• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DJALI DHE PLEPI

September 6, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/
Ai ishte vetëm nëntë vjeç dhe mblidhte kanaçe. Kishte një biçikletë të vjetër, ku zhurmonte tringëllima e zinxhirit të ndryshkur, sikur të ishin zorrët e një endacaku të uritur. Kur kanaçembledhësit e mëdhenj e takonin shikonin në rrugë, e vështronin me përçmim dhe e shanin, sepse u kishte hyrë në pjesë. Hija e tij e vogël tkurrej më shumë dhe i jepte me shpejtësi biçikletës, të dilte jashtë rrezes së trazuar me vranësira .Ishte i shkurtër i dobët, ezmer, me dy vetulla që rrinin përherë të mbledhura, si dy shpate mali që ciknin majat e njëra-tjetrës. Flokët e zinj me baluke mbi ballë, sytë e vëmendshëm dhe veshët që reagonin ndaj çdo tingulli të vogël metali, të linin përshtypjen e një djali të vogël, që fati e kishte paracaktuar të bëhej i madh, duke mbajtur përgjegjësi të rëndë mbi supet e brishta, të siguronte ushqimin për pesë motrat dhe nënën e sëmurë. Pluhuri i rrugës, djersa dhe era e keqe e shoqëronin nëpër labirintet e orëve të ditës. Babai i tij ishte një pijanec i alkolizuar dhe asnjëherë nuk dihej ku ndodhej. Ai lypte dhe ato pak para që mblidhte, i blinte alkol. Djali i vogël jetonte në mes të botës së ëndrrave fëmijërore dhe realitetit të ashpër. Ah sikur të mund të ndryshonte fatin e tij, pikërisht si me shkopin magjik të Zanës, të jetonte në një shtëpi të bukur dhe me ushqim të bollshëm. I dukej shumë herë, se qielli disa i mbante me hatër, kurse atë e kishte dënuar. Njëherë tjetër mendja e tij prej fëmije imagjinonte, sikur biçikleta e tij të fluturonte dhe të ishte një magnet që të tërhiqte çdo metal në kazanët e mbeturinave. Në të dalë të qytetit, pikërisht atje ku shinat e trenit kishin marrë ngjyrën e lëkurës së gjarprit, kur e zhvesh dhe e lë në pluhurin e fatit, ishin katër kazanë të mëdhenj… Ishin thuajse bosh, sepse plehrat përreth tyre, përhapeshin nga qentë e natës. Kjo zonë, më parë i përkiste fshatit, ndërsa tani qytetit. Në të djathtë, pesëdhjetë metra më tej, kishte disa plepa të vjetër. Tek një plep i përkulur si ombrellë, djali ulej dhe çlodhej. I pëlqente të shikonte gjethet shtrirë, rrezet që depërtonin nga sytë jeshil të gjetheve dhe të kaltrën e dritës qiellore. Drejtonte gishtin tregues lartë dhe vizatonte konturet e gjetheve dritën, hijet e gjithçka që imagjinonte mendja e tij e vogël… Gjithmonë i mërmëriste plepit: “A ka djalë tjetër që vuan kaq sa unë?… Sa më pëlqen të shkoj në shkollë, të kem libra, ngjyra, të të pikturojë ty, të loz me top me shokë!….Por ah..duhet të punojë” Më pas vazhdonte ecejaket me biçikletë në kërkim të tingullit të artë, derisa dielli fshihej pas shallit të vjetër të horizontit. Peshonte kanaçet e vogla, merrte paratë dhe shkonte tek minimarketi i lagjes. Aty përherë blinte bukë, një kulaç të kuq për vete, pesë karamele për të pesë motrat dhe pak djathë të lirë. Shkonte te markato e madhe, sepse ishte koha kur pastrueset shkarkonin koshat me frutat dhe zarzavatet gjysmë të kalbura. Mund të mblidhte disa, që nëna e tij mund t’i gatuante. Të paktën këtu nuk kishte konkurrencë dhe sharje, por vështrime keqardhëse. Në darkë nëna i puthte duart dhe ia lante me lot dashurie. Motrat e vogla e rrethonin dhe e puthnin në shenjë falënderimi. Atëherë, gjithë mundimi dhe lodhja i largoheshin dhe ky ishte një çast që nuk e ndërronte me asgjë në botë.
-Vëlla, do më blesh një kukull me shtëpi kur të teprojnë lekët?-u dëgjua zëri i Mikenës trevjeçare.
-Do të blej ndonjë ditë -i tha i vëllai. Ajo iu hodh në qafë dhe i tha:
-Të kam shumë xhan…
-Edhe unë Genush…
Të nesërmen drita e bardhë e agimit, nuk e po e zgjonte s’i zakonisht, kur kërcente nga dritarja tek sytë e tij. Koha ishte e vranët. Megjithëse ishte mesi i korrikut, miniatura e ditës ishte pikturuar me bojën e errësirën së natës. Ai veshi këmishën e vjetër mori biçikletën dhe u nis. Mornica të ftohta i shkonin nëpër trup. Baraka e tyre e vjetër me zor mbahej në këmbë dhe purtekat prej balte ishin plasaritur. E gjithë bryma e ftohtë e natës depërtonte si një hije e lagësht brenda saj. ”Jam ftohur” mendoi djali dhe vazhdoi me zor rutinën e zakonshme. Një erë e marrë i uturinte tek veshët sikur donte t’a shurdhonte. Kur kaloi pranë kazanëve të mbeturinave në të dalë të qytetit, i zuri syri copëza të vogla tullash plastike të një shtëpie lodër të shpërndara sa andej–këndej. Qeskën me mbeturina e kishin hedhur fluturimthi, ndaj dhe lodrat gjysmat ishin jashtë dhe gjysmat brenda kazanit… Iu kujtua motra e vogël dhe filloi t’i mblidhte… Era pushoi dhe qetësia e stuhisë po e maste vendin pash më pash. Djali shikoi brenda kazanëve dhe në fund të tij pa kukullën. Zgjati shkopin e tij ta tërhiqte por ajo binte poshtë si për inat. Shiu kishte nisur të binte me flluska , dhe po e shtonte nxitimin e lojës së lagësht. Djali zgjati dorën në drejtim të kukullës dhe një “Ooooh!” e zgjatur i doli nga fyti. Ra duke u palosur më dysh brenda dhe goditi kokën. Trupi i tij i kequshqyer nuk mundi t’i bënte asnjë rezistencë forcës së rëndesës. U mblodh kruspull nga dhimbja dhe bota po i rrotullohej brenda atij kazani të qelbur. Dhimbja në kokë me erën e keqe i trazoi stomakun. Volli me shpërthim, duke nxjerrë thartirën e zorrëve nga goja dhe hunda njëherësh. Për momentin i bëhej sikur një qenie e padukshme po i priste dhe i tërhiqte gjithë zorrët e barkut. Nuk po mundej të frymonte. Hapi gojën dhe u përpoq të merrte frymë me gojë, por shukat e ajrit të ndotur nuk ia furnizonin dot trupin e sëmurë. Bota e madhe ishte zvogëluar brenda një drejtkëndëshi të qelbur. U mundua të ngrihej, por rrëshqiste në metalin e qelbur e lagështitur nga kalbja e mbeturinave. Rrebeshi ia shtoi dozën torturuese viktimës së tij. Teksa përpiqej për të dalë jashtë këtij kazani, djali ishte bërë qull nga shiu dhe më shumë dukej si një amfib i stërmadh në gjolin e plehrave. E gjithë bota përqark ishte shpopulluar nga qeniet njerëzore dhe ai po ndjente vetëm dhimbje vuajtjesh. Ethet e asaj dite dalëngadalë po i përpinin kockat, nëpërmjet dridhjeve gjarpëruese dhe kërcitjeve së dhëmbëve. Temperatura i shpërndau frymën e zjarrtë brenda lëkurës së drobitur… I dha edhe fuqitë e fundit trupit të vet, duke mbajtur kukullën me dhëmbë, dhe u zvarrit me duar derisa doli jashtë asaj vorbulle të tmerrshme. Tërhoqi këmbët e lagura me mundim deri tek plepi për t’u mbrojtur nga stuhia. Me sytë gjysmë të mbyllur, vuri re disa degë plepi që u përkulën për t’a mbrojtur nga stuhia. Për një çast, nuk ndjeu asnjë dhimbje. U ngrit lartë, i lehtë, si pupël ajri. Stuhia, shiu nuk e pengonin dot. Ai mund të fluturonte. Ndjesi të lumtura, kurrë s’i kish provuar më parë. Nuk e dinte në ishte zog, shpirt, apo engjëll, por dinte që kishte një impuls lumturie, një sinjal ekstaze, dhe do kishte vazhduar… Por dikush po përpiqej t’i hapte dorën që shtrëngonte kukullën…Një vajzë pothuaj në moshën e tij përpiqej t’i shkulte gishtërinjtë, për ti marrë kukullën. Ai hapi sytë duke vështruar rreth e përqark. Stuhia ishte fshehur dhe dielli me shigjetat e zjarrta kishte fshirë çdo gjurmë të saj. Djali nuk e lëshonte kukullën dhe po shikonte me hapi vajzën teksa klithte:
-Më jep kukullën time!… Ai më mori kukullën!- ajo filloi të qante… Një djalë tjetër i rritur me fytyrën më të zezë se katrani, i mori biçikletën dhe u bë erë. Një kalimtar i rastit, po i shikonte një copë here dhe vazhdoi rrugën e vet në heshtje…

Filed Under: Featured Tagged With: DJALI DHE PLEPI, Vjollca Pasku

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT