PER TY O PROFESOR ARSHI PIPA !/
Një 95 vjetor i paharrueshëm…/
NGA FRITZ RADOVANI/
Per Ty do të këndojë Shkodra, Gac Çuni…Temali e Malësia,/
Do të këndojë në Lahutë Hoti e Gruda… Kelmendi e Kosova, /
Do të këndojë Libohova… Gurt’ e Kalasë së Durrësit e Çamëria, /
Per Emnin Tand o Arshi Pipa… do të çohet në kambë Shqipnia…/
DOSJA 1167: JA KUSH ISHTE PROF. ARSHI PIPA…/
PROF. ARSHI PIPA, vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit, Sotir Qiriaqi:
■ I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës…”
■Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “…Avokat Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër… i padënuar…” Ja e verteta:
■Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e sajë nëpër oborr. Kanë fillue me shtijë me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
■Vazhdon ma poshtë Prof. Pipa:
“1. Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizatë. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
– Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit. Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me té asht e pavend. Po kështu nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
– Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue. Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.
– Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, …për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat. Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm. Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve. Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat për mue asht i pavend.
– Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit detërminohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë.
Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.
– Unë sikurse thashë, jo vetëm që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.
■Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar sëpse i pandehuri i përgjigjet me mohim ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”
■I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v.
Prokurori Publik i Prefekturës (SotirQiriaqi)d.v.
■Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës, Nr. Regj.66,
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920 ti vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
■“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…
Prokurori…firma.
■Fletë-akuzë: I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit… Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët sëpse mungonin edhe faktët. Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon…
Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat… Duhët ridënuar…” Prokurori …firma.
■“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim. Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme…Prokurori…firma.
■Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku, Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
■Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues:
“Përsa i përket akuzës që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s’e pranoj…Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën “Kritika”.
Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor…
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën dhe çështje politike.
Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën. Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té. Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë por kam ndejë tue studjue gjithmonë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm. Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë. Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe. Unë në shtëpia të shokve të mijë nuk kam shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo, gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinjë, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue. Me R. Tabakun jam takue në kafe por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue!”
■Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue…
■ “I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta!”.
Për secilin përsëritë thëniet e bame para Trupit Gjykues.
■Me datën 24 dhjetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“… Në emër të Popullit Shqiptar”:
■“… Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist. Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet në gjyqin e Tiranës, proçes-verbalet e tyre para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysën, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: … Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947. Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
■Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali:
■“V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit:
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë, me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetëve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.
Përveç të masipërmëve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik – në familjen time të përbame nga nana, katër motra – prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze – dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykatë, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e sajë të drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit” V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.FR.
■Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument: “Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta.
Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
■Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino, mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v. (vetëm firmat). “
■Këtu mbyllet vetëm dosja…
***
●Profesorët Arshi Pipa dhe Prenkë Kaçinari të dy ishin të burgosun në vitin 1947.
Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e nalta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës sonë Shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm… duhën ridënue… Ashtu u veprue!
●Jeta me të vërtetë duket se vazhdoi… por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por kurrë, se mund të jenë një ditë… në Romë,… Washington… ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë.
Fjala liri kishte perëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne.
Prof. Arshi Pipa pat fatin me e provue Lirinë, ndersa Prof. Kaçinari provoi vetvrasjen…
Jeta dhe veprat e Tyne duhet të jenë objekt studimi per brezat e rijë, mbasi vetem nder veprat e Atyne kolosëve të Popullit Shqiptar mund të lexohet dhe studjohet e verteta e Historisë së mohueme 70 vjeçare e Shqipnisë Europjane.
Melbourne, Korrik 2015.