• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI VALBONËN TONË!

April 18, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA*/

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama,/

Ish – Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha,/

  1. Rama,

Ka dy muaj që Tropoja po zien për shkak të njoftimeve se në Luginën e Valbonës do të fillojë ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilët, do të shfrytëzojnë ujin e Valbonës, si dhe të përrenjve e të përroskave, që derdhen në të, duke dëmtuar rëndë aortën, venat dhe kapilarët e kësaj lugine të mrekullueshme.

Shqetësimi për rrezikun që paraqet kjo masakër mjedisore ka çuar në organizimin e protestave në Bajram Curr, Tiranë dhe në New York (dhe nga emigrantët tanë atje), si dhe në dërgimin, në adresën tuaj, të disa letrave nga ata që preken drejtpërsëdrejti nga kjo masakër–banorët e saj dhe shoqëritë turistike vendore dhe të huaja.

Megjithatë, deri tani, nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, nga ana juaj, nga Ministria e Mjedisit, apo nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe as nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila e ka në tagrin e saj ruajtjen dhe kthimin në identitet të këtyre zonave.Në të vërtetë, ky vendim nuk i prek vetëm banoret e Luginës së Valbonës apo shoqatat turistike. Ai më prek edhe mua, si tropojan, por edhe fëmijët e mi që janë rritur me dashurinë për Valbonën, e cila çdo vit, na pret e na përcjell, siç di vetëm ajo. Ai vendim, në të vërtetë ju prek edhe ju  z. Kryeministër dhe çdo shqiptar, sepse Lugina e Valbonës është pjesë e së mires sonë të përbashkët, siç është ajri dhe dielli.

Pas shpalljes së saj si “Park Kombëtar”, në vitin 1996, u mendua se shteti do të ndërhynte me politika zhvillimore dhe vendime që do të ishin në përshtatje me natyrën e Alpeve dhe interesat e njerëzve që banojnë aty,  si për shembull investime për projekte infrastrukturore e turistike; miratimi, nga KKRRT dhe zbatimi rigoroz i një plani urbanistik për fshatin Valbonë; disiplinimi i gjuetisë dhe mbrojtja e shtimi i pyjeve, pra politika që do të mundësonin mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës. Kanë kaluar 20 vjet, por politika dhe vendime të kësaj natyre nuk u panë. Përkundrazi, sot ne po ballafaqohemi me një vendim, i cili, duket se është krejtësisht i gabuar dhe i dëmshëm.

Së pari, ai nuk respekton legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar për ruajtjen e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër, nuk mbron biodiversitetin dhe ekosistemin, pra natyrën; nuk merr në konsideratë, përkundrazi, nëpërkëmb vlerat historike, kulturore e shpirtërore të njerëzve që jetojnë aty.

Së dyti, nuk merr në konsideratë, përkundrazi e injoron të drejtën e sanksionuar nga ligjet e brendshme, nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të grupeve të interesit dhe të popullsisë vendore për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore.

Së treti, nuk merr në konsideratë potencialet turistike të zonës, por as interesin, mundësitë dhe përvojat e deritanishme të banorëve të saj për zhvillimin e turizmit.

Së fundi, qeveritë e përgjegjshme në vendet e civilizuara, kur bëhet fjalë për vendimmarrje mjedisore, respektojnë një parim që njihet si parimi i barazisë midis brezave. Brezi ynë nuk e ka të drejtën e tjetërsimit të Luginës së Valbonës, për të cilën, të parët tanë, për ta mbrotjur nga fqinjët lakmitarë, e kanë larë atë me gjak. Ashtu siç nuk kemi të drejtë që brezave të ardhshem t’ua lëmë Valbonën të pranguar me 11 palë pranga.

  1. Berisha,

Sipas njoftimeve të shtypit, rezulton se për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës ekziston një VKM, me numër 680, datë 16.08.2013, i firmosur nga ju. Si ish-Kryeministër, por edhe si intelektual dhe si tropojan që e njeh mire dhe e dashuron Valbonën, mendoj se është në nderin dhe dinjitetin tuaj që, ta pranoni se keni gabuar, duke e miratuar atë vendim. Gjithashtu, mendoj se pikërisht ju duhet të merrni guximin e t’i kërkoni kësaj qeverie të shfuqizojë vendimin tuaj. Nuk është turp të pranosh gabimin e të kërkosh korrigjimin e tij. Turp është  të mbyllësh sytë para kësaj masakre mjedisore, për të cilën jeni përgjegjës edhe ju.

  1. Rama,

Për të dalë nga kjo situatë e rëndë, mendoj se ka dy rrugë: të shfuqizohet VKM-ja nr. 680 për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, që do të ishte rruga më e drejtë dhe më e shkurtër. Ose, para se të fillojë zbatimi i tij, të merret medoemos parasysh vullneti i popullit,  i shprehur nëpërmjet një referendum lokal në Komunën e Tropojës. Besoj që ideja e referendumit nuk është e huaj për ju, aq më tepër që, kohët e fundit, e keni shfrytëzuar atë edhe për një “kauzë” personale. Ndërkohë që Valbona përbën një kauzë kombëtare.

Si politikan që nuk ju mungon përvoja, shpresoj se e dini që problemet e mjedisit, nëse nuk menaxhohen mirë, çojnë në konflikte shoqërore, shpesh, me pasoja të paparashikuara. Kjo është arsyeja që e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëveshjes e mirëkuptimit me komunitetet e interesuara. Historikisht, ishin vojvodët serbë e malazezë që, në kundërshtim me vullnetin e popullit, donin ta bënin të tyren Luginën e Valbonës. Shumë prej tyre i lanë këtu rrashtat e tyre, pa ia arritur qëllimit.

Nëse shteti ynë ka vendosur të sillet si cub me shtetasit e vet, atëherë ne na lind e drejta që ta mbrojmë Valbonën tonë nga cubat dhe vojvodët shqipfolës.

Besoj se ju z. Kryeministër e dini që Lugina e Valbonës nuk është Parku Artificial i Tiranës, i krijuar nga dora e njeriut, midis rrafshit. Ajo është dhuratë e Zotit apo natyrës, midis Bjeshkëve të Bekuara. Ajo fillon me “të shtrenjtit” (ngushticën) e Valbonës në Shoshan dhe vazhdon me “të shtrenjtit” e saj deri në Qafën e Valbonës. Kush guxon e futet në të pa marrëveshje me të zotët e saj, ngushtë do ta ketë e shtrenjtë do ta paguajë. Mos guxoni ta prekni Valbonën tonë se prekni të zezën tuaj.

______

Dr. Islam Lauka, i lindur në Tropojë; diplomat i njohur kariere, studiues, pedagog; ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë; i shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit (2010) dhe i bashkisë së qytetit Bajramcurri (2015), president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, autor i disa veprave shkencore, etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Islam Lauka, LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI, VALBONËN TONË!

KOSOVA NË LOJËN PUTINISTE

February 10, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Islam LAUKA/
diplomat, pedagog/
Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj, Kosova është njohur nga shumica e shteteve të botës, është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale, megjithatë ajo vazhdon të mbetet jashtë familjes së madhe të OKB-së dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Subjektivitetit i saj ndërkombëtar vazhdon të jetë i cunguar. Kjo situatë është pasojë e veprimit të një konfluence faktorësh, të brendshëm e të jashtëm, rajonalë dhe jashtërajonalë.
Midis faktorëve të jashtëm, padyshim, Rusisë putiniste i takon “merita” kryesore për krijimin e pengesave dhe vështirësive, me të cilat po ballafaqohet Kosova në rrugën e afirmimit të shtetësisë së saj, në rrafsh ndërkombëtar.
Kremlini vërtet dështoi në përpjekjet e tij intensive për ta bllokuar dhe minuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por tani ka se me çfarë të “mburret”, sidomos, me dëmin që po i shkakton asaj për t‘u njohur ndërkombëtarisht.

KOSOVA SI PJESË E RRËFIMIT PUTINIST ANTIPERËNDIMOR

Në intervistën e parë të Presidentit rus për vitin 2016, botuar në tabloidin e njohur gjerman, “Bild”, me 11 janar, Kosova zë një vend qëndror, ashtu siç ka ndodhur në intervistat dhe fjalimet e tij më të rëndësishme, tash 16 vjet, sa është në pushtet.
Kosova është një ndër kuajt e betejës që Putini ka përdorur dhe po përdor kundër Perëndimit, krahas atyre për “pasojat” e zgjerimit të NATO-s dhe mbrojtjes antiraketë.
Në dy mandatet e para, mantra e Putinit për Kosovën, e përsëritur pa fund, në Kremlin, në Bruksel, në Nju Jork (OKB) dhe në vizitat e tij në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine ishte kjo: ndërhyrja e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jugosllavi, në vitin 1990, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa përfillur mendimin e Moskës, ishte një shkelje e rëndë e parimeve të njohura mbi integritetin territorial të shteteve të pavarura e sovrane, mosndërhyrjen në punët e tyre të brendshme dhe paprekshmërinë e kufijve ekzistues. Shkurt, shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. E tillë ishte edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008.
Në përshtatje me mantrën putiniste, gjithë sistemi i politikës së jashtme ruse dhe strukturat e tij u vunë në kërkim të “argumenteve” që vërtetojnë se pavarësia e Kosovës nuk është as e ligjshme, as legjitime. U cituan nene, statute, ligje, konventa, marrëveshje dhe precedentë ndërkombëtarë që “dëshmonin” epërsinë e parimeve të integritetit territorial të shtetit dhe paprekshmërisë së kufijve ekzistues mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje. E drejta ndërkombëtare u shpall “ideologji e politikës së jashtme të Rusisë”.
Edhe radiacioni informativ i Kremlinit u vu në shërbim të mantrës putiniste. Pavarësimi i Kosovës u quajt si pjesë e projektit amerikan për kontrollin e Ballkanit dhe dëbimin e Rusisë nga ky rajon. Bashkimi Europian u akuzua se i shkon pas Amerikës, në mënyrë të verbër, ndërkohë që Uashingtoni me strategjinë e “kaosit të drejtuar” synon dobësimin dhe përçarjen e vetë Europës.
Në një përpjekje tjetër për të parandaluar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në Samitin e G 8, mbajtur në qershor 2007, në Hejligendamm, Vladimir Putini paralajmëroi vendet perëndimore se “shkëputja e Kosovës nga Serbia do të ishte një disfatë për krishtërimin në luftën e tij epike kundër islamit”. Ishte një tezë e huazuar nga diktatori serb, Sllobodan Millosheviç dhe e përhapur nga turbopropaganda e Institutit të Sllavistikës së Moskës, për ta paraqitur luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës, si luftë fetare dhe si përplasje midis civilizimit të krishterë, të mbojtur nga Serbia dhe Rusia dhe atij musliman, të mbrojtur nga shqiptarët. Perëndimi u akuzua se mori anën e “ekstremistëve” dhe “terroristëve” shqiptarë. Më vonë, Putini do të akuzonte Perëndimin për mbështetjen edhe të terroristëve që luftonin kundër Rusisë në Kaukazin e Veriut.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, turbopropaganda e Kremlinit kundër Perëndimit u intensifikua edhe më shumë, duke e akuzuar atë se, me paramendim, krijoi “precedentin”e Kosovës, i cili, gjoja, do të hapte “kutinë e Pandorës” të konflikteve seperatiste, kudo në botë.
Shkaku kryesor i pakenaqësisë së Moskës me Perëndimin nuk ishte “bombardimi i Serbisë aleate”, as shpallja “e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, por refuzimi i kërkesës së Putinit për ta klasifikuar rastin e Kosovës, jo sui generis, por universal. Universalizimi i këtij rasti do të legalizonte të drejtën e Kremlinit për të ndërhyrë sa herë ta kërkonin interesat e tij në hapësirën ish-sovjetike. Pikërisht ky refuzim i perëndimorëve “e poshtëroi” keq Putinin, i cili si manipulues profesionist e fryu edhe më shumë “poshtërimin” rus, duke e bërë pjesë të rëndësishme të rrëfimit të tij antiperëndimor, në funksion të axhendës së tij politike, brenda dhe jashtë vendit.
Në atë fazë, strategjia e rrëfimit putinist antiperëndimor kishte disa objektiva. Ajo synonte: shfrytëzimin e “poshtërimit” si një narkotik politik për mobilizimin e shoqërisë ruse për t`u përballur me situatën e “kështjellës së rrethuar”; rikthimin dhe konsolidimin e pozitave të fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare; parapërgatitjen për”hakmarrjen” e madhe që Kremlini e konsideronte të pashmangshme.
Nga tre pjesët përbërëse të rrëfimit putinist antiperëndimor, që ftonin rusët për “hakmarrje”, ajo për Kosovën paraqitej si më e padhimbta dhe më e lehta për t`u realizuar. Duke qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Moska shfrytëzoi me zell instrumentin e vetos, kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Ky instrument ishte i pafuqishëm ndaj zgjerimit të NATO-s dhe programit të mbrojtjes antiraketë.
Megjithatë, kur flitet për “hakmarrjen” ruse, duhet patur parasysh se ndërhyrjet e saj të armatosura në Gjergji dhe Ukrainë, të cilat paraqiten prej saj si të motivuara nga ndjenja e hakmarrjes për poshtërimin që, gjoja, i paska bërë Perëndimi në Kosovë, në të vërtetë, janë të frymëzuara nga interesat e saj shtetërore dhe të drejtuara, jo nga e shkuara e “fyerjeve” dhe “poshtërimeve”, por nga e ardhmja e saj si fuqi e madhe.

INKOHERENCAT PUTINISTE RRETH KOSOVËS

Pas ndërhyrjes ushtarake në Gjerogji, në gusht të vitit 2008 dhe njohjes së dy rajoneve të saj, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, si shtete të pavarura dhe sovrane, por sidomos, pas aneksimit të Krimesë dhe konfliktit të armatosur me Ukrainën, në vitin 2014 e në vazhdim, Vladimir Putini ka “zbuluar” parime dhe norma të tjera në të drejtën ndërkombëtare. Në intervistën e tij në gazetën “Bild”, Putini thekson: çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes; vullneti i popullit duhet respektuar gjithmonë; nëse një popull vendos të shkëputet nga shteti ku bën pjesë, nuk ka nevojë të merret leje nga autoritet qëndrore; nuk kanë rëndësi kufinjtë, as territori, por fatet e njerëzve.
Duke hequr paralele midis Kosovës dhe Krimesë, në këtë intervistë, por edhe në intervista e fjalime të tjera të viteve të fundit, Putini nuk nguron që t’i vlerësojë si “situata absolutisht analoge” dhe të ripërsërisë pyetjen, “në qoftë se u lejohet shqiptarëve të Kosovës, përse mos t’u lejohet edhe të tjerëve?” (Abhazisë, Osetisë së Jugut, Krimesë…I.L.)
Megjithatë, pas “analogjisë absolute” të këtyre dy rasteve, Putini konstaton se ato kanë edhe ndonjë dallim “ të vogël”. Sipas tij, Kosova e shpalli pavarësinë e saj më votim të parlamentit, ndërsa Krimeja me referendum. në logjikën e tij, ky dallim e bën rastin e Krimesë më të ligjshëm dhe më legjitim se atë të Kosovës. “Gjetja” e Putinit nuk është gjë tjetër, veç një shtrembërim e falsifikim i realitetit. E vërteta është se referendumi për pavarësine e Kosovës është zhvilluar, që në shtator të vitit 1991, me tregues më të lartë se referendumi i Krimesë, sa i takon pjesëmarrjes dhe votës pro pavarësisë.
Për të argumentuar qëndrimet e veta, presidenti Putin i referohet Rezolutës se Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të vitit 1970, Mbi Parimet e Marrëdhënieve Miqësore dhe Bashkëpunimit midis Shteteve, Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966, si dhe pikës 2 të nenit numër 1 të statutit të OKB-së. Është e vërtetë se këto dokumente, sidomos, Deklarata mbi Parimet e Marrëdhënieve Miqësore dhe Bashkëpunimit midis Shteteve, mbështesin konceptin, sipas stë cilit, respektimi i tërësisë territoriale nënkupton sigurimin nga shteti përkatës të të drejtës së popujve për vetëvendosje dhe mospërdorimin e forcës shtetërore për t’i detyruar ata që të qëndrojnë në përbërje të tij. Gjithashtu, për të justifikuar referendumin e Krimesë dhe aneksimin e saj nga Rusia, Putini po i referohet edhe mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të datës 22 korrik 2010, sipas të cilit, shpallja e pavarësisë së saj nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Por kur krahasohen qëndrimet e fundit të Putinit me ato të mbajtura në dy mandatet e para të tij, rezulton se kemi të bëjmë me një inkoherencë të dukshme, politike, juridike dhe morale të udhëheqësit rus.
Së pari, inkoherenca putiniste shfaqet në përdorimin selektiv dhe instrumental të ligjit ndërkombëtar, për dy raste që, siç i klasifikon ai Kosovën dhe Krimenë, janë “absolutisht analoge”. Në rastin e Kosovës, ai bëri “mbrojtësin” e paepur të së drejtës ndërkombtare, nga pozita konservatore, statike. Në rastin e Krimesë, Putini bën “novatorin” e ligjit ndërkombëtar, nga pozita revizioniste, duke e konsideruar atë si një të drejtë në zhvillim dhe ndryshim.
Së dyti, Putini me qëllim i fut në një thes Kosovën dhe Krimenë, megjithëse ai e di fort mirë që, veç disa “analogjive” të sipërfaqshme, edhe ato të rreme, në thelb, këto dy raste nuk kanë asgjë të përbashkët. Siç dihet, Kosova, para se të jetë rast i vetëvendojses deri në shkëputje, është rast i shpërbërjes me dhunë të ish-Federatës Jugosllave. Politika e spastrimit etnik dhe e terrorit te strukturuar shtetëror, të ushtruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, që coi në ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, për të parandaluar katastrofën humanitare, si dhe 9 vjet protektorat ndërkombëtar, janë argumente shtesë, në favor të pavarësimit të Kosovës.
Në rastin e Krimesë, nuk kemi të bëjmë as më shpërbërje të shtetit ku ajo bënte pjese, pra të Ukrainës, as më spastrim etnik, as me terror shtetëror, por më shumë me rreziqe të supozuara, nga ana e Kremlinit.
Dallim tjetër thelbësor përbën fakti që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, ndërkohë që pavarësia e Krimese ishte jetëshkurtë, vetëm njëditore, sepse të nesërmen ajo u aneksua nga Rusia, në bazë të një referendumi, ku qytetarët krimeas, shprehën “vullnetin e tyre të lirë” në prani të tankeve dhe trupave ushtarake ruse.
Inkoherenca putiniste rreth Kosovës vazhdon më tej. “Analogjia absolute” e tij për Kosovën dhe Krimesë, injoron plotësisht fakte të tilla si Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshmë të OKB-së, numër 68/262, datë 27.03.2014 “Mbi integritetin territorial të Ukrainës”, e cila nuk njeh rezultatet e referendumit të Krimese dhe aneksimin e saj nga Rusia e vlerëson si të paligjshëm. Nuk ka ndonjë dokument të kësaj natyre që shprehet kundër pavarësise së Kosovës, përkundrazi, kemi disa dokumente të Këshillit të Sigurimit dhe të AP të OKB-së, që konfliktin në Kosovë e kanë trajtuar në kuadrin e kapitullit të shtatë të statutit të OKB-së, si kërcënim për paqen e sigurine ndërkombëtare, ndërsa mendimi këshillues i GJND-së e legalizon shpalljen e pavarësisë së saj.
Kulmin e saj, inkoherenca putiniste e arrin kur Presidenti rus deklaron se Krimeja është një çështje e mbyllur, e zgjidhur përfundimisht, ndërkaq, Kosovën jo vetëm që nuk e njeh, por ende e konsideron një çështje të pazgjidhur. Me paradoksin putinist, rasti i Kosovës justifikon, legalizon dhe legjitimon zgjidhjen e rastin të Krimesë, por jo atë për veten e saj. Kjo zgjidhje, sipas Putinit, duhet të bazohet në rezolutën 1244, kurse qëndrimi i Moskës ndaj kësaj çështjeje do të jetë i njejtë me atë të Beogradit. Për Putinin edhe pavarësimi i mikrorajoneve të Gjeorgjise, Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, është një çështje e mbyllur, sepse si shtete të pavarura dhe sovrane, i njeh Rusia. Kaq mjafton. Për tjetër njohje nuk kanë nevojë. Se Tbilisi është kundër pavarësisë së tyre, nuk ka fare rëndësi. Se Kievi është kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia, as kjo nuk ka fare rëndësi. Ndërsa, që Beogradi është kundër pavarësisë së Kosovës, kjo po, ka shumë rëndësi.
Instituti i Sllavistikë në Moskë dhe ndonjë pseudoanalist serb në Beograd përpiqen ta shpjegojnë këtë qëndrim me “serbofilinë” ruse. Një tezë e tillë është krejtësisht e pathemeltë. E vërteta është se jo “ serbofilia”, por interesat shtetërore ruse e përcaktojnë qëndrimin e Kremlinit lidhur, me Kosovën. Aktualisht, këto interesa kërkojnë që ajo ta mbajë Serbinë të lidhur pas vetes. Së pari, për ta shfrytëzuar territorin e saj, në zemër të Ballkanit, për projektet potenciale infrastrukturore ruse, së dyti, për të mbajtur gjallë shpresat e Moskës që pozicioni “ në dy karrige” i Serbisë të anojë, gradualisht, nga Rusia, jo nga Bashkimi Europian. “Mbështetja” e Putinit për Kosovën e mban të lidhur Beogradin pas Moskës.
Në plan rajonal, Rusia është e interesuar që, jo vetëm Kosova, por gjithë Ballkani të jetë i trazuar, i tensionuar dhe i çorientuar. Pavarësisht se vendet ballkanike, përgjithësisht, janë përcaktuar për integrim euroatlantik, Drejtoresha e Qendrës së Studimit të Krizës Jugosllave, pranë Institutit të Sllavistikës në Moskë, Elena Guskova, në një shkrim të sajin, të këtyre ditëve, shtron pyetjen: Tani që Rusia e ka bërë zgjedhjen e saj (kupto, kundër Perëndimit- I.L.), “cila do te jetë zgjedhja që do të bëjnë vendet ballkanike të traditës ortodokse…, Perëndimi, Rusia, apo politika famëkeqe “shumëvektorëshe”, që është sinonim i pafytyrësisë dhe mungesës së qasjes strategjike?”
Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, Zëvendëskryeministri rus, Dimitri Rogozin, paralajmëroi se, “në qoftë se Serbia e harmonizon politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian, ju do të keni Këlnin tuaj këtu”.
Qëndrimi i ashpër rus ndaj Malit të Zi, i cili mori ftesën për anëtarësim në NATO, tashmë dihet. Edhe vlerësimi rus për protestat antiqeveritare, vitin e kaluar, në Maqedoni, si të nxitura e të frymëzuara nga jashtë, dihet.
Forcat më radikale dhe ultranacionaliste në Ballkan po marrin zemër nga mbështetja ruse. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, deklaroi se serbët, vërtet, dëshirojnë të jetojnë si në Perëndim, por “zemrat tona i kemi në Lindje”. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes, Millorad Dodik, deklaroi se tek Rusia e fortë sheh garancinë për sigurinë e serbëve.
Përvojën e “suksesshme” të referendumit të Krimesë, Instituti i Sllavistikës në Moskë, politikanë dhe dipolomatë rusë ua ofrojnë Malit të Zi për çështjen e anëtarësimit në NATO si dhe serbëve të Bosnjes dhe atyre të Kosovës për të drejtën e vetëvendojses. Ndërkaq, Partia Radikale Serbe, shpreson se, ashtu siç u kthye Krimeja në gjirin e Rusisë, edhe “Kosova e Metohija”, me ndihmën e Moskës, mund t’u kthehen Serbisë.
Për arritjen e qëllimeve të veta, loja putiniste nuk ndalet as para aktivizimit të minave historike, me të cilat rajoni ynë është aq i pasur, siç janë konfliktet ndëretnike, grindjet territoriale ndërshtetërore, etj.
Jashtë Ballkanit, Putini vazhdon ta instrumentalizojë “precedentin Kosovë”, sidomos, në hapësirën ish-sovjetike. Absurditeti i logjikës putiniste arrin deri aty sa të pohojë se pavarësia e Kosovës çoi në konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainë. Historia e pasur ekspansioniste e Rusisë e hedh poshtë shumë lehtë këtë argument. Jo “precedenti i Kosovës”, por interesat gjeostrategjike, gjeopolitike dhe gjeoekonomike, e çuan ushtrine ruse në Gjeorgji dhe në Krime. Politikën dhe diplomacinë ruse, historikisht e kanë lëvizur dhe e lëvizin edhe sot, jo analogjitë dhe precedentët, por, interesat e saj si fuqi e madhe.
Së fundi, në plan më të gjerë ndërkombëtar, nuk përjashtohet që Putini të planifikojë shfrytëzimin e Kosovës si pjesë të një ujdie të madhe, në bazë të formulës së vjetër, quid pro quo. Në këtë kontekst, ai mund të ofrojë njohjen e Kosovës, në këmbim të njohjes nga Perëndimi të aneksimit rus të Krimesë.

LOJA PUTINISTE – PASOJË E FUQISË RUSE, APO E DOBËSISË PERËNDIMORE?

Loja putiniste në Kosovë është pjesë e një loje më të madhe, që ai e ka nisur, që kur erdhi në pushtet, për rikthimin e statusit të fuqisë së madhe për Rusinë dhe zënien e një vendi “më të denjë” për të në hierarkinë e fuqive kryesore botërore.
Loja e tij me Kosovën u ka paraprirë aksioneve të tij ushtarake në Gjeorgji dhe Ukrainë.
Qëndrimet e tij, pa kompromis, gjatë procesit të statusit të Kosovës dhe përpjekjet e Rusisë për zgjatjen, pa fund, të bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje, kërcënimi i hapur i Moskës zyrtare se, nëse plani Ahtisari futet në axhendën e Këshillit të Sigurimit, Rusia do të ushtronte të drejtën e vetos, thirrja me urgjencë e Këshillit të Sigurimit për të dënuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe deklaratat për “hakmarrje”, pas 17 Shkurtit 2008, Perëndimi i mori si reagime normale të një vendi që, pavarësisht kundërshtimeve, “është si ne” dhe, herët a vonë, “do t’u bashkohet qëndrimeve tona për Kosovën”. Megjithëse u shfaq më qartë në rastin e Kosovës, koncepti se Rusia “është si ne” është më i hershëm. Ashtu siç konstaton me të drejtë studiuesja Julia Shevcova, rendi botëror pas “luftës së ftohtë” u ndërtua mbi premisën se Perëndimi, tashmë, nuk ka kundërshtarë ideologjikë dhe se “Rusia mund të bëhet partnere e tij”. U besua se demokracia në Rusi mund të ndërtohet e forcohet me ndihmën e tubacioneve të naftës dhe të gazit, me investime në fushën e industrisë dhe, përgjithësisht, me shtimin e lidhjeve ekonomiko-tregtare. Disa autorë postmodernistë vlerësuan se Rusia është e orientuar nga Europa. Sipas tyre, kishte mbërritur ora e marrëdhënieve ndërkombëtare etike.
Edhe diskursi i një pjese të mirë të realistëve, nga pozita të kundërta me ato të liberalëve postmodernistë, në vend që të përmbante propozime për masa që do të çonin në frenimin e Rusisë, gjë që do të ishte e natyrshme për shkollen e tyre, përgjithësisht, ofroi qasjen e përshtatjes me Moskën.
Nga të dy krahet u kërkua që “të kuptohet Putini” dhe Perëndimi të përpiqet që me veprimet e tij të mos e provokojë dhe të mos e fyejë atë. U shfaq mendimi se Perëndimi ia ka më shumë nevojën Rusisë, se sa Rusia perëndimit.
E ndërtuar mbi iluzione, politika perëndimore injoronte ose nuk i vlerësonte si duhet, jo vetëm kërcënimet, por as veprimet agresive të Putinit. Udhëheqësi i Kremlinit kërkonte që Rusia të ndikojë në formësimin e ngjarjeve, sidomos, në “fqinjësinë e afërt” të saj. Që në mandatin e tij të dytë, Putini e formuloi këtë kërkese në dokumente të rëndësishme shtetërore, si në konceptin e politikës së jashtme, në strategjinë e sigurisë kombëtare etj, por askush në Perëndim nuk e mori atë seriozisht.
Reagimi perëndimor, pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe njohjes, nga ana e saj, të Abhazisë dhe Osetisë së Jugut si shtete të pavaruara dhe sovrane, ishte krejtësisht retorik, por edhe retorika ishte e vakët. Asnjë lloj sanksioni nuk pati ndaj Rusisë. Perkundrazi, në Deklaratën e Samitit të NATO-s në Lisbonë, mbajtur në nentor të vitit 2010, dy vjet pas konfliktit me Gjeorgjinë, u kërkua “forcimi i partneritetit ekzistues midis NATO-s dhe Rusisë” dhe u vlerësua se bashkëpunimi i tyre ‘ka rëndësi të madhe strategjike”. Perëndimi dhe Rusia vazhduan “biznesin”, si zakonisht. Kjo ishte ajo çfarë kërkonte Rusia nga Perëndimi: që të mos ndihej e fyer dhe e poshtëruar, duhej që të mos ndëshkohej, kur ajo të shkelte rregullat e lojes dhe ligjin ndërkombëtar. Kështu edhe ndodhi.
Pas vitit 2008, Rusia ia mori shizën Perëndimit dhe vazhdoi realizimin e planeve te veta si fuqi e madhe, pa hasur ndonjë rezistencë serioze, nga ana e tij.
Bashkimi Europian, i përfshirë në krizën e euros dhe atë institucionale, i zënë kryesisht me hallet e veta, shpresoi se “fuqia e ashper” putiniste do të zmbrapsej para “fuqisë së butë” të saj. Siç argumenton Henri Kizingeri, kaplimi i kontinentit të vjetër nga ideja e “fuqisë së butë”, si qëllim në vetevete, kur të tjerët veprojnë në baze të parimit të “fuqisë së ashpër”, çon në çekuilibër.
Veçanës së gabuar konceptuale, në qëndrimin e Brukselit ndaj Rusisë kanë pasur ndikimin e vet negativ edhe disa elementë të tjerë. Një numër kryeqytetesh europiane paraqiten të zbutura në raportet me Rusinë, për shkak të lidhjeve të veçanta historike me të. Si taktisien i rryer, Putini e shfrytëzoi këtë rrethanë për përçarjen e vendeve të BE-së.
Një pjesë tjetër sidomos e ashtuquajtura ‘Europë e vjetër” harroi që, jo shumë larg, por vetëm një çerek shekulli më parë, trupat ruse kanë qenë te dislokuara në zemër të saj. Vladimir Putini nuk mund të mos përfitonte nga skleroza europiane.
Në thellimin e përçarjes midis vendeve të Bashkimit Europian, nuk janë pa ndikim as interesat ekonomike e tregtare të shteteve të caktuara me Rusinë, por jo rrallë, edhe ato personale. Personalitete të njohura perëndimore, si ish-kancelari gjerman, Gërhard Shreder, por jo vetëm ai, u përfshinë në biznese fitimprurëse me Rusinë. Udhëheqës të veçantë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si presidenti çek Millosh Zeman, u kthyen në apologjetë të politikës putiniste.
Por “suksesin” më të madh në thellimin e përçarjes europiane, Presidenti rus e arriti me Kosovën. Pa mohuar “meritën” e tij në instrumentalizimin e “precedentit” Kosovë, ‘suksesi” putinist e ka bazën tek dobësia e BE-së. Brukseli nuk arriti të ketë një strategji dhe as një politikë të jashtme unike për Kosovën. 5 vende të BE-së u gjetën në një llogore me Rusinë – kundër pavarësisë së Kosovës. Duke zvarritur pa fund procesin e liberalizimit të vizave, Brukseli e ka kthyer Kosovën në një geto.
Izolimi dhe bllokimi i Kosovës në fushën ndërkombëtare është strategji putiniste, por dështimi i saj për anëtarësim në UNESCO, mban vulën edhe të disa vendeve anëtare të BE-së. Rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës, kërkon kthimin e kompetencave të UNMIK-ut, per Interpol-in dhe Europol-in. Ndërkohë, dihet që forcimi i kompetencave tw UNMIK-ut është një psalmë e politikës dhe diplomacisë putiniste, e përsëritur në mënyrë rituale në mbledhjet periodike të KS të OKB-së për Kosovën.
Nuk ka qenë pa probleme as përdorimi i tepruar i “ambiguitetit konstruktiv’, nga ana e Brukselit, në procesin e bisdimeve midis Kosovës e Serbisë. Veç keqkuptimeve midis palëve dhe implikimeve në situatën e brendshme, respektivisht, në Kosovë dhe në Serbi, ai i jep Moskës shkas për interpretime në favor të Beogradit.
Pavarësisht disa arritjeve në planin ndërkombëtar (marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, ajo për klimën etj) as politika e Presidentit amerikan, Barak Obama, ndaj Rusisë, nuk mund të konsiderohet e suksesshme. I njohur si “hero i tërheqjes”, Presidenti Obama, la në heshtje një letër të disa personaliteteve te Europës Lindore dhe Qëndrore, në vitin 2009, që tërhiqte vëmendjen për rrezikun rus në rajon. “Rifillimi” i marrëdhënieve me Rusinë, po në vitin 2009, në kuadër të të cilit ai u tërhoq nga zbatimi i programit të mbrojtjes antiraketë në Poloni dhe Çeki, vlerësohet si një politikë e dështuar. “Durimi strategjik” i Obamës dhe “udhëheqja amerikane nga prapavija”, gjithashtu vlerësohen si strategji të dështuara. Deri në ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe aneksimin e Krimesë prej saj, Presidenti amerikan e pati zhvendosur vëmendjen nga Europa, duke ia besuar asaj problemet e sigurisë në kontinentin e vjetër. Edhe kjo rezultoi të jetë politikë e gabuar.
Duket se gabimi i Barak Obamës qëndron në atë që, në raportet e tij me shefin e Kremlinit, ai nisej nga kultura strategjike dhe kodi operacional i një presidneti demokrat të një vendi demokratik, si SHBA, ndërkohë që Putini përfaqëson sundimtarin e një shteti autoritar, me kulturë strategjike dhe kod operacional krejt tjetër.
Sa i takon Kosovës, krahasuar me Bashkimin Europian, politika e Shteteve te Bashkuara të Amerikës ka qenë shumë më e vendosur dhe parimore. Megjithatë, në kuadrin e ‘filozofisë së tërheqjes”, gjatë mandatit të parë të Presidentit Obama, u fol për mbylljen e bazes amerikane në Kosovë, Bondstill, gjë që, në kushtet e mësymjes drejt Ballkanit të Rusisë së ringritur dhe ndërtimit prej saj të qendrës humanitare, në fakt të bazes ushtarake në Nish, do të ishte me pasoja negative afatgjata për sigurinë rajonale e më gjerë.
Duke qenë se, në SHBA, 2016-a është vit i zgjedhjes së presidentit të ri, shpresohet që kandidatët për president të nxjerrin mësimet e duhura, për t’ju ofruar zgjedhësve politika dhe strategji më të qarta e më të vendosura në marrëdhëniet me Rusinë. Pozat pro Putinit dhe komplimentet publike, të kandidatit Donald Trump për udhëheqësin rus mund t’i shkojnë për shtat një afaristi që kërkon të arrijë një ujdi fitimprurëse për biznesin e vet, por në asnjë mënyrë, Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

PËRFUNDIME
Loja putiniste me Kosovën, instrumentalizimi i “precendetit” të saj dhe heqja e paraleleve të rreme mes Kosovës dhe konflikteve të tjera në hapësirën ish sovjetike, në mënyrë të veçantë me Krimenë, është bërë burim kërcënimi për sigurinë europiane.
Ajo dëshmon se, pavarësisht ndryshimit të rrethanave, Kremlini vazhdon ta konsiderojë Ballkanin si sferë të interesave të tij strategjike, shumëplanëshe dhe afatagjata. Në logjikën e Kremlinit, ky rajon është pikë e nxehtë rivaliteti midis tij dhe Perëndimit, ku secila palë kërkon avantazhe gjeostrategjike.
Në këto kushte, është e domosdoshme që kthjellimi i Perëndimit për natyrën e vërtetë të regjimit putinist, i cili filloi me aneksimin rus të Krimesë, të vazhdojë më tej, për të shpërndarë përfundimisht iluzionet perëndimore mbi mundësine e bashkëpunimit me Vladimir Putinin, si me një partner apo aleat. Përkundrazi, sidomos, në raport me Ballkanin, ai duhet të konceptohet e të trajtohet si kundërshtar i egër i Perëndimit dhe i popujve të këtij rajoni.
Nga ky këndvështrim, politika e frenimit, duket se është instrumenti më efektiv ndaj kursit putinist në këtë rajon. Politikat e bashkëpunimit me Kremlinin, për të cilat po flitet edhe këto ditë, duhen parë me shumë rezervë, kudo, por sidomos në Ballkan, ato janë të rrezikshme.
Është për t’u përshëndetur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtimin e pranisë së saj ushtarake në Europë, por forcimi i kësaj pranie është i domosdoshëm edhe në Ballkan, jo vetëm në Europën Lindore dhe vendet balltike. Ruajtja e bazës amerikane në Bondstill dhe shikimi i mundësise për ndërtimin e ndonjë baze tjetër, psh. në bregdetin shqiptar, do të ishin kontribut i rëndësishëm për forcimin e sigurisë e të stabilitetit të krejt rajonit tonë. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, balanca e fuqisë në Europë dhe në Ballkan, anon nga Rusia.
Në funksion të forcimit të sigurisë rajonale do të ishte përshpejtimi i procedurave për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në NATO, anëtarësimi i Maqedonisë dhe Bosnje Hercegovinës, si dhe krijimi i ushtrisë së Kosovës, përfshirja e saj në Partneritetin per Paqe dhe, në perspective, anëtarësimi i plotë edhe i këtij shteti ne Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Pavarësisht problemeve të brendshme që po përjeton Bashkimi Europian, është i nevojshëm një rifokusim i vëmendjes së tij ndaj Ballkanit Perëndimor dhe, në mënyrë të veçantë, ndaj Kosovës. Është pozitiv nënshkrimi i MSA-së midis BE-së dhe Kosovës, por efektet e normave dhe standarteve që përmban kjo marrëveshje janë, jo të shpejta. Kërkohen rezultate të prekshme sot, jo nesër apo pasnesër. Në këtë kontekst, Brukseli duhet t’u japë fund zvarritjeve të pajustifikueshme për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës.
Një hap tjetër konkret e kuptimplotë do të ishte njohja e Kosovës nga 5 vendet anëtare të BE-së, Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Në të kundërt, Brukseli do të humbiste edhe të drejtën morale për t’ua kërkuar këtë gjë të tjerëve, duke dëshmuar mungesën e unitetit dhe të kohezionit në rradhët e veta.
1)- . Dr. Islam LAUKA është President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, diplomat me gradën Ministër-Këshilltar; ish ambasador i pare i Shqipërisë në shtetin e ri të Kosovës, pedagog ligjërues në Universitetin UBT e Kolegjin FAMA në Prishtinë, etj. Autor i disa monografike shkencore për diplomacinë, politikën e jashtme e marrëdhëniet ndërkombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, kosova, NË LOJËN PUTINISTE

