PRESIDENTI BUJAR NISHANI VIZITOI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI/
Nga Frank Shkreli/
Në fillim të kësaj jave, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani zhvilloi një vizitë shtetërore në Republikën e Malit të Zi. Gjatë vizitës dy ditore në shtetin fqinj,Kreu i shtetit shqiptar u takua me udhëheqsit më të lartë të Podgoricës, përfshirë homologun e tij, Presidentin malazez Filip Vujanoviq dhe Kryeministrin Milo Gjukanoviq. Zyra e Presidentit Nishani njofton në portalin e saj se gjatë këtyre takimeve dypalëshe me homologun e tij dhe me zyrtarë të tjerë malazez u biseduan çështje të interesit të përbashkët, por thuhet gjithashtu se ata shkëmbyen edhe mendime mbi gjëndjen rajonale, europiane dhe globale.
Presidenti Nishani gjatë vizitës së tij në Mal të Zi dhe gjatë bisedimeve me udhheqsit më të lartë malazez u kushtoi një vëmendje të veçantë të drejtave të pakicave kombëtare. Në takimin me Presidentin malazez, Vujanoviq, Presidenti Nishani theksoi se kishin trajtuar edhe çështjen e pakicave kombëtare, të cilat sipas tij, luajnë një rol shumë të rëndësishëm si ura lidhëse miqësie midis dy vendeve. Ai nënvijoi rëndësinë e dialogut mbi pakicat kombëtare duke shtuar se, “pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton kushtetuta dhe kuadri ligjor i vendeve tona, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë kontekst”, nënvijoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, “Dëshiroj të theksoj se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen mirë të përfaqësuar, duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike.” Presidenti Nishani përmendi edhe disa probleme aktuale me të cilat po përballen shqiptarët në Ulqin, (siç është rasti i uzurpimit të pronës private nga shteti i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit) dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në fuhsën e arsimit dhe të përdorimit të simboleve kombëtare. Në lidhje me këto probleme që vazhdojnë të ndjekin shqiptarët edhe pas pavarësisë së Malit të Zi, Presidenti Nishani, gjatë vizitës së tij në Podgoricë, bëri thirrje që shqiptarëve tu, “Respektohet e drejta e pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe të gëzojë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore të shkollimit në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare”, u shpreh Kreu i shtetit shqiptar.
Në lidhje me kërkesat e malësorëve për Komunën e Tuzit, një problem ky që me të drejtë tashti ka marrë përmasa ndërkombëtare, si një çështje e përfaqësimit demokratik që po u mohohet shqiptarëve të Malësisë në nivel vendor, Presidenti Nishani sugjeroi se, “Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën.” Në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare mbi pakicat, si edhe me ligjet dhe kushtetutën e Malit të Zi, Z. Nishani tha se, “Dëshirojmë dhe jemi shumë të interesuar që, konform këtyre standardeve, pakicat të kenë të gjitha të drejtat dhe hapësirat e nevojshme për ruajtjen dhe trashëgiminë e identitetit historik e kulturor kombëtar.” Njoftohet se edhe në takimin e tij me Kryeministrin malazez Gjukanoviq, Presidenti Nishani ritheksoi të njëjtat tema dhe probleme përsa i përket të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Pas takimeve zyrtare midis delegacioneve të dy vendeve, gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, Presidenti Nishani kishte rezervuar një agjendë të ngjeshur për takime të veçanta me komunitetin shqiptar atje — autokton në trojet veta — si dhe me përfaqsuesit e tij politikë dhe fetarë.
Kreu i shtetit shqiptar filloi takimet e tija me shqiptarët në Tuz, Ulqin e Tivar, ndërkohë që zhvilloi edhe një takim të veçantë me përfaqsuesit politikë nën ombrellën e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi. Kreu i shtetit amë u prit ngrohtë nga malësorët në Tuz, përfshirë mësues dhe nxënës të një shkolle lokale, ku u takua me përfaqësues të partive politike dhe me të zgjedhurit vendorë të kësaj komune. Sipas medias vendore, ra në sy pankarta në tubimin e pritjes në të cilën shprehej dëshira e popullësisë shqiptare të atyre anëve: “Zoti President, Malësia don Komunë”. Zyra e Presidentit Nishani njofton se, “Në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella”, dhe se “Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe do ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.”
Gjatë udhtimit nga Tuzi për në Ulqin, Presidenti Nishani zhvilloi një vizitë në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit ku u prit nga Kryeipeshkvi, Imzot Zef Gashi dhe Kryekancelari i Ipeshkvnisë dhe Famullitar i Kishës së Tuzit, At Pashko Gojçaj. Kryeipeshkvënia Arbërore e Tivarit ka një histori të lashtë dhe të lavdishme prej pothuaj 1000-vjetësh si qëndër e katolicizmit shqiptar në atë troje, e cila sipas disa historianëve, konsiderohet si vazhduese e Kishës së Ilirikut Lindor, themeluar në Shkup prej Justinianit të Madh në shekullin e VI. Në atë vend të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, njoftohet se “Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për vizitën në selinë e Kryeipeshkvnisë së Tivarit duke vlerësuar institucionet fetare si një ndihmesë e madhe për ruajtjen e vlerave, traditave, identitetit kombëtar dhe gjuhës sonë, tek të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen në trojet e tyre etnike në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës apo në diasporë”, u shpreh presidenti Nishani gjatë pritjes së tij në Kryeipeshkvëninë Arbërore të Tivarit.
Ndërsa, Kryeipeshkvi Imzot Zef Gashi falënderoi Presidentin Nishani për këtë vizitë në një objekt kulti shqiptar në Mal të Zi, që vitin e kaluar ka festuar 925-vjetorin e ekzistencës së vet. Imzot Gashi e siguroi Presdientin Nishani duke theksuar se “institucionet tona fetare do të jenë në shërbim të përjetshëm të fesë dhe të kombit, ashtu siç kanë vepruar edhe para-ardhësit tanë që i kanë drejtuar këto institucione”, pohoi Imzot Zef Gashi.
Kreu i shtetit shqiptar e përfundoi vizitën e tij në trojet shqiptare në Mal të Zi me arritjen e tij në qytetin e lashtë bregdetar shqiptar të Ulqinit ku u prit nga Kryetari i Komunës, Fatmir Gjeka dhe anëtarët e Kuvendit Komunal të Ulqinit. Presidenti Nishani u bëri thirrje udhëheqsve vendorë të Ulqinit, ndërkohë që kufijtë janë të hapur dhe munëdsitë janë të mëdha për shkëmbime në të gjitha nivelet, “duhet të shfrytëzojmë maksimalisht hapësirat që krijon liria dhe demokracia, të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencë, dije, investime dhe të jemi më afër se asnjëherë tjetër me njëri-tjetrin.” Ndërsa Kryetari i Komunës së Ulqinit, komunë e cila gëzon një shumicë shqiptare prej 85%, sipas burimeve, e informoi Kreun e shtetit amë, mbi zhvillimet ekonomike, kulturore dhe të fushave të tjera të asaj zone dhe e falënderoi atë për interesimin e tij për fatin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Ndërsa, thuhet se Presidenti Nishani u bëri thirje autoriteteve të komunës së Ulqinit që të punohet sa më shumë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar, si vlera më e shquar që kemi si komb, ka thënë Z. Nishani. “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare”, u premtoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë të pranishëmve, gjatë vizitës së tij në Ulqin në fillim të kësaj jave.
Vizita e Presidentin Nishani në trojet autoktone shqiptare nën Mal të Zi është një gjest më se i mirëpritur. Ndonëse mbeten për tu parë rezultatet eventuale të kësaj vizite dhe nëse kjo vizitë do të ndihmojë në përmirësimin e gjëndjes së shqiptarëve atje, besoj se të pakën mbrenda një të ardhme të afërt, vizita e Kreut shqiptar në Mal të Zi, në mos asgjë tjetër, do të ndihmojë, në sensibilizimin e mëtejshëm të opinionit zyrtar dhe publik shqiptar mbi gjëndjen aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi. Ta quajmë këtë vizitën e Presidentit Nishani si fillimi i “shqiptarizimit” të çështjes shqiptare në atë vend. Por do tu tregojë edhe udhëheqsve malazez se shteti amë kujdeset për fatin e shqiptarëve në atë vend. Ka rëndësi fakti që Kreu i shtetit amë gjatë një vizite zyrtare në Podgoricë – në kuadër të marrëdhënjeve të mira midis dy shteteve fqinje dhe në bazë të standardeve europiane dhe ndërkombëtare – fletë për çështjet dhe problemet me të cilat përballen sot shqiptarët në Mal të Zi. Ato janë të shumëta dhe përfshijnë shumë fushë, mbi të gjitha në arenën e përfaqësimit politik, në fushën arsimore dhe kombëtaro- kulturore, por edhe në fushën ekonomike. Është me rendësi gjithashtu angazhimi i Presidentit Nishani se nga pikëpamja e Kreut të shtetit shqiptar, “Institucioni i Presidentit do të jetë çdoherë pranë jush në ndihmë të lidhjeve sa më të mira me institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në përkrahje të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të çdo të drejte tuajën qytetare dhe kombëtare.” Ky është një angazhim që duhet ta bëjë edhe Prishtina zyrtare ndaj shqiptaëve në Mal të Zi. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone në Mal të Zi, nuk meritojnë as më pak as më shumë të drejta se sa ato që i janë akorduar pakicave serbe dhe malazeze në Republikën e Kosovës.
Por ama, pa marrë parasyshë interesimin e Tiranës dhe të Prishtinës për fatin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe megjithë sfidat dhe problemet e shumëta që paraqet Podgorica zyrtare ndaj zhvillimit të jetës normale politike, kombëtare dhe ekonomike për komunitetet shqiptare në Mal të Zi, përgjëgjësia më e madhe për përmirësimin e jetës dhe për fatin e mirë në përgjithësi të shqiptarëve në atë vend, bie mbi shpatullat e të zgjedhurve dhe përfaqsuesve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi. Përçarjet dhe mosmarrveshjet politike midis tyre janë tanimë të njohura mirë, për të mos thënë legjendare. Por, janë ata që para të gjithëve duhet të tregojnë përgjegjësi të lartë politike, morale dhe kombëtare dhe të dëgjojnë thirrjet, pikëspari nga zgjedhsit e vet, por edhe nga të tjerët, për një bashkim të forcave politike atje me qëllim të përmirësimit të përgjithshëm të jetës së shqiptarëve në të gjitha fushat dhe aktivitetet e tyre në Mal të Zi.