-Ekipi i FMN-së ka mbërritur javën e kaluar dhe do të qëndroj në Kosovë deri në 24 qershor/
PRISHTINË, 20 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Jacques Miniane, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në sektorin financiar e buxhetor në Kosovë. Ekipi i FMN-së do të qëndroj në Kosovë deri në 24 qershor dhe do të kenë takime edhe me përfaqësuesit e institucioneve tjera kosovare.
Miniane e njohu kryetarin Veseli me opinionin e tij lidhur me qëndrueshmërinë financiare të Kosovës në raport me vendet e tjera të rajonit, ndërsa shtroi nevojën që të ruhet kjo qëndrueshmëri dhe të kihet kujdes në shpenzimet e paplanifikuara, të cilat mund të kenë implikime financiare në raport me zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit.
Kryetari e falënderoi Miniane për kontributin që po jep FMN-ja me rekomandime dhe aktivitete të tjera në ruajtjen e qëndrueshmërisë makro-financiare të vendit dhe stabilitetit buxhetor, përkushtim ky, gjithashtu, edhe i institucioneve tona, lokale dhe qendrore.
Kryetari Veseli theksoi se buxheti duhet të jetë i ndikuar fuqishëm nga prodhimi dhe punësimi në Republikën e Kosovës.
“Qëndrueshmëria buxhetore dhe rritja e vazhdueshme ekonomike, është synim yni parësor”, theksoi kryetari Veseli.
Duke çmuar marrëdhëniet e mira me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet e tjera financiare, kryetari Veseli shprehu interesimin për ta vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen, në funksion të ruajtjes së stabilitetit fiskal të vendit.
Me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, në 16 qershor e ka pritur në takim ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti.
Ministri Hoti i informoi përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për zhvillimet ekonomike, për performancën e të hyrave ku që nga fillimi i vitit 2016, të hyrat buxhetore, në veçanti ato tatimore janë duke performuar shumë mirë, ndërsa shpenzimet buxhetore janë në linjë me planifikimet.
Ai gjithashtu i njoftoi ata me gjendjen e veteranëve të luftës dhe mundësitë buxhetore për këtë kategori, për përmbushjen e kritereve strukturore, ashtu siç është paraparë me Programin Stand-By si dhe për rishikimin e buxhetit për vitin 2016.
Shefi i Misionit për Kosovë Jacques Miniane e vlerësoi lart përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen dhe ecuritë pozitive të programit me FMN-në.
Ministri Hoti dhe Miniane u pajtuan për të vazhduar me bashkëpunimin e mirë dhe implementimin me sukses të Programit.