Dr. Anida Kondakçiu, mjeke Anesteziste në Romë, Itali në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rrëfen më hollësisht rolin dhe punën e anestezistë-reanimatorëve në pacientët covid, stresin e shtuar që i shoqëroi kryesisht këta profesionistë shëndetësore gjatë pandemisë, përballjën dhe menaxhimin e fluksit të shtuar të pacientëve në nevojë për trajtim intensiv dhe situatën sot në Itali.
NDIKIMI I PANDEMISË NË PUNËN E ANESTEZISTËVE
Anestezisti është një nder punonjësit shëndetësor më të rrezikuar ndaj një ekspozimi të mundshëm ndaj virusit Sars-CoV2. Kjo, së pari, sepse anestezisti në punën e tij të përditshme kryen, duke qëndruar tek koka e pacientit, proçedura me rrezik të lartë të shpërndarjes së spërklave të sekrecioneve, sepse janë proçedura që kanë të bëjnë me manipulimin e menaxhimin e rrugëve dhe aparatit të frymëmarrjes që janë dhe “stacioni i pare” ku virusi hyn në trup, shumohet dhe vazhdon depërtimin drejt mushkërive. Për këtë arsye, gjatë kësaj pandemie, duke qënë se çdo pacient që mbërrinte në sallë operatore për operacion të programuar apo urgjent mund të ishte një mbartës i virusit, na u desh që përveç mbajtjes të mjeteve të mbrojtjes personale, të krijonim e vinim në praktikë protokolle të posaçme të punës gjatë anestezisë totale dhe të preferonim, aty ku ishte e mundur, zgjidhje të tjera anestesiologjike (të ndryshme nga anestezia totale), për t’ju shmangur një infektimi të mundshëm. Së dyti, anestezist-reanimatori është një nder figurat mjekësore më të përfshira gjatë kësaj pandemie, në trajtimin e pacientëve Covid në gjendje të rëndë me rrezik për jetën për shkak të vështirësisë në frymëmarrje, kur dhënia e oksigjenit me mjetet e zakonshme është e pamjaftueshme. Në një pjesë të këtyre rasteve anestezisti kryen intubimin e pacientit, pra vendosjen e një tubi plastik në trake duke qëndruar, gjatë kësaj proçedure, pranë rrugëve të frymëmarrjes e duke u ekspozuar ndaj një ngarkese të madhe virale. Gjatë valës së dytë të pandemisë (fund Tetori-Nëntor 2020), spitalet u “pushtuan” nga pacientë me vështirësi në frymëmarrje që u dynden drejt urgjencës dhe zunë me ritme të shpejta, brenda pak ditëve, rreth 70-80% të ambjenteve të urgjencës, të burimeve të oksigjenit, të aparateve të suportit të frymëmarrjes dhe duke ngushtuar hapësirën për të gjitha kategoritë e tjera të pacientëve. Të shumta kanë qënë thirrjet për ndërhyrjen e anestezist-reanimatorit në rastet e rënda Covid-19, ndaj puna e anestezistëve gjatë pandemisë është shumëfishuar. Për të përshpejtuar trasferimin e pacientëve, ne anestezistëve na është dashur të bëjmë edhe shoqërimin në ambulancë të pacientëve të intubuar prej spitalit tonë drejt spitaleve me terapi intensive Covid. Mund të themi që pandemia jo vetëm ka ndryshuar praktikat e punës së përditshme por na ka marrë dhe një pjesë të kohës së lirë për përditësimin e të dhënave të reja dhe studimit e skemave të trajtimit që kanë qënë në ndryshim të vazhdueshëm, për shkak të përballjes me një sëmundje të re e të panjohur.
STRESI I SHTUAR GJATË PANDEMISË KRYESISHT RAPORTUAR NGA ANESTEZISTËT
Anestezist-Reanimatori është mësuar të përballet në punën e përditshme me një ngarkesë të madhe stresi. Gjithsesi fillimin e pandemisë, pritjen e mbërritjes së “dallgës” së parë në Romë, e kemi përjetuar me një gjendje ankthi sepse lajmet prej Veriut të Italisë tregonin për gjendje të jashtëzakonshme që po përjetohej në urgjencat e spitaleve aty. Falë masave të marra nga qeveria italiane dhe “lockdown”-it kjo “valë e pare” në Romë mbërriti më e “zbutur” , numri i pacientëve dhe i rasteve të rënda ishin relativisht të ulëta krahasuar me gjendjen në Veri të Italisë. Kjo na ndihmoi të kishim një përballje graduale me këtë virus dhe sëmundjen që shkakton tek njeriu, Covid-19. “Dallga e dyte” në fund të Tetorit dhe gjatë Nëntorit na gjeti më të përgatitur e më të qetë nga ana psikologjike, gjithsesi kaloi çdo parashikim e pritshmëri. Ishte një prurje e madhe pacientësh, kryesisht të moshuar por nuk mungonin dhe moshat e mesme e të reja, që mbërrinin në urgjencë, për vështirësi në frymëmarrje e nevojë për një burim oksigjeni apo aparat ndihmues të frymëmarrjes. Shkaku kryesor i stresit gjatë kësaj vale ka qënë përballja me një ngarkesë të madhe e të vazhdueshme pune dhe pafuqia për të ofruar gjithë asistencën e nevojshme mjekësore e infermieristike edhe për shkak të mungesës së personelit të kualifikuar, që, për shkak të infektimit, vendosej në izolim. Strukturat shëndetësore të çdo niveli që papritur u gjendën përballë një emergjence shëndetësore në shkallë botërore, kanë përjetuar vështirësi të panumërta që nga sigurimi i maskave e mjeteve të gjera të mbrojtjes individuale deri në riorganizimin e të gjitha aktiviteteve spitalore, mbulimin me personel shëndetësor të të gjitha shërbimeve që liheshin zbuluar prej personelit të infektuar, krijimin e shpejtë brenda strukturës të ambjenteve të izoluara për pacientët Covid-19, krijimin e protokolleve të posaçme të zhvendosjes së pacienteve Covid-19 brenda struktures etj. Pra vetë struktura shëndetësore ka përjetuar nivel të lartë stresi. Në këto kushte, përpjekja për mirëmenaxhimin e stresit ka qënë më shumë individuale si postime këshilluese e udhëzues të OBSH që tërhiqnin vëmendjen për rëndesinë e kujdesit ndaj vetës e mënyren në përballjen me stresin gjatë pandemisë, kanë qënë një ndihmë e madhe. I tillë ka qënë edhe një udhëzues i publikuar në faqen zyrtare të OBSH-së, drejtuar figurave profesionale në vijen e parë të luftës Covid-19, por që do ti shërbente gjithkujt sepse të gjithë pa perjashtim kanë përjetuar stres e vështirësi gjatë kësaj pandemie. Për këtë arsye, me kolegë të ASMAI-it (Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali) e disa bashkëpuntorëve të tjerë vendosëm t’a sillnim këtë udhëzues në shqip. Shumë e rëndësishme për mua, për përballimin e stresit gjatë pandemisë, ka qënë shmangia e stresit të shkaktuar nga edicionet e shumta të lajmeve, nga politizimi i pandemisë, nga dalja në mediat televizive e rrjetet sociale të figurave jo profesionale, që shpesh, për të tërhequr më shumë audiencë, janë bërë burim keqinformimi për popullatën.
