Nga Dr. Hasan Ademaj/Përse Haradinaj …/
Ndër emrat që qarkullojnë si kandidatë të mundshëm për të kryesuar qeverinë e ardhshme të Kosovës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është padyshim më i kompletuari. Kjo pasi ai, në ndryshim prej dy të tjerëve ka dhe një farë eksperience në problemet e qeverisjes duke qenë kryeministër i Kosovës, ndonëse për një periudhë të shkurtër.
Kur vihet në diskutim emri i zotit Haradinaj, zakonisht përmendet periudha e luftës për çlirimin e Kosovës, ku ai duke qenë një nga komandantët kryesorë të UÇK-së u bë për herë të parë i njohur për masat e popullit duke krijuar në këtë mënyrë autoritet dhe simpati të padiskutueshme tek një pjesë e madhe e njerëzve. Mirëpo, duke qenë se lufta ka kohë që ka mbaruar do të ishte gabim që meritat dhe aftësitë e treguara në luftë të përdoreshin si kritere vlerësimi për t’i besuar kujtdo një post drejtues në administratën shtetërore. Pra dhe për zotin Haradinaj ato ç’ka ka bërë gjatë luftës duhen parë vetëm për të evidentuar përkushtimin e tij dhe devotshmërinë për t’i shërbyer atdheut. Në këtë rast gatishmëria për të kontribuar për vendin, duke i dhënë gjithçka, mund të thuhet se është pak a shumë e njejtë si në kohë lufte ashtu dhe në paqë. Dhe këtë, Ramush Haradinaj e tregoi edhe pas çlirimit të Kosovës, kur vullnetarisht hoqi dorë nga posti i kryeministrit të vendit për të shkuar në Gjykatën e Hagës, me qëllim kryesor të zhvlerësonte përpjekjet e qarqeve të caktuara serbe për të njollosur luftën për liri të popullit të Kosovës.
Dhe, pikërisht sot Kosova ka nevojë të ngutshme të ketë në krye të qeverisë një figurë me autoritet e prestigj, një personalitet të vendosur i cili duke pasur në plan të parë parimin “Kosova mbi të gjitha”, jo vetëm të jetë i përkushtuar për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, por edhe të jetë në gjendje të refuzojë çdo propozim a ofertë kur gjykon se cënohet sovraniteti dhe e ardhmja e vendit.
Zhvillimet e pasluftës në Kosovë kanë treguar se Haradinaj, ka preferuar deri dhe duke “u thyer zemrën” dhe miqve të rëndësishëm të Kosovës, kur ka konstatuar se mund të cënohen interesat e vendit. Megjithatë, kryesorja për t’i besuar drejtimin e qeverisjes një individi duhet vlerësuar në bazë të vizionit të tij për të ardhmen, sidomos kur është fjala për një vend si Kosova, ende i pakonsoliduar, sidomos në aspektin ekonomik duke qenë se ekonomia është motori i cili ve në lëvizje gjithë mekanizmat e tjera.
Duke u njohur me ato ç’ka premton lideri i AAK-së, Haradinaj, nuk ka si të mos krijohet një farë optimizmi për të ardhmen e Kosovës. Nuk është aspak vështirë të konstatosh se ai e njeh mirë gjendjen e vendit dhe si ai mjeku i cili ka përcaktuar saktësisht diagnozën gjen dhe medikamentet e duhura për ta shëruar një gjendje të tillë edhe pse për disa duket si e pashpresë.
Konkretisht, një vend të rëndësishëm në programin e tij i kushtohet ndërtimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të asaj ekzistuese, kryesisht ndërtimit të rrugëve. Në mungesë të një infrastrukture bashkëkohore nuk mund të pretendohet zhvillimi ekonomik i vendit. Sa më i zhvilluar të jetë komunikacioni aq më i madh bëhet dhë zëllimi i shkëmbimeve midis subjekteve të biznesit kosovar por edhe ai midis trevave të ndryshme të vendit. Gjithashtu, një infrastrukturë e zhvilluar nxit dhe hapjen e bizneseve të reja duke kontribuar kështu në hapjen e vendeve të reja të punës, gjë e cila do të zvogëlonte dukshëm përmasat e hemoragjisë së largimit të rinisë kosovare nga vendi.
Haradinaj premton për një shpërndarje uniforme të investimeve në të gjithë vendin, gjë që sjell një zhvillim të të gjitha trevave, duke bërë që të nxitet iniciativa e sa më shumë qytetarëve në fushën e biznesit. Në kuadër të reformave në ekonominë e vendit kandidati për kryeministër, premtoi dhe për një rifillim të aktivitetit në gjigandin e Trepçës, gjë e cila do të sillte dhe një rritje të ndjeshme të kapacitetit ekonomik të Kosovës.
Por, Haradinaj është i ndërgjegjshëm se zhvillimi ekonomik i vendit është i lidhur ngushtë me largimin e influencës së Serbisë në jetën e vendit. Një zhvillim i gjithanshëm i ekonomisë kosovare do të paksonte ndjeshëm nevojën për prodhimet serbe gjë që mbyll shtigjet për presione të formave të ndryshme nga Beogradi. Por ai, lidhur me këtë u kujton bashkëqytetarëve të tij se pas mënjanimit të influencave nga Serbia, nuk do të kenë më mundësinë që për mosrealizimet e tyre të justifikohen me “pengesat” nga “influencat serbe”, por do të mësohen të analizojnë vetë punën e tyre.
Si një politikan tashmë me eksperiencë, i cili e njeh mirë mënyrën e funksionimit të shtetit lideri i AAK-së e ka të qartë se asgjë nuk mundë të bëhet pa një shtet ligjor ku ligji të zbatohet në mënyrë rigoroze.
Prandaj, gjatë fushatës ai premton dhe një fuqizim të ndjeshëm të rendit në Kosovë dhe rritjen e sigurisë. Në këtë kuadër ai paralajmëroi dhe krijimin e “Byrosë Nacionale të Hetimeve” për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Që është një poltikan realist, Ramush Haradinaj e pasqyron kur si partner kryesor ekonomik të Kosovës vendos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hedhur idenë e krijimit të një zone ekonomike të veçantë ku të operojnë investitorët amerikanë. Një ide e tillë mbështetet në faktin se ishin SHBA-të vendi që kontribuoi më shumë se kushdo në çlirimin e Kosovës, logjikisht janë dhe më të interesuarit që shteti i Kosovës të funksionojë sa më mirë, në radhë të parë në aspektin ekonomik; shtoji këtyre dhe faktin që amerikanët kanë dhe një bazë ushtarake në Kosovë. Ndër të tjera, nuk mund të mos merret në konsideratë dhe kontributi i biznesit shqiptaro-amerikan dhe i diasporës në zhvillimin e ekonomisë kosovare.
Përsa i përket realizimit të premtimeve të mësipërme të zotit Haradinaj, duhet pasur parasysh se ai nuk i përket asaj klase politikanësh të cilët kanë vetëm fjalë, por është shquar si njeri i fjalës së dhënë, si njeri i besës.