RIKTHIMI I SHQIPËRISË NË VITIN E MBRAPSHTË 1913

January 13, 2016 by dgreca

Përse i duhet Ramës Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit?/
Opinion nga Dr. Islam LAUKA/
“Rilindja” e Edi Ramës po i rikthen Shqipërisë vitin e mbrapshtë 1913, kur, në emër të gjashtë Fuqive të Mëdha të kohës, për fatet e shqiptarëve vendoste Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Pas 104 vjetësh shtet i pavarur, në kuadrin e Reformës në Drejtësi, Shqipërisë i ofrohet një Komision Ndërkombëtar Monitorimi, i cili, sipas propozimit të Qeverisë, duhet të sanksionohet edhe në Kushtetutë. Që Reforma në Drejtësi është e domosdoshme, nuk ka asnjë dyshim. Që duhen goditur fort të korruptuarit në sistemin e drejtësisë, edhe për këtë janë të gjithë dakord. Por pyetja që shtrohet është kjo: a nuk qenkemi në gjendje ne shqiptarët ta bëjmë këtë reformë? Unë mendoj se po.
Po përse i duhet Ramës Komisioni Ndërkombëtar i Monitorimit?
Dy janë arsyet kryesore: Së pari, për opinion të brendshëm, për të “vërtetuar” se ai gëzon mbështjejen e partnerëve ndërkombëtarë. Së dyti, për të dëshmuar “luajalizmin”, në të vërtetë, servilizmin patologjik të tij ndaj ndërkombëtarëve, tipar ky, jo vetëm i kryeminstrit aktual, por i klasës sonë politike, në përgjithësi. Pa pikën e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj qytetarëve, politikanët tanë mendojnë se shqiptarët nuk mund ta bëjnë vendin e tyre, prandaj ftojnë ekspertë, gjykatës, prokurorë, komisione, deri edhe ushtri ndërkombëtare për ta (zh)bërë Shqipërinë.
Atyre duhet t’u skuqet faqja, nëse e njohin sadopak turpin, kur të lexojnë qëndrimin e Komisionit të Venecias, të cilit i janë drejtuar për ndihmë, pikërisht, për Reformën në Drejtësi. Sipas këtij Komisioni, ngritja e organizmit të lartpërmendur (Komisionit Ndërkombëtar të Monitorimit) është shumë e pazakonshme. Dhe më tej, një Kushtetutë kombëtare nuk mund të përfshijë në sistemin e kontrollit dhe balancave një figurë apo organizëm që emërohet nga jashtë dhe që nuk jep llogari përpara organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike, brenda vendit.
Pas Sovranitetit Shtetëror, pushtetarët tanë, duket se janë të gatshëm të shesin edhe dinjitetin e tyre. Nëse ende u ka mbetur gjë prej tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Islam Lauka, NË VITIN E MBRAPSHTË 1913, RIKTHIMI I SHQIPËRISË

E VËRTETA KA VETËM NJË EMËR: DËSHTIM DHË ZHGËNJIM

December 7, 2015 by dgreca

…QEVERITARËT TANË, NË TË DY ANËT E KUFIRIT, MUND TË “QETËSOJNË” VETEN, ME SUKSESE VIRTUALE,..PO E VËRTETA KA VETËM NJË EMËR: DËSHTIM DHË ZHGËNJIM./
-Intervistë e dr. Islam LAUKA – ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, president i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike dhe i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike dhënë gazetës “Epoka e Re” në Prishtinë, (botuar sot, më 7 dhjetor 2015, faqe 1 e 3)-
“EPOKA E RE”: Z. Lauka, ka më shumë se dy muaj që Kuvendi i Kosovës gjendet në bllokadë të punës institucionale nga dy taborët politike. Ju si e shihni daljen nga ky ngërç. Mund të na jepni një vlerësim, pasi keni qenë edhe ambasador në Prishtinë dhe e njihni mirë situatën e këtushme?
LAUKA: E vërteta e hidhur është se, po të marrim si referencë zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, rezulton se një pjesë e institucioneve të Kosovës, rreth 50 % të kohës, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Ky është një luks që nuk do t`ia lejonin vetes as demokracitë dhe shtetet e konsoliduara, le më Kosova që është një shtet i ri, i dalë nga një konflikt i përgjakshëm dhe që po ballafaqohet me njëmijë e një halle. Barrikadimi i skajshëm politik nuk i zgjidh, përkundrazi, i pezmaton edhe më keq problemet tona.
“EPOKA E RE”: Cili është qëndrimi juaj, sa u përket dy marrëveshjeve për të cilat opozita nuk po pajtohet. Pra Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ajo për demarkacionin me Malin e Zi?
LAUKA: Marrëveshja për parimet bazë mbi themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ajo për shënjimin e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi kanë shkaktuar mospajtime të thella midis pozitës dhe opozitës. Që të ketë mospajtime, mosmarrëveshje, mendime të kundërta për probleme të caktuara, kjo është një dukuri krejt normale në demokraci. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për interesa shtetërore jetike, si territori, pavarësia dhe sovraniteti. Por çështja qëndron tek metodat dhe mjetet që përdoren për zgjidhjen e mospajtimeve.
Në gjykimin tim, të dy marrëveshjet e lartpërmendura nuk janë pa mëkate. Analistë dhe ekspertë konstitucionalistë kanë shkruar gjërësisht për to në shtypin e Kosovës. Nga ana tjetër, mendoj se ato janë marrëveshje, jo nga malli, por nga halli. A ka të drejtë opozita që të shprehë gjykimet, vlerësimet dhe mospajtimet e saj ndaj këtyre marrëveshjeve? Padyshim që po, ka plotësisht të drejtë. Por natyra e profesionit tim si diplomat karriere, si dhe përvoja ime jetësore, më bëjnë që të distancohem në mënyrë të prerë nga përdorimi i metodave dhe mjeteve të dhunës për arritjen e qëllimeve politike ditore. Në këtë konkest, jam kundër përdorimit, nga opozita, të gazit lotsjellës në Kuvend, ashtu siç jam kundër përdorimit, jopërpjesëtimor, të dhunës nga ana e policisë, ndaj protestuesve, me 28.11.2015.
“EPOKA E RE”: Edhe në Tiranë është protestuar për deputetin e Kosovës, Albin Kurti me moton: “Po Albin Kurtit, jo Zajednicës”. Mendoni se Tirana është duke ndërmjetësuar në zgjidhjen e kësaj bllokade?
LAUKA: Në parim, nuk ka asgjë të keqe të protestosh në Tiranë apo në Prishtinë për të mbrojtur a kundërshtuar ide dhe kauza të caktuara, me interes kombëtar dhe shtetëror. Ajo që për mua nuk shkon është rreshtimi partiak, pra ndërtimi i marrëdhënieve apo organizimi i veprimtarive midis Shqipërisë dhe Kosovës, në baza partiake. Shqipëria dhe Kosova kanë boll partnerë të huaj me të cilët mund të zhvillojnë marrëdhënie ndërpartiake. Ato nuk janë të huaja për njëra-tjetrën, vërtet janë shtete të pavarura dhe sovrane, por vëllezër. Pëçrarjet partiake janë të dëmshme për marrëdhëniet tona ndërshtetërore.
Sa i takon ndërmjetësimit të Tiranës në zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë, unë nuk jam në dijeni të ndonjë nisme të kësaj natyre, por mendoj se, pavarësisht çdo sugjerimi që mund të vijë nga Tirana ose nga çdo kryeqytet tjetër mik i Prishtinës, sado konstruktiv të jetë ai, janë institucionet e Kosovës ato që duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë për të gjetur rrugët e daljes nga ky ngërç dhe të vendosin për ndryshimin e gjendjes kritike, në të cilën ndodhemi.
“EPOKA E RE”: Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë kemi mospajtime të mëdha midis pozitës dhe opozitës. Si do të duhej të eliminohej kjo, sidomos, në rastet kur kemi të bëjë me çështjet ndërkombëtare, që janë në interes të të dyja shteteve?
LAUKA: Kur bëhet fjalë për çështje ndërkombëtare, faktorët politikë në shtetet serioze, si rregull, dalin me qëndrime të unifikuara. Në rastin tonë, të marrëveshjes me Serbinë për asociacionin dhe për shënjimin e kufirit, do të ishte mirë, që të sigurohej konsensus sa më i gjërë politik, sepse kështu ato do të ishin më legjitime. Kur ka mospajtime, ato zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogot. Polarizimi politik nuk çon në zgjidhje. Zgjidhja kërkon kompromis. Kompromisi arrihet vetëm nëpërmjet artit të dialogimit. Ky art nënkupton tërheqje të të dy palëve, jo njëra të vazhdojë të qëndrojë e barrikaduar dhe tjetra të lëshojë pe. Apo më keq akoma, të ftohet pala tjetër për dialog, duke e etiketuar si ISIS. Dialogu zhvillohet midis të barabartësh, pa kushte dhe pa etiketime fyese.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, në vizitën e tij, me 2 dhjetor 2015, në Prishtinë theksoi se është me rëndësi jetike gjetja e gjuhës së përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nëpërmjet dialogut. A e kemi kuptuar këtë mesazh që vjen nga miku dhe mbrojtësi më i madh i pavarësisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Nëse po, çfarë presim?
“EPOKA E RE”: Në ditën e 28 Nëntorit, kishte zëra që thoshin se ndërmjet Kosovës
dhe Shqipërisë, më shumë ka folklorizëm se sa bashkëpunim konkret në çështjet ekonomike. Në këtë kontekst, a mendoni se do të duhej të bëhej më shumë në drejtim të bashkëpunimit ekonomik të të dyja vendeve dhe cilët do të duhej të ishin hapat konkretë?
LAUKA: Unë nuk bëj pjesë në mesin e atyre që shohin vetëm zi në marrëdhëniet ekonomike midis Kosovës dhe Shqipërisë. Padyshim, kemi rritje të tyre. Në këtë kuadër, dua të veçoj punën dhe kontributin e Ambasadorit Minxhozi, i cili është mjaft aktiv, sidomos në terren, duke vizituar çdo cep të Kosovës. Por mundësitë e dy shteteve tona janë për shumë më tepër. Shifrat janë kokëfortë dhe ato dëshmojnë se qarkullimi i mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës është shumë më i ulët se ai midis Serbisë dhe Kosovës. Importet e Kosovës nga Serbia janë 2-3 herë më të larta se nga Shqipëria. Ka shumë deklarata, shumë fjalë të mëdha (tollumbace) shumë takime, por që kur futen në sitë, rezultojnë të jenë vetëm krunde, pa miell. Flitet për partneritet strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë, por ballafaqimi periodik i bizneseve tona me pengesa jotarifore, teknike dhe administrative nga më të ndryshmet, tregon që, jo marrëdhënie strategjike, por në praktikë, as thjesht normale nuk mund të konsiderohen. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë kapacitete për të prodhuar raketa që t`ia bllokojnë njëra-tjetrës në kufi, por ato që kanë mundësi t`i prodhojnë si, perime, fruta, patate, mish, qumësht, miell, çimento, etj ia kanë bllokuar njëra-tjetrës me trarin e doganës.
Për mendimin tim, bllokimi i tyre bëhet, kryesisht, mbi baza korruptive dhe abuzive. Nën maskën e mbrojtjes së prodhimit vendor, zyrtarë të institucioneve qëndrore, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kundrejt përfitimeve personale, mbështesin biznesmenë apo biznese të caktuara, për të ruajtur monopolin e prodhimit e të tregtimit të produkteve të tyre.
Midis hapave konkretë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve tona do të theksoja: krijimin e tregut të përbashkët ekonomik dhe energjitik; politika të përbashkëta fiskale; projekte të përbashkëta infrastrukturore për të thithur fonde nga BE, BERZH, BB; integrimin e tregjeve të punës, etj. Nëse i materializojmë këto, shpresoj që, në masë të madhe, do t`u ndërpritet rruga abuzimeve dhe korrupsionit në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.
“EPOKA E RE”: Z. Lauka, Kosova Lindore është duke u përballur me padrejtësi nga pushteti serb, sidomos, ishte alarmuese çështja e ndalimit të librave shqip. Po ashtu, edhe në Maqedoni ka pakënaqësi nga shqiptarët, për shkak të moszbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Mendoni se Kosova dhe Shqipëria duhet ta mbajnë bajrakun për t’u prirë çështjeve kombëtare për stabilizim gjithëkombëtar. Pra atje ku janë pakicë,t’u dalin në ndihmë?
LAUKA: Ajo që ndodhi, kohët e fundit, në Luginën e Preshevës, me bllokimin në kufi, nga policia serbe, të abetares shqipe, të kujton inkuizicionin në epokën e mesjetës. Autoritetet serbe nuk po arrijnë të çlirohen nga albanofobia. Për pasojë, shqiptarët atje vazhdojnë të mbeten pakica më e shtypur dhe më e diskriminuar në Europë. Si Shqipëria edhe Kosova e kanë për detyrë të kujdesen dhe t`ju dalin në mbrojtje shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ata duhet të gëzojnë, hiç më pak, se të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë.
Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë ka një natyrë tjetër. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është, në radhë të pare, në interes të shqiptarëve, por zbatimi i saj është interes jetik edhe i vet shtetit maqedon. Besoj se Shkupi zyrtar, tashmë, është vetëdijësuar se, pa u marrë vesh me shqiptarët, nuk mund të ketë Maqedoni të pavarur dhe sovrane, të tillë siç e kemi njohur deri më tani.
“EPOKA E RE”: Sa jeni i kënaqur me qeverisjen në Shqipëri, të drejtuar nga Edi Rama?
LAUKA: Do të doja të isha i kënaqur me qeverisjen e Edi Ramës dhe të çdo qeverie tjetër në Shqipëri, por, realiteti shqiptar, pas dy vjetësh në pushtet të Kryeministrit Rama, dëshmon se kemi të bëjmë vetëm me zhurmë, propagandë, slogane dhe suksese virtuale. Rama erdhi në pushtet me moton e “Rilindjes”. Se ku do të dilte me “Rilindjen” e tij nuk e di. Dyshoj, nëse ai vet e ka ditur ndonjëherë. Por unë, me keqardhje, konstatoj se “Rilindja” e tij ka risjellë, në përmasa të rrezikshme, hemoragjinë shqiptare të viteve `90-të, aq sa numri i refugjatëve shqiptarë në Perëndim, krahasohet me numrin e atyre që largohen nga konflikti i egër në Siri. Për fat të keq, kjo po ndodh edhe në Kosovë. Hemoragjia kombëtare e rinisë (si krah i lirë pune), por edhe largimi i trurit, dikur janë justifikuar me shtypjen e gjatë diktatoriale dhe pasojat e saj në Shqipëri, si dhe me dhunën shtetërore serbe në Kosovë. Po sot, kur të dy vendet tona janë të lira dhe e quajnë veten demokratike, kush është përgjegjës për vazhdimin e pandërprerë të kësaj hemoragjie, me pasoja të rënda për të tashmen dhe të ardhmen e shteteve dhe kombit tonë? Në gjykimin tim, përgjegjëse është klasa politike, në mënyrë të veçantë, elita pushtetare në Kosovë dhe në Shqipëri.
Nëse kjo plagë vazhdon të mbetet e hapur, qeveritarët tanë, në të dy anët e kufirit, mund të “qetësojnë” veten, me suksese virtuale, mund të përpiqen të na mashtrojnë ne dhe partnerët tanë me “sukseset” e tyre, por të vërtetën nuk e fshehin dot dhe ajo ka vetëm një emër: dështim dhë zhgënjim.

Filed Under: Interviste Tagged With: DËSHTIM, DHË ZHGËNJIM, Dr. Islam Lauka, E VËRTETA KA VETËM NJË EMËR:

“TERRORIZMI – RREZIK APO KËRCËNIM”?

November 27, 2015 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA/
Pas sulmeve terroriste në Paris, me 23.11.2015, edhe në Shqipëri u vunë në lëvizje institucionet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese për forcimin e punës dhe bashkërendimin e veprimeve me qëllim parandalimin e akteve terroriste, që mund të kryhen nga aktorë të brendshëm, apo të jashtëm.
Për t’u vlerësuar është mbledhja më 21 Nëntor 2011, e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga ana e Presidentit Nishani.
Masa të kësaj natyre u morën edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, si në njoftimet zyrtare, ashtu edhe në “analizat” dhe “ekspertizat” që, këto ditë, kanë përmbytur mjetet e informimit masiv, bie në sy që nuk ka një koncept të qartë se çfarë është terrorizmi sot për botën, në përgjithësi dhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, në veçanti. A përbën ai rrezik apo kërcënim? Nëse rrezik, në çfarë shkalle? Nëse kërcënim, në çfarë niveli?
Jo vetëm kaq, por ka një ngatërrim, moskuptim dhe keqpërdorim të termave “rrezik” dhe “kërcënim”. Në të shumtën e rasteve, ato përdoren si terma me kuptim të njëjtë, por ka edhe jo pak raste që përdoren me kuptime të ndryshme, jo atë që kanë në të vërtetë, por duke i dhënë termit “rrezik” kuptimin e “kërcënimit” dhe anasjelltas.
Në emisionin “Opinion” të datës 16.11.2015, njëri prej të ftuarve, ish ministër i mbrojtjes së Shqipërisë, u shpreh se përshkallëzimi i së keqes, në këtë rast i terrorizmit, shkon gradualisht, nga kërcënim, në rrezik. Mendimin e tij e mbështetën edhe të ftuarit e tjerë, përfshirë edhe një ekspert i sigurisë.
E kundërta është e vërtetë. Përshkallëzimi i së keqes shkon nga rrezik në kërcënim. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos, në atë realiste, si dhe në doktrinat e sigurisë apo të mbrojtjes të shteteve, termi “rrezik” (danger) nënkupton situatën kur e keqja, fatkeqësia, dëmi mund të ndodhë, mund të ngjasë, por edhe mund të mos ndodhë, a të mos ngjasë. Në këtë kuptim, “rreziku” ka të bëjë më shumë me sigurinë kombëtare, në përgjithësi. Ndërsa “kërcënimi” është paralajmërim apo kanosje e drejtpërdrejtë e së keqes, në rastin tone, e terrorizmit. Në këtë kuptim, “kërcënimi”, jo se nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, por më shumë lidhet me mbrojtjen kombëtare.
Atëherë, terrorizmi është rrezik apo kërcënim për ne shqiptarët?
Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 20.11.2015 miratoi Rezolutën nr 2249 kundër terrorizmit, në të cilën kjo dukuri klasifikohet si “kërcënim global” për paqen dhe sigurinë dhe u bëhet thirrje të gjitha shteteve që të mobilizojnë forcat dhe burimet e tyre kundër tij, t’i jepet fund dërgimit të luftëtarëve të huaj në Siri, të ndërpriten burimet e financimit të terrorizmit, etj.
Sa i takon vendit tonë, tashmë, dihet publikisht që shërbimet sekrete të partnerëve tanë kanë informuar që kryeqyteti ynë, Tirana, është një ndër objektivat e sulmeve terroriste. “Arsyet” përse Shqipëria është cak i terrorzmit janë komplekse. Një prej tyre, mund të jetë fakti që vendi ynë është anëtar aktiv i aleances antiterror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër, mund të jetë miratimi i ligjeve që penalizojnë individët që shkojnë për të luftuar jashtë shtetit. Një tjetër “arsye”, mund të jetë arrestimi i një numri klerikësh apo individësh që akuzohen për rekrutim xhihadistësh.
Për të mos shkuar më tej, këto “arsye” janë të mjaftueshme për të nxitur hakmarrjen e terroristëve ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Republikës së Kosovës, që përafërsisht, ka të njëjtin qëndrim ndaj kësaj dukurie.
Përsëri vijmë tek pyetja themelore: terrorizmi përbën rrezik apo kërcënim për ne?
Nisur nga sa u tha më lart, duket se përgjigja është krejtësisht e qartë: terrorizmi sot përbën një kërcënim real, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Ai është kërcënim për interesat tona shtetërore dhe kombëtare.
Ҫështja duhet të shtrohet ndryshe, jo të vihet në pikëpyetje fakti, nëse terrorizmi përbën kërcënim, por të njihet si i tillë dhe të përcaktohet se i çfarë niveli është ky kërcënim. Në vende të ndryshme ekzistojnë klasifikime të ndryshme të nivelit të kërcënimit, por, përgjithësisht, njihen 5 nivele: i ulët, i moderuar, substancial, i lartë dhe kritik.
A është përcaktuar ky nivel nga institucionet shtetërore të Shqipërisë? Po nga ato të Kosovës? Nëse po, mirë ështe që ai të bëhet i njohur publikisht, si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Nëse jo, do të ishte mirë që të përcaktohet sa më shpejt. Sepse në varësi të nivelit të kërcënimit, merren edhe masat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, më datë 23.11.2015, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, S. Tahiri, jo vetëm që nuk foli për kërcënim, por edhe kur përdori termin “rrezik” deklaroi se “nuk ka rrezik të shtuar”. Përpjekja për të shmangur shfaqjet e panikut është për t’u marrë në konsideratë, por kjo nuk duhet bërë në dëm të së vërtetës. Pa diagnostifikim të saktë, nuk mund të ketë as kurë efikase.
Mesazhe “qetësie” po përcjellin, këto ditë, edhe udhëheqësit tanë më të lartë shtetërorë, Kryeparlamentari Meta, Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani, të cilët, njëherësh, kanë marrë rrugët e botës. Askush nuk thotë që zyrtarët e lartë shtetërorë të mos udhëtojnë jashtë shtetit, por përse të udhëtojnë të gjithë njëherësh dhe përse pikërisht tani? Nëse, mos e thashtë zoti, prishet kjo “qetësi”, kush do t’i marrë vendimet për t’u ballafaquar me rrezikun apo kërcënimin?
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, lidhur me kërcënimet terroriste. Paralajmërimi përfshin periudhën nga tani, deri më 24 Shkurt 2016. Por ne mund të rrimë “të qetë”. Sepse ne nuk jemi amerikanë. Udhëtime të këndshme “të dashur” udhëheqës shqiptarë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, rrezik apo kercenim, terrorizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT