• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOSJE E HAPUR

July 12, 2020 by dgreca

SHKRUAN: EGLANTINA MANDIA/

Kemi afro 50 vjet që jetojmë me makthin e dosjeve.Nuk shpëtojmë dot nga dënimi i ynë. Sapo zuri një farë cipe sëmundja e llahtarisur e përgjimit, na zunë ethet

e dosjeve: të hapen, apo të mos hapen, u hapën, s’u hapën, do të hapen apo nuk do të hapen.

Përse këto dilema? Të gjithë e dimë se cilët ishin persekutorët e spiunët e vegjël (fatkeqët e mjerë) të rrethit familjar a shoqëror ku jetonim. Kjo sillte tjetërsimin, makthin,fjalën e shtirur, mashtrimin, vdekjen e ngadaltë shpirtërore.

I shohim edhe sot fytyrat e tyre me sytë e stërzgjatur,lakmitarë me komplekset e gjuhën gjarpërore që hedh helm e jargë mbi çdo shpirt të pastër. Ndoshta, ky është dhe ngushëllimi i fundit. Pështy e helmo gjithçka. Dosje të hapura.

Dosje të mbyllura. Furtuna në gota uji. E megjithatë ka dosje gjysmëshekullore, që kanë sfiduar sytë tanë, siç është një vrasje e pashpjeguar e dy vetëvrasje të tre tragjikëve, tejet të njohur të L. N. Çl.

Dosja 1

RAMIZE GJEBREA, bijë e një familje me disa breza patriotësh, me nënën nga Kaçaniku. Babai, luftëtar i lirisë, sjell nusen kosovare në shtëpi që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Viti 1913, (vit i mbrapshtë i fatit tonë) e ndan nusen nga trojet e veta. A thua prapësia do t’i ndjekë denbabaden?

Ramizeja, e bukur, e kulturuar, e talentuar, heroinë e aksioneve më të guximshme kundër fashistëve në kryeqytet, një nga firmat më të njohura të shtypit të L. N. Çl.

Me pseudonimin “Zala”, u vra nga shokët e saj pa I mbushur të 21 vjetët.

E kudogjendshmja, e palodhura, fjalëzjarrta Ramize, i dha bukurinë, rininë, dashurinë dhe jetën, idealit të saj, LIRISË.

E megjithatë, u arrestua në Ramicë nga shokët e saj të luftës me disa denoncime absurd të spiunëve vrasës. Dënimi me procesverbale të humbura (Sa shumë i kam kërkuar nëpër arkiva, krejtësisht kot, për shumë vite).

Të dy fajtorët, Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka në arrest. Gjyq me dënim të pashpallur. Korrierë që vrapojnë e nuk arrijnë kurrë në destinacion. Ramizeja e gdhin natën me një pallto ushtarake të hedhur krahëve. Lexon librin “Ditët e fundit të një të dënuari me vdekje”, por nuk e merr dot kurrë me mend, se kjo e dënuar është ajo vetë.

Batalioni i rreshtuar në formë rrethi. Heshtje. Ankth. Mars i ngrirë i vitit 1944. Në një cep çelet rrethimi dhe sjellin Ramizenë. Askush nuk e di se ç’po ndodh.

Ramizeja ecën e menduar, me pardesynë që ja merr era. Kurrë, kurrë zemra e saj e dëlirë s’e afron pabesinë e vrasjes pas shpine, pa paralajmërim. Po vendimi tashmë, ishte marrë. Moralistët (terroristët më të pamoralshëm) në emër të moralit, urdhërojnë skuadrën e pushkatimit të vajzave të shtien mbi shoqen e tyre. Një partizane e kësaj skuadre, me duar të dridhura, shtie mbi veten nga tronditja. Plumbi që i ka shënjuar fytyrën, është dëshmitar i asaj dite tragjike edhe

sot e kësaj dite.

Ramizeja krejt e befasuar nga plumbat në trupin e saj, ktheu kokën e klithi: “Përse kështu o shokë?!!”

Përse? Përse? Përse?…

Klithma rrufe u ngjit drejt qiellit të ngrirë të atij marsi.

Breshëria rrëzoi të bukurën e dheut, Ramize, mbi tokën që ajo e deshi aq shumë. Iu dha dhe plumbi i fundit… LAMTUMIRË! Partizanët mbetën të ngrirë, me shpirt të gjymtuar,gjysmë të varrosur nga ankthi i pyetjes: “PËRSE? PËRSE…KËSHTU O SHOKË?!”

***

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Sa herë kam dhënë një mendim për këtë çështje, ka filluar përndjekja e Ramizesë dhe shumë e shumë vite, pas vrasjes.

Cerberët e kryeqytetit e heqin shkrimin nga shtypshkronja. Gazetarucët me sy të zbardhur nga tmerri i trimërisë së tyre, klithin: “Kush të ka dhënë ty të drejtën ta

rehabilitosh?”

KRIMI përplaset me sinqeritetin e lotëve të shokëve të luftës.

Ramizeja zgjon revoltën e shpirtrave të bukur, që pyesin: “Deri kur? Deri kur? Cerberët do të vrasin e rivrasin idealin njerëzor, ëndrrën e aq e aq brezave për liri e drejtësi?

Dosja 2

Zaho Koka, heroi popullor i Bregut, i tronditur, tre muaj pas vrasjes së Ramizesë e kërkoi vdekjen vetë. Zaho nuk e dëgjoi pyetjen e Ramizesë. Ai mbahej i burgosur dhe nuk e pa poshtërimin e saj. Po “ligji i luftës” veproi vetëm për Ramizenë. A nuk ishin që të dy “fajtorë pa faj?”… Kush pra, e kish të drejtën të shpersonifikonte njeriun dhe për ndjenjën më fluide, për atë që quhet LIRIA e gjithsecilit? Zahoja e parandjeu të vërtetën e hidhur në burgun e tij, në Ramicë.

LIRI të madhe nuk do të ketë më në këtë tokë, derisa të vritet qenërisht LIRIA e secilit.

Zaho Koka shkoi vetë në mes të ditës me diell, drejt një mitralozi, që e bëri shoshë e për këtë i dhanë “bujarisht” titullin HERO. Po populli? Ai mori një plagë për dhimbjen e pashprehur për birin e tij, të vetëvrarin, të bukurin, të pastrin,

të thjeshtin, personazhin e tragjedisë që në prologun e saj.

Kështu iku djali i fyer. Shkoi vullnetarisht drejt mitralozit, në qershor të po atij viti, dy muaj pas vrasjes së Ramizesë. As “mjeshtrit e mëdhenj” as “qatipët e vegjël”, s’krijuan dot alibi tjetër veç titullit: HERO.

Dikush thotë që në Ramicë Ramizenë e veshën nuse dhe e qanë me ligje. Është e vërtetë, apo legjendë? S’ka rëndësi.

Rëndësi ka që populli, (të cilin kujtojnë se e kanë në dorë mendjeshkurtrit), nuk u pajtua me këto VRASJE.

KJO ISHTE DISIDENCA E SHPIRTIT TË TIJ, AJO SHQISË E GJASHTË QË MAT TË VËRTETËN E GËNJESHTRËN E FJALËS, KUR KA DHIMBJE TË

THELLA. POPULLI HESHT, POR NUK HARRON KURRË…

Zaho Koka vrau veten para dhjetëra dëshmitarëve…“PËRSE? PËRSE KËSHTU O SHOKË?!!”

Dosja 3

Nako Spiru , i fejuari i së bukurës Ramize Gjebrea.Braktis klasën e tij të pasur si idealist i kulluar dhe vë veten në ballë të luftës për liri e përparim shoqëror. Kur moralistët perversë i vranë të fejuarën si “shkelëse të besës”, Nakoja e tha

burrërisht se i takonte atij ta gjykonte të fejuarën, për jetën e saj intime. (Alibia e moralit të shkelur s’ishte gjë tjetër veçse një gur që do të vriste zogjtë, një e nga një.

FAJI I NAKOS: inteligjenca e jashtëzakonshme dhe intuita për të parë, si po rrëshqisnin në LIMERIN E PAZARLLËQEVE Të BEOGRADIT.I llahtarisur guxon e thotë se “Po e shesim Shqipërinë”.Kështu, i paracaktoi fatin

vetes. I varrosur si tradhtar. I zhvarrosur si HERO.Gjithnjë në pritje të një gjëme të re mbi varrin, bustin, emrin. Gjithnjë në lojën e persekutimit të hijeve, kockave e familjeve.

Një makth i pafund

E kam njohur nënën dhe motrën e Nako Spirut, të vetësakrifikuarën Leonorë. Kam qënë fëmijë dhe nuk e dija se ç’ndjente e ç’mendonte ajo zonjë e zbehtë, me vështrim të thellë, nën sharpin e zisë së përjetshme. Nuk e di se përse

fytyra e saj dhe e së bijës, më sjellin ndër mend vargjet: “Në një prag e në një derë / plasën si dy qelqe me verë!”

Nako Spiru shkruan një karakteristikë (në italisht) për Enver Hoxhën, në vitin 1944:“Me ndihmën e Miladinit e të Dushanit, u fut në formacionet e partisë. U bë anëtar i K. Q.Provizor, duke ndjekur symbyllur, Miladinin. Kështu, krijoi pak e nga pak mundësinë, për ta mbajtur me duart e veta. Në Konferencën e Partisë zgjidhet sekretar i rekomanduar, si njeri i shquar në luftën kundër fraksioneve.Në fakt, është një parti gratis e një kompensim për këto punë. Nuk ka bërë asgjë, pa

pyetur ekzekutorët e vet e pa ia hapur Miladini, perspektivën.

Me një inteligjencë mediokre edhe në shkollë edhe jashtë shtetit edhe gjatë punës si profesor, krejt mediokër. Gjatë gjithë kësaj kohe, (para krijimit të partisë), me një jetë private aspak të rregullt.U ngjit kështu në parti dhe tani dëshiron të jetë i

adhuruar, dëshiron t’i ketë të gjithë nën vete e t’i marrë të gjithë nën thundër, dëshiron t’i shohë të tjerët të veckël, të veckël. Është i shquar për kompleksin e inferioritetit S’ka asnjë cilësi udhëheqësi.

Të gjithëve ua frenon iniciativën. Në popull, nuk është fare i njohur. Edhe aty ku është i njohur, nuk gëzon respekt. Në parti po popullarizohet me të gjitha forcat. E për këtë ka filluar të njihet, por populli nuk është shumë i sigurt, për kapacitetin e tij”.

Kjo karakteristikë e shkruar që në vitin 1944 ishte “krimi “ i Nakos. Pra ishte i destinuar të vritej e të rivritej pambarimisht, së bashku me ekipin e tij tragjik (Ramize e Zaho).

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Lojtare e dëshmitare të tragjedisë së jetës sonë.

Le t’i lëmë shpirtrat e dënuar të ferrit, të enden e të përplasen të terrin e tyre, derisa të gjejnë sadopak paqe e qetësi, derisa gjuha gjarpërore (dikur e paguar aq lirë), të mbarojë helmin e vet, derisa puset e qelbit shpirtëror, të shterin, derisa kufomat e gjalla, të marrin më në fund fytyrën e njeriut.

Të gjithë e dimë fare mirë, se cilët janë ata. Dosjet s’janë thjesht ca letra të fëlliqura, të varrosura nëpër limere e katakombe.

Fatkeqësisht, janë krejt të gjalla, para syve tanë…

*Marrë nga Libri” Fytyrë e Dashurisë”.Botuar në gazetën “Rilindja Demokratike”, më 14 maj 1994.Falenderojmë shkrimtaren Eglantina Mandia që e dërgoi për gazetën DIELLI.

Filed Under: Politike Tagged With: Dosje e Hapur, Eglantina Mandia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT