Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar kongresin me delegatë nga e gjithë Shqipëria. Në këtë kongres ishin të pranishëm kryetari i PDIU-së, z.Shpëtim Idrizi, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, deputetët e PDIU-së, përfaqësues të partive politike në Kosovë e Maqedoni, Kryetari i Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA” Dr. Gjon Bucaj, si dhe shumë figura të tjera politike e historike brenda dhe jashtë vendit.
Në fjalën e tij para delegatëve në kongres, z.Idrizi u shpreh se PDIU është parti e gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe që po rritet nga dita në ditë.
“PDIU nuk është PDIU e udhëheqësisë aktuale, nuk është parti e kryetarit që ju keni zgjedhur, dhe as vetëm e grupit parlamentar. PDIU-ja është e të gjithë juve, e rinisë, e gruas, e shqiptarëve kudo që janë! Kush besoi në ëndërrën tonë të djeshme, që sot është realitet, do të jetë dëshmitar i një PDIU-je të nesërme shumë më të fortë, shumë më të madhe, shumë më të pushtetshme dhe të përgjegjshme në ushtrimin e pushtetit që do të marrë nga vota. Ju do të shikoni në zgjedhjet e ardhshme sesi kjo që them do të shndërrohet në realitet përfaqësimi, aktivizmi, fytyrash dhe mendjesh të reja!”, u shpreh kryetari i PDIU-së.
- Idrizi theksoi para anëtarëve se çështja çame nuk ka kthim pas dhe për këtë ai u betua se ajo do të zgjidhet.
“Sot çështja çame nuk është çështja e shqiptarëve të Çamërisë, por është çështja e çdo shqiptari, kudo që ndodhet, është çështje kombëtare shqiptare, pa dallime krahinore. Sot, kjo çështje hidhet në tryezën e bisedimeve me palën greke, me emër dhe me mbiemër, pa kurrfarë kompleksi. Nisi të ndodhte në vitet e para të pluralizmit, por u hesht më vonë! Krejt ç’ka kemi arritur është nderim për të vrarët dhe porosi e përjetshme për të rinjtë! Ndaj sot kam krenarinë që t’ju them në emrin tuaj dhe të qindra e qindra mijëra shqiptarëve: Ne e kemi fituar betejën me Kohën e Harresën! Sot kjo është një çështje që nuk ka kthim pas dhe për këtë Ju siguroj ju në këtë sallë, Politikën Shqiptare, Shtetin Grek dhe partnerët ndërkombëtarë: Çështja Çame do të zgjidhet! Për këtë betohemi! Sepse ajo është çështje e të drejtave themelore të njeriut”, tha z.Shpëtim Idrizi.
Në fjalën e tij Kryeministri i Shqipërisë z.Edi Rama tha se çështja çame do të zgjidhet.
“Çështja çame po faktorizohet, por shqisa e forcës së verbër po tretet ashtu si në çdo organizëm mbijetuesi, po forcohet shqisa e forcës së shembullit që duhet të na bëjë më të urtë, jo kokulur, por më të urtë në vendosmërinë tonë për të këmbëngulur në një të drejtë të mohuar në kaq shumë vite. Derisa fqinjët kërcënonin se nëse hapej ky muhabet do iknin nga tavolina, sot ka ndryshuar shumë. Jo vetëm që nuk ikin, por kanë kuptuar se për ne, kjo nuk është një çështje revanzhi, por dinjiteti. Do të duhet kohë por pa asnjë dyshim është hapur rruga, sepse kam besuar se vendit tonë nuk i duhet një kozmopolitizëm pa thelb, por i duhet një patriotizëm modern. Kjo qeveri hapi me seriozitet një çështje që të gjithë bënin sikur nuk e shikonin. Jemi në një luftë me Greqinë dhe në një traktat paqeje. Faza e re e marrëdhënies ku duam të shkojmë përfshin heqjen e ligjit të luftës. Një standart të ri, që nënkupton se ka vdekur ajo kohë kur fqinji i pasur tregon se çfarë është e mundur dhe e pamundur” – tha Kryeministri Edi Rama.
Ndërsa deputetja Mesila Doda u shpreh para delegatëve se fuqizimi i familjes shqiptare duhet të jetë një prioritet për këdo.
“Kjo kohë gjatë së cilës kemi takuar shqiptar të gjithë trevave nga veriu në jug, na ka shërbyer të përballim me njerzit të vërtetat për të cilat kemi luftuar ne nuk jemi stepur asnjë çast. Ne nuk kemi ngritur gishtin kundra ndokujt, nuk kemi sharë e urryer kënd por kemi kërkuar, një Shqipëri të ndarë nga e kaluara, kemi kërkuar një familje të fortë e të mbështetur si fuqia e vërtetë që do sjellë ndryshimin. Vizioni ynë ka në qendër një familje, burrë grua fëmijë dhe nuk besojmë se shteti duhet të ndihmojë as ekonomikisht apo ti hapë rrugë ligjërisht llojeve të ndryshme të bashkimeve homoseksuale. Në rrugën tonë u bashkuan e u prononcuan lider të partive të tjera, na vjen mirë që u bashkuan në vizionin dhe në shqetësimin tonë. Familjen duhet ta mbrojmë të gjithë, ndaj diskursi i sotëm i shtuar politik rreth kësaj kauze, veç i jep vlerë vizionit tonë, ne mbrojmë familjen, mbrojmë martesën e nje burri dhe një gruaje dhe kjo është kauza jonë e sotme dhe e nesërme. Padyshim do duhet jo thjesht ta tutelojmë me fjalë por të sjellim iniciativa konkretë për mbështetje ekonomike të familjes. Duke filluar qysh nga fëmija i tretë familja duhet të ndihmohet me subvencion të veçantë nga shteti”, u shpreh znj. Mesila Doda.
Në kongresin e PDIU-së, Ramush Haradinaj dhe Visar Ymeri, dy nga krerët e partive opozitare kosovare, u shprehën se shqiptarët duhet të bashkohën, ndërkohë që u bënë apel qeverive të dy vendve të bëjnë më shumë për shqiptarët në të gjitha trevat.
Ndërsa avokati i çështjes Çame Karim Kahn, i dorëzoi kryetarit të PDIU-së, z.Shpëtim Idrizi studimin e fizibilitetit për zgjidhjen e çështjes çame. Z.Kahn u shpreh se është e patolerueshme që një çështje kaq e madhe në zemër të Europës të ngelet pa u zgjidhur.
Në këtë kongres delegatët votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PDIU-së.