• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITE TE ZJARRTA

June 15, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

…Ishte mbrëmje. Fatosi po dëgjonte emisionin qëndror të lajmeve. Spikerja, me një zë që dukej sikur nuk ishte i zakonshëm, po tregonte për një demonstratë që ishte zhvilluar në qendrën e studentëve në kryeqytet.  Fatosit i dukej sikur zëri i saj dridhej. Fliste, por herë pas here, pushonte dhe pas disa sekondave fillonte përsëri.

– E ka nga emocionet, – mendoi Fatosi.

Spikerja fliste për një djalosh, student i fakultetit juridik, që ishte vënë në krye të studentëve. Ajo fliste dhe Fatosi dëgjonte. Një ndjenjë nostalgjie e  kishte  pushtuar. Nuk e di sepse por nga sytë i rrodhën dy pika lot.

– Babi, çfarë ke? –  e pyeti vajza që porsa kishte ardhur.

– Filloi! Filloi! – i tha ai me një zë të gëzuar.

– Kush filloi?

– Furtuna. Furtuna e madhe  që  do  të  fshijë  nga faqja e dheut përbindëshin që na shpërfytyroi, që na sakatosi dhe depersonalizoi.

Shikonte në ekran studentët që njëzëri thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe para syve  i  dilte fëminia e tij. I dilnin shkrepat dhe  gërxhet  nëpër  të  cilat ishte detyruar të kalonte.

– Edhe   ne  kështu u ngritëm  kunder tiranisë, – i tha së bijës. – Por atëherë ishim në gojën e ujkut dhe duhej të luftonim në ato kushte.

Fatosit  iu  shfaq  para  syve  gjithë  e  kaluara  e largët. Iu kujtuan ditët kur ai së bashku me dy shokët e tij, Mondin dhe Janin, fshehurazi shpërndanin trakte nëpër rrugët e qytetit.

I lindi ideja të shkruante diçka. Por për çudi asgjë nuk i vinte ndër mend për ta hedhur në letër. U mundua më kot për një kohë të gjatë, por frymëzimi nuk donte që nuk donte t’i  vinte.  U  ul  në  kolltuk,  mori një libër dhe filloi ta lexoj por, shpejt e kuptoi se nuk mbante mend asgjë nga ato që kishte lexuar. Hoqi dorë.

Ndërkohë dëgjoi tingujt  e  një  kënge  të  njohur. Nga shtëpia pranë vinte zëri i radios, volumi i së cilës ishte hapur aq shumë  sa dëgjohej në të gjithë bllokun. Ky ishte zakoni i njerëzve në atë kohë. Dueti italian Albano dhe Romina Pauer po këndonin këngën Libertá. Vargjet e saj kumbonin fuqishëm në veshët e tij

Një ndjenjë e çuditëshme e pushtoi. Ishte një ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie. Kush  ka provuar robërinë mund t’i ndiejë më thellë vargjet e kësaj kënge.  Ndjenja e lirisë, për të cilën kishte luftuar që fëmi, e bënte që t’i dridhej zemra dhe  t’i  rridhnin  lotë  nga  sytë.Para syve i doli e kaluara.

…Mblidheshin çdo pasdite dhe shkruanin traktet. Kur errej i ngjisnin  mureve të rrugicave dhe shesheve të qytetit. Në mendjen e tij ato rrugica dhe sheshe kishin mbetur ashtu si ishin atëherë. Vrenezi e Muradija, Varoshi e Tophanaja, Çolja e Kumja, Sheshi Kateqit e Sheshi Pashait i dilnin para syve me traktet në muret e tyre.

            Ishin ditë të turbullta. Shpesh herë monotoninë e përditëshme e prishnin avionët e huaj që gëvishtnin qiellin shqiptar dhe që shoqëroheshin me një breshëri të paparë kundërajrorësh  e mitralozësh që mundoheshin t’i godisnin, por asnjëherë nuk ia arrinin qëllimit. Avionët hidhnin trakte ku bëhej thirrje për kryengritje të armatosur. Njerin prej këtyre trakteve  Fatosi  e  kishte  gjetur  në taracën e shtëpisë. E kishte  hapur dhe në krye të tij kishte  lexuar:  

            “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” 

            Më poshtë vijonte thirrja për t’u ngritur kundër sistemit totalitart dhe në fund nënshkrimi:  

    Komiteti  Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. 

            Ky trakt iu ngulit në mendje dhe, në mënyrë të veçantë, shprehja e shkruar në krye të tij, një shprehje nacionaliste shqiptare, që tregonte përse kishin luftuar ndër vite bijtë e këtij kombi. Ndoshta ishte  ky një nga shkaqet që ai së bashku me dy shokët e tjerë, Mondin dhe Janin, të krijonin  organizatën antikomuniste “Atdhetari” dhe të shpërndanin trakte në qytet. Në krye të çdo trakti shkruanim shprehjen:

           “PërLiri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para   se   të   fillonin   aktivitetitin   Fatosi    kishte vrapuar në shtëpi ku kishte marrë një flamur pa yll, që e ëma e ruante në sëndukun e saj dhe që dikur e vendosnin mbi portën e hyrjes së shtëpisë në ditën e Festës Kombëtare. E  shtruan  mbi  tavolinë  dhe  duke  vendosur duart e djathta mbi shqiponjën dykrenore u betuan: 

            “Për liri, pë Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

Duke shqiptuar këtë shprehje,  ndien  t’u  lageshin sytë. Ishin lotë dhimbje për lirinë, për atë që u kishte munguar me vite.

            Mësimet pothuajse i kishin harruar fare. Ishin në vitin e parë të gjimnazit. Po afronte fundi i  vitit  shkollor. Një ditë i thirri, Harilla, drejtori i shkollës.

            – Përse kjo rënie në mësime?- u tha. – Ju jeni nxënës të shkëlqyer.

            Ata rinin të heshtur. Nuk dinin si  të  përgjigjeshin. Me veten e tyre mendonin se ishte pikerisht drejtori  ai  që i kishte mësuar ta donin atdheun dhe lirinë dhe për to të sakrifikonin edhe jetën, po të ishte nevoja. Atyre iu kujtohej se kur drejtori fliste per lirinë (ai u jepte lëndën e letërsisë), deklamonte vargje të tilla si këto:

                        Të kisha ah, fuqi prej perëndie,

                        T’i  jepja shkelmin kësaj gjithësie,

                        Dhe të krenja botë tjetër ku të kishte,

                        Çdo plotësim dëshire e lirie! 

Mendonin   se   ëndrrat   mund   të  realizoheshin vetëm me traktet e tyre. Mendonin se ishin të pakapshëm. Por, një ditë, ato u ndërprenë. Ishte maj kur Dhimitri, punonjësi i ofiçinës së qytetit, që më vonë do të  merrte, si shpërblim për shërbimin e kryer, bursë studimi në shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, i denoncoi  në  organet  e Sigurimit të Shtetit.

            Kështu filloi kalvari i përndjekjeve dhe  secili  prej tyre ndoqi rrugën që i kishte caktuar fati. Jani me temperamentin e tij të rrëmbyer u mundua të çante perden e hekurt, duke marrë rrugën e emigrimit, por nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta, kur sapo kishte filluar ta jetonte atë, kur sapo kishte filluar të bëhej diçka. Mondi i matur dhe i ngadaltë u end për vite të tëra nëpër fshatrat e veriut të vendit duke kënduar me zërin e ëmbël këngën e tij të preferuar ‘’Erëza Malore‘’. Ndërsa Fatosi i   qëndroi   besnik   qytetit   duke    ngritur    mure,    duke ëndërruar për të ardhshmen, duke  ëndërruar  për lirinë.

  Albanua me  Rominën  kishin  kohë  që  e  kishin përfunduar këngën e tyre. Kurse atij vazhdonin t’i buçisnin në vesh vargjet e saj: Io vivrò per avere te!

           Shikonte studentët e Universitetit të Tiranës që marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit me parullat  për liri dhe demokraci dhe në to vështronte rininë e tij në ato ditë të zjarrta. Mendonin se do të  ishin  të  përjetshëm,  se  nuk do  të  kishte  forcë  në  botë   që  mund  t’i  ndalonte.  Por mosha në të cilën ishin, nuk i lejonte të shihnin realitetin.

Tanimë kohët kishin ndryshuar. Vala e lirisë ishte përhapur në të gjithë Lindjen, vendet e të cilave kishin muaj që e kishin fituar. Nuk  mund të mbetej prapa Shqipëria. Mjaft ishte vonuar deri më sot. Koha nuk  priste.  Rinia  ishte  ngritur  më  këmbë. Ishte ajo që kishte marrë përsipër përmbysjen e madhe,  të  ëndërruar dhe  të  larë  me  gjak  dhe  vuajtje  për  gati  një  gjysmë shekulli.

*Kjo ditë kishte arritur.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: DITE TE ZJARRTA, reshat kripa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT