Nga Guxim ALIMANI/
Që nga mbrëmja e 26 qershorit 2013 e në vazhdim, në shumicën e analizave mediatike, por dhe bashkëbisedimeve miqësore, kam vënë re një konstatim të përgjithshëm: Basha e ka shumë të vështirë të krijojë profilin e vet si lider i PD-së, kundrejt autoritetit e populizmit që manifestoi Dr. Berisha. Natyrisht, që këtu ka një të vërtetë. Do të mjaftonte vetëm periudha mbi dy dekada në krye të PD-së e Berishës si dhe postet më të larta si President e Kryeministër që të përvijohej ky handikap. Personalisht, e shoh ndryshe këtë problem sikundër shoh medaljen që ka dy anë. Arsyetoj bindjen time si më poshtë. Konteksti politik që pruri në krye të PD z.Basha, e favorizon skajshmërisht atë të autoprofilizohet si lider. Natyrisht, si një lider modern, europian e i kultivuar.
Arsyeja e parë është imazhi politik e human i kryetarit të ri të PD-së . Ai është një personalitet me një karrierë të shkëlqyer politike dhe administrative, ndonëse me ngjitje të shpejtë e më moshë të re.
Së dyti: Situata aktuale politike, kërkesat brenda dhe jashtë vendit, kërkojnë lider politik gjakftohtë, me kulturë politike të lartë si verbale ashtu dhe vepruese. Besoj se Basha në këtë aspekt është jo vetëm më lart se paraardhësi Berisha, por sfidon të gjithë liderët aktual me peshë politike.
Së treti: Z. Basha erdhi në krye të PD-së, jo në një rotacion normal partiak, por pas një dorëheqje të imponuar të Berishës si rezultat i përjetimit shokues të demokratëve më 23 qershor 2013. Ky rezultat edhe tek më optimisti në radhët e PD-së, e bënte atë parti për shumë kohë të paaftë për t’ju qasur rimarrjes së pushtetit.
Së katërti: Me ndonjë përjashtim që qëndron krejt i izoluar e në minorancë, brenda PD-së ekzistonte pakënaqësia për moskonsiderimin e normave statusore e programore. Strukturat e PD-së që nga kryesia e deri tek Këshilli Kombëtar, ishin jo vetëm inefiçente por edhe inekzistente. Shpesh këto struktura nuk kanë pasur as fuqinë e një medie apo gazetari që qëndronte afër kryetarit Berisha.
Së pesti: Kryesia e vjetër e PD-së e përzgjedhur nga z. Berisha e humbi legjitimitetin e saj plotësisht, pasi e gjithë kupola drejtuese në parti e në ekzekutiv, humbi rendë duke atrofizuar kështu dhe moralin e saj politik. Ky fakt i jep dorë të lirë Bashës të zgjedhë stafin e ri drejtues sipas profilit dhe koncepteve të tij, pa pasur reagime të paktën në bazën e demokrateve .
Së gjashti: Vetë Basha nuk ka ardhur në krye të PD-së si në rastin e Edi Ramës në PS, por si një pëlqim i vetë liderit historik të PD-së, z. Berisha. Pra nuk ka asnjë rrezik që nga të ashtuquajturit “njerëzit e Berishës” në bazë e në qendër, Basha të mund të pësojë trysni që konsiderohen. Këtë e tregoi edhe fushata e përzgjedhjes për kryetar, ku ai pati përkrahje të fortë e pa mëdyshje nga idhtarët e doktorit.
Së shtati: Zoti Basha në udhëtimin e tij të shpejtë drejt autoprofilit, ka edhe favorin e të qenit kryetar i Bashkisë së kryeqytetit për shumë arsye që dihen, arsye këto që kanë favorizuar jo pak edhe Zotin Rama, paraardhësin e tij. Sa i përket Bashkisë, duhet thënë se Basha nuk po vepron aspak mirë. Ai ka mbledhur aty pas 23 qershorit, një tufë ish-drejtorësh të përfolur të qeverisë Berisha. Shumica prej tyre kanë shijuar për 8 vjet nga 4-5 detyra majmëruese dhe nuk kanë asnjë autoritet që mund ti shërbejë Bashës brenda partisë.
Pra, si përfundim, arsyetoj se Basha nuk e ka të vështirë siç përflitet autoprofilizimin e tij në PD dhe më gjerë. Natyrisht, brenda PD-së ka grupacione me zë dhe të heshtura që presin rastin të ngrenë kokë. Por, tani është plotësisht në dorën e tij ringritja, ripërtëritja e strukturave të PD-së. Zëvëndësimi i figurave të konsumuara si Topalli, Bode, Noka, Strazimiri, Pollo, etj. në daljet publike me figura të reja nga grupi parlamentar, tregojnë se z. Basha është i bindur në një transfuzion të thellë të organeve drejtuese në parti.
Me gjithë vështirësitë e dorës së dytë, Lulëzim Basha ka sot jo vetëm tagrin, por dhe mundësitë që të përshpejtojë i sigurt riformatimin e forcës më të rëndësishme të opozitës në vend.