-Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot unanimisht Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në 27 tetor në Strasburg dhe e procedoi në Kuvend për seancën e të hënës së 2 nëntorit/
– Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn viziton Kosovën drejt zbatimit të MSA-së/
-Kosovës i hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh/
-MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur e të gjitha vendeve të rajonit/
-Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Tetor 2015/ Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike u miratua sot në mbledhjen e paraditës të qeverisë kosovare drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, e cila do mblidhet edhe pasdite.
“Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”, ishte në axhendën e mbledhjes së sotme të 55-të të qeverisë së votur në Kuvend në 9 dhjetor, 6 muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare 8 qershorit 2014.
Unanimisht u vendos që Marrëveshja të procedohet në Kuvendin e Kosovës, për seancën e të hënës.
MSA, VULLNET I TË GJITHË QYTETARËVE TË KOSOVËS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit tha se kjo është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për Kosovën.
“Konsiderojmë se kjo Marrëveshje është shprehje e vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim feje e etnie, sepse është me interes që të gjithë të përfitojnë nga integrimet evropiane, nga zhvillimi i demokracisë, nga forcimi i shtetit ligjor, nga forcimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë shumicë, edhe atyre që nuk janë shumicë, të drejtave fetare të tyre”, tha kryeministri kosovar.
Po ashtu, vijoi ai, përfitimet që do t’i kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se lypset që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar me punën e tyre në përgatitjet e deritanishme, dhe punët që janë bërë deri në nënshkrimin e Marrëveshjes, përfshirë këtu edhe ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila në kohën sa ishte ministre ka punuar gjatë dhe me përkushtim të madh, pastaj ministrin Bekim Çollaku, si dhe pushtetin lokal i cili ka bërë punën e vet, dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.
“Kjo është një simbiozë e punës së përbashkët që e kemi arritur”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke njoftuar kabinetin qeveritar se një ditë më parë, bashkë me zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Integrimeve dhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, janë pajtuar që të hënën të mbahet seancë e Kuvendit.
“Ne sot i propozojmë Kuvendit që të hënën ta trajtojë këtë Marrëveshje që do të jetë pikë e vetme e seancës së Kuvendit, në mënyrë që të procedojmë më shpejt dhe të krijojmë kushte që Marrëveshja sa më shpejtë të hyjë në fuqi dhe t’i realizojmë objektiva tona”, tha kryeministri Mustafa.
RËNDËSI POLITIKE, LIGJORE DHE EKONOMIKE E MSA-së
Duke prezantuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka folur për rëndësinë politike, ligjore dhe ekonomike të MSA-së.
“Nga këndvështrimi politik, MSA-ja ka avancuar marrëdhëniet tona me BE-në nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë, në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dy palët nënshkruese. Si e tillë, MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin e saj zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja ka marr obligim të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës, duke integruar Kosovën në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993. Nga këndvështrimi ligjor, MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur të gjitha MSA-të e vendeve të rajonit. MSA-ja është negociuar në bazë të nenit 218 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian”, tha ministri Çollaku.
Ai po ashtu theksoi se MSA-ja formalizon dialogun institucional me BE-në, do të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së dhe se MSA-ja gjithashtu parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme, etj.
Nga këndvështrimi ekonomik, sipas ministrit të Integrimit Evropian, MSA-ja do të këtë një varg të efektesh pozitive.
“Fillimisht, duhet nënvizuar që MSA-ja synon krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së brenda 10 vite. Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmerisë së ekonomisë tonë që do të ofron shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët”, tha ai.
MSA-ja, vijoi ministri i Integrimit Evropain të Kosovës, do të ofrojë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja direkte.
“Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë tonë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë”, tha ministri Çollaku në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot paradite.
Të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vendosi dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli. Ndërsa, seanca plenare e përcaktuar ditë më parë nga Kryesia, për të njëjtën ditë dhe orë, është shtyrë.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës u zhvillua edhe sot në mesditë, e katërta në katër ditët e fundit.
KOMISIONERI PËR ZGJERIM I BASHKIMIT EVROPIAN, JOHANNES HAHN: TASH ËSHTË KOHA PËR ZBATIM TË MSA-së
Kryetari i Kuvendit Veseli ka njoftuar Kryesinë se më 6 nëntor Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Kryeministri Isa Mustafa, me atë rast tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë”, theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarët e grupeve parlamentare janë ftuar në një mbledhje të përbashkët edhe për dje në mesditë, të tretën në tre ditë, derisa pritjet ishin që Kuvendi në seancë plenare ta ketë së shpejti në axhendë ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të nënshkruar mes Kosovës e Bashkimit Evropain në Strasbourg, dy ditë më parë.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Deri dje, në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar ndonjë orë pas kohës së mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese të hënën, në 2 nëntor, e cila dje u anulua.
Pardje, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare, vendosi që dje Kuvendi të mbante mbledhje të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë.