• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dija apo vetëdija ?

January 8, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
Sundon dija mbi vetëdijen (Hygo),apo vetëdija mbi dijen? Është një pyetje në formën e një kurthi që dikton vlerën dhe mbivlerën e vetëdijes dhe dijes së programuar. Dikur, vetëdija prodhoi dijen, tani dija e programon atë, pra vetëdijen. Por shpesh herë vetëdijen e shohim mbi dijen? Ose vetë-edukimin mbi edukimin!
Vetëdija nuk ka lidhje me sharlatanizmin, por me superinteligjencën, e cila vjen nga misteri hyjnor. Dija zbatohet dhe rritet nga njeriu, i cili e mbron dhe e zhvillon atë, por dhe e shformon dhe e nëpërkëmb deri në atë masë sa krijon honin e pakapërcyeshëm, nganjëherë të pariparueshëm të shembullit të keq që pasohet …
Njohja ime me problemin e dijes në shoqërinë shqiptare, më ka shtyrë drejt një konkluzioni se ajo gjindet në nivel të ulët e për rrjedhojë në gjendje të rrezikojë vendin në rrugën drejt përparimit. Dijet e cunguara që dha e jep arsimi lindor, sidomos ai shqiptar, krijon një vakuum të atillë në ballafaqimin me dijet perëndimore që kapin me shpejtësi të marramendshme nivele të panjohura më parë, sa shpesh herë, politikanët, shkrimtarët, gazetarët, historianët, doktorët, shkencëtarët (që nuk di a mund t’i numërojmë me gishtat e dorës), akademikët, etj., ndihen ngusht, jo vetëm nga trashëgimia e munguar vlera e njohurive, por dhe nga kryeneçësia e tradicionit të ashpër shqiptar për të mbetur prapa.
Dija shëmtohet keqas: kur historiani bën vëllime për të na nxjerrë vëllezër me turqit duke “harruar”çfarë shkruan për ne, Tursun Beu; kur një “analist” shkruan për Donald Tramp “Një trap për President”; kur një tjetër publicist shkruan ese për “Trapin” duke bërë analogji kalamajsh dhe krijuar neologjizma vulgare; kur dikush tjetër jep çmime për “estetikën” e vrimës; kur “tjetërkush” akordon dekorata për kontribute në krim; kur heroi kombëtar propozohet të zëvendësohet nga renegati; kur një mësues nuk di t’i përgjigjet pyetjes së nxënësit; kur i diplomuari krenohet me diplomën pa e njohur përmbajtjen e saj; kur një druvar “inxhinjer pyjesh” konvertohet në “gazetar”; kur një kurtizane e sëmurë të predikon për nder; kur diplomati përgjigjet kuturu; kur financieri mpreh gishtin në vend të lapsit; kur humoristi bën rolin e xhandarit; kur agronomi mbjell ferra dhe pabesi në vend të perimeve e frutave; kur një gazetar shkruan pa ndërgjegje; kur politikanët nxjerrin ligje e vendime “për të shtuar” birat e rripit etj. Festë paradoksesh, molusqesh!
Më interesantja është se, njerëzit që kanë më tepër borxh çoroditjes së dijes dhe historisë shqiptare, bash ata krenohen me boshllëkun e tyre akademik dhe historik! Këtu kemi një inteligjencë tepër të varfër, ku dija nuk është e bazuar në vlerat e saj, por në infiltrimin e ideologjisë e si pasojë dija ushqehet tek kulti, kur dihet se kulti errëson dijen, duke shkatërruar vetëdijen. Pauperizmi i inteligjencës ndodh tek vetkënaqësia e palimitizuar e vetëbesimit, e cila krijon kurthin e paperceptuar të mosarsyes mbi arsyen!
Niveli i dijes tek ne është grotesk dhe po shkakton dëshpërim tek një pjesa dërrmuese e shoqërisë e cila e ndjen diferencën mes “zhvillimit shqiptar” dhe zhvillimit të pandalshëm perëndimor. Dija apo Vetëdija? Mjerë historia, publicistika dhe shkencat e tjera! Para syve të krijohet një tablo reale me personalitete të kohëve të ndryshme, të huaja dhe shqiptare. Penelatë kontraversale e kohës tek njerëzit tanë. Banaliteti dhe vulgariteti është njësia matëse e nivelit të njeriut tonë që shkon nga njëshi deri tek treshi. A ka të bëjë kjo me gjenetikën apo me nivelin e dijeve të cunguara, me kulturën lindore komuniste apo me vetëkënaqësinë?!
Sipas mendimit tim, ka njerëz që lindin dhe rriten në terrenin e injorancës, për çka dhe nuk mund të fajësohen, por ka dhe injorantë të shkolluar siç thotë Belinski, të cilët janë më të rrezikshëm se të lindurit dhe të rriturit injorantë. Përditë dija dhe vetëdija ndeshen me pesë kategori njerëzish:
1-Të parët, si pasojë e kushteve dhe rrethanave, por dhe e mundësisë janë njerëzit e lindur dhe rritur larg dritës së dijes. Por mes tyre sidomos ata që janë të hapur për ndryshim, kur u jepet mundësia të pranojnë dritën e dijes, kanë një përshtatje të natyrshme me të dhe jo rrallë herë të suksesshme.
2-Kategoria e dytë, përbëhet nga të shkolluarit e detyruar që porsa dalin nga bankat e shkollës nuk është keq t’i rikthesh për të filluar nga e para!
3-Të tretët, janë njerëzit që mbarojnë shkollat për forcë zakoni, për variacion apo dhe për luks. Dhe rezultati është i qartë: luksi konsiston në fallsitetin e një kartoni për kurikulum vitae, ndërsa tipologjia e variacionit prodhon “kuadro” që vishen shik e që u shërbejnë segmenteve të pushtetit për rutinën burokratike. Shkalla e tyre intelektuale nuk e kalon mesataren, biles nganjëherë janë aq të bezdishëm sa të krijojnë bindjen se ke përpara një sharrë elektrike dhe jo një qënie organike të pajisur me arsye. Në këtë kategori mbizotëron si tip, modeli i “Njeriut të Ri” i komunizmit, i cili me dijet e cungura nga shkolla dhe tekstet e limitizuara të diktaturës është dhe prodhuesi më i madh i pseudodijes, pikërisht prej pauperizmit të arsyes dhe doktrinës së dështuar.
4-Kategori e katërt, janë njerëzit e shkolluar që nuk e njohin vetëkënaqësinë, por njohin kënaqësinë e frutit të tyre duke bërë vepra dhe zbulime që ndihmuan nëmirëqënien dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, si Ajnshtajn, Pier dhe Maria Kyri, Nikolla Tesla, Robert Choch, Franklin Dilano Ruzvelt, Bill Gates etj… Albert Ajnshatajn , do te shkruante: “Edukimi nuk është me mësuar faktet , por me trajnuar mendjen për të menduar” . Kurse Lui Paster, thoshte: “ Pak shkencë të largon pak nga Zoti, por më tepër shkencë ju çon tek Ai”.
5-Kategori e pestë, janë njerëzit e vetëdijes , apo të vetë-edukuar, të etur për dije në infinit, të lirë, pa kufizimet “akademike”, pa komplekse indoktrinimi, dashnorë dhe prodhues të dijes dhe pragmatizmit, si për shembull: Leonardo da Vinci, Abraham Lincoln, Benjamin Franklin, Tomas Alva Edison, Ernest Heminguei, Maksim Gorki etj. Steve Jobs, pa mbaruar asnjë kolegj, bëri Apple inch një perandori! Isaac Asimov , autor i katerqind librave , shkrunate : “Unë besoj vendosmërisht se , vetedukimi është lloji i vetëm i arsimimit ” . Kurse Abrahim Likoln , shkruante: “ Gjithçka që kam mësuar , e kam mësuar prej librave ”.
Mjafton të lexosh emrat e të vetë-dukuarve dhe emrat e të edukuarve në universitete me famë botërore, mënjëherë të krijohet tablloja e nevojshme për pregaditjen e njerëzve tanë, për shkollat dhe textet tona të gjymtuara që pasqyrojnë dijet sipërfaqësore të edukimit, dhe pas kësaj, mendimet tona të varfra. Ne përtojmë të djersijmë mbi libra, megjithëse sot kemi një oqean tekstesh mësimore akademike e shkencore lehtësisht të aksesueshme.
Komunizmi ka qënë bartës me shumicë i tre kategorive më lart, ndërsa kategoria e katërt, i ka takuar inteligjencës së burgosur, atyre që braktisën atdheun për arsye persekutimi, dhe inteligjencës së një pakice intelektuale që nuk ishte e burgosur, por vepronte nën trysninë dhe tmerrin e të nesërmes të pasigurtë. Kjo kategori edhe sot është besnike e vlerave universale të dijes dhe zhvillimit.
Sot, po lind dhe rritet një inteligjencë e re virtuale me një botë tre dimencionale, ku pauperizmi i inteligjencës pothuajse nuk ekziston dhe infektimi i të kaluarës përplaset në muret e antitrupave të dijes perëndimore. Megjithatë, unë nuk do të merrem me inteligjencën e re, por do të jap mendimin tim të shkurtër rreth pauperizmit të arsyes të kohës së shkuar që sillet dhe sot si fantazëm.
Duke dalë nga katrahura e komunizmi 47 vjeçar, rregjimi totalitar prodhoi anti-vlera të tilla sa njerëzimit i duhet rreth 100 vjet për të zhdukur pasojat dramatike të “Njeriut të Ri” apo më mirë antinjeriut, i cili u shfaq dhe shfaqet shkatërrues dhe aspak ndërtues. Ne e shohim atë në sjellje, në dëshmi, në opinione, në karakter, në shpirtin e mosbesimit, në ecjejaket e përditshme të shtetit. Shkencat Humane të Sjelljes, do ta kishin të vështirë për të dhënë një pasqyrë të qartë, biles dhe pionieri i psikologjisë Hermann Ebbinghause do të ishte tepër konfuz në përcaktimin e “Njeriut të Ri” që po largohet për në humbëtirën që pat krijuar vetë. Pasojat i shohim përditë si në atdheun tonë, por dhe jashtë. Mediokri përkrah mediokritetin! Banditi, bantitizmin! Komunisti kauzën e humbur! Pseudo-politikani politikën e verbër! Oficeri i sigurimit praktikën nostalgjike! Shpifësi, shpifarakun! Spiuni, spiunllëkun! Publicisti, publicistikën demode! Pseudohistoriani, historinë e stisur. Shumë gjëra që na kanë lënë kaq prapa, duhet të korrigjohen ose të ripunohen nga fillimi!
Duke qenë i shoqëruar në vite nga koshienca, prikoshienca dhe subkoshienca, kam pasur dëshirë të jem larg nga “narkolepsia” që moleps disa njerëz, duke përfshirë dhe “vëzhguesit” e problemeve të mprehta shoqërore. Prandaj, kur ndeshem me kategorinë e “Njeriut të Ri”, nuk mund të rri pa ua thënë në sy, ose pa shkruar ato që mendoj, jo për supremaci, por për të treguar kohën e tyre të humbur që gjeneron varfëri intelektuale dhe shpirtërore. Ajo kohë ka vdekur!
Nuk ka rëndësi nëse dija sundon mbi vetëdijen, apo anasjelltas. Rëndësi ka djersa që derdh, vizioni që ke, kërkesa ndaj vehtes dhe kohës.
Tomas Edison thotë: “Gjenia është dy përqind frymëzim dhe nëntëdhjetë e tetë përqind djersë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: alfons Grishaj, Dija apo vetëdija ?

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT