Abraham Lincoln: ”Nëse një njeri ju thotë, se ai e do Amerikën, por urren punën, ai është një gënjeshtar. Nëse një njeri ju thotë, se beson tek Amerika, por i druhet punës, ai është një i marrë”
Nga Rafael Floqi/
Çdo vit, në Shtetet e Bashkuara në të hënën e parë të shtatorit festohet Dita e Punës. Në këtë ditë nderohet kontributi i punëtorëve amerikanë në një shoqëri të lirë dhe të begatë. Qe forca vitale e punës që arriti materialisht standardin më të lartë të jetesës dhe prodhimin më të madh që bota ka njohur ndonjëherë dhe na ka çuar ne si shqiptaro- amerikanë më afër realizimin të idealeve tona tradicionale, të demokracisë ekonomike dhe politike. Pra, është me vend, që kombi ynë amerikan të nderojë në Ditën e Punës krijuesin e madh të fuqisë së kombit, të lirisë, dhe veprimit – punëtorin amerikan.
Historia e punëtorit amerikan është historia e sipërmarrjes, vizionit dhe punës së madhe, që transformoi një vend të shkretë në fuqinë më të madhe ekonomike të botës. Ajo është historia e njerëzve të ardhur nga shumë vende, të cilët krijuan një vend punëtorësh, që më pas u bënë punëdhënës, një vend i skllevërve, që u bënë qytetarë të lirë, të cilët krijuan qeverinë e tyre, që ajo t’u shërbente atyre dhe jo të ishte padroni i tyre.
Dita e Punës, e cila për herë të parë është festuar ne qytetin e Nju Jorkut, 132 vjet me parë, është ditë feste dhe pushimi kombëtar. Departamenti Shtetëror i Punës (DoL) thotë se, “ua ka dedikuar këtë ditë që e cila i bie hënën e parë të muajit shtator të çdo viti, të gjithë punëtorëve amerikanë për arritjet e tyre ekonomike dhe sociale”.
Origjina e kësaj feste daton qysh nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që kjo ngjarje të kremtohej për vit. Gjithashtu, organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 Majin. Ndërkohë ndodhën disa incidente të rënda në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Data është miratuar si festë edhe në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve u referohej këtu marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872.
Sipas arkivave të gazetës “New York Times”, në një editorial të vitit 1882, shkruhej për Ditën e Punës “ Labor Day” se ” Kjo ditë ishte caktuar në një vend me rreth 51 milionë njerëz, saç kishin atëherë SHBA-të, për t’u festuar së pari në Nju Jork në qytetin më të madh i asaj kohe me rreth dy milionë banorë. Kjo ishte edhe një ditë pushimi që paguhej, ishte një ditë ne vit për punëtorët, një ditë e mirë për të bërë pushim që nuk kishte nevojë për përgatitje për dallim nga Dita e Falënderimeve – Thanksgiving ! Në shumë vende të botës përkujtohet 1 Maji, si Dita e Punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 Maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin e gjendjes ekonomike-sociale të punëtorëve. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve që synonin të drejta më të mëdha dhe që konsistonte në orarin 8 orësh të punës.
Në Shtetet e Bashkuara, pas paradës së New York-ut ajo u bë një ngjarje vjetore edhe në vitin 1894 u miratua nga presidenti amerikan Grover Cleveland për të konkurruar me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve (Ditën e 1 Maj-it).Kështu protestat çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois. Ndërkohë, Kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratoheshin dhe në Evropë. Kështu në Evropë 1 Maji, Festa e punëtorëve u bë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të Kongresit të Internacionales së Dytë në Paris në vitin 1889 dhe u ratifikua në Itali dy vjet më vonë.
Në Shtetet e Bashkuara. Dita e Punës, përveçse debateve të forta ideologjike që e kanë shoqëruar atë thuajse për çdo vit, ka dy këndvështrime të ndryshme që janë subjekti i një debati dinamik rreth statusit të punonjësve amerikanë. Ndërsa Dhoma Amerikane e Tregtisë thotë se politikat ekonomike të administratës Obama kufizojnë krijimin e vendeve të punës, grupe të mirënjohura të punonjësve fajësojnë korporatat për grykësi dhe rregulla të parapërcaktuara për të goditur perspektivat e klasës se mesme amerikane.
Punëtorët amerikanë e shfrytëzuan pushtetin e tyre politik për t’i bërë standardet e punës në Shtetet e Bashkuara më të lartat në botë. Punëtorëve iu garantua e drejta që të organizohen në sindikata të lira e të pavarura dhe të hyjnë në negociata kolektive me punëdhënësit e tyre. Puna e detyruar u ndalua. Ata fituan kushtet më të sigurta të punës, rroga të drejta, sigurime për të papunët, kufizimin e punës së fëmijëve, ditën e punës 8-orëshe dhe përfitime të tjera që u garantuan me ligj. Në Shtetet e Bashkuara diskriminimi i marrjes në punë në bazë të racës, gjinisë, fesë dhe përkatësisë etnike u ndalua. Gjithashtu të moshuarve dhe të paaftëve iu garantuan sigurimet shoqërore dhe kujdesi shëndetësor.
Por gjatë 30 vjetëve të fundit numri i anëtarëve të sindikatave në Shtetet e Bashkuara , në kushtet e zhvillimit të teknologjisë dhe globalizimit të ekonomisë botërore ka rënë ndjeshëm. Kështu, në vitin 1983, 20 për qind e punëtorëve amerikanë bënin pjesë në sindikatë, ndërsa në vitin 2012 kjo shifër ishte 11 për qind. Megjithatë, në saje të përpjekjeve të sindikatave në vite janë arritur një sërë rezultatesh, si përmirësimi i kushteve në vendin e punës, java 5-ditore e punës, sigurimi shëndetësor për punonjësit dhe një numër i caktuar ditësh pushimi me pagesë.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara shënohet Dita e Punës, ku përveçse debateve të forta ideologjike që e kanë shoqëruar atë thuajse për çdo vit, ka edhe dy këndvështrime të ndryshme, të cilat janë subjekti i një debati dinamik rreth statusit të punonjësve amerikanë. Dhoma amerikane e Tregtisë thotë se politikat ekonomike të administratës Obama kufizojnë krijimin e vendeve të punës. Ndërsa grupe të mirënjohura të punonjësve, fajësojnë korporatat për grykësi dhe rregulla të papërcaktuara për të goditur perspektivat e klasës së mesme amerikane.
Njëqind vjet më parë, ju jeni konsideruar si klasë e mesme nëse keni bërë 577 $ në vit, sipas TheCostofLiving.com. Sot, shumë njerëz bëjnë më shumë se kaq në një javë. Të paktën, sipas Byrosë së Statistikave të Punës, të ardhurat mesatare javore të punonjësve me kohë të plotë për tremujorin e parë të vitit 2014 ishin $ 796. Një kut i dobishëm për të gjykuar nëse ju jeni të klasës së mesme: bazohet se të ardhurat mesatare familjare të një familje me katër veta që ishin 51.017 $ në vitin 2012, sipas të dhënave më të fundit të censusit të SHBA. Robert Reich, një profesor i Politikave Publike në Universitetin e Kalifornisë Berkeley dhe ish Sekretari i Punës, ka sugjeruar që si “klasë e mesme të përcaktohen familjet që bëjnë 50 për qind më shumë se mesatarja e të ardhurave më të ulëta, e cila do të thotë të ardhurat mesatare vjetore të klasës së mesme janë nga $ 25,500 në $ 76,500”.
Një pjesë e amerikanëve e kanë pushim të hënën, që është Dita e Punës në Shtetet e Bashkuara. Festimi i përvitshëm tradicionalisht shënon fundin e stinës së verës, por njëkohësisht, është dhe dita kur nderohet kontributi i punonjësve tek mirëqenia ekonomike dhe sociale e vendit. Por miliona amerikanë të papunë, nuk po e festojnë Ditën e Punës, si zakonisht. Në paradat që zhvillohen Ditën e Punës amerikanët kanë rastin të shijojnë edhe një herë ditët e fundit të verës dhe të vlerësojnë kontributin e punëtorëve. Por sipas Institutin Brookings,”Gjatë 15 vjetëve të fundit punonjësi mesatar nuk e ka pasur të lehtë jetesën”. Rreth 25 milionë amerikanë, tani ose e kanë të vështirë të gjejnë punë, ose bëjnë punë që nuk i përkasin kualifikimit të tyre. Se edhe ata që kanë punë, përpiqen së tepërmi të ruajnë arritjet e realizuara me vështirësi.
Një ndryshim i madh edhe me situatën e 5 vjetëve më parë, është dobësimi së tepërmi i sindikatave të punonjësve në SHBA. Sindikatat dikur përfaqësonin më tepër se një të tretën e të gjithë punonjësve amerikanë. Por pasi numri i anëtarëve ka rënë ndjeshëm për disa dekada me radhë, dhe për shkak të përpjekjeve kohët e fundit nga disa shtete, për t’ua hequr të drejtën e negocimit për kontratat e punës sindikatave, grupet e sindikatave tani përfaqësojnë vetëm 11 për qind të punonjësve amerikanë.
“Ne nuk durojmë kur ata thonë se vitet më të mira të Amerikës kanë kaluar, se ne nuk mund t’u japim qytetarëve tanë një punë të mirë, shërbim shëndetësor, mundësinë për të pasur një pension të sigurt dhe se duhet të tërhiqemi nga ëndrra amerikane, pikërisht këtu, në vendin më të pasur të botës. Ne nuk mund ta pranojmë dot këtë”, thonë sindikalistët.
Por disa thonë se janë viktima të ndryshimeve të mëdha globale. Vincent Reinhart i Institutit amerikan “Enterprise” thotë se globalizimi ka sjellë shumë ndryshime dhe amerikanët duhet të përshtaten në këtë mjedis të ri.
“Globalizimi i ekonomisë sjell me vete edhe të këqija, disa nga pagat mesatare ulen, për shkak se një sërë mallrash dhe shërbimesh mund të prodhohen gjetkë, ku fuqia punëtore është shumë më e lirë . Dhe nëse sindikatat i qëndrojnë modelit të vjetër, ku e gjithë lufta bëhet për pagat reale, kjo do të sjellë pakësimin e numrit të anëtarëve, ngaqë vendet e punës do të eksportohen në vende të tjera.”
Ekonomistët thonë se ekonomia amerikane nuk po rritet me shpejtësinë e duhur për të zëvendësuar më tepër se 8 milionë vendet e punës që janë shkurtuar që nga koha e Depresionit të Madh. Por mbështetësi i sindikatave, Steve Soule, ka besimin se amerikanët do të vazhdojnë të jenë këmbëngulës.
“Unë mendoj se ne amerikanët jemi të guximshëm, edhe pse ndodhemi në një periudhë rënieje ekonomike të përkohshme. Unë jam optimist lidhur me aftësinë e punonjësve amerikanë për të qenë të parët në botë, në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me punën, ashtu sikurse në të kaluarën.”
Kështu në kushtet kur ka rënë ndjeshëm mbështetja në anketat e opinionit publik për shkak të papunësisë dhe ekonomisë së dobësuar, presidenti Obama shpreson t’i rikthejë optimizmin amerikanëve.
Raporti i Departamentit të Punës për papunësi ka qenë subjekt i disa teorive konspirative. Kjo sipas sugjerimit të Jack Welch, ish-shefit ekzekutiv të General Electric, që thotë se staticienët e qeverisë i kishin ekzagjeruar shifrat e rritjes së vendeve të punës gjatë vitit 2012 për shkak të fushatës ri-zgjedhore të presidentit Obama. Të dy palët, si ekonomistët Republikanë dhe Demokratikë i hodhën poshtë këto akuza si pa kuptim. Por sondazhet e njerëzve që përpilojnë raportet për punësimin edhe kur, shërbyesit civilë jopartiakë janë të ndershëm, nuk do të thotë se raporti i nivelit të punësimit është i përsosur. Raporti përpiqet të vlerësojë punësimit në një vend të madh – duke e bërë këtë shpejt, për t’ua dhënë atë politikë bërësve , drejtuesve te biznesit dhe të gjithë të tjerëve të interesuar për kuptimin e asaj se si ka ecur ekonomia. Kjo është një detyrë e vështirë. Dhe kjo është bërë më e vështirë, për shkak se amerikanët janë më pak të gatshëm, për t’iu përgjigjur sondazheve që përdoren për to. Një dokument i ri akademik, sugjeron se niveli i papunësisë duket se është bërë më pak i saktë gjatë dy dekadave të fundit, pjesërisht, për shkak të rritjes të mos përgjigjes ndaj sondazheve . Në veçanti, nuk duket se ka pasur një rritje në numrin e njerëzve që dikur do të ishin kualifikuar si zyrtarisht të papunë dhe sot janë konsideruar jashtë fuqisë punëtore për shkak se nuk janë as duke punuar dhe as duke kërkuar punë. Por pse janë njerëzit më pak të gatshëm për t’u përgjigjur? Paraqitja e caller-ID dhe rënia e numrit të linjave shtëpiake luajnë një rol në rezultatet e sondazheve. Por këto nuk janë të vetmet arsye. Besimi i amerikanëve në institucionet në dekadat e fundit – duke përfshirë qeverinë, mediat, kishat, bankat, sindikatat dhe shkollat – ka rënë. Njerëzit u duket si i dyshimtë për qëllimi e një anketimi dhe janë më shumë të shqetësuar më shumë sesa në të kaluarën për ndërhyrje në jetën e tyre private . “Njerëzit janë skeptikë – a është ky është kjo një studim i vërtetë? Pse ata janë duke m’i kërkuar mua këto të dhëna ?”, thotë Francis Horvath, i Departamentit Amerikan të Punës. Shkalla e papunësisë në gjysmën e parë të vitit 2014 të njerëzve që u intervistuan në muajin e parë ishte 7.5 për qind. Por në mesin e njerëzve që u intervistuan në muajin e fundit ishte vetëm 6.1 për qind. Por sipas analistëve të Departamentit të Punës, duke krahasuar edhe me të dhënat historike , shkalla zyrtare e papunësisë në këtë periudhë ishte mesatarisht 6.5 për qind.
E pra kjo është Dita e Punës, ku pothuajse te gjitha lokalet shtetërore dhe zyrat federale e pushtetit lokal janë te mbyllura, siç janë edhe shërbimet e zyrave e postave dhe te tregjeve financiare, dhe shërbimi urban e ndër urban, ai hekurudhor lokal, tramvajet dhe metrotë e shërbimit transit. Kështu në një masë të përcaktuar sipas nevojave kjo ditë pushimi u bashkohet fundjavës të shtunës dhe të dielës, duke formuar një të ashtuquajtur -urë pushimi. Dita e Punës kremtohet edhe me piknikë të organizuar nga sindikatat, kështu shumë amerikanë e konsiderojnë Ditën e Punës, si të hënën e të fundjavën e fundit të gjatë të verës. Festimet jo-publike përfshijnë piknikë, shfaqje me fishekzjarrë, aktivitete uji, dhe ngjarje të artit publik si dhe fillimin e kampionatit të futbollit amerikan të kolegjeve. Meqë viti i ri shkollor në përgjithësi fillon menjëherë pas Ditës së Punës, familjet dhe fëmijët e moshës shkollore e kanë atë si mundësinë e fundit për të udhëtuar para fundit të verës. Për amerikanet, Dita e Punës shënon mbylljen tradicionale të stinës se verës – periudhë kur punonjësit pushojnë dhe shijojnë frytet e punës se tyre. Por me një ekonomi me rritje të ngadaltë dhe me numrin e të papunëve në rritje- Dita e Punës për mjaft punonjës është një thirrje për veprim. Por sidoqoftë, Amerika ka lindur nga puna dhe për punën. Siç thoshte presidenti – Abraham Lincoln ”Nëse një njeri ju thotë, se ai e do Amerikën, por urren punën, ai është një gënjeshtar. Nëse një njeri ju thotë, se beson tek Amerika, por i druhet punës, ai është një i marrë”. Dhe shqiptarët janë ata që këtu në Amerikë më mirë se në Shqipëri e kanë kuptuar këtë. Gëzuar pra, Ditën e Punës.