MENAXHIMI I FLUKSIT TË SHTUAR TË PACIENTËVE NË NEVOJË PËR TRAJTIM INTENSIV
Marrja e masave, që nga mbajtja e detyrueshme e maskave, respektimi i distancës fizike e sociale, mbyllja e shkollave, mbyllja e aktiviteteve të punes, kufizimi i lëvizjeve midis krahinave apo midis shteteve, deri tek “lock-down”, pra kufizimi i daljes nga banesa, ka ardhur për një arsye thelbësore: përhapja e këtij virusi ishte aq e shpejtë sa shkaktoi prekjen e njëkohshme të shumë personave dhe Sistemi i Shërbimit Shëndetësor e kishte të pamundur garantimin e kurave të nevojshme një numri kaq të madh pacientësh me Covid-19 që iu drejtuan spitaleve. Në vështirësi, deri në pamundësi të dhënies së të gjitha kurave të nevojshme të gjithë pacientëve, u gjenden të gjitha sistemet shëndetësore, përfshi dhe ato më të organizuarat e vendeve të zhvilluara në mbarë botën. Në pikun e valës së pandemisë, urgjencat e spitaleve kanë përjetuar skena të ngjashme me ato të një maxi-emergjence, që është një situatë kur numri i personave që do të kishin nevojë për kura, përfshi edhe kurat intensive në pacientë në rrezik për jetën, është aq i madh sa i tejkalon mundesitë e dhënies së ndihmës shëndetësore nga ana e strukturave të shërbimit shëndetësor brenda dhe jashtë spitalor. Në këto kushte emergjence me përmasa masive, bëhet e domosdoshme përzgjedhja e pacientëve dhe bëhet prioritare dhënia e kurave intensive (që kërkojnë vënien në dispozicion të më shumë materialeve dhe aparateve e më shumë kohë pune dhe mbingarkesë për personelin shëndetësor), në radhë të parë pacientëve në gjendje të rëndë, por që kanë më shumë shanse për të mbijetuar. Ka një grup pacientësh në gjendje të rëndë e të konsideruar me shumë pak shanse për të mbijetuar, për shkak të kombinimit të disa faktorëve: si format e rënda Covid-19 në pacientë me disa sëmundje të rënda shoqëruese si tumoret në fazën e fundit, pacientë me dëmtim të rëndë kronik të funksionit të zemrës apo mushkërive, në të cilët hapat e parë të kures kundrejt Covid-19 nuk kanë dhënë asnjë rezultat përmirësimi. Në këtë grup pacientësh ndërhyrja mjekësore është përpjekur të marrë formën e trajtimit paliativ të pacientit në ditët e fundit të jetës, trajtimi i dhimbjes, kufizimi i procedureve ku pacienti vuan, si p.sh. marrja e shpeshtë e gjakut arterioz apo venoz, dhe merr përparësi garantimi i një fundjete dinjitoze e pa vuajtje. A kemi qënë në gjendje të ofrojmë më të mirën për pacientët në këtë pandemi? E vërteta është se nuk kanë munguar momente kur të gjitha burimet e oksigjenit ishin të zëna, kur të gjithë aparatet e suportit të frymëmarrjes kanë qënë të zënë, kur aparatet elektorike të domosdoshme për dhenien e medikamenteve në mënyrë të vazhdueshme (pompat e injeksioneve) ishin të pamjaftueshme, kur numri i personelit shëndetësor të kualifikuar e me eksperience në urgjencë për shkak të infektimit me virusin Sars-CoV2 ishte i kufizuar dhe, të gjitha këto, kanë shkaktuar, në menyrë të paevitueshme, vonesa në kura, vonesa në fillimin e kurave intensive, uljen e cilësisë së asistencës sanitare, mbingarkesë fizike e psikologjike të personelit, që mund të përkthehet si përfundim në përjetim diskomforti nga ana e pacientëve e të personelit, në uljen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, në kufizimin e suksesit në rezultate dhe në uljen e numrin e jetëve që mund të ishin shpetuar. Ishte perjetimi brenda spitaleve i skenareve të tillë të pamundësisë së dhënies së të gjithë kurave të nevojshme pacientëve, që detyroi figurat profesionale të dilnin kudo në media e në rrjetet sociale me thirrje drejtuar popullit si :”Na ndihmoni!” “Mbrohuni!”, “Ju, që mund të zgjidhni, rrini në shtepi!”, “Vetëm me ndihmën tuaj, mund t’ia dalim!”
SITUATA NË ITALI DHE RAJONET ME TË KUQE
Italia sot jeton një gjendje të kontrolluar të pandemisë, numri i shtrimeve në spitale dhe në repartet e terapite intesive është në ulje graduale e megjithatë, si pasojë e dramës së përjetuar në fillim të pandemisë, çlirimi nga masat shtreënguese po bëhet me ritme të ngadalta. Italia përveç masave të detyrueshme në të gjthë territorin, ka zgjedhur menaxhimin nëpërmjet ndarjes së prefekturave në zona me ngjyra, aktualisht të kuqe, portokalli, të verdhë, në bazë të numrit të rasteve të reja të infektimit, numrit të shtrimeve në spitale e në repartet e terapisë intensive. “Ngjyrimi” i prefekturave, që është një proces në ndryshim të vazhdueshëm sipas shifrave që pasqyrojnë situatën e përhapjes së virusit, sjell shtim apo lirim të kufizimeve për banoret dhe për aktivitetet.
SHQIPTARËT NË QYTETIN E ROMËS
Shqiptarët, tashmë plotësisht të përshtatur me jetesën këtu në Itali, përjetojnë të njëjten situatë e të njëjtat probleme që përjeton sot gjithë populli italian. Me bashkëatdhetarët që njoh dhe takoj më shpesh këtu ku jetoj, na lidh sidomos profesioni. Me një pjesë të tyre, kemi mundur së fundmi të krijojmë Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë ASMAI këtu në Itali, që ndër arsyet e krijimit ka patur dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me mjekët në Shqipëri. Shqetësimi ynë kryesor ka qënë përballja e sistemit të brishtë shëndetësor në Shqipëri me këtë pandemi që gjunjëzoi sistemet shëndetësore disa herë më të forta kudo në botë. Kemi ndjekur me shumë vëmendje e interes punën e mjekëve në Shqipëri në luftën me Covid-19 dhe jemi përpjekur t’ju vijmë sadopak në ndihmë, para se gjithash nëpërmjet mirëkuptimit të vështirësive të tyre dhe nëpërmjet përcjelljes së informacioneve rreth menaxhimit dhe trajtimit të pacientëve Covid-19, nisur nga përvojat e mjekëve në Itali.
NDRYSHIMI I JETËS DHE SJELLJEVE TË NJERËZVE NGA COVID
Pandemia ka qënë sfide e madhe shoqërore dhe ekonomike për të gjithë. Ka prekur dy elementë të rëndësishëm të bashkëjetesës njerëzore: kontaktin fizik dhe komunikimin. Na ka ndarë fizikisht me të afërmit e miqtë, por na ka mbyllur dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Përjetimi i lajmeve të përditshme për jetët e humbura për shkak të Covid dhe frika për shëndetin dhe jetën tonë e të dashurve tanë na ka ndrydhur. Të moshuarit janë ndier më të vetmuar. Pandemia ka kushtëzuar të përditshmen tonë si në familje dhe në jetën shoqërore duke na kufizuar lirinë, qoftë dhe në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Mendoj se Covid-19, na ka bërë të kuptojmë cilat janë përparësitë në jetën tonë e na ka shtyrë drejt një riekuilibrimi të vlerave në jetën e secilit prej nesh.
MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA
Në pritje për tu vaksinuar, kujdesuni për mirëqënien tuaj. Pavarësisht kufizimeve, nuk mungojnë aktivitetet që ju mund të kryeni në kushtet e pandemisë. Shfrytëzoni këtë kohë të lirë që ju është mundësuar për shkak të Covid-19, për të qëndruar me familjen tuaj, në vende te hapura e në ajër të pastër. Jetë e shëndet për të gjithë ju!
KUSH ËSHTË DR. ANIDA KONDAKÇIU
Anida Kondakçiu është diplomuar në 2000 në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, pas një viti e gjysmë pune si mjeke familje, në 2002 shkon në Itali me një vizë studimi, për njohjen e diplomës në Fakultetin e Mjekësisë të Universitet “La Sapienza” në Romë. Diplomohet në Mjekësi në Tetor 2003. Kryen një master 1-vjeçar në Mjekësi Urgjence pranë Universitetit “La Sapienza” në Rome dhe disa kurse të ndërhyrjes së shpejtë mjekësore e fillon punon si mjeke jashtëspitalore, duke ofruar asistencë mjekësore kryesisht në aktivitete e gara sportive dhe në ambulancë. Specializohet në vitet 2011-2016 në degën “Anestezi, Reanimacion, Terapi Intensive e të Dhimbjes” pranë spitalit “Tor Vergata” në Romë e prej 2016 ushtron profesionin e anestezistes.