• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dhëndëri i Demokracisë

September 13, 2017 by dgreca


hajdari
Nga Ylli XHAFERRI / Publikim me shkas/

Gjëma kishte ndodhur. Dielli qe fikur. Në fërgëllimën e fundme të shuarjes së kandilit të jetës, marrë mizorisht nga një krismë mbas shpine, pushkë cubash të pamëshirshëm, ai pa botën të përmbysej, ylberet të gremiseshin si lisa të djegur rrufeje, qielli të ngrysej, mali i Dejës të shembej me rrapëllimë, pa kullën e tij që iu thye një tra, por që përsëri mrekullisht mbahej në këmbë, karakoll burrërie dhe shqiptarie prej kushedi sa shekujsh, para sa e sa bajlozëve, por dhe gjaku të shprishur brenda vetë shqiptarëve të keqpërdorur nga politika diktatoriale. 1 azemiNë cepat e buzëve të ngrira, që kurrë më nuk do të lëshonin frymën e ngrohtë të jetës dhe buzëqeshjen e çiltër për nënën dhe babën, në dorën e tharë ku kishte mbetur ndehur dhe e padjegur shamia e beqarisë, në këmbën uloke ku vallja ishte ngurosur mizorisht nga hijet e së keqes, në sytë e bukur që po ia shkelte nata e zezë ku si medaljon ishin ndryrë në mënyrë të patretshme tiparet e bukura të vajzës që sapo ishte veshur nuse dhe priste dorën ledhatare të burrit, ato sy të vëmendshëm që kurrë më nuk do ta shihnin Macukullin, djepin dhe tanimë varrin e përjetshëm, krahinën që rrethohej nga patkoi i maleve të lartë, në ato buzë të pangopura me puthje dhe jetë, ishin mpiksur vargjet e një balade elegjiake me motiv të vjetër, ku nëna matjane vajtonte djalin: …Udhës më shkoi ke gjurr’ e ftohtë, aty na u ul ujë me m’pi, aty na e zu i ziu gjarpën, aty na e zu n’ballë e n’qafë… Dy ftesa të bardha dasme, dy pëllumba paqeje në xhepin e djalit, dy puthje të ftohura, dy ëndrra për fëmijë, dy bekime, dy urime, ishin mjeti i vetëm që e bënë të njohur.

Quhej Isuf Ali Uka. Ftesat në xhep ishin të dasmës së tij që kishte marrë valë, por tashmë kthyer në mort. Mjekët dhe infermieret e spitalit të Tiranës kishin derdhur lot të nxehtë dhimbjeje përpara asaj tragjedie para së cilës vetë “Hamleti” do të dukej si një komedi bajate. Trupi i ftohur i djalit si një statujë pafajësie ishte dëshmia më e qartë e mizorisë, e masakrës së shtetit ndaj qytetarëve të tij të pambrojtur, e së djeshmes që luftonte për të mos u bërë e shkuar, por të mbetej kthetër e së keqes për të sotmen, kurth e lak i zi për të ardhmen. Ai trup rinor ngrirë në morg, fliste shumë. Obelisk për barbarinë. Përse, vallë! Përse duhej shuar ajo jetë? Përse duhej prerë në mes ai gëzim njerëzor me këngë e valle? Kush u trembej dasmave, e kërkonte ti kthente në mort, ku të këndonin qyqet dhe vajtimoret? Përse! Përse, vallë? Krimi i vetëm që kishte bërë Isuf Uka, ishte dëshira dhe dashuria për jetën, arma e vetme që kishte me vete në momentin fatal ishin ftesat për dasmën dhe gëzimin e tij rinor, për harmoni dhe bashkëjetesë, për ardhmëri dhe lumturi, për tu bërë bashkëshort i mirë, prind shembullor, qytetar i denjë, atdhetar i flaktë. Faji i vetëm për të cilën qe vrarë ishte solidariteti njerëzor, nderimi për të vdekurin, për të protestuar dhe dënuar krimin shtetëror, për të përcjellë mikun e rrallë në banesën e përjetshme… Në kullën e tij sapo kishin nisur dajret. Kishte çelur pranvera…Bilbilat kishin filluar këngën. Graria, farefisi, djemtë dhe vajzat e mëhallës luanin me gëzimin. Edhe ecja u kthehej në valle. Kulla e Ukajve kishte gaz. Vallet e rënda të burrave dridhnin vendin. Kot nuk thoshin, Ukajve u kishte hije dasma. Vargje këngësh përcillte era larg: …Kënoi zogu gem më gem vallë ku bahet ki dizen ke Isufi në kët ven do ta bajmë ç’i t’mahet men me aheng e me dizen… Sapo ishin nisur petkat e nuses, bashkë me lodrat që përcillnin gëzimin larg drejtë kullës së mikut. Isufit, zemra veç këngë e gaz i zgjonte. Të dielën martohej…

Por si një korb i zi, si një re sterrë erdhi lajmi i hidhur për vrasjen e deputetit, Azem Hajdari. Gëzimi i dasmës së vet sikur e turpëronte, vuante ndershmërisht dhimbjen e humbjes së luftëtarit për demokraci me të cilin kishte kujtime të shumta takimesh. Vendi nuk po mundej ta mbante. Ai këndonte, gazmohej, lumturohej, kur diku qahej, kishte dhimbje, vaj. Fëmijë kishin mbetur jetimër. Kurrësesi nuk ia bënte zemra të braktiste kujtimin e mikut, nderi e thërriste në homazhet për të. Prandaj nuk kishte munguar për të marrë rrugën drejtë Tiranës.

Thjeshtë që të kryente një rit njerëzor, të hidhte një grusht dhe mbi varrin e “Heroit të Demokracisë”, të nderonte veprën e tij…Mbase njëra nga ftesat që iu gjet në xhep ishte bërë gati për tu nisur për vetë Azemin. Meqë nuk ia dha dot në gjallje, për ta çuar pengun deri në fund, Isufi e kishte marrë ftesën me vete. Kur të prekte arkivolin, t’ia bënte me dije dëshirën e flaktë për ta pasur si krushk të parë në dasmën e nisur atje në Macukullin e largët. Rrugës vetiu këndonte me vete këngën e grave të fisit të Ukajve për nisjen e krushqve: …Kur më shkuet për tutje, fushat ishin, lule s’kishin, krojnat ishin, uji nuk kishin… Ishte i lumtur, por me një shpirt të trazuar. E keqja rendte pas tij me kosë në dorë. Ishte bërë damtore për fatet e njerëzve të thjeshtë. Buronte nga vetë shteti…Shtëpia e nuses ishte afër, një gjurmë pushke larg, saqë dëgjoheshin lodrat dhe hareja. Po bëhej prova e vellos. Nusja shndriste si e përborur nga krahneza, si e ngjyer me pah lulekumbullash. Nuset e reja dhe vajzat e pafejuara i këndonin jo fare pa zili bukurisë së saj shpërthyese. Dyfish i gëzuar ndjehej, dyfish i gjallë bëhej nga dashuria për njeriun e zgjedhur për jetën. Iu bë zemra lodër e mal teksa dëgjoi këngët në kullën e mikut: Plasi toka bini dardha, lin lin e bardha t’bardhën deshta, t’bardhën mora, lin lin e holla… Por erdhi e premtja e zezë. Këngët u kthyen në kuje. Gjërat rrodhën mbrapsht. Lumi i Matit rridhte një ujë të zi e të turbullt që nisi ta kthente drejtë burimit, pikat e shiut të shkonin drejtë qiellit, këngët të mbyteshin në vaj, ngjyrat e ylberit të ktheheshin në thëngjij të shuar, vetëm lotët rigonin si përrenj të egër mbi fytyrën e gdhendur si mbi granit të familjes Uka. Bilbilat kishin heshtur përgjithmonë. Isufi vinte mbi supet e njerëzve. Ukajve edhe vdekja u kishte hije. Nuk i shkonte ajo ecje. Për më tepër pranë shtëpisë ku nusja para pasqyrës provonte vellot e bardha. Kortezhi ecte heshtur. Malet u rëndonin mbi gjokse. Ishte koha kur rejat e fisit do t’i këndonin Isufit, dhëndër:.. Aliu, babai i Isufit, si një copëz shkëmbi nga Krasta qëndronte në odën e burrave. Jepte dhe ndërronte duhan. Idhësina i mbyste zemrën. Djali dhëndërr me nuse të pamarre. Por jeta e kishte mësuar të duronte. Si monument graniti përballte hobetë e fatit…Isufi mbeti dhëndëri i përjetshëm. Dhëndëri i demokracisë. Vepra e tij u nderua nga Presidenti Topi me Medaljen “Martir i Demokracisë”. Ai nuk ka kurrë mort, jeton në qëndresën epike të babës, në lotët e pa tharë të nënës, vazhdimësinë e vëllezërve, dashurinë e nipërve dhe mbesave, kujtimin e miqve, mirënjohjen e të gjithëve, demokracinë shqiptare që përparon dhe zhvillohet: Isuf, përjetë andej s’do të mbesësh, njerëzit e dashur nuk do t’i harrosh, yll do të bëhesh dhe mes rrezesh rishmëz do të zbresësh t’i përqafosh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dhendri i Demokracise, Ylli Xhaferri

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT