave shqiptarësh. Meritat e vëllimit janë të shumta n’atë drejtim e, megjithë pak pasaktësitë që hasen aty këtu në katërqind faqet e tij, besoj se meriton një vend nderi në letërsinë e kalesës mbas komuniste, si përsa i përket saktësisë së pasqyrimit t’epokës dhe gjykimit objektiv mbi të, po ashtu edhe sa i përket stilit letrar të rrjedhshëm e të pasur.
Do t’ishte mirë që ky libër ashtu si edhe disa të tjerë, kryesisht të Visar Zhitit, Makensen Bungos apo autorëve të tjerë që kanë lëvruar këto tema, të mund të përktheheshin e t’i jepeshin edhe lexuesve evropianë, për të njohur më mirë kombin dhe historinë tonë.
Prill 2017 Eugjen Merlika