• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gezim Alpion- “Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”

August 12, 2020 by dgreca

NJË VËSHTRIM I VEPRËS MË TË FUNDIT TË GËZIM ALPIONIT PËR SHQIPTAREN MË TË FAMSHME NË BOTË-

Shkruan:  Dr Ridvan Peshkopia-*

Miku dhe bashkatdhetari im studiues Gëzim Alpion, i cili ligjëron në Universitetin e Birmingham-it, i ka përkushtuar një copë të madhe të karrierës së tij akademike hetimit, ndriçimit dhe shkolitjes së personalitetit jashtëzakonisht kompleks të Gonxhe Agnes Bojaxhiut. Bota e njeh atë më mirë si Nëna Terezë.

Unë e konsideroj këtë përkushtim të Alpionit një sakrificë në vetvete (unë vetë nuk kam mundur t’i përkushtohem një teme të vetme hulumtuese), por kjo sakrificë është shpaguar. Ai konsiderohet sot si “autori më serioz në gjuhën angleze” për Nënën Terezë dhe “themeluesi i fushës studimore për Nënën Terezë.” Ai është mbase autori më i mirë në botë në lidhje me Bojaxhiun dhe studimi i mëtejshëm i saj nuk mund të kryhet pa iu referuar gjerësisht punës së Alpionit.

Libri i tij i ri, Nëna Terezë: Shenjtorja dhe Kombi i Saj, u hodh në qarkullim nga shtëpia botuese Bloomsbury Academic Publishing më 31 korrik. Në disa vende, libri do të dalë në qarkullim më 6 gusht dhe 15 shtator.

Përpara se t’i kthehem punës së tij, një shënim i shkurtër për vetë Nënën Terezë. Unë vetë e kam takuar Nënën Terezë dy herë, përzemërsisht, shpenguar dhe pa më lënë ndonjë përshtypje afatgjatë. Unë nuk jam mes atyre që e adhurojnë Nënën Terezë e as mes atyre që i ngrenë monumente asaj pasi i kanë mohuar për dekada bashkimin familjar me një nënë të sëmurë e cila jetonte e izoluar bashkë me të bijën, motrën e Nënës Terezë; dhe as jam unë ndonjë nga ata që e mallkojnë atë si të pafe dhe satanike.

Unë kam lexuar kritika të besueshme kundër saj nga mjekë indianë dhe intelektualë botërorë, por po ashtu prirem të pranoj se vullneti i saj i fuqishëm njerëzor ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit nga bota perëndimore të varfërisë në Botën e Tretë, transformoi konceptin e bamirësisë dhe ndihmoi formësimin një këndvështrimi të institucioneve fetare në shekullin e 20-të si organizata të punës sociale. 

Nëna Terezë çau rrugën drejt një transformimi të madh në marrëdhëniet ndërklasore dhe, duke humanizuar të skamurin, u ofroi një mundësi të kamurve të gjejnë humanizmin e tyre. Kjo ishte një arritje revolucionare në vetvete.

Në librin e tij më të fundit, argumenti kryesor teorik i Alpionit është se një personalitet i përmasave dhe ndikimit botëror si Nëna Terezë nuk vjen rastësisht.

Për të dhënë një portret të plotë të kësaj figure ndikimplotë, libri i qaset Nënës Terezë në rrethanat e saj familjare dhe mjedisin e saj etnik, kulturor dhe shpirtëror. Autori eksploron jetën dhe veprën e saj nën dritën e informacionit të zbuluar rishtas për familjen e saj, traditën shpirtërore shqiptare përpara dhe pas hyrjes së krishtërimit si dhe ndikimin e Vatikanit dhe fuqive të tjera mbi popullin e saj qysh nga mesjeta e hershme.

Duke u përqëndruar në traumat e saj, vuajtjet dhe arritjet si individ por edhe si misionare, si dhe në spiritualitetin e saj kompleks, Alpioni argumenton se jeta e Nënës Terezë dhe historia e kombit të saj, veçanërisht marrëdhënia e popullit të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura. Shkolitja e kësaj ndërlidhje është thelbësore në kuptimin e asaj se si kjo ikonë bashkëkohore shpirtërore dhe humanitare u bë mishërimi i ADN-së kulturore dhe shpirtërore të kombit të saj.

Në këtë vepër Alpioni përqëndrohet në traditën shpirtërore iliro-shqiptare përpara dhe pas futjes së feve monoteiste. Ai ofron informacion mbi rolin kyç dhe të pakrahasueshëm që luajtën ilirët në krijimin e një strehe për krishtërimin në Evropë më shumë se tre breza para se sa vetë romakët të konvertoheshin zyrtarisht në të. Alpioni thekson traditën apostolike ilire për të treguar se, në këtë drejtim, shqiptarët ishin përpara gjithkujt tjetër në Evropë. Për më tepër, libri argumenton se mikpritja që ilirët e lashtë i dhanë kësaj feje ishte një pasqyrim i homogjenitetit të kësaj “race të përbërë.”

Po ashtu, ky përqafim i hershëm i krishtërimit, asokohe feja e skllevërve, të varfërve dhe të shtypurve, ka domethënie të madhe si për statusin e ilirëve në Perandorinë Romake, ashtu edhe për ndjenjat e tyre ndaj Romës së asaj kohe. Kësisoj, Alpioni argumenton se marrja e fesë së krishtere nuk ndodhi as për të mbushur ndonjë zbrazëti shpirtërore dhe as si përpjekje për të fituar një identitet kombëtar të ri.

Për Alpionin, shqiptarët janë përbrendshmërisht pragmatistë. Pragmatizmi i tyre, i cili shfaqet veçanërisht në zgjedhjet e tyre shpirtërore dhe fetare, ilustron mbi të gjitha karakteristikën më të spikatur të këtij populli. Shqiptarët nuk e kanë vendosur kurrë fenë në qendër të identitetit të tyre; asnjë fe nuk ka qenë për ta raison d’être apo shenjuesja kryesore e identitetit të tyre kombëtar.

Përkundrazi, duke ndjekur analizën e Alpionit, duket e arsyeshme të argumentosh se krishtërimi i hershëm, më shumë se sa një burim identiteti kombëtar dhe/ose spiritualizëm individual, thjesht u dha shqiptarëve një ideologji çlirimtare.

Vëmendja që Alpioni i kushton në këtë libër trashëgimisë së lashtë krishtere të kombit shqiptar nuk ka aspak të bëjë me pikëpamjen e disave — si të huaj ashtu edhe shqiptarë — se kjo fe është feja “e vërtetë” e këtij populli.

Ndryshe nga krishtërimi, islami pati qenë sjellë në Shqipëri nga pushtuesit osmanë. Megjithatë, kjo fe nuk duhet parë si mbivendosje në identitetin dhe trashëgiminë shqiptare dhe mbi këtë bazë të hiqet qafe. Ashtu sikundër krishtërimi, edhe islami përbën një element të identitetit shqiptar.

Alpioni argumenton se shqiptarët kanë përfituar shpirtërisht nga të dyja këto fe. Ato ilustrojnë aftësinë mbresëlënëse të këtij populli për të marrë, përqafuar dhe praktikuar fe të reja me lirshmërinë inovative që karakterizon veçanërisht popujt e vjetër me filozofi kulturore të sofistikuara, duke mos lejuar asnjë fanatizëm të kontrollojë plotësisht jetët e tyre.

Kjo shpegon pse, për shqiptarët, identiteti kombëtar është një nocion që përfshin tejetej ekzistencën e tyre para- dhe pasmonoteiste. Unë mendoj se ky është një argument elegant, i cili ndihmon në të kuptuarit edhe qëndrimin unik të shqiptarëve ndaj fesë dhe tolerancën mbresëlënëse ndërfetare mes tyre.

Alpioni po ashtu tregon se lidhja e matur dhe skepticizmi i shqiptarëve ndaj feve janë rezultat i përvojave të tyre të dhimbshme me fetë dhe institucionet fetare.

Për arsye të parashtuara tejetej në libër, përfshirja e Vatikanit në zvogëlimin e arkdioqezave katolike të Dardanisë, Ohrit, Tivarit dhe Shkupit dhe në rrudhjen e komunitetit katolik të origjinës së Nënës Terezë në Shkup, tregon se kjo organizatë, së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, ka luajtur një rol në sabotimin e krishtërimit mes shqiptarëve dhe, si rezultat, ka kontribuar në sllavizimin e tyre.

Shqiptarët ortodoksë, nga ana e tyre, po ashtu prej shekujsh kanë qenë nën presionin e Patriarkanës Ekumenike Ortodokse dhe Kishës Ortodokse Greke dhe përpjekjet e tyre për helenizimin e këtyre shqiptarëve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Po aq e dhimbshme ka qenë dhe mbetet përvoja e shqiptarëve muslimanë. Kërcënimi osman ndaj identitetit dhe kohezionit kombëtar është rishtuar tani me përpjekje të pareshtura dhe fonde të pamata nga Turqia për të turqizuar muslimanët shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

Ngjashmërisht me punët e tij të mëherëshme, në këtë libër të ri Alpioni zbaton një perspektivë sociologjike për të sëndërtuar dhe testuar arguementet e tij teorike. Në monografinë e tij Nëna Terezë: Shenjtore apo e Famshme? botuar në 2007 nga shtëpia botuese Routledge dhe në një artikull të vitit 2019 për arsyet e mungesës së personaliteteve fetare në fushën e studimit të njerëzve të famshëm, Alpioni ka nënvizuar nevojën për një perspektivë sociologjike në trajtimin e çështjeve/temave dhe personaliteteve fetare, në vend që ato t’u lihen përjashtimisht teologjisë dhe hajografisë.

Në këtë libër të ri, Alpioni thekson domethënien e përdorimit të përfytyrimit sociologjik në studimin e ndërveprimit të individit dhe shoqërisë, ndërthurjen e biografisë dhe historisë, si edhe transformimin e “problemeve personale” në “çështje publike.”

Me argumentin e tij kompleks, ky studim e përballi Alpionin me disa sfida serioze epistemologjike dhe metodologjike. Teksa mbetet thelbësisht një studim sociologjik, ashtu sikundër edhe në ndërmarrjet e tij të tjera hulumtuese, përveçse si sociolog, në këtë monografi Alpioni vepron në mënyrë të ndërsjelltë edhe si teolog, historian, antropolog, psikolog, shkencëtar politik, ekspert i studimeve kulturore dhe analist i medias.

Për të kryer punën e tij në terren, Alpioni udhëtoi në një numër vendesh (Indi, Australi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Itali) për të takuar të afërm të Nënës Terezë, kolegë si edhe vullnetarë që kanë ndihmuar në organizatën e saj.

Ai po ashtu ka përdorur gjerësisht Arkivin Kombëtar Shqiptar në Tiranë, Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Arkivin e Arkdioqezës Katolike Tiranë-Durrës. Po ashtu, Alpioni ka pasur qasje në dokumentacionin dhe letrat private të Nënës Terezë të ruajtura në një numër arkivash personale dhe të papërdorura më parë në studimet për Nënën Terezë.

Unë kam qenë kurdoherë i magjepsur me punën e Alpionit rreth Nënës Terezë, sepse ai kurdoherë ka mbajtur distancë emocionale dhe shpirtërore nga subjekti i studimit të tij, duke e bërë atë domosdoshmërisht dhe arsyetueshmërisht objektiv në studimin e temës së vështirë të personalitetit dhe spiritualitetit të Nënës Terezë.

Në këtë libër të ri, Alpioni kombinon këndshëm ekspetizën e tij në sociologjinë e fesë, nacionalizmin, famën, racën, median, filmin dhe një stil letrar të pashoq.

Një nga temat më magjepsëse që Alpioni ka hulumtuar te Nëna Terezë është errësira e shpirtit. Nga bisedat e mija të gjata virtuale me të (dhe ndonjëherë në takime dhe diskutime shoqëruar me kafe), kam kuptuar se errësira e shpirtit e Nënës Terezë (të cilën ajo e pranon në disa nga letrat e saj), ka frymëzuar tek Alpioni një opus të ri kërkimor.

Në botimet e tij më të fundit, Alpioni merret me koncepte të tilla ekzotike dhe ezoterike si karizma e parë nga një perspektivë sociologjike dhe e perspektivës së teologjisë publike, retorika populiste e Enoch Powell-it dhe arsyeja e mungesës së ikonave bashkëkohore shpirtërore në studimet e njerëzve të famshëm.

Përgjatë vijave të tilla të mendimit, Alpioni po zhvillon tani idenë e “kapitalit të famës” si një ndryshore në kontekste si brenda vendeve, ashtu edhe ato ndërkombëtare, ku ai depërton brenda dukurisë së “Natës së Errët të Shpirtit” nga një perspektivë sociologjike dhe eksploron rolin e fesë në fabrikimin e identitetit kombëtar.

 Libri i tij më i fundit është një kulminim e këtyre përpjekjeve.

*PËR AUTORIN E SHKRIMIT

Professor Ridvan Peshkopia është lektor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Kosovë. Ai e ka marë doktoraturën e tij në Shkenca Politike nga University of Kentucky dhe ka qenë për një vit akademik studiues postdoktoral në George Washington University. Fushat e tij të kërkimit mbulojnë modelimin matematikor dhe statistikor për shkenca politike, sjellje politike, teori politike, studime migracioni, studime të paqes dhe studime filmike. Ai ndan kohën mes Gjakovës dhe Tiranës.

Doni ta keni ne blilioteken Tuaj?-Shkoni tek ky Link: https://www.bloomsbury.com/uk/mother-teresa-9789389165050/

Filed Under: Featured Tagged With: and Her Nataion, dr. gezim Alpion, Dr. Ridvan Peshkepia, Mother Teresa

Referendumi britanik dhe mëkatet e demokracisë

June 26, 2016 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Universiteti i Birminghamit/

Referendumi i 23 qershorit nuk duhej të kishte ndodhur. Meqë ndodhi, ai duhej të ishte marrë më seriozisht si nga votuesit ashtu edhe nga politikanët. Dhe kjo për disa arsyje. Në Mbretërinë e Bashkuar, me një parlament që në historinë e tij një mijë vjeçare, parësore mbetet mbrojtja e interesave të kombit, një vendim kaq i rëndësishëm si qëndrimi në apo dalja nga Bashkimi Evropian nuk duhej të lihej në duart e demos-it. Ky nuk është përçmim i elektoratit por një konkluzion që mund të nxirret lehtë nga konstatime gjatë dhe pas referendumit.

Vota është njëkohësisht një e drejtë dhe përgjegjësi demokratike. Në këtë referendum një pjesë e mirë e elektoratit britanik u tregua i papërgjegjshëm. Dihet që një numër qytetarësh britanikë, veçanërisht në Angli, kanë iluzione se ky vend është akoma perandori. Nuk po ndalem këtu në aspekte të ndryshme të nacionalizmit britanik, veçanërisht atij anglez, pasi kjo është një çështje që e kam trajtuar në disa studime rreth ligjërimit populist të Enoch Powell, si dhe retorikën ‘neo-raciste’ që filloi në vitet 1980-të.

Për momentin, vlen të përmendim se ata që nuk shkëputen dot nga mendësia imperiale, nuk e kuptojnë që në një botë globale sovraniteti i plotë kombëtar është një ëndër utopike që rezulton në vetë-izolim. Kjo pjesë ‘nacionaliste’ e elektoratit u mashtrua nga politikanë të papërgjegjshëm si Michael Gove dhe Boris Johnson si dhe nga Nagel Farage, një sharlatan me mbiemër francez dhe bashkëshorte gjermane që nuk honeps dot të huajt.

Kjo nuk do të thotë se politikanët që lobuan për qëndrimin e Britanisë në BE u treguan më të përgjegjshëm. Aktualisht, figurat kryesore në politikën britanike, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, për fat të keq, janë personalitete pa karizëm dhe vizion.

Ndërsa kampi i Brexit-it qëllimisht keq-informoi publikun për ‘gjëmat’ që gjoja vijnë nga BE-ja, Kryeministri Konservator David Cameron dhe Kryetari Opozitës Laburiste Jeremy Corbyn nuk treguan kurrë bindshëm se përse t’i kthesh kurrizin një tregu gjysëm bilioni konsumatorësh në prag të shtëpisë, si BE-ja, përbën një travesti që bie ndesh me pragmatizmit karakteristik britanik. I vetmi rast që këta dy politikanë u ‘bashkuan’ gjatë fushatës se referendumit ishte kur bënë homazhe në vendin ku u vra parlamentarja Jo Cox, vdekja e së cilës përbën treguesin më shqetësues se çfarë shkoi tragjikisht keq këtë verë në politikën britanike.

Për mua referendumi i 23 qershorit është shqetësues edhe për sjelljen e klasës politike skoceze. Skocezët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në lidhje me MB-në në referendumin e 2014-tës dhe ata zgjodhën të mos largohen. Të kërkosh një referendum të dytë tani është të sillesh si një fëmijë mistrec që pranon të marrësh pjesë në lojë me të vetmin kusht që të fitosh gjithmonë.

Skocezët dhanë një kontribut të madh në krijimin dhe konsolidimin e perandorisë britanike, veçanërisht përsa i përket sektorit bankar dhe arsimit. Po kaq e vërtetë është që në 300 vitet e fundit, si pjesë e Britanisë, Skocezët kanë përfituar nga unioni më shumë se populli i Ueillsit dhe irlandezët.

Unë do të dëshiroja që Skocia të vazhdojë të jetë pjesë e MB-së. Kjo nuk do të thotë që politikanët skocezë, që aktualisht votojnë si në Parlamentin Britanik në Londër ashtu edhe në Parlamentin e Skocisë në Edinburg, nuk duhen lejuar të vazhdojnë të mbajnë peng federatën britanike.

Po të perifrazojmë fjalët e Winston Churchill, demokracia nuk është gjithmonë forma më e efektshme e qeverisjes; ajo është më funksionalja. Referendumi i 23 qershorit tregoi se demokracia ka mekanizmat e saj jo perfekte dhe, në rastin konkret, me pasoja negative afatgjata.

Nga ky referendum më të humburit janë të rinjtë. Por kjo ka një anë pozitive; brezi i ri britanik tani ka mundësinë të bëhen qytetarë më të përgjegjshëm më shpejt.

Po kështu, jam i sigurtë se Britania, edhe pse aktualisht po përjeton një situatë jo të këndshme, do të dijë të afirmojë vitalitetin e saj. Megjithatë, gjërat do të përkeqësohen para se të fillojnë të përmirësohen.

Birmingham, 25  Qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. gezim Alpion, eferendumi britanik dhe, mëkatet e demokracisë

NË VEND TË NJË REÇENCE PËR LIBRIN “NJË JETË NË 36 SHKRONJA”

June 15, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr Gëzim Alpion*/Birmingham/

Të dashur profesorët e mij fisnikë Hatixhe dhe Ismail Erebara,

U gëzova shumë që u takuam në Hotel Tirana pas afro 40 vitesh dhe që jeni mirë me shëndet. Ju jam shumë mirënjohës që ndoqët aktivitetin për Nënë Terezën më 26 Maj. Po kështu, ju falenderoj për librat që më dhuruat.

Gjatë udhëtimit për Londër më 27 Maj isha në shoqërinë e librin tuaj autobiografik “Një jetë në 36 shkronja”, qëështë edhe monografia juaj e parë. Elexova me njëfrymë, gjë qënuk më ka ndodhur shpesh kohët e fundit. Sa prekëse, sa sublime, sa frymëzuese dhe sa kuptimplote jeta e familjes tuaj dhe veçanërisht dashuria dhe mirëkuptimi juaj për njëri tjetrin në këtërrëfim të sinqertë prej 178 faqesh.

Në autobiografinëtuaj ju detajoni me realizëm Zolaesk sfidat e fatit, të traditës zakonore dhe veçanërisht të poshtërsive institucionale që u përballuan me stoicizëm dhe fisnikëri nga familja juaj dhe të afërmit tuaj, por veçanërisht nga tre matriarkë– gjyshja juaj, nëna juaj dhe ju – të përshkruar njëkohësisht me liricizëm dhe patos.

Por libri juaj nuk është thjesht një autobiografi. Ky libër plotëson historinë e Dibrës dhe veçanërisht të Peshkopisë që nga fillimi i shekullit të njëzetë. Kjo është një nga arsyjet se përse ky libër duhet të lexohet gjerësisht nga lexues të moshave të ndryshme, veçanërisht në Peshkopi, në këtë vatër qytetarie ku në vitet e diktaturës shpesh të qënit qytetar përbënte një sfidë jo të vogël.

Megjithëse ju njoh dhe respektoj familjarisht që në femijërinë e hershme, u desh të kalonin afro pesë dekada nga momenti kur si mësuesja ime e parë më mësuat ABC-në që tju njoh më nga afër. Dhe kjo në sajë të librit tuaj për të cilin ju jam mirënjohës që e shkruat. Tani ju njoh dhe ju admiroj edhe me shumë jo vetëm ju të dy, njëçift kaq simpatik, po edhe Peshkopinë tonë me hallet, mëkatet, fisnikërinë dhe shpresat e saj.

Edhe një herë, ju falenderoj për kënaqësinëe veçantëqëndjeva nga prania juaj në leksionin publik për Nënë Terezëndhe për pesë librat qëpatët mirësinë të më dhuronit. Çfarëdo që të bëni, mos pushoni së shkruari pasi ju keni dhuntinë për t’i thënë gjërat me një çiltërsi dhe freski që nuk hasen shpesh në letrat shqipe këto ditë.

Ju përshëndes familjarisht dhe ju uroj jetë të gjatë dhe gjithmonë mbarësi.

Përqafime,

Juaji,

Gëzimi

Birmingham, 14 Qershor 2016

*Hatixhe Erebara, “Një jetë në 36 shkronja”, Tirane: M & B, 2011

Filed Under: Opinion Tagged With: “Një jetë në 36 shkronja”, dr. gezim Alpion, Hatixhe Erebara

Shqipëria mund të futet në BE por Dibra akoma nuk është pranuar në Shqipëri

June 30, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr Gëzim Alpion/Angli/
Siç mund të jeni në dijeni, Kryeministri Edi Rama zgjodhi heshtjen nga shtatori 2013 deri më 10 maj 2014 për kërkesën e përsëritur disa herë për takim për t’i dorëzuar peticionin për Rrugën e Arbërit.
Më 22 maj 2014, pra 11 ditë pasi isha kthyer në Angli pas lobimit në Shqipëri për Rrugën e Arbërit nga 4-11 maj, Zyra e Kryeministrit më dërgoi një letër për të më njoftuar se jam i mirëpritur të shkoja në Tiranë për ta dorëzuar peticionin formalisht kur të dëshiroja.
Unë dhe kolegët e mi e mirëpritëm letrën nga Zyra e Kryeministrit ndonëse nuk e kuptuam se përse z. Rama nuk na priti kur ishim në Tiranë, ashtu siç bënë Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit.
Që nga 22 maji i këtij viti, ne i kemi dërguar Zyrës së Kryeministrit tre mesazhe për t’i njoftuar se e pranojmë ftesën dhe se jemi të gatshëm të kthehemi në Tiranë, kurdo që të jetë e përshtatshme për z. Rama, në shtator ose në dhjetor të këtij viti. Megjithatë, deri tani askush nuk ka denjuar të na kthej përgjigje ose të paktën, për kortezi, të na njoftoj se e kanë marë përgjigjen tonë.
Mund të konfirmojmë se, një vit pas ardhjes në pushtet, Qeveria Rama akoma nuk ka siguruar fondet për Rrugën e Arbërit. Dhe kjo ndodh ndërkohë që për vepra në zona të tjera, me sa duket, të ‘preferuara’, kjo qeveri, si qeveritë para saj, vazhdon të gjejë fonde si me magji.
Shqipëria edhe mund të pranohet në BE pas 10 vjetësh por e vërteta e hidhur është se Dibra dhe zona të tjera të ‘largëta’ akoma nuk janë pranuar në Shqipëri.
Në mungesë të një përgjigje të qartë nga Zyra e Kryeministrit nëse do të na takojë z. Rama për t’i dorëzuar peticionin, ne do të kthehemi në Tiranë kur ta shikojmë të arsyeshme dhe do të zgjedhim metodën tonë të dorëzimit e cila, ju sigurojmë, se do të jetë brenda normave demokratike.
Politika shqiptare ka kohë që dominohet nga rastësira. Migjithatë, as Dibra dhe asnjë zonë tjetër e Shqipërisë e poshtëruar nga injorimi shtetëror njëshekullor, nuk është rastësi dhe zëri i saj si dhe vullneti i më se 8,000 nënshkruesve të peticionit online dhe në formularë do të dëgjohen.
Ju lutemi nënshkruani peticionin në mënyre që zëri ynë të jetë sa më i fortë kurdo që t’ja paraqesim qeverisë formalisht.

Dr Gëzim Alpion (BA Cairo, PhD Durham)
Lecturer in Sociology, Department of Political Science and International Studies
Director of Joint Honours and Combined Programmes
School of Government and Society
Muirhead Tower, 5th Floor, Room 525
The University of Birmingham
Edgbaston
Birmingham B15 2TT
UK

http://www.birmingham.ac.uk/staff/profiles/government-society/alpion-g%C3%ABzim.aspx

https://www.facebook.com/DrGezimAlpion

E-mail: g.i.alpion@bham.ac.uk

Tel (office) +44 (0)121 414 3241
Mobile ++(0)787 651 2001
Fax: ++(0)121 414 3496
________________________________

The most recent publication:

• ‘The Emergence of Mother Teresa as a Religious Visionary and the Initial Resistance to Her Charism/a: A Sociological and Public Theology Perspective’, International Journal of Public Theology, Vol. 8, No. 1, February 2014, pp. 25-50.
http://booksandjournals.brillonline.com/content/journals/10.1163/15697320-12341328

Main Publications:

• Mother Teresa: Saint or Celebrity? (London and New York: Routledge, 207; New Delhi: Routledge India, 2008; Rome: Salerno Editrice, 2008)
http://www.routledge.com/books/details/9780415392471/
http://www.salernoeditrice.it/Scheda_libro.asp?id=1666&it=ok&categoria=11

• ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’ (London and New Brunswick NJ: Transaction Publishers, 2011)
http://www.transactionpub.com/title/Encounters-with-Civilizations-978-1-4128-1831-5.html

Filed Under: Opinion Tagged With: Dibra Jo, dr. gezim Alpion, Shqiperia ne BE

Birmingham academic injects new life in to civil society in Albania

June 6, 2014 by dgreca

Significant improvements to the economy of the Balkans region can be made if the Albanian government invests in a new €350 million road, argues an academic from the University of Birmingham. Dr Gëzim Alpion, Lecturer in Sociology, has instigated a petition for state leaders to meet their election promises and construct a highway linking Tirana with Dibra, one of the most impoverished regions in Albania.
Dibra comprises of a western part in Albania and an eastern part in Macedonia (FYROM), with a total population exceeding 200,000. Access from Albania’s capital Tirana to Dibra currently takes around six hours along a 180km poorly maintained road. The proposed Arbëri Road will ensure an entire journey of less than two hours and be just 72km long. Furthermore, the highway will have another leg linking Dibra with Skopje, the capital of Macedonia, thus becoming a crucial part of the Balkan infrastructure. It will also ensure Macedonia, Kosovo and Bulgaria gain unprecedented access to the Adriatic Sea, contributing further to the EU integration of this area of the Balkans.
“The Albanian government allocated $110,000 towards a feasibility study in 2004 and the road was approved a year later but only €16 million of a total €350 million has been invested since,” said Dr Alpion. “The road has been one of the main election promises for all major political parties since 2004, however, once in power, the project is subsequently shelved.”
Albanian-born Alpion, who left Tirana in 1985 to pursue his academic career abroad, initiated the petition in March 2013. Support for the petition has quickly spread via social media among the people of Dibra, across Albania and throughout the Balkans, and worldwide. To date the petition has over 7,500 signatories, consisting of 6,000 submitted online and 1,500 on paper. Dr Alpion has now been invited to hand in the petition to the current Albanian Prime Minister, Edi Rama, later this year, which is a significant milestone for the first non-political petition in the country.
Dr Alpion has already met with the President of Albania, Bujar Nishani, the Speaker of Parliament, Ilir Meta and the Minister of Transport and Infrastructure, Edmond Haxhinasto, and a number of Albanian MPs where they discussed the Arbëri Road and the petition in a series of meetings held last month in Tirana. President Nishani and Speaker Meta assured Dr Alpion of their support for the Arbëri Road, highlighted their enthusiasm for the non-confrontational language used in the text of the petition and praised Dr Alpion for his perception of the role civil society can play in Albania. They also appreciated Dr Alpion’s view that, along with his colleagues who are lobbying for the Arbëri Road, he supports the government as a ‘loyal’ opposition.
As someone who is not affiliated to a political party, Dr Alpion is in a unique position to encourage people in Albania to demand more from their politicians through democratic means. “By adhering to the demands of the petition, politicians will be more accountable in Albania, but they will also gain respect from the electorate” said Dr Alpion. “On the other hand, people in Albania need to engage more with politicians and realise that they do have an effective voice in major decisions.
“The petition will be closed only when the road is inaugurated. When we hear that funding has been secured, we will encourage people to sign the petition in even larger numbers to ensure the money is used effectively and that there are no changes to the approved blueprint.
“As a sociologist who has published widely on the Balkan society, I believe that roads are an important means of communication between ethnic groups, peoples and nations and this is exactly what this traditionally troubled region of Europe needs.
“Alongside the obvious economic benefits, the proposed Arbëri Road will create a modern infrastructure where people have a chance to communicate freely and take in each other’s cultures and traditions. Communities within the Balkans will be given a much needed opportunity to realise what they have in common is far more important than what divides them.”9Dr Gëzim Alpion can be contacted on +44 (0) 787 651 2001 or g.i.alpion@bham.ac.uk)
University of Birmingham News Release

Issued: 6 June 201

Filed Under: Featured Tagged With: academic injects, Birmingham, dr. gezim Alpion, new life in to civil, society in Albania

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT