Nga: Ermira Babamusta/
Këngëtarja e lindur në Gjakovë, Festina Mejzini tashmë ka nisur rrugëtimin drejt suksesit përtej skenës shqiptare. Festina njofton për një bashkëpunim të ri me një producent të njohur suedez, që do ta lajmërojë publikisht së shpejti. “Është gjëja më e çmuar që më është ofruar këto pesë vite karrierë dhe shpresoj të ja arrij qëllimit,” tregon ajo.Festina Mejzini shkëlqeu në skenën e muzikës shqiptare dhe u bë më e njohur nga festivalet ku konkuroi si, X-Factor Albania, Festivali “Kënga Ime”, Top Fest’10, Festivali “100 vjet muzikë”.
Festivali “Kënga Magjike”, Festivali i fundvitit në RTSH, dhe festivale të tjera në Kosovë.Në 2014 lançoi këngën dhe videoklipin “Festa” me tekst dhe muzikë nga Big Basta, drejtuar nga Emiljo Leka dhe me produksion 042 Zone. Kënga “Si dielli hanën” në Kënga Magjike këtë vit u prit shumë mirë, dhe ështe përfolur si kënga më e bukur e këtij festivali. Ndërsa në Festivalin e fundvitit në RTSH, Festina bëri bujë me këngën “Atje Lart”, e cila thuhej se do ishte kënga më e bukur për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong.
Ylli i ri i muzikës Festina Mejzini e nisi karrierën në moshën 15 vjeçare në Suedi ku ka jetuar. Fitoi zemrat e publikut shqiptar duke zëne vendin e 3-të në X-Factor Albania 2012. Sot ajo jeton në Tiranë ku ndjek studimet.“Jam me fat që jam rritur me një familje ku gjithmonë muzika ka qenë e pranishme, të them të drejtën rrugëtimi im ka nisur që në moshën 15 vjeç. Në atë kohë jetoja në Suedi dhe në fakt ka qenë zysha ime atje që e dëgjoi zërin tim krejt papritur në një park lojrash duke kënduar këngën “Zemrën e lam peng” dhe më tha: “O Zot çfarë zëri, ti duhesh të marrësh pjesë në programin e shkollës sivjet dhe të këndosh po këtë këngë. Mua mu duk një reagim i çuditshëm, një gjë që nuk ma kishte thënë kush deri atëherë. Dola para mbledhjes se prindërve e këndova, edhe pse në gjuhën shqipe, publiku u emocionua shumë. Kur u ktheva në Kosovë filluan të afërmit, shoqëria të më thonë të njëjtat fjalë. Prisja me padurim të organizohej një kompeticion për talentet e reja dhe ta provoja veten njëherë në Shqiperi. Ishte X-Factor kapitulli im i parë i ditarit tim artistik. Sa për kureshtje, pas 7 viteve zysha ime nga Suedia, Sussane Nysten, pas performancës time në RTSH më ka shkruajtur, duke ndarë ndjenjën e lumturisë për suksesin tim me mësuesit e tjerë që janë atje,” tregon Festina Mejzini.
Festina adhuron muzikën Pop/R&B, Reggae, Hip-Hop, Jazz/Folk dhe thotë se ka dëshirë të guzojë për sa i perket zhanrave. Në të ardhmen ajo mendon të bëjë një album.“Gjatë moshës së adoleshencës kam preferuar muzikën rock, por muzika me thënë të drejtën është shumë e lidhur me moshën në fakt duke u rritur filluan të ndryshojnë shijet e muzikës; me të lidhej dhe stili i veshjes. Kam provuar zhanre të ndryshme të muzikës sidomos gjatë rrugtimit tim në X-factor. Guxova të këndoj dhe rap që ishte shume e çuditshme për Shqipërinë në atë kohë, dmth para 5 viteve të këndoj njëvajzë rap-hiphop. Secili zhanër i muzikës e ka bukurinë e vet. Do veçoja muzikën reggae, jazz/folk dhe R&B, në këto rryma e shoh veten më shumë,” tha ylli Festina Mejzini.