Të Enjten, 4 Shkurt 2016, Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj, vizitoi në shtëpi e tij, në Long Island z. Agim Karagjozi, president Nderi i Vatrës, ish kryetar i saj prej 18 Vitesh. Kryetari Bucaj shoqërohej nga vatrani i vjetër Zef Perndocaj, anëtar i Adovisory Board i Vatrës si dhe Editori i Diellit Dalip Greca.
Z. Agim Karagjozi gëzon shëndet relativisht të mirë. Ai u gëzua shumë nga vizita dhe tha se i mirëpret vatranët dhe bashkëpunëtorët e tij ndër vite.
Biseda ishte intersante dhe vazhdoi për më shumë se 3 orë. Z. Karagjozi solli në kujtesë veprimtaritë e Vatrës, ku vetë ai ka rreth 60 vite kontribut dhe më shumë se dy dekada në udhëheqje si kryetar apo zv/kryetar e sekretar(përfshi dhe degën e Nju jork-ut). Z. Karagjozi kujtoi me këtë rast miqësinë e Vatrës me presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të cilin e ka pritë disa herë me shumë bujari e përzemërsi vatarnësh në Nju Jork, por dhe presidenti Rugova e ka nderuar me pritje të ngrohtë në Prishtinë, atë dhe vatranët e tjerë.
Po ashtu ai kujtoi vizitën e delegacionit të Vatrës në Qershor 1988 në Tropojë në kohët e vështira të pas ’97-tës, ku ai dhe vatranët e tjerë që e shoqëronin, duke patur dhe ndihmën e të ndjerit Azem Hajdari, shkuan në Tropojë, vizituar të plagosurit e Luftës në Kosovë, dhuruan ilace e ndihma të tjera për Spitalin e Bjaram Currit, ndërkohë që dhuruan mijëra dollarë për Luftën e Kosovës.
Po ashtu z. Karagjozi në bisedën e nxitur nga editori kujtoi veprimtarinë e tij ndër vite, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ai pati veprimtari direkte me Ballin Kombëtar, me Rininë e Ballit, por edhe lufta disa ditore në Kosovë në radhët e Batalionit të Ballit Kombëtar “Besnik Cano”, ku plumbat i vërshëllenin pranë në trashetë e luftës, kundër forcave sllave në drejtimin e Mihajllovicit.
Ai kujton edhe momentin prekës ku së bashku me atin e tij, nacionalist i njohur, Zyhdi Karagjozin, së bashku me udhëheqësit e tjerë nacionalistë kaluan Adriatikun, duke kënduar këngë mëmëdhetare. Madje ai kujton dhe vargjet e këngës. Më pas ai kujtoi jetën e vështirë në kampet e Italisë, emigrimin në Turqi, studimet për inxhinieri në Universitetin Robert Colege, ardhja në Amerikë dhe përfshirja e menjëhershme në veprimtaritë e Vatrës, ku ai shpesh ka udhëhequr veprimtari dhe projektet të Vatrës. Për shumë vite z. Karagjozi drejtoi edhe degën e Vatrës për NY dhe NJ, duke patur në krah publicisten e njohur Nexhmije Zajimi. Nëse Vatra sot ka një ndërtesë të saj trekatëshe, ajo është meritë e z. Karagjozi, i cili udhëhoqi për vite me radhë fushatën”Për binanë e Vatrës” dhe e ruajti me shumë fanatizëm shumën e mbledhur derisa i biri i tij biznesmeni Zyhdi Karagjozi, gjeti këtë ndërtesë(që Vatra ka sot) me cmim të ulët nga Banka dhe i bëri të gjitha veprimet falas pa marrë asnjë fitim për vete.
Z. Karagjozi në bisedë e sipër u inetersua për gjendjen e Vatrës, të Komunitetit Shqiptar në SHBA, situatën në Shqipëri dhe në Kosovë e vsiet e tjera Kombëtare. Ai tregoi brengosje të thellë për gjendjen e pashpresë në Shqipëri,me tranzicion të zgjatur, ku korrupsioni po gërryen shoqërinë, ku Vatra ka investuar mund dhe interesim të vazhdueshëm, që në fillim të viteve ’90. Po ashtu e quajti të pakuptimtë përdorimin e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës dhe uroi që gjendja të kapërcehet sa më shpejt.
– Disa nga udhëheqësit e Kosovës, më kanë zhgënjyer. Kam pasë shumë shpresë se do ta conin Kosovën përpara , por veprimet e fundit janë zhgënjyse, tha ai gajtë bisedës.
Z. karagjozi tha se e ndjek në vazhdimësi situatën në Komunitet dhe viset Kombëtare falë gazetave Dielli dhe Illyria, që vazhdon t’i lexojë me interesim dhe shprehu vlerësim për të dyja gazetat.
Z. Karagjozi premtoi nëse do të jetë mirë me shëndet ai do të marrë pjesë në festën që organizon Vatra me 14 Shkurt 2016 në nderim të Pavarësisë së Kosovës.(Dielli)
KRYETARI I VATRES PRITI SEKRETARIN SHKENCOR TË INSTITUTIT TE HISTORISË TË KOSOVËS
Të Premten me 21 Gusht 2015, Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, priti në Selinë e Vatrës, sekretarin Shkencor të Institutit të Historisë të Kosovës, Mr. sc. Arben Arifi. Në takim ndodheshin edhe anëtarët e kryesisë së Vatrës, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës i uroi mirëseardhjen mysafirit dhe e informoi për veprimtaritë dhe qëndrimet e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ai shfaqi qëndrimet e Vatrës për rishkrimin e Historisë pa ndikime ideologjike dhe vlerësimin e figurave kombëtare, duke hequr dorë nga trashëgimia e historisë komuniste, që i trajton nacionalistët si bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit an block, pa sjellë në fokus kontributin kombëtar, ndërkohë që bashkëpunëtorët për 50 vjet me armiqtë sllavë, trajtohen si patriotë! Ka ardhur koha, tha dr. Bucaj, që historianët dhe institucionet që merren me historinë tonë kombëtare të jenë të pavarur nga politika dhe të zhveshur nga ideologjia komuniste. Edhe Shqipëria, edhe Kosova, kanë nevojë për bashkëpunim të ngushtë dhe ndërtimin e një platforme kombëtare dhe shkrimin e plotë të Historisë.
Mysafiri nga Kosova, falenderoi për mikpritjen dhe informoi për punën që po bën Instituti i Historisë në Kosovë. Ai shfaqi pikëpamje të përbashkët me kryetarin e Vatrës në drejtim të pavarësisë së Institucioneve, vecanërisht të atyre që merren me hartimin e Historisë.Në vendet me demokraci të zhvilluar, politika dhe shteti kërkojnë këshilla nga historianët dhe institucionet, ndërsa në mentalitetin shqiptar, këto institucione vetëm emërohen apo urdhërohen nga politika. Z. Arifi tha se Instituti po punon me projekte të detajuara për shkrimin e Historisë.
Instituti i Historise ka organizuar tryeza shkencore, konferenca, dhe simpoziume për ngjarje dhe personalitete të rendësishme të historisë kombëtare. Në këto organizime kanë marrë dhe marrin pjesë studiues jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Instituti i Historisë në kuadër të veprimtarisë së vet shkencore ka vënë bazat e bashkëpunimit nderkombëtar me institucione simotra në rajon dhe më gjërë.
Instituti i Historisë aktualisht është i fokusuar në: Historia e Kosovës, Historia e Luftes, dhe Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve 1877-1999. Nuk kemi ende, tha ai, një Histori të plotë të Kosovës.
Sekretari i Institutit të Historisë së Kosovës z. Arifi dhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj ranë dakort për një plan konkret bashkëpunimi mes Vatrës dhe Institutit.
Z. Arifi i dhuroi bibliotekës së Vatrës librat:
1- ARBËRORËT- NDËRMJET KISHËS PERËNDIMORE DHE ASAJ LINDORE GJATË SHEKUJVE XI-XV të autorit GJON BERISHA
2-Librin e iNstitutit të Historisë-Prishtinë”KOSOVA” 39
3- Dokumente Diplomatike të Qeverisë Shqiptare Për Demonstratat e Vitit 1981 Në Kosovë-Përgatitur nga Sabit Syla
4- Ali Hadri, Jeta dhe Vepra
Editori i Diellit, Dalip Greca,i percolli mysafirit nga Kosova dokumente e fotografi, qe pershkojne rrugen 103 vjecare te Vatres dhe rrugen 106 vjecare te Gazetes Dielli.
***
KUSH ËSHTË ARBEN ARIFI?
Arben Arifi, u lind më 06. 04. 1973 në Grabanicë-Klin, Shkollën fillore “Azem Bejat” e përfundoi në Grabanicë, ndërsa gjimnazin e përfundoi më 1987në Klinë. Në vitin akademik 1999/2000 filloi stundimet per Master në Fakultetin Filozofik-Dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Në këtë fakultet magjistroi më 22.03.2004, me temën: “Nekropolët në Kosovë ne shek. V- XV”.
Në vitin akademik 2004/2005 në Universitetin Piérre Mèndes France- Grenoble II, fillon studimet Master në periudhën e Antikës, ku edhe mbron temën e masterit më 25. 03. 2007, me temën: “ Sistemi i fortifikimeve ne Kosovën Veri-Perëndimore”.
Vazhdon studimet e doktoraturës ne Universitetin Paris IV– Sorbonne me temën «Kosova (Dardania) gjatë kalimit nga Antika e vonë në Mesjetën e hershme».
PËRVOJA E PUNËS :
• Gjurmime arkeologjike, Salzkogől të Austrisë gusht-shtator 2001, Universiteti i Prishtinës në Vlashnjė (2002).
• Butrint me Institute of World Archaeology (Britani e Madhe) dhe Institutit Arkeologjik të Shqipërisë (2002, 2003, 2004).
• Apolloni, Misioni Arkeologjik Francez 2005.
• Ulpiana 2006, 2007.2008, 2009, 2010.
• Kryetar i OJQ-se Shoqatës se Historianëve të rinj në Fakultetin Filozofik dega e Historisë në Prishtinë (2001- 2003), Ruajtja e trashëgimisë kulturore (Departamenti i Kulturës – UNMIK, 2002)
• Që nga 01.09.2007, punon në Instituti e Historisë-Prishtinë.
FUSHA DHE PERIUDHA E INETERESIMEVE SHKENCORE:
Arben Arifi, merret me Historinë e Antikës se vonë dhe e mesjetës se hershme.
KUMTESA DHE PJESMARRJE NË KONFERENCA, SIMPOZIUME, SESIONE DHE TRIBUNA SHKENCORE NË KOSOVË :
• Sistemi fortifikues mbrojtës në Dardani në kohën e Justinianit. Në simpoziumin shkencor “Gjurmëve të perandorit Justininan“ Prishtinë 2008.
• Kalaja e Radacit, në simpoziumin shkencor “Kalatë e Kosovës” , Pejë 2008
• Arben Arifi &Luan Tetaj, Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut në shtypin e kohës. Kumtesë me rastin e 20-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, mbajtur më 2 korrik 2010 në lokalet e Fakultetit Filologjik në Prishtinë.
PUNIME SHKENCORE TË BOTUARA :
• Fortifikime të antikës së vonë e mesjetës së hershme në Kosovën veriperëndimore. Revista “Kosova” nr. 29/30, Prishtinë 2008
• Shkrimet e Ali Hadrit për iliret., “ Ali Hadri jeta dhe vepra“, Prishtinë 2009.