Nga Harilla Koçi/.- Në galerinë e jashtëzakonshme të veprave të Kel Marubit përfshihet edhe fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, realizuar në vitin 1922. Pak e njohur në Shqipëri kjo foto e rrallë që fikson plot 11 personazhe është pjesë e 500 fotove më të mira të botës.
E modifikuar me titullin “Dorëzimi i armëve” nga studiuesi Qerim Vrioni, Kel Marubi ka fiksuar në këtë foto një moment të rëndësishëm të Shqipërisë së 90 viteve më parë, atë të kalimit nga koha e bajraktarëve dhe kapedanëve në të respektimit të institucioneve dhe ndërtimit të shtetit.
“Fotografia e Kel Marubit është tashmë pjesë e albumit The Photo Book, Londër 2000, publikuar nga shtëpia botuese prestigjioze “Phaidon”. Në këtë album, janë riprodhuar 500 foto të zgjedhura nga 59 vende të ndryshme të botës dhe që janë realizuar gjatë 150 viteve të historisë së artit fotografik”, tregon për ATSH-në studiuesi vlonjat Vrioni, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Referuar shënimeve që shoqërojnë foton e Kel Marubit, Vrioni thotë se autorët ndërmjet të tjerash shkruajnë se “në foto nuk kuptohet qartë se çfarë ndodh…” (The Photo Book- LONDON, 2000-fq 302).
Të njëjtin përfundim për këtë foto, sipas studiuesit shqiptar të fotografisë, jep edhe albumi “Albania. Volto dei Balcani, scritti di luce dei fotografi Marubi, Torino, 1996(3)”, ku krahas disa mangësive të tjera për subjektin e fotos jepen disa hamendësime, të gjitha të pezullta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Në këtë mënyrë, përpara studiuesit shqiptar të fotografisë, Qerim Vrioni, dilte një detyrim i madh, që lidhej me studimin analitik të fotos, e cila për të huajt ishte një vlerë e çmuar e trashëgimisë shqiptare. Kësisoj, ai i hyri punës për të saktësuar gjithçka që ka të bëjë me përmbajtjen e fotos, për të evidentuar të gjitha vlerat e saj, përmes një procesi që nis nga argumenti vizual në atë dokumentar.
Sot, ne kemi të qartë atë që disponon dhe përcjell fotografia “Kapiteni Marka Raka dhe Bajraktari i Shalës”, saktësuar dhe modifikuar në emërtim, “Dorëzimi i armëve….”, nga studiuesi Qerim Vrioni. Janë të qarta dhe të identifikuara të gjitha personazhet e kësaj fotografie, të cilët vijnë nga ajo periudhë e largët e vitit 1922, si produkt i punës së jashtëzakonshme studimore të Qerim Vrionit.
-Interpretimi, përmes një analize me arkivat-
Për të arritur këtu, Qerim Vrionit, iu desh të hynte në arkiva, të studionte e të përgjithësonte, të bënte analiza e krahasime, të interpretonte e të fokusohej tek çdo element që në pamje të parë dukej si pa rëndësi. Janë rreth 28 objekte dokumentare, studime e përgjithësime të autorëve shqiptarë e të huaj, që u shfrytëzuan për të dimensionuar të plotë fotografinë, që zë një vend dinjitoz mes 500 simotrave të saj më të mira të kohrave, por që fatkeqësisht ne shqiptarët nuk e njohim mirë. Përmes një procesi studimor shumëplanësh, Vrioni hyn në atmosferën e kohës.
Elementin që lidhet me datën e realizimit të fotografisë, ai e shfrytëzon fare mirë për ta përdorur si një argument bazë në procesin e eksplorimit, si një çelës të zbërthimit të saj. “Çelësi i zbërthimit të subjektit të kësaj fotografie është viti 1922, kur ajo u realizua. Në këtë vit, në bazë të një ligji të miratuar nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), popullsia civile detyrohej t’i dorëzonte armët shtetit, pra është bërë çarmatimi i atyre që nuk duhej t’i kishin ato”, shkruan Vrioni, për të cilin tashmë ka një bazë orientimi për të arritur objektivin.
Në rrjedhën e ngjarjeve ku ishte përfshirë Shqipëria e atyre viteve, perspektiva e saj vihej përballlë shumë pikëpyetjeve. A duhej të futej në rrjedhën e zhvillimit, duke patur si model profilin perëndimor, apo duhej të mbahej dhe të mbetej peng i realiteteve të të shkuarës së afërt dhe të largët. Shqipëria ishte ende e brishtë. Mbizotëronte një situatë e paqëndrueshme me plot probleme në fushën e rendit e të qetësisë, çka shtronte domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të qartë që të garantonte të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve. Një ndër këto ishte edhe miratimi i ligjit për çarmatimin e popullsisë civile, e cila rezultonte e armatosur për shumë faktorë dhe arsye, që lidheshin me mentalitetin dhe ngjarjet historike nëpër të cilat kishte kaluar vendi. Më e fundit, ishte Lufta Botërore. Në 5 prill të vitit 1921 ishin zhvilluar zgjedhjet për Këshillin Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), me 75 deputetë. Më pak se një vit më pas, në 6 shkurt të vitit 1922, miratohet ligji për çarmatimin e popullsisë. Klasa politike e kohës e vlerësoi këtë si një akt të domosdoshëm në rrugën drejt progresit, i cili do të niste të zbatohej shumë shpejt, pavarësisht se Këshilli Kombëtar, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, do të shpërndahej për atë legjislaturë vetëm 3 javë më pas.
Këtë ngjarje madhore do të fiksonte Marubi i famshëm me aparatin e vet, duke zgjedhur, sipas Vrionit, një nga krahinat më në zë në historinë e vendit, atë të Shalës në Shkodër. Gjatë atij procesi, do të mblidheshin 34140 armë të cilat, duke iu referuar numrit të popullsisë, përbënin një potencial të jashtëzakonshëm. Në këtë këndvështrim, për studiuesin shqiptar të fotografisë, Qerim Vrioni, kjo vepër e Marubit vjen jo vetëm me vlerat e veta artistike, por po aq e ndoshta më shumë edhe për ato historike e dokumentare, me mesazhe të fuqishme që mbeten mjaft aktuale edhe sot në një dimension shumëplanësh.
-Fotografia “Dorëzimi i armëve”, konceptuale-
Fotografia “Dorëzimi i armëve….”, është konceptuale, çka do të thotë se autori e kishte fare të qartë atë që do të bënte; thotë Vrioni. Prandaj ai nuk nxiton. I vendos personazhet e veta sipas projektidesë së konceptuar në mendjen dhe fantazinë e tij, kërkon që gjithçka të jetë e përkryer, asgjë të mos jetë e tepërt dhe aq më tepër të shkojë në rrjedhën e kundërt të asaj që ka në mendjen e vet. Marubi, si artist shumëplanësh, kujdeset që vepra e tij të përmbajë të gjitha elementet, ku edhe mënyra e qëndrimit dhe veprimit të secilit personazh përfaqëson jo thjesht një gjendje të momentit, por një psikologji, një mentalitet, një pikëpyetje, një besim, apo mosbesim. Çdokush prej personazheve ka një rol të caktuar në këtë foto dhe të gjithë bashkë i shërbejnë një qëllimi. Prandaj dhe Vrioni ndalet në secilin prej tyre, analizon çdo qëndrim, çdo gjest që flet shumë, çdo moment që nevojitet për të arritur objektivin. Pushka e kthyer mbrapsht (kështu realizohej dorëzimi i saj, sipas Vrionit), që zbret gradualisht nga dora ende e palëshuar mirë e Bajraktarit të Shalës (Lush Prelës), tek të dy duart e kapiten Mark Rakës… Ky është momenti i duhur, për fiksimin e të cilit nevojiten aftësi profesionale, përqëndrim e vullnet. Jo çdokush mund ta realizojë atë. Në këtë çast ndalet studiuesi Qerim Vrioni, për të bërë një analizë të detajuar dhe për të nxjerrë përfundime. “Fotografimi i malësorit e aq më tepër bajraktar duke dorëzuar armën nuk duhet të ketë qenë më i lehtë se dorëzimi faktik i saj”, shkruan Vrioni, sipas të cilit po fiksohej heqja e “gjymtyrës së pestë” të shqiptarit, gjë që do të shoqërohej doemos me dhimbje si çdo operacion.
Prandaj, sipas studiuesit, për të bindur malësorin plak që të fotografohej Marubit i ka shërbyer emri shumë i mirë si atdhetar, fotograf e njeri i ndershëm si dhe aftësitë e tij komunikuese dhe respekti që gëzonte në Shkodër dhe në krahinat e saj.
Në këtë kontekst, ngarkesa dhe sjellja psikologjike në çastin e fotografimit, nga ana e çdo personazhi, përbën një plan të veçantë për studiuesin Vrioni, në nxjerrjen e përfundimeve dhe pikësimin e objektivit të tij përfundimtar.
Për të, fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” nuk është e atypëratyshme. Fotografi e ka kuadruar mire e bukur gjithçka do të fiksonte në pllakë xhami, çka bën që në foton e stampuar ka fare pak sipërfaqe parazitare.
“Ajo është e studiuar dhe e kompozuar si një çast skene në teatër ku zhvillohet një dramë. Po ashtu na kujton edhe bocetet e piktorëve të filmave kinematografikë, që përmbledh në një pamje të vetme dramacitetin e një akti të tërë, duke shpalosur kështu aftësitë e mjeshtrit fotograf si një regjizor dhe skenograf”, vlerëson studiuesi i fotos së Marubit. Sipas tij, qendra e rëndesës problemore e fotos përfshin treshen që përbëhet nga civili me kostum të zi që lexon dhe dorëzon letrën e Qeverisë, bajraktarit të Shalës që merr letrën dhe dorëzon armën dhe kapiten Mark Raka, i cili po merr me të dy duart pushken. Të tre këta personazhe janë vendosur në një marrëdhënie jo vetëm artistike, por edhe institucionale.
Bajraktari merr vlera të veçanta në këtë moment teksa shtrihet simbolikisht në dy plane veprimi dhe psikologjikë. Me një dorë ai merr letrën zyrtare që i dorëzohet nga përfaqësuesi i shtetit, ndërkohë që me tjetrën dorëzon armën. Plaku reflekton një dyzim, gjithsesi të justfikueshëm, që ka të bëjë me të shkuarën e që përfaqësohet nga pushka që ai dorëzon dhe të ardhmen që i garantohet nga qeveria, ku ai ka besim, prandaj edhe pranon të kryejë atë veprim.
Ndërkohë, sikurse shpjegon Vrioni, malësori vërtet po dorëzon pushkën e krahut, siç parashikon ligji, por në brez ai ka një nagant çka e bën atë po aq dinjitoz. Ndërkohë në raport me kapiten Mark Rakën e ulur ai ka edhe një epërsi, ndonëse të përkohshme, një element ky gjithsesi i justfikueshëm duke iu referuar kontekstit të kohës, mentalitetit dhe psikologjisë.
-Analiza e fotografisë, si një piramidë idesh dhe përgjithësimesh-
Merita e madhe e Qerim Vrionit në këtë analizë-studimore nuk qëndron thjesht dhe vetëm tek zbërthimi i fotografisë së Marubit në çdo element të saj, por në konstruktimin dhe ngritjen e një piramide të konsoliduar idesh dhe përgjithësimesh. Ai ka hyrë në psikologjinë e Marubit, në perceptimin e tij për produktin që përgatitej të realizonte. Sepse qëllimi i tij nuk ishte thjesht të editonte një fotografi, qoftë edhe duke fiksuar një moment mjaft të rëndësishëm në udhëkryqin e zhvillimeve në Shqipërinë e fillimeve të shekullit XX. Kjo vepër e tij duhej t’i qëndronte kohës, të lexohej dhe të përcillte mesazhe, të kishte vlera edhe në brezat e ardhshëm. Por, për të bërë këtë nevojitej perfeksioni, perfeksion lëvizjeje, idesh e qëndrimesh, perfeksion artistik e psikologjik. Për Vrionin, këto elemente janë ndërthurrur në një kompozim të përkryer ku ka rëndësi çdo detaj, qoftë edhe ajo e një mënge të bardhë të vendosur në dorën që mban pushkën që dorëzohet, si një simbolikë e dorëzimit pas një beteje ku fiton e ardhmja, apo në mënyrën sesi janë fiksuar dhe në çfarë raportesh qëndrojnë dy personazhet në dy akset e kundërta të fotos, në këmbë dhe plot dinjitet. Shqiptari po i dorëzon armën shtetit. Ky është një çast solemn që duhet respektuar. “Fotografia të mban gjatë të fiksuar para saj. Ka një qetësi solemne, po ashtu edhe përzemërsi që duket edhe nga afërsia fizike e personave si dhe nga duart e hedhura mbi supet e njëri- tjetrit”, shprehet Vrioni, duke reflektuar edhe vetë atë optimizëm që ai percepton dhe zbërthen tek autori që e ka ngërthyer atë 90 vjet më parë, teksa qëndronte përballë 11 personazheve të tij, duke i bërë ata të pavdekshëm përmes objektivit në një çast solemn.
Në funksion të kësaj është edhe teknika e fotografimit. Sipas Vrionit, Marubi e ka realizuar fotografinë në një mjedis me dritë natyrore të shpërndarë që u bie personazheve nga krahu i djathtë. Ajo nuk krijon hije të forta dhe të theksuara, por është e mjaftueshme për të ndriçuar fytyrat e pothuajse të gjithë pjesmarrësve në mënyrë të atillë që të pasqyrojë qëndrimin e tyre ndjesor për atë që po ndodh. “Fokusimi i pamjes, diafragma e aparatit dhe koha e ekspozimit janë ndërthurrur nga mjeshtri fotograf në kufijtë e persosmërisë duke na dhënë një foto mjaft të pastër teknikisht”, shprehet ai ndërsa e vijon më tej argumentin duke cituar se kjo shihet edhe në një riprodhim me përmasa 2 x 4.5 metra që ndodhet në një nga hollet e Ministrisë së Kulturës, e cila ka një qartësi të konsiderueshme sidomos po të kemi parasysh se negativi në pllakë xhami është bërë mbi 80 vite më parë.
Më tej studiuesi zbret tek ai element që paraqet një interes të veçantë. Cilët janë këto personazhe që janë fiksuar nga Marubi në një nga fotot më të realizuara anëembanë globit në më shumë se 150 vjet të historisë së fotografisë.
-Kush janë personazhet?-
Dy personazhet kryesore të fotografisë janë kapiteni Mark Raka, oficeri i fiksuar ulur në qendër të fotos, teksa merr armën, dhe kryetari i fisit të Shalës ose barajktari i Shalës, i cili në vitin 1922 ishte Lush Prela, plaku me veshje malësori që dorëzon armën, pinjoll i një familjeje me emër dhe me kontribute në lëvizjen atdhetare në veri të vendit, nipi i Mark Lules, përfaqësues i Shalës së Dukagjinit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, i shquar në luftrat për pavarësinë e vendit ….
Prela u vra nga shërbimet sekrete serbe në tokat shqiptare në Malin e Zi, në vjeshtën e vitit 1925, bashkë me dy djemtë e tij. Kapiteni Mark Raka, i formuar si ushtarak në Austri dhe Itali, pjesëmarrës në Revolucion Demokratik të Qershorit, u eleminua nga qarqet shoviniste antishqiptare në kryeqytetin e Malit të Zi, në vitin 1926. Më 1993 Kuvendi i Shqipërisë e dekoroi (pas vdekjes) me “Urdhërin për veprimtarinë patriotike“ të klasit të parë. Në foto përfshihen edhe personazhe të tjerë, Gaspër Pali, Serafin Mazreku, i martuar me motrën e Luigj Gurakuqit dhe baba i Anton Mazrekut, Mul Deliu, Gjysh Deda, Gaspër Mosi, Kol Çamuku.
Të gjithë këta personazhe, që kanë jetuar në realitetin e Shqipërisë së asaj kohe, të njohur në Shkodër dhe në krahinën e Shalës, por edhe më gjerë, përbëjnë skenën e fotos së Marubit “Dorëzimi i Armëve”, e zbërthyer nga studiuesi Qerim Vrioni.