Ermonela Felaj emërohet Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin/
Tirane, 1 Gusht/- Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste, e zgjedhur në qarkun e Beratit, është emëruar ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas largimit të Ilirjan Celibashit nga kjo detyrë.
Këtë ndryshim në kabinetin qeveritar, e ka shpallur vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zonjën Ermonela Felaj dhe zotin Ilirian Celibashi.
Kryeministri tha se ndryshimi në qeveri është një kërkesë e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për të ndërprerë marrëdhënien me Qeverinë. “Si nevojë për të mos ndërprerë për asnjë minutë punën tonë këtu, në Këshillin e Ministrave, duke zëvendësuar një ministër, me të cilin kam pasur privilegjin që të punoj në 300 ditët e para, me një kolege, të cilën e admiroj për cilësitë e saj, me deputeten e PS-së, Ermonela Felaj”, tha kryeministri Rama.
Ai falenderoi z. Celibashi për përkushtimin dhe integritetin e lartë moral dhe profesional me të cilin e ka përballuar detyrën, ndërsa pohoi se dorëheqja e tij është për motive tërësisht personale. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se Celibashi, si një ndër juristët më të spikatur të vendit dhe si pjesë e jona, me asistencën e tij, nuk do të ngurrojë të japë këndvështrimet e tij kritike.
Ministri i dorëhequr, duke e cilësuar mbresëlënëse punën e tij në qeverinë ‘Rama’, pohoi se vendimi tij bëhet për arsye personale. Celibashi nënvizoi se shpreson që akti i tij të mos dëmtojë askënd, pikë së pari asnjë interes publik.
Ai falenderoi PS-në dhe kryeministrin Rama për vlerësimin që i bënë kapaciteteve të tij profesionale duke e bërë pjesë të maxhorancës së majtë. “Ka qënë një nder që të përfaqësoja PS-së dhe privilegj të isha pjesë e këtij kabineti. Kjo vendimmarrje imja nuk ka vënë aspak në dyshim besimin dhe bindjen time të kahershme tek kryeministri Rama dhe kabineti i tij serioz dhe te përgjegjshmëria përpara qytetarëve shqiptarë, për të përmbushur objektvat politkë”, u shpreh Celibashi.
Nga ana e saj deputetja Felaj falenderoi kryeministrin për vlerësimin, ndërsa shprehu anagzhimin profesional dhe moral të saj në plotësimin e detyrës si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ermonela Felaj, 38 vjeçare është juriste në profesion, ku ka përfunduar me rezultate të shkëlqyara shkollën e magjistraturës dhe ka një përvojë të spikatur si prokurore në rrethin e Beratit. Ajo është deputete e qarkut të Beratit në grupin e PS-së për mandatin e dytë radhazi.