Dr. Eva Gavani, një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë ” Golden Pen” në SHBA/
Intervistë e Liliana Pere me Dr Eva Gavani/
Dr. Eva Gavani është një Kimiste e apasionuar, një Krijuese e talentuar, botuar në Antalogjinë “ Golden Pen” në SHBA.
Është shkrimtare, poete, e njohur në fushën e letrave dhe të medias. Por jo vetëm kaq, Gavani është krenare për profesionin e saj , aty ku ka edhe gradën Doktor i Shkencave në Kimi. Dhe për më shumë është modeli i gruas që çdo gjë në jetë e ka arritur vetë me forcë e dinjitet duke ja dalë edhe pse jeta ka qënë e ashpër me të shpesh herë. Ka lindur në qytetin e Vlorës, nuk harron ta përmënd vendlindjen e saj, megjithëse ka kohë të gjatë që jeton në Tiranë. Është diplomuar në Kimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Tiranë në vitin 1988, është nënë e dy fëmijëve dhe sot punon në Agjensinë Kombëtare dhe Pajisjeve Mjekësore në Tiranë. Autore e disa librave me poezi tregime e roman, autore e një sërë artikujsh shkencorë botuar brenda dhe jashtë vendit, vlerësuar si aktive në shumë organizime të grave, Gavani vazhdon të mbetet po aq kërkuese dhe kembëngulëse në gjërat që ajo i quan thelbësore. Një grua sa e fortë po aq edhe e brishtë ajo është një grua e emancipuar, emancipim, i cili duket edhe në këtë intervistë.
Intervista/
Së pari e nderuara Znj.Liliana më lejoni të shpreh mirënjohjen time për punën tuaj e për ju në veçanti. Kjo që ju bëni nuk është thjesht njohje me gra e vajza të suksesshme, por është një lëvizje emancipuese për gjithë shoqërinë shqiptare e cila ka aq shumë nevojë të promovojë vlera të vërteta, një nga ato jeni edhe ju vetë.
Pyetje: E dashur Eva kthehemi ne kohe dhe kujtojme pak , çfarë emocionesh do te provonit po të kujtonit qytetin e lindjes, dhe shume ngjarje që janë të lidhura me femijërine tuaj ?
Dr. Eva Gavani-Fëmijëria ime lidhet me qytetin tim të lindjes, Vlorën. Kam pasur fatin të hedh hapat e para në një qytet bujar e të harmonizuar me natyrën. Kjo ka lënë mbresa të forta në karakterin tim dhe në pasionin tim në fushën e letrave. Vlora është qyteti që më ka ngjizur frymëzimin e për këtë i përulem me dashuri. Aty kam fantazitë e mia, ëndërrat e dëshirat e mija femijërore në moshën parashkollore. Mbaj mënd që për këtë jam dalluar që në kopësht. Por krijimi im i pare, në mund ta quaj kështu, ka qënë një poezi e thurur me dashuri për mësuesen time. Ishte një detyrë klase e thurur në ato banka të drunjta të zeza ku fillimisht na dilnin vetëm kokat përsipër. Mësuesja jo vetëm e vlerësoi por më evidentoi dhe unë me krenarinë e një fëmije të stimuluar vazhdova të lexoja shumë, të mësoja shumë e kështu hap pas hapi krijova një bagazh të mirë, madje shumë të mirë për një fëmijë.
Pyetje- Cilat janë arritjet tuaja në këtë kohë?
Dr. Eva Gavani-Po, shumë shpejt emri im u bë i njohur në shkollë, e dalëngadalë me Shtëpitë e Pionerit që funksiononin shumë në atë kohë në qytet e më pas një çmim i parë i marrë në rang kombëtar në Radio Tirana më bëri të njohur në vitet e fëmijërisë sime. Unë kisha një bllok të kuq me fletë të bardha, pa vijëzime dhuratë nga vëllai im i ndjerë Iliri, që më thosh ti mblidhja të gjitha aty edhe ato vjersha që mund ti konsideroja jo të mira. Familja ime ka qënë redaksia ime e parë, e gjithë kjo më rriti fletë pas flete. Jo vetëm kaq po në atë kohë ne zhvillonim shumë konkurse midis shkollave brenda e jashtë qytetit e natyrisht bashkë me shokët e mi kishim krijuar një skuadër të mirë të shkollës “4 Heronjtë”, jo vetëm fitonim në letërsi por edhe në shkenca të tjera.
Më pas kujtoj vitet e bukura të gjimnazit “Ali Demi”. Kemi pasur një mësuese poete, Maro Pasho e cila stimuloi shumë rritjen time poetike. E kujtoj me respekt faktin që ka qënë një grua ajo që vazhdoi, veç familjes, stimulin dhe evidentimin tim. Në vit të dytë të gjimnazit përsëri marr një vend të parë e më dedikohet një program në RTSH. Këto arritje më rritën dëshirën dhe ushqyen pasionin tim. Në moshën 17 vjeçare unë nisa punën si korespondente vullnetare në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”. U dallova dhe u vlerësova, me fleta lavdërimi, si quheshin atëhere, për reportazhe dhe portrete të njerëzve të thjeshtë punëtorë. Këtë periudhë e kujtoj vërtet si sukses, pavarësisht lodhjes pasi duhej të shkoja në vëndet e tyre të punës e kjo krahas mësimeve të cilat duhej ti bëja mirë për të përmbushur pretendimet e mia. Më vleu pra kjo periudhë, unë po merresha me diçka që më lidhi me më shumë njerëz të moshave e profesionve të ndryshme, si natyrë sociale kjo më jepte gëzim të veçantë pasi kisha edhe një të ardhur timen, “honorar”, me të cilën mund ti bëja ndonjë dhuratë familjarëve. Në maturë kam qënë e vetmja pjesmarrëse vajzë shkolle në një kongres të grave dhe vajzave krijuese në rang kombëtar të zhvilluar në Tiranë me iniciativën, mbaj mënd të Vito Kapos. E përmënd se kjo më vleu më pas në luftën time për të marrë një të drejtë studimi, natyrisht sepse dëshira ime për shkollë ishte e madhe.
Pyetje-Cili është Diplomimi juaj?
Dr. Eva Gavani-Eh… , është një kapërcim mbase nga pasioni për letërsinë në atë të shkencave ekzakte. Unë jam diplomuar për Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë. Nuk ishte e lehtë për mua të zgjidhja degën që doja. Kjo edhe për faktin se në familjen time ishin të gjithë me shkollë të lartë e natyrisht politika e atëhershme nuk e lejonte këtë , duhej shpërndarë e drejta e studimit në çdo familje. Pra e kish më thjeshtë dikush që kish një mesatare e kritere më pak të plotësuara arsimore në krahasim me mua vetëm të ishte i pari fëmijë i familjes. Po unë u mësova të këmbëngulja, atë që doja e doja me gjithë mundimet që mund të pasonin. Nuk pranova shkollime alternative, duhej të vazhdoja shkollën ashtu si vëllai im ekonomist e motra ime pianiste. Për herë të parë po deklaroj se më është dashur të rend dyerve të ministrisë në Tiranë, madje kam trokitur edhe në derën e shtëpisë së ministres së atëhershme të arsimit e cila po nisej për pushime dhe dha një rekomandim në qytetin tim që te shihesha me preçedencë. Kështu me luftë me shumë drithërima e ankthe nisi beteja ime për shkollën. Kimi ishte zgjedhja e listave në bazë të mesatares time të lartë e unë nisa studimin në Fakultetin e akullt të Shkencave të Natyrës pa e ditur që vite më vonë kimia do të ishte pasioni im i dytë dhe profesioni që do të më krijonte të ardhurat bazë për të mbajtur familjen. Gjatë viteve të shkollës së lartë letërsia ishte brenda meje, brenda bllokut të kuq që e mbaja me vete në pritje të shtonte faqet.Vjershat e atëhershme ishin si formula e kjo ndërthurje po krijonte një dimension tjetër tek unë, ndjeja që vargu po rritej e po bëhej më konçiz, kimia nuk më lejonte më të shkruaja gjatë.
Pyetje- Cila eshte familja juaj ?
Dr. Eva Gavani-Unë tani jam kryefamiljare dhe ndjej peshën e përgjegjësinë absolute të familjes për formimin e mirëedukimin e brezave. Them e brezave se pyetja juaj më çoi direkt në gjirin e familjes ku jam rritur, e meqënëse ne e dimë që nëna është kyçi i rritjes së fëmijëve, më erdhi menjëherë në mend gjyshja ime e natyrisht nëna ime e mirë. U detyrohem shumë mirësisë e përkushtimit të tyre. Gjyshja ka transmetuar te nëna ime vlera e ajo i ka përçuar tek unë në formë më të përsosur. Nëna ime në veçanti ka qënë një grua shumë elegante në pamje e sjellje. E mirë dhe e dashur ashtu si të gjitha nënat ka induktuar tek ne dashurinë për librin dhe njerëzit. Unë kam patur fatin të kem prindër intelektualë të rritur në dy familje me qytetari në dy treva të ndryshme, siç janë jugu e Shqipëria e mesme. Nëna ime diti ti ndërthurë kaq mirë tek ne të dy kulturat, sa unë vazhdoj të them që kam qënë me fat. Edhe pse nuk është në këtë jetë më ajo vazhdon të jetë udhërrëfyesja ime, madje mund të them që ka qënë forca e saj që unë them sot që besoj në forcën e grave.
Pyetje-Ju edhe vetë jeni një grua intelektuale e fortë dhe e emancipuar, madje keni vlera të evidentuara familjare. A mund të na thoni sa do pak, si ka qënë kjo rrugë për ju?
Dr. Eva Gavani-Sa për familjen time mund të them që është krenaria më e madhe e jetës time. Familja ime, ajo që unë kam krijuar ka një pasqyrë të kristaltë, fëmijët e mi, Ejona dhe Ardit Gavani janë motive i madh i ditënetëve të mia. Ata janë siç e kam thënë edhe herë të tjera kryevepra e veprave të mia. Falenderoj Zotin në çdo moment për këtë dhuratë.
Nuk ka qënë e lehtë kjo për mua natyrisht. Kam qënë timonierja e familjes sime në moshë të konsideruar ende të re. E kjo pjesë e jetës përbën emancipimin tim të vërtetë, një betejë për të mbajtur familjen në parametra të mirë ekonomikë, një menaxhim i mirë i kohës për të qënë dy herë prind i fëmijëve të mi. Kam punuar në profesionin tim edhe pasdite, kam botuar libra, kam hartuar tekste, reklama etj që fëmijëve mos tu mongonte asgjë nga mirërritja jo vetëm në ushqim, por edhe në pregatitjen e tyre për jetën, vrapoj apas tyre në kurse gjuhësh të huaja, kurse sportive, argëtime, pushime, lojra etj. Sot ndihem e qetë që u kam dhënë një fëmijëri të pasur me gjithë mungesën që të krijon njëri prind. Ndihem krenare që ata sot janë plot dinjitet, të shkolluar mirë, të zotët e vetes, të qytetëruar e edukuar mirë, me një karakter e personalitet të spikatur e për më tepër të vetëdijshëm që çdo gjë e mirë në jetë nuk të vjen gati, apo të bjerë nga qielli, por fitohet me punë. Them se u kam dhënë modelin më të mirë të nënës dinjitoze. Por kam pasur edhe një betejë tjetër për tu përballur , mbase më të vështirën për një femër. Betejën me mantalitetin shoqëror. Kjo përbën suksesin tim të vërtetë, sfidën e mbijetesës. Të bësh emër të mirë në një shoqëri paragjykuese është një proces i gjatë, i përditshëm dhe i hasur kudo qoftë edhe në profesion. Kam mbajtur gjithmonë një qëndrim atë që të dikton qytetaria, geni fisnik e kurajoja për të luftuar me dinjitet, edhe duke u lënduar herë pas here fort, por nuk kam rënë asnjëherë pre e presioneve për të më bërë të dorëzohem… Gruaja është sa e brishtë aq edhe kurajoze, unë besoj në forcën e gruas.
Pyetje-Kush është eshte qyteti juaj, qyteti ku ju jeni rritur dhe ku vazhdoni të jetoni. Në këtë intervistë cili do të ishte komenti juaj për qytetin tuaj, këtë herë nga kënvështrimi dhe i një inteletualeje të mirfilltë, sikundër jeni ju ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen kjo pyetje: qyteti juaj. Unë kam dy qytete. Vlora është qyteti ku hodha bazat e karrierës letrare , Vlora për mua është “ një dallgë që shkon e vjen” sikundër them në një vargun tim, është qyteti i mallit dhe identitetit tim, kurse Tirana është qyteti i jetës time. Është qyteti im në shkollim, në karrierën akademike dhe profesionale por edhe letrare, qyteti i jetës time në tërësi, vendlindja e fëmijëve të mi. E dua Tiranën, nuk jetoj dot shumë kohë larg saj, Tirana është rritur hap pas hapi dhe unë kam ndjerë dhe ndjekur po kështu lëvizjen e saj në kohëra të ndryshme të qetësisë dhe trazimit.
Pyetje-Dhe sot si ndiheni në profesionin tuaj, a e do dhe investon Eva intelektualisht për profesionin e vet, cilat kanë qënë disa nga vlersimet që keni ndjerë në karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Unë duhet të theksoj shumë sinqerisht se të jesh e vlerësuar jashtë strukturave partiake , pra të jesh e vlerësuar profesionalisht për meritokraci tek ne, është një “mision i pamundur”, është e vështirë. Meritat e profesionit ndihen në atë, që ky profesion të siguron një vënd pune ku mund të nxjerrësh bukën me dinjitet. Për kaq ndihem vërtet e vlerësuar dhe këtë ja kam për nder vetëm Evës. Unë e dua profesionin tim, kam një emër të mirë në profesion dhe di të them që punën time e bëj me ndershmëri dhe përkushtim. Vlerësimin më të madh e kam marrë nga studentët e mi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ata janë miq të mirë , ata nuk japin dekorata por falenderime zemre e kjo vazhdon të ndodhë e kjo më ripërtërin. Fakulteti që dikur e quajta të akullt u bë frymëzim për pasionin tim të dytë ,kiminë. Po këtu unë ndoqa kualifikimin tim të mëtejshëm për Master Shkencor dhe më pas titullin Doktor Shkencash. Kam pasur fatin e madh gjatë viteve të diplomimit të kem një kastë të shkëlqyer mësimdhënësish e më pas të kem në krah pedagoge shumë të mira. Unë besoj në forcën e grave e në këto kualifikime kam pasur pedagoge gra që kanë ndjekur studimin e temës që mbrojtëm. Ishte një studim që kryhej për herë të parë tek ne dhe u desh shumë vëmëndje, por ambicja për ta çuar deri në fund në kohë madje, më bëri të mos kem gjumë. Tani them se ja vlejti, pavarësisht se këtu tek ne vlerësimi shtetëror për punën tani për tani s’është në nivelin e duhur.
Pyetje- A jeni larguar ndonjehere nga Shqiperia ? Aresyet tuaja, dhe si vazhdon komunikimi mekomunitetin e grave ne pune dhe ne angazhimet e tjera sociale?
Dr. Eva Gavani-Jam larguar për periudha të shkurtra nga Shqipëria. Unë vazhdoj të kontribuoj me punën time modeste në Shqipëri me dëshirën që secili nga ne që ka diçka për të dhënë, të vazhdoj ta bëjë me besimin se të gjithë së bashku diçka do bëjmë për më mirë.
Pyetje-Ju jeni nje kimise e aftë profesionalisht , me ambicie te forta per te ecur perpara, krahas profesionit ju jeni dhe nje krijuese e mirë , a ndiheni e plotesuar ëe rrafshin professional ?Jeni e kenaqur me karrierën tuaj profesionale ?
Dr. Eva Gavani-Mund të them që se kam pasur të lehtë. Kam luftuar e punuar fort për të qënë sot kjo që jam në profesion. Na duhet ta pranojmë se për gratë është e vështirë të ngjisin karrierën pa ndjerë xhelozinë qoftë edhe brenda llojit. Inferioriteti dhe paaftësia më janë kundërvënë në rrugën time profesionale e kjo më ka marrë, për hir të së vërtetës, shumë energji, Është si një magnet që të tërheq në një fushë boshe e të thith energji positive. Unë e thashë që po të mos jesh e partirizuar apo mike e atij/asaj nuk mund të marrësh poste e vënde që “de facto” ti caktojnë kolegët me konsultën e vazhdueshme që kërkojnë nga ty. E nisur nga kjo them se ndihem mirë.
Në planin e botimeve vlerësimi vjen së pari nga lexuesit, nga mënyra se si e komentojnë prurjen tënde, vargje që mbahen mënd e recitohen japin për krijuesin një sodifaksion të bukur. Nga libri im i parë “Kam mall” e deri tek romani “Tundimet e një nate me hënë” kam ndjerë rritje brenda vetes, por edhe rritjen e audicionit, edhe rritjen e zhanrit edhe përsosjen e vargut. Jam ndjerë e vlerësuar mes krijuesish në mënyrë të veçantë për lirikat poetike ku me kanë vlerësuar me një çmim të parë në një ditë Shën Valentini. Promovimet e librave të mi të organizuara më së shumti nga Shtëpia ime Botuese, (drejtore e së cilës është përsëri një grua ), apo nga dashamirës arti kanë qënë vlerësimi më i madh për mua. Nje sukses dhe vleresim i madh per mua ka qene se jam botuar ne Antalogjine” Golden pen” në Amerike me autore të huaj.
Pyetje- Cili është libri më i dashur dhe i preferuar për ju dhe sa libra numëroni në poezi , tregime, cilët janë tituj e librave që keni botuar?
Dr. Eva Gavani-Unë kam një numër të numërueshëm titujsh , kam botuar 8 libra me poezi, tregime të shkurtra dhe një roman. Veçantia ëshstë se kam pasur një jetë intensive dhe koha nuk ka mjaftuar të rris numrin e tyre. Por kam edhe një mendim timin lidhur me numrin e titujve, nuk më pëlqejnë titujt e rritur artificialisht, kjo do të thotë që unë nuk shkruaj dot e pa frymëzuar. Ajo që mua më frymëzon është vetë jeta me truket e saj. Shumë ngjarje që për sytë e gjithkujt janë të thjeshta unë i bie në letërsi në formë të një realiteti ndryshe, kjo mendoj përbën individualitetin tim. Libri më i dashur për mua? Më duket se i dua të gjithë njëlloj, “Kam mall” mban brenda kujtimin e vëllait tim, “Jam Eva” ka lirika shumë të bukura , “Të lëmë një emër” ka poezi të ndjera , “Një orë nën qiri” një libër i pari me tregime të shkurtëra që të befason për nga mënyra se si zgjidhen situatat, “ (f)Shihemi në ëndërr” ndër librat më të shitur me poezi ka brenda edhe poezinë më të dashur për mua kushtuar nënës time, Lumturisë, kam bërë një paralelizëm me emrin e saj në këtë poezi. “Brenda Brengës” është libri që ka furtunën brenda, “Amina” është një libër shumë i bukur me tregime të shkurtëra mbi filozofinë e jetës dhe së fundi romani “Tundimet e një nate me hënë” që është një demaskim i korrupsionit në drejtësi shëndetësi e deformimit social, tema këto që mbeten aktuale.
Pyetje-Cilesitë si modestia , humanizmi dhe disa nga vetitë tuaja, sa të çmuara janë për ju ?
Dr. Eva Gavani-Të flasësh për veten e vlerat e tua është ca e vështirë duke ditur që modestia është vlerë qytetarie. Por ajo që vlerësoj e më bën krenare është motivi që unë kam në jetë : çdo gjë dua ta arrij me punë të ndershme e dinjitet, me forcat e mia, të marr mësimet e duhura nga e djeshmja, të sistemoj çdo gjë në kohën e duhur në mënyrë që e sotmja ti përkasë të nesërmes. Kjo ka bukurinë e saj pavarësisht se mund të mos jetë më e mira e mundshme. Vlerësoj shumë shpirtin human e natyrën sociale, tani kam arritur në përfundimin se jeta ka një cikël të rikthyeshëm të vlerësimit shoqëror.
Pyetje-Sa e organizuar eshte Eva ….në jetë? Dhe çfarë përçmon më shumë ?
Dr. Eva Gavani-Më pëlqen të jetoj me ritëm ritmi e ka të përfshirë organizimin. Jeta është e bukur kur e shikon bukur. Kjo do të thotë që në se di të zgjedhësh në larminë që ajo të ofron, njerëzit e duhur, situatat e gjithçka të mirë që të përshtatet jeta bëhet më e thjeshtë. Situatat , por edhe njerëzit jo gjithmonë varen nga ne , unë e kam fjalën për drejtimin apo për timonin e jetës që duhet të jetë i palëkundur. Në rastet kur na dalin përpara fenomene si mosmrënjohja, zilia, cmira, harbutëria etj etj nuk ke si të mos reagosh me përçmim. Mua më është dashur të ndeshem në këtë përballje pa u dorëzuar me argumentin se po t’ua lëmë shoqërinë njerëzve të tillë, do humbasim shumë.
Pyetje-Cili është raporti që ju keni me veten , profesionin dhe komunitetin e gruas qe te rrethon?
Dr. Eva Gavani-Shpesh herë them se “duhet bërë më mirë” e ky nuk është ndër raportet më të mira që mund të kesh me veten, pra veten e gjykoj sa shpesh më duket se i hyj në hak. Por në planin e përgjithshëm e respektoj shumë veten e për këtë ndihem mirë. Miqtë e mi të ngushtë e dinë që unë që në rini kam pasur shprehjen standart “e dua shumë Evën”. Unë vlerësoj shumë punën e shoqatave në ndihmë të grave, punën individuale të grave në ndihmë të familjes por edhe në ndihmë të njëra tjetrës. Ky është raporti më i mirë njerëzor secili të japë më të mirën nga vetja në ndihmë të edukimit qytetar e njerëzor.
Besoj nga kjo fillon edhe emancipimi i femrës, të duash e vlerësosh veten do të thotë të kërkosh edhe raporte të drejta në shoqëri. Të luftosh për arritjet e tua e të gjesh rrugët e drejta të arritjes së saj është në një farë mënyre edukim i shoqërisë në tërësi që ti japi femrës atë që i takon. Thuhet shpesh se një shoqëri është aq e emancipuar sa të emancipuar ka femrat. Unë besoj se shoqërisë shqiptare i mungon ende respekti për femrat të cilat në vetvete kanë ecur shumë e janë një hap para ( për të mos thënë më shumë) se vetë politika që ndiqet për to. Besoj që ka ardhur koha e rivlerësimit të figurës së femrës dinjitoze e unë personalisht ju falenderoj ju për këtë punë të palodhur, duket sikur do të jeni ju oguri i këtij rivlerësimi. Shoqëria jonë ka nevojë ta ridimensionojë femrën dhee figurën e vërtetë të saj , ka nevojë të njohë atë që qëndron përtej servilizmave konjukturalë për të fituar një pozicion karrikeje të lëkundshme për nga pandershmëria.
Dr. Eva Gavani-Unë ju falenderoj sërish që më dhatë mundësinë të shprehem për figurën më të dashur në botë ,për nënat, gratë e vajzat tona !
– Faleminderit ju e dashur Eva ,gruaja e suksesshme, kimistjae aftë brilante, krijuesja e talentuar dhe nje aktiviste e shkëlqyer e gruas shqiptare. Suksese nga zemra