• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË AMERIKË

September 29, 2023 by s p

Drita Gjongecaj themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” në New York, USA, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në New York, USA, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Drita Gjongecajn bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “CHILDREN OF THE EAGLE”

Shkolla e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” ushtron aktivitetin e saj në tri zona të NY, në Bronx, në Westchester County dhe në Yorktown Heights. Ajo ka si synim që nëpërmjet ruajtjes së gjuhës, njohjes dhe ruajtjes së traditave të vyera, trashëgimisë kulturore, njohurive rreth gjeografisë, historisë shekullore, etj. të promovojë tek fëmijët dhe të rinjtë atdhedashurinë dhe krenarinë për prejardhjen e tyre. Programi i ka fillimet që nga viti 2014 dhe dy vite më vonë ka marrë zyrtarisht nga shteti i NY statusin e organizatës jofitimprurëse 501(c)3.
Qëllimisht e kemi emërtuar shkollën në Anglisht “Fëmijët e Shqiponjës” duke dashur që nxënësit tanë ta përfaqësojnë dhe përcjellin me krenari këtë symbol të lashtë edhe tek bashkëmoshatarët jo shqiptarë në ambientet ku ata studiojnë, jetojnë, apo në aktivitete të shumta ku ata marrin pjesë.
Ashtu si në programe të ngjashme, fëmijët janë të moshave të ndryshme dhe për më tepër, njohuritë e tyre gjuhësore variojnë edhe brenda së njëjtës grup-moshë, gjë që e vështirëson punën e mësuesit.
Përfitoj nga rasti të theksoj këtu se Children of the Eagle është themeluar nga një grup arsimtarësh profesionistë, të licensuar nga shteti i NY si mësimdhënës apo edhe si drejtues shkollash. Megjithëse ato punojnë me kohë të plotë në Departamentin Shtetëror të Arsimit, me përkushtim, japin nga koha e lirë dhe i shërbejnë komunitetit tonë nëpërmjet programit të Children of the Eagle. Mësueset tona kanë përvojë të gjatë në punën me nxënësit dhe sjellin metodat e duhura shkencore duke adresuar nevojat individuale gjuhësore të cilat ndryshojnë nga një fëmijë te tjetri.
Vëmëndje të vecantë i kushtojmë motivimit të fëmijëve për ta mbajtur gjallë interesin në mësimin e gjuhës. Një nga këto metoda përfshin përdorimin e teknologjisë në forma të ndryshme. Videot, mësimet interaktive, lojërat e deri te vallet e këngët, e sjellin gjuhën në variante të ndryshme dhe krijojnë mundësi bashkëbisedimi ndërmjet fëmijëve. Në njërën nga qendrat tona, në shkollën publike PS/MS 83 në Bronx fëmijët tanë përdorin edhe palestrën dhe sipas preferences luajnë basketball, volleyboll, apo lojëra popullore nëpërmjet të cilave zgjerojnë dhe ushtrojnë fjalorin shqip. Një risi qe kemi sjellë me programin tonë janë ekskursionet, vizitat e nxënësve në qendra të ndryshme në mënyrë që ata t’i shohin ato cka mësojnë në klasë nga një perspektivë tjetër. Mbresa të shumta fëmijët ruajnë nga vizita në selinë e Federatës Panshqiptare Vatra, te Konsullata e Kosovës në New York apo aktiviteti i Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare nga nxënës me prejardhje të kombësive të ndryshme në Queens.

KURRIKULA MËSIMORE

Baza e mësimdhënies janë textet e përbashkëta të miratuara nga institucionet arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, të kushtëzuar nga niveli i ndryshëm gjuhësor i nxënësve, mësueset tona përgatisin vetë materiale me bazë të caktuar tematike duke ofruar kështu shumëllojshmëri dhe duke diferencuar mësimdhënien në grupe të vogla edhe brenda të së njëjtës klasë. Kjo e shton ngarkesën e mësuesit dhe kohën e përgatitjes për mësim, ndonjëhere duke shpenzuar edhe nga xhepi i tyre që të sigurojnë një bazë materiale sa më të prekshme për nxënësit.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË NEW YORK

Ndonëse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se sot mundësitë janë të shumta për mësimin edhe të më shumë se një gjuhe, përsëri e themi me bindje se shkolla dhe mësimi i drejtpërdrejtë luajnë një rol të pazëvëndësueshëm në përvetesimin dhe ruajtjen e gjuhës. Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në programet tona të diasporës janë më shumë sesa didaktike; ato i shërbejnë cështjes kombëtare të ruajtjes së identitetit. Është e rëndësishme të ritheksohet këtu se përvec mësueseve që me përkushtimin e profesionalizmin e tyre tejkalojnë shumë vështirësi, mbështetja e prindërve dhe e komunitetit është kyce për vazhdimësinë e programit tonë. Ne duam që sa më shumë fëmijë ta ndjekin mësimin formal të gjuhës shqipe në mënyrë që të aftësohen ta flasin, lexojnë dhe shkruajnë atë. Vetëm duke i koordinuar përpjekjet tona, mund të arrijmë suksesin e dëshiruar dhe të formojmë një brez që i njeh rrënjët e veta dhe e ruan identitetin e vet kombëtar.

AMERIKANËT MBËSHTESIN DHE INKURAJOJNË MËSIMIN SHQIP

Në New York dhe të gjithë Amerikën, mësimi dhe ruajtja e gjuhëve jo vetëm mbështetet por edhe inkurajohet. Kjo jo vetëm për ruajtjen e gjuhës së prejardhjes por edhe për faktin se dy-gjuhësia është më shumë se thjesht të folurit e dy gjuhëve. Dy-gjuhësia u ndihmon nxënësve të bashkëjetojnë natyrshëm midis dy kulturave dhe të rrisin potencialin e tyre individual për të konkuruar denjësisht në botën globale.
Përsa u përket organizatave shqiptare, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me një numër të konsiderueshëm të tyre. Një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje kemi gjetur sidomos tek Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave Motrat Qiriazi, Vatra, Albanian Culture TV, etj.

MËSIMDHËNIA PËRMES TEKNOLOGJISË DHE DYGJUHËSIA

Përdorimi i teknologjisë erdhi si domosdoshmëri gjatë kohës së pandemisë. Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” ishte shkolla e vetme që ofroi mësim të plotë online nëpërmjët platformës Google Classroom, platformë që u përdor në të gjitha shkollat publike në NY. Për më tepër, mësuesit tanë të licensuar dhe punësuar në arsimin shtetëror të NY ofruan një seri trainimesh për mësues të shkollave shqipe në disa shtete të Amerikës dhe Evropës, përfshi edhe vendet amë, Shqipëri dhe Kosovë. Edhe tani, mësuesit tanë kanë qasje dhe përdorin Smartboards (tabela te sofistikuara elektronike) dhe pajisje tjera elektronike që e bëjnë mësimnxënien më të prekshme dhe efektive. Një falenderim shkon këtu për Ambasadën Shqiptare në Washington DC dhe Qendrën e Botimeve për Diasporën që na kanë siguruar versionin electronik të librit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Megjithatë, programet tona kanë edhe vështirësi që kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e mbështetjes financiare, me orarin e pamjaftueshem (një herë në javë), apo me konfliktin në kohë me programet sportive.

KUSH ËSHTË DRITA GJONGECAJ?

Zonja Drita Gjongecaj është prej 12 vjetësh z/v drejtore në shkollën publike Theodore Schoenfeld, në Bronx, NY. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi.
Pas ardhjes në Amerikë, ka kompletuar masterin a saj të parë shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages– TESOL). Më pas ajo përfundoi studimet pas-universitare në kolegjin mjaft prestigjioz në lëmin e arsimit, Bank Street College of Education si drejtuese metodike në fushën dygjuhësore dhe anglishtja si gjuhë e dytë (Bilingual and ESL Teacher Leadership Academy). Më tej, ajo ka kompletuar gjithashtu Masterin Arsimor dhe është liçensuar në Drejtim/Administrim shkolle në shtetin e New Yorkut.

Znj. Gjongecaj është themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”. Gjithashtu është themeluese dhe kryetare e organizatës së dy gjuhëve dhe kulturave paralele shqiptaro-amerikane (The Association of Albanian American Dual Language and Culture [AADLC]). Prej 6 vjetësh kjo organizatë mban seminarin shkencor-arsimor “Arritje dhe Perspektiva të Mësimdhënies së Gjuhës Amtare në Shkollat e Diasporës” me shtrirje në disa shtete të Amerikës dhe Evropës. Një përmbledhje e prezantimeve të tri seminareve të para është botuar në librin me të njëjtin titull. Libri i vjen në ndihmë jo vetëm mēsuesve por dhe prindërve që punojnë me fëmijët për ruajtjen e gjuhës sonë. Librin mund ta gjeni në Amazon dhe Barnes and Noble (ISBN: 978-1-7371943-0-9).

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Sokol Paja

Pikniku i 3-të i fundvitit shkollor nga Shkolla Shqipe Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle”

June 19, 2023 by s p

Drita Gjongecaj

17 Qershor, 2023/

Në mbyllje të edhe një viti tjetër shkollor, nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, prindër e mësues kaluan një ditë festive nën peisazhin e bukur dhe ambientet e Saxon Woods Park në Westchester, NY.

Ata që gëzonin më shumë ishin natyrisht fëmijët. Ata luanin në grupe në këndin e lojërave (playground) që vetë parku ofron, si dhe me lojëra të tjera të organizuara në grupe. Ajo që i entuziazmoi më shumë fëmijët ishin vizatimet e figurave të ndryshme në fytyrë (face painting) sipas preferencës së tyre. Ishte pikërisht Prof. Mirjana Lukic, drejtuese e procesit mësimor në “Children of the Eagle”, njëkohësisht Pedagoge në dy kolegje prestigjoze që përgatitin mësuesit e ardhshëm në New York, ajo që me shumë thjeshtësi dhe durim “vizatoi” fytyrat e bukura engjëllore të më të vegjëlve.

Fëmijëve iu ndanë edhe certifikatat e përfundimit të programit vjetor të gjuhës shqipe dhe historisë e kulturës kombëtare. Për më tepër, atyre iu shpërndanë edhe lodra të ndryshme përfshi canta shkolle apo makina llogaritëse (calculators) që së shpejti do t’i përdorin në vitin e ri shkollor.

Të rriturit gëzuan nën tingujt e muzikës dhe shkëmbyen biseda të ndryshme. Në mes tyre dallonin mësuesit jo vetëm nga shkolla shqipe por edhe nga shkolla publike të New Yorkut, si dhe të tjerë që janë në procesin e certifikimit në profesionin e mësuesisë.

Midis nesh ishte edhe Albanian Culture TV që për mbi 25 vjet ka ndjekur dhe pasqyruar jetën e komunitetit tonë në NY e më gjerë dhe që arsimimit i kushton vemendje të vecantë.

Gjejmë rastin të falenderojmë me mirënjohje Organizatën AAWO Motrat Qiriazi, si dhe z. Tush Musaj, aktivist dhe suportues i shkollave shqipe, për partneritetin dhe mbështetjen në organizmin me sukses të piknikut të tretë vjetor të fundvitit shkollor 2023.

Padyshim, falenderimi më i madh mbetet për mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” që punojnë gjatë gjithë vitit me përkushtim me nxënës të moshave të ndryshme. Falë punës së tyre, identiteti ruhet, dhe gjuha, kultura, traditat përcillen brez pas brezi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Drita Gjongecaj

Rikthehet mbas 5 vjetësh me sukses Festivali i Shkollave Shqipe në New York

June 6, 2023 by s p

Drita Gjongecaj/

Në një ambient që mban emrin domethënës Illyria, pikërisht në New Yorkun metropolitan, më 4 qershor, 2023, u mbajt Festivali VI i Shkollave Shqipe me pjesëmarrje nga tri shtetet fqinje, NY, New Jersey, dhe Connecticut.

Festivalin e hapi znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtuese e Organizatës Dy-Gjuhësore Shqiptaro Amerikane – AADLC dhe Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, njëkohësisht edhe Zv. Drejtore prej më se një dekade në një prej shkollave publike të Departamentit të Arsimit në New York.

Mori pjesë dhe përshëndeti të pranishmit, Zv. Ambasadori i Misionit të Konsullatës së Kosovës në NY, z. Fatmir Zajmi. Në fjalën e tij, Diplomati Zajmi vlerësoi punën e mësuesve që japin kontributin në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona të vyera, ndërkohë që konfirmoi edhe një herë se mbështetja ndaj këtyre përpjekjeve vazhdon të mbetet një prej misioneve parësore.

Festivali i Shkollave Shqipe në zonën e Tri-Shtetëshit është ideuar dhe e ka zanafillën pikërisht te Misioni i Kosovës në NY, qysh nga viti 2014. Bashkë me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë ato e kanë mbështetur këtë aktivitet për vite me radhë dhe vazhdojnë ta mbështesin edhe aktualisht.

Aktivitetin e mbuloi gazetari i Zërit të Amerikës, Burim Goxhuli ardhur enkas nga Washington DC. Zëri i Amerikës është shërbimi më i madh dhe i hershëm multimediatik ndërkombëtar i SHBA dhe që transmetohet në 48 gjuhë të ndryshme. Muajin e kaluar u shënua 80 vjetori i lajmeve nga Zëri i Amerikës edhe në shqip.

Po ashtu ishte prezent në këtë aktivitet edhe Televizioni Kultura Shqiptare me producent mikun e përhershëm të shkollave shqipe, z. Adem Belliu.

Aktivistë të komunitetit, miq të shkollave shqipe, mësues dhe prindër patën kënaqësinë të ndjekin interpretime në këngë e valle nga nxënës të moshave të ndryshme. Manifestimi i vlerave kulturore dhe identitetit tonë u shpalos me një forcë madhore jo vetëm nëpërmjet muzikës dhe valleve, por edhe nëpërmjet një larmie kostumesh tradicionale nga rajone të ndryshme etnike shqiptare. Veshjet kombëtare shqiptare janë të lashta dhe kanë origjinalitetin e vet. Ato kanë motive dhe ngjyra të vecanta me anë të të cilave shqiptari ka shprehur në shekuj ndjenjat e veta prej artisti, botën, fantazinë dhe kulturën, të njihura si trashëgimi kulturore.

Ky festival është një nga aktivitetet më të rëndësishme të shkollave tona shqipe. Ai vjen pas një shkëputjeje 5 vjecare dhe kjo jo vetëm për shkak të pandemisë por edhe shkaqe të tjera subjektive. Është meritë e shkollave pjesëmarrëse që e risjellin këtë event të rëndësishëm kulturor dhe që janë pikërisht Qendra Kulturore “Struga” nga New Jersey, Qendra Kulturore “Hasan Prishtina” nga Connecticut, si dhe shkolla më e re shqipe në NY, “Mëso Shqip” bashkë me grupin e valleve “Barbana” nën drejtimin e shoqatave “Ana e Malit”, “Kraja”, dhe “Ulqini” dhe me përqëndrim në Staten Island. Po ashtu, edhe Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” që këtë vit pati nderin të jetë shkolla organizuese dhe mikpritëse e mysafirëve nga shtetet përreth New Yorkut. Sipas traditës, cdo vit njëra nga shkollat merr rolin e organizatorit të festivalit në një renditje të përcaktuar rotacioni.

Festivali i 6-të merr një rëndësi akoma më të vecantë sepse kapërceu pengesat që ekzistonin për një bashkëpunim të gjerë midis shkollave të cilat, edhe pse ndajnë të njëjtën mision, nuk gjejnë rrugën e një bashkëpunimi të mjaftueshëm që do rriste efektshmërinë e punës së tyre. Janë këto pengesa që shkaktuan dështimin e festivaleve të vitit 2019 dhe 2022 (pa marrë parasysh këtu vitet e pandemisë).

Pavarësisht nga këto, Festivali i 6-të i Shkollave Shqipe qe një sukses dhe provoi edhe një herë se aty ku ka vullnet të mirë dhe ku identiteti kombëtar është me të vërtetë motivi themelor i punës, suksesi dhe impakti marrin vlera të dukshme reale.

Festivali i shkollave shqipe mbetet një traditë e vyer që mes tjerash, mbart këto vlera:

– I bën jehonë kulturës sonë mes bashkështetasve amerikanë dhe atyre të kombësive të ndryshme që jetojnë në Amerikë e që gjithashtu e vlerësojnë dhe ruajnë kulturën e vet.

– Rikonfirmon rolin esencial të shkollave shqipe në vazhdimësinë e identitetit kombëtar.

– Motivon akoma më shumë fëmijët ta duan, mësojnë dhe përhapin kulturën dhe gjuhën shqipe.

– Nxit ndjenjën e bashkëpunimit dhe lidhjet mes fëmijëve me të njëjtën prejardhje edhe përtej grupit të vogël ku ata zakonisht mblidhen.

Festivali i 6-të u moderua nga mësuesja e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” Kristine Saliasi, dhe dy nxënësit e po kësaj shkolle, Luka Vuksanaj dhe Alfons Gjelaj. Kristine sapo është diplomuar nga Universiteti prestigjioz Fordham University me drejtim të dyfishtë professional dhe me titullin më të lartë të nderit për një student (Summa Cum Laude).

Kosflo Events, u kujdes për dekorimin jo vetëm të sallës së shfaqjes por edhe të hyrjes së Amfiteatrit Illyria, ndërsa DJ Bujar Sadikaj, shoqëroi me muzikë interpretuesit e rinj.

Të parët dolën në skenë nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” si shkolla mikpritëse. Në programin e tyre, ata interpretuan “Kënga e Alfabetit”, “Kuq e Zi Janë Ngjyrat Tona” me soliste Gulianna Stefa dhe Ujvara Hulaj, “Hapa Dollapa”, “Gjimnastika dhe Muzika” kënduar nga Ujvara Hulaj, “E Imja Kosova”, si dhe “Vallja e Tropojës” e “Vallja e Librazhdit” përgatitur nga Majlinda Tafaj, drejtuese artistike e grupit.

Grupi “Hasan Prishtina” u paraqit me Valle me muzikën e këngës “Sërish Vjen Marsi”, këngën “Mora Fjalën”, kënduar nga Eliesa dhe Elina Abazi, vallen “Jam Kosova e Shqiptarisë”, “Jemi Një”, kënduar nga Eliana Dani, për ta mbyllur programin me Vallen “Pavarësia”.

Më pas u ngjitën në skenë interpretuesit e Qendrës Kulurore “Struga” me renditjen e mëposhtme: Vallja “Suitë Kosovare” me koreografi të Mirela Serjani, kënga “Nanë moj Nanë” kënduar nga Melana Abdulaj, Pavarësia”, kënduar nga Medina Toska, dhe në mbyllje, “Vallja e Drenicës” përsëri me koreografi të Mirela Serjani.

Grupi “Barbana” solli tri valle nga grup mosha të ndryshme. Grupi i parë interpretoi vallen “Shota e Anës Malit”, Grupi i dytë – “Vallja e Ulqinit” dhe Grupi i tretë, me “Vallja e Atdheut Tim” me koreografe Hanah Demiri dhe Dia Hoxha.

Të gjitha shkollat pjesëmarrëse interpretuan sipas një minutazhi të njëjtë të paracaktuar.

Në mbyllje të këtij aktiviteti me përmasa jo aq të zakonshme, interpretuesit e të katër shkollave sollën një emocion të fuqishëm tek të pranishmit duke u ngjitur në skenë nën tingujt e këngëve “Kuq e Zi” dhe “O Sa Mirë që Jam Shqiptar!”.

Një falenderim special për të gjithë prindërit që vazhdojnë të na mbështesin në këtë mision të vështirë, por mjaft fisnik, dhe mbi të gjitha, një falënderim për mësuesit dhe drejtuesit artistik që punojnë me fëmijët e të rinjtë në mënyrë konsekuente cdo fundjavë të vitit. Në saj të punës së tyre, këta nxënës megjithëse të lindur larg trojeve të prindërve, kanë mësuar të flasin, shkruajnë, vallëzojnë e këndojnë shqip, kanë mësuar ta vlerësojnë më shumë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë.

Le të shërbejë ky aktivitet edhe si një apel për prindërit që akoma nuk i janë bashkuar shkollave shqipe për t’i regjistruar fëmijët në këto shkolla duke përfituar nga mundësitë e shumta që ofrohen në Tokën e Premtuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mënyrë që të rinjtë dhe fëmijët e diasporës të bëhen bilingual, duhet që prindër edhe mësues të punojnë paralelisht dhe po aq e rëndësishme, të kenë mbështetjen e komunitetit dhe institucioneve tona.

Filed Under: Opinion Tagged With: Drita Gjongecaj

Festa e Flamurit nëpërmjet aktiviteteve interaktive mësimore në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle”

November 25, 2022 by s p

nga Drita Gjongecaj/

Në këtë prag feste madhore për ne shqiptarët, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” e organizoi mësimin në mënyra të larmishme ku nxënësi është vetë epiqendra e të të mësuarit. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive, ndërvepruese dhe praktike në aktivitete mësimore, fëmijët u angazhuan në mënyra të ndryshme, ndërsa mësuan apo shtuan njohuritë e mëparshme rreth Ditës së Pavarësisë.

Studimet në fushën e mësimdhënies dhe teknika që janë provuar si efektive në praktikë kanë treguar se nxënësit e gjuhës përfitojnë shumë nga të mësuarit ndërveprues (interaktiv). Mësimi përvetësohet më mirë dhe ruhet në kujtesën e nxënësit kur të mësuarit kombinohet me një lloj veprimi praktik apo lëvizjeje fizike. Në këtë mënyrë, në vend që të lexojnë thjesht një libër, apo të dëgjojnë mësuesin, nxënësit vënë në përdorim disa aftësi në të njëjtën kohë: të folurit, të krijuarit artistik, leximin, dëgjimin, shkrimin, etj.

Për këtë arsye, dhe për faktin se nxënës të ndryshëm kanë stil e preferenca të ndryshme, ne në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe përfshijmë teknikat praktike të të mësuarit si një pjesë integrale e strategjisë sonë të mësimdhënies së gjuhës, historisë, dhe kulturës shqipe. Metodat progresive mësimore i ndërthurim me mësimin e drejtpërdrejtë dhe i zbatojmë ato me të gjitha grupet tona duke siguruar pjesëmarrjen e plotë të studentit.

Ja disa nga aktivitetet mësimore që ato zhvilluan në këtë vigjilje të Festës së Flamurit:

Më të vegjëlit:

*Mësuan të shprehen thjesht rreth Flamurit Kuq e Zi.

*Ngjyrosën flamurin.

*Afishuan flamujt e ngjyrosur në mur.

*Formuan mini-banderola (prenë me duart e tyre format e zemrës me fjalët “110 Vjet Shtet”; i ngjitën ato me njëra –tjetrën që të duken në të dy anët; i ngjitën në shkopin e vogël).

*Formuan byzylykë me rruaza të kuqe dhe të zeza e i vendosën ato në duart e tyre të vogla.

Grupi i II-të dhe i III-të:

*Zgjeruan njohuritë rreth Ditës së Pavarësisë dhe fjalorin përkatës.

*Shkruan fjali apo paragrafe rreth flamurit.

*Iu përgjigjën me shkrim pyetjeve të parapërgatitura në fletë pune.

*Qëndisën flamurin me duart e tyre.

Kjo lloj mësimdhënieje që kërkon përgatitje dhe përkushtim, zhvillohet nën kujdesin e Drejtueses Drita Gjongecaj, themeluese e kësaj shkolle dhe Organizatës Dy Gjuhësore dhe Kulturore Shqiptaro-Amerikane AADLC, mësueseve të talentuara, Mirjana Lukic, Life Buzhiqi, Haxhere Veseli Matoshi, Elda Cela, Majlinda Tafaj, Kristine Saliasi, dhe Arta Alibali, si dhe koordinatorit Blerim Gjocaj e ndihmësve tanë në klasa të cilët sjellin në forma krijuese dhe të larmishme krenarinë e të qenit shqiptar dhe dashurinë për mëmëdheun.

Në këto ditë festive, Shkolla e Trashëgimisë Shqipe e cila operon në Bronx, Yorktown, Yonkers, dhe Eastchester/New Rochelle u uron të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festën e Flamurit!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Drita Gjongecaj

VATRA PROMOVOI “ARRITJE DHE PERSPEKTIVA TË MËSIMDHËNIES SË GJUHËS AMTARE NË SHKOLLAT SHQIPE TË DIASPORËS”

September 8, 2021 by s p

Sokol Paja

New York më 7 Shtator 2021 – Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, Albanian-American Dual Language and Culture dhe Shkolla “Children of the Eagle” promovuan librin “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë”. Mësues, studiues, gazetarë, historianë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikanë e kthyen këtë promovim libri në një festë madhështore patriotike. Një mbrëmje e veçantë nën drejtimin e gazetares Marjana Bulku dedikuar mësimit të gjuhës sonë kombëtare dhe identitetit tonë kombëtar zgjoi shumë interes dhe u mirëprit jashtëzakonisht mirë prej të pranishmëve. Të kontribuosh në shoqëri për të ruajtur gjuhën, vlerat historike dhe kulturore nderon secilin prej nesh dhe dëshmon haptazi dëshirën dhe pasionin e madh për të kontribuar në brezat e ardhshem për ruajtjen e vlerave gjuhësore e historike dhe idenditare të kombit tonë. Ish-gazetari i Zërit të Amerikës z.Frank Shkreli u shpreh në promovimin e librit “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare të shkollave shqipe në Diasporë” se: “Botimi që sot promovojmë përmbledh një punë të shkëlqyer të bërë me pasion dhe dashuri të veçantë për ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ky punim është një kontribut i çmuar në dobi të mësimit e zhvillimit të gjuhës shqipe në diasporë. Arritjet e deritanishme janë mbresëlënëse dhe perspektivat shumë premtuese në kultivimin e gjuhës shqipe si një mision fisnik dhe kombëtar” tha ndër të tjera z.Shkreli. Ambasador Mal Berisha përgëzoi botueset për arritjet që vijnë të shpalosura në një botim kaq të rëndësishëm për mësimin shqip në diasporën e Amerikës. Z.Berisha u ndal të rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporë dhe rëndësia e figurave kombëtare si pikë referimi për shqiptarët e diasporës. Z.Berisha solli për pjesëmarrësit një eksperiencë personale gjatë shërbimit diplomatik në Londër kur u vendos busti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit. Ai solli edhe një shembull shumë interesant me arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e vjetër në Turqi si modele të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar. Studiuesi Dr. Paulin Marku u shpreh se: “Fillimet e shkrimit shqip lidhen me botimin e Mesharit te Gjon Buzukut ne shekullin e XVI me alfabet latin. Nje moment kulminant i rendesishem per fatet e gjuhes shqipe ishte edhe përcaktimi i alfabetit te gjuhes shqipe me germa latine ose arabe. Kongresi i Manastirit eshte nje akt i rendesishem historik kombëtarë, mbledhja e 50 delegateve ku vetem 32 prej tyre kishin te drejte vote, nga klube e shoqeri kulturore te ndryshme, nga Sofja, Bukureshti, arbresh nga Italia dhe përfaqësues nga koloni shqiptare te ShBA. E cilësova Kongresin e Manastirit se eshte nje ngjarje e rendesishme historike kombetare sepse aty u përcaktua unifikimi i alfabetit dhe u hartua programi kombëtar shqiptar dhe u vendos nje alfabeti me germa latine ne rrugëtimin historik “Një komb, një gjuhë” tha ndër të tjera studiuesi Dr. Paulin Marku. Doktorante Arjeta Ferlushkaj u shpreh se: “Ky libër i kushtohet të gjithë mësuesve dhe dashamirësve të gjuhës e kultures shqiptare, në mënyrë të veçantë atyre të diasporës, kudo ku ata jetojnë e veprojnë. Nuk kemi synuar të bëjmë një libër-abetare, as nuk kemi pretenduar se libri do  të shterronte të gjitha problematikat që ngërthen mësimi i një gjuhe amë në diasporë. Por ama, ne kemi motivimin dhe pretendimin që kjo nismë e  ky botim i parë të frymëzojë për atë librin-abetare shumë të dëshiruar për mësuesit në diasporë dhe aspirojmë e punojmë që të kontribuojmë në zvogëlimin e pengesave,  vështirësive dhe problematikave që hasen gjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhës shqipe në diasporë, me fokus më të përqëndruar në atë të Amerikës” shpregoi Doktorante Arjeta Ferlushkaj. Zonja Mimoza Hasanbelliu analizoi disa faktorë të raportit të gjuhës shqipe me fëmijët në familjet shqiptare dhe u shpreh se: “Në shkollat publike të NY ka kordinator te prinderve qe mban lidhjet me familjet e organizon aktivitete te ndryshme edukative e profesionale me prinderit. Mendoj se kjo duhet te praktikohet edhe ne shkollen shqipe. Si kryetare e bordit te TV Albanian Culture ne keto 24 vjet,  kam konstatuar qe edhe pse femijet kendojne, vallezojne, recitojne ne shqip ne aktivitetet e festivalet e  shumta kulturore te organizuara nga shkollat shqipe ne rrethet e te tre shteteve (NY< NJ< CT), kur vjen moment te komunikojne me prindin para, gjate apo pas  shfaqjes ata preferojne te perdorin gjuhen angleze” citoi zonja Hasanbelliu. Editori epokal i Diellit z.Dalip Greca që drejtoi Diellin e Vatrës për 12 vite u ndal në rëndësinë e zhvillimit dhe mësimit të gjuhës shqipe në diasporën e Amerikës dhe përpjekjet e pandërprera të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Z.Greca u ndal te dy editorët e Diellit, Kostë Çekrezi dhe Nelo Drizari të cilët kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe duke botuar fjalorë të gjuhës dhe gramatikës. Z.Greca kujtoi për të pranishmit edhe një moment të rëndësisëm për zhvillimin e mësimin shqip kur Vatra solli mësues nga Tirana në Uster për zhvillimin e mësimit shqip. Gazetarja Marjana Bulku u shpreh se: “Të ruash materialet, ti përmbledhësh ato, ti publikosh nê një botim serioz është një investim që i shërben një komuniteti që i tejkalon muret e klasēs pra nuk i takon vetëm mêsuesve e nxënësve por shmë më tepër se kaq. Pandemia na detyroi që seminarin e tretë ta zhvillojmë online, ishte një përvojë e cila krahas vështirësive na mundësoi prezencën e personaliteteve të cilët nuk do kishim patur rast ti kishim fizikisht prezent ndofta edhe per arsyje distancash  dy prej tyre sot i kemi edhe sot. Seminaret online vazhduan në ndihmë të mesuesve duke perforcyer e shkëmbyer pervoja te reja online, metoda, arritje per mesues, nxenes, prinder, studiues dhe hartues programesh mësimore” citoi zonja Bulku. Mësuesja Drita Gjongecaj drejtuese e shkollës shqipe “Children of the Eagle” tha ndër të tjera se: “Ky libër është rezultat i përkushtimit dhe punës së një grupi profesionistësh dhe sjell metoda të mësimit të gjuhës dhe problematika me të cilat përballemi në ruajtjen e e gjuhës e kulturës sonë. Ai sjell materiale të vlefshme për mësuesit e gjuhës por edhe prindërit dhe cdokend që dëshiron të japë më shumë për ceshtjen e identitetit kombëtar. Puna jonë konsiston në shtimin e qendrave të mësimit të gjuhës e deri në përfshirjen e saj në arsimin publik që do ta pozicionojë gjuhën shqipe në mënyrë institucionale në arsimin shtetëror të NY” përfundoi zonja Gjongecaj. Mësuese Mjaftime Dushollari u ndal te rëndësia e mësit shqip të fëmijët shqiptarë në diasporë si themel i forcimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Për të pranishmit dy nxënëse të shkollës shqipe “Children of the Eagle” Joana Koka dhe Klaudia Koka recituan dy poezi kushtuar Atdheut dhe Nënë Terezës. Dritan Koka një prind i devotshëm foli rreth vëshirësive dhe sakrificave për mësimin e gjuhës shqipe përgjatë pandemisë globale. Në përfundim të ceremonisë së promovimit të librit: “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës”, Aleksandër Nilaj nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” dhuroi 25 çanta dhe materiale shkollore për nxënësit e shkollës shqipe “Children of the Eagle”. Z.Nilaj u asistua në shërbim dhe transport nga vullnetarët e shoqatës së tij të bamirësisë Fran Marku, Viktor Popaj, Pllumb Berberi, Hysni Lika dhe Ardjan Mezini. Ceremonia e promovimit vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes në një koktejl të përgatitur dhe dhuruar bujarisht nga patritoti shqiptar Toni Musaj i cili prej vitesh mbështet përzëmërsisht aktivitetet e Vatrës dhe aktivitete të tjera kulturore e kombëtare në New York dhe më gjerë.  

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Frank shkreli, Sokol Paja

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT