• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHUNA KUNDËR FEMËRAVE – NJË PROBLEM I MADH BOTËROR

November 25, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

“Për derisa gjysma e popullësisë botërore, e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat, nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë.”  (Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres)

Në dhjetor të vitit 1999, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar 25 Nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave”.  Në deklaratën e OKB-së, dhuna kundër grave dhe vajzave përcaktohet si një, “Akt dhune drejtuar kundër femërave, që përfundon, ose ka të ngjarë të përfundojë në dëmtime fizike, seksuale ose psikologjike ndaj femërave, përfshirë kërcënime për akte të tilla, si detyrim me forcë, mohim lirie, që ndodhin në publik ose në jetën private.”

Tema e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave për fushatën Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së për këtë vit, është, “UNiTE to End Violence against Women – Orange the World: #HearMeToo” — Të bashkohemi për t’i dhënë fund dhunës kundër femërave.  Dita Përkujtimore kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave shënon fillimin e një periudhe aktivizmi kundër dhunës bazuar në gjini, me qëllim për të filluar një fushatë globale për të shtuar numërin e personave dhe të enteve qeveritare dhe jo-qeveritare që punojnë për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave kudo në botë.

Dhuna kundër grave dhe vajzave është një manifestim i një mungese themelore respekti ndaj tyre, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, António Manuel de Oliveira Guterres.  Ai e cilësoi dhunën kundër femërave si një problem të madh global, “Një fyerje morale ndaj të gjitha grave dhe vajzave, një turp për të gjitha shoqëritë dhe një pengesë të madhe ndaj zhvillimit gjithë përfshirës dhe të barabartë për të gjithë.”  Dhuna ndaj grave, shtoi udhëheqsi i OKB-së, përbën gjithashtu edhe një, “Dështim nga ana e burrave për të njohur dhe pranuar barazinë dhe dinjitetin e grave dhe të vajzave.  Është një çështje e të drejtave të njeriut”, theksoi ai, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave dhe vajzave.  Dhuna kundër femërave, nënvijoi Z. Guterres, jo vetëm që “Dëmton individin e prekur nga kjo dhunë, por ka pasoja të rënda edhe për familjet dhe për shoqërinë, në përgjithësi.”  Dhuna ndaj grave, u shpreh udhëheqsi botëror, është në thelb edhe një çështje politike.   “Dhuna kundër grave është e lidhur me çështje më të përgjithëshme të ushtrimit të fuqisë dhe dominimit politik në shoqëritë tona.  Ne jetojmë në shoqëri të dominuara nga meshkujt”, tha ai në mesazhin e tij me këtë rast.  Mesazhi për të gjithë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër grave dhe vajzave, porositi Z. Guterres, është se, “Për derisa gjysma e popullësisë botërore — e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat — nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë, për të gjithë.”

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael Pompeo, duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, theksoi gjithashtu në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Femërave, se edhe nga pikëpamja amerikane, dhuna kundër grave dhe vajzave është një problem botëror që prekë miliona gra e vajza, anë e mbanë botës.  Kryediplomati amerikan tha se çdo grua dhe vajzë duhet të ketë një jetë të lirë nga dhuna.  Shtetet e Bashkuara, vazhdoi ai, janë të angazhuara që të promovojnë barazinë midis gjinive dhe të parandalojnë dhunën, ndërkohë që do t’u përgjigjen të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, kudo në botë.  “Zhdukja e dhunës kundër femërave është detyrë e të gjithë neve”, nënvijoi Z. Pompeo, një përgjegjësi “E qeverive, e sektorit privat, e shoqërisë civile dhe organizatave fetare”.  Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara janë krenare të shënojnë këtë ditë ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së dhunës kundër grave kudo në botë, tha ai në deklaratën e botuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj femërave. Për më tepër, “Shoqëritë që u bëjnë të mundur grave dhe vajzave pjesëmarrjen e plotë në jetën politike dhe ekonomike të vendit ku jetojnë, ato janë vende më të begata dhe më paqësore”, ka përfunduar mesazhin e tij Kryediplomati amerikan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të zhdukur dhunën kundër Grave dhe Vajzave.

Siç venë në dukje jo vetëm deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe e Sekretarit Amerikan të Shtetit, por edhe prononcimet e qeverive dhe enteve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Zhdukur Dhunën kundër Grave dhe Vajzave — dhuna kundër grave dhe vajzave është një fenomen serioz dhe tepër i dukëshëm dhe mjaft i pranishëm edhe në shoqërinë shqiptare – qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptare.  Radio Evropa e Lirë në shqip, me ketë rast transmetoi një kronikë me titull, “Dhuna detyron gratë t’i shtojnë kërkesat për strehim në “Shtëpinë e sigurt”. Në raport  citohet Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, të ketë thënë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh, krahasuar me vitin e kaluar.  Sipas saj, arsyeja pse po ndodh kjo, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë.  Radio Evropa e Lirë citon gjithashtu zyrtarë institucionalë që merren me të drejtat e grave në Kosovë, se dhuna në familje po e mposhtë drejtësinë.   Sipas tyre, ndonëse në vazhdimësi janë raportuar rastet e dhunës nga ana e grave, drejtësia nuk e ka kryer punën e vet, theksohet në raportin e Radios Evropa e Lirë.   Ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe e shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër grave dhe vajzave me një raport nga Tirana mbi përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrëave, duke filluar nga të rinjtë në shkolla.  Si një shembull, VOA shqip pasqyroi përpjekjet që po bëhen — për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare — në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë e cila ka ndërmarrë një seri veprimtarishë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.  Në këto takime po marrin pjesë edhe prindërit, të cilët po japin ndihmesën e tyre në këtë proces, theksohet në raportin e VOA-s shqip.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave edhe sivjet po shënohet si një përpjekje për t’i kujtuar botës se dhuna, e cilës do natyrë qoftë kundër grave dhe vajzave, është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre njerëzore, me pasoja të tmershme fizike, seksuale dhe mendore për vet femërat e prekura nga ky krim, por me pasoja negative edhe për familjet, shoqërinë dhe për vendin në përgjithësi, ku ndodhë dhuna kundër femërave.  Sensibilizimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni të rëndë shoqëror është shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe për zhdukjen eventuale të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke filluar madje edhe nga bankat e shkollës, siç është rasti i Shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Por sfida e madhe në luftën kundër dhunës ndaj femërave në shoqërinë shqiptare kudo, mbetet gjithnjë mungesa e zbatimit të ligjeve në fuqi, siç raporton Radio Evropa e Lirë nga Kosova.  E vërteta është se ashtu siç ndodhë në mbarë botën, as në Shqipëri dhe as në Kosovë — megjithë ligjet në fuqi — nuk po bëhet mjaft nga organet kompetente qeveritare për të parandaluar dhe për të zhdukur këtë pikë të zezë të shoqërisë shqiptare — dhunën kundër grave dhe vajzave anë e mbanë trojeve shqiptare.

Por, përpjekjet e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve, përfshirë aktivizimin, në këtë fushë, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, fatbardhësisht, kanë dalur deri diku me sukses që parandalimi dhe zhdukja e dhunës kundër grave dhe vajzave, të pakën, të tërheq vëmendjen e autoriteteve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare kushtuar veprimtarive kundër dhunës ndaj Femërave dhe Grave, më 25 Nëntor.

Filed Under: Politike Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

DHUNA KUNDËR FEMRAVE NJË EPIDEMI BOTËRORE

June 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) botoi ditët e fundit një raport  në të cilin  dhuna kundër femrave  cilësohet si “një problem botëror i shëndetsisë që ka marrë proporcione epidemike”.  Në një njoftim për median nga Gjeneva, OBSH thotë se dhuna fizike ose seksuale është një problem publik shëndetsor që prekë më shumë se një të tretën e të gjtiha femrave anë e mbanë botës.  Studimi i ri i Organizatës Botërore të Shëndetsisë nënvijon faktin se dhuna kundër femrave është shumë e përhapur dhe gjithpërfshirse,  në të gjitha rajonet e botës dhe në të gjtiha shtresat e shoqërisë.   Studimi, që është i pari i këtij lloji në nivel botëror  dhe që përfshinë të dhënat statistikore nga e gjithë bota mbi dhunën kundër femrave,  thekson se  rreth 35% e femrave janë subjekt  i dhunës nga partneri i tyre ose nga dikush tjetër.  Sipas këtij studimi,  dhuna kundër femrave nga partneri i tyre  është dhuna më e zakonshme dhe më e përhapur kundër femrave anë e mbanë botës.Në studimin e OBSH-ës nënvijohet nevoja për angazhimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë për të zhdukur fenomenin e dhunës kundër femrave dhe njëkohësisht në raport  bëhet thirrje për të mbështetur gratë dhe vajzat e dhunuara.  Në njoftimin e OBSH-ës për median, theksohen në hollësi efektet  që ushtrimi i dhunës ka në shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor tek gratë dhe vajzat.

“Këto të dhëna statistikore paraqesin një mesazh dhe paralajmërim të fuqishëm se dhuna kundër femrave është një problem botëror shëndetsor, me proporcione epidemike”, tha Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSH-ës, Dr. Margaret Chan.  Ajo tha gjithashtu me rastin e botimit të këtij studimi se , “sistemet botërore të shëndetsisë mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar femrat e dhunuara.

Në studimin e OBSH-ës vihet në dukje madhësia e këtij problem, ku thuhet se  38% e femrave që vriten anë e mbanë botës, vriten nga partneri i tyre, bashkshorti, i dashuri ose ndonjë anëtar i familjes.  Dhe 42% e femrave që dhunohen fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë pësuar plagosje fizike gjatë dhunës, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetsisë.  Në raport thuhet gjtihashtu se  dhuna nga partnerët  kundër femrave kontribon shumë që ato të zhvillojnë edhe probleme mendore dhe psikike, ndërkohë që femrat e dhunuara, sipas raportit, ka të ngjarë që të zhvillojnë gjithashtu probleme duke anuzuar me përdorimin e alkoolit.

”Këto statistika të reja nënvijojnë faktin se dhuna kundër femrave është jashtzakonisht e rëndomtë dhe kemi nevojë urgjente për të investuar në identifikimin e arsyeve të këtij problemi shëndetsor në botë”, citohet të keët thënë Prof. Charoltte Wats, njëra prej pjesmarrseve në përpilimin e  të këtij studimi.

OBSH-ëja, në raportin e saj bën thirrje  për përpjekje më të mëdha në nivel global, për të parandaluar të gjitha llojet e dhunave kundër femrave, duke u marrë drejtë për drejtë me faktorët shoqërorë dhe kulturorë që kontribojnë në përkeqsimin e këtij fenomeni.

Në në këtë studim thuhet se rajonet më të prekura nga dhuna kundër femrave janë Azia Jug-lindore, rajoni i Mesdheut lindor dhe Afrika, ku dhuna kundër femrave nga partnerët e tyre arrinë rreth 37%.   Në raport thuhet gjithashtu se ky problem nuk është vetëm një fenomen i vendeve në zhvillim e sipër.   Sipas raportit, edhe në vendet më të zhvilluara, dhuna fizike dhe seksuale kundër femrave është diku rreth 32%.

Raporti i bën thirrje sektorit shëndetsor në çdo vend, për marrjen e masave urgjente për një përkujdesje më të mirë shëndetsore për femrat e dhunuara, duke rekomanduar një seri propozimesh për Ministritë e Shëndetsisë anë e mbanë botës.  Në njoftimin e OBSH-ës thuhet gjithashtu se  Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSHës, Dr. Chan, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s bënë thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës kundër femrave.  Gjithashtu gjatë Asamblesë së 66-të mbi Shëndetësinë në botë që u mbajtë Majin që kaloi, shtatë qeveri –Belgjika, India, Meksika, Holanda, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara dhe Zambia — deklaruan se dhuna kundër grave dhe vajzave, “është një problem i madh shëndetsor në nivel botëror dhe një sfidë e madhe për barazi dhe të drejta të njeriut, që prekë çdo vend dhe çdo sektor të shoqërisë.”

Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thuhet se në shumë vende debati ose diskutimi mbi dhunën kundër femrave, në shumë vende, është një tabu dhe si rrjedhim abuzimet vazhdojnë.  Në raportin thuhet se të qenët në dijeni të ekzistencës së problemit dhe diskutimi i hapët dhe serioz rreth këtij problemi është një faktor kyç ky për parandalimin e dhunës kundër femrave.  Por, për më tepër,  zyrtarja e OBSH-ës, Garcia Moreno tha se shpesh janë normat shoqërore ato që tolerojnë dhunën kundër femrave, duke shtuar se, “Në shumë vende këjo lloj dhune shikohet si diçka e pranueshme nga shoqëria”, dhe si e tillë e pandëshkueshme, ndërkohë që dhuna kundër femrave vazhdon anë e mbanë botës.  OBSH-ëja thotë në raportin e saj se është i nevojshëm miratimi dhe zbatimi i ligjeve më të mira nga ana e shtetve të ndryshme me qëllim për të ndaluar  dhe për të eliminuar dhunën kundër femrave.

Në fjalimin e saj të famëshëm në Pekin  në shtator të vitit 1995, mbi të drejtat e femrave, Hillari Klinton ka thënë se “të drejtat e femrave janë të drejtat e njeriut”, dhe se nuk është më e pranueshme që të drejtat e femrave të diskutohen si diçka tjetër nga të drejtat e njeriut.  Për një kohë të gjatë, ka thënë Znja Klinton, historia e femërave ka qenë një histori e heshtjes. Është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ka thënë ajo në Pekin në vitin 1995, kur shkaku kryesor i vdekjes së femërave anë e mbanë botës — midis moshës 14 deri 44 — është dhuna në shtëpinë e vet ku jetojnë.  Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), duke bërë thirrje për dhënjen fund të ciklit të dhunës kundër femërave në botë, thotë se miliona femra anë e mbanë botës vuajnë nga dhuna e shtetit, nga dhuna në shtëpitë e tyre, si dhe në komunitetin ku jetojnë.  Dhuna ndaj femërave, thotë AI, është një dështim i papranueshëm i qeverive dhe i shoqërisë, në përgjithësi, për të respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut edhe për femërat.  Shtetet dhe qeveritë, thotë organizata e të drejtave të njeriut, e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të ndëshkojnë ata të cilët përdorin dhunën kundër femrave, duke marrë masa për të mbrojtur femrat nga shkelja dhe abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj tyre, me qëllim që t’i jepet fund këtij cikli të dhunës kundër femrave.